More
    KreuArte pamoreLuan M. Rama: Dy punë të pambaruara, si vetë jeta e piktorit...

    Luan M. Rama: Dy punë të pambaruara, si vetë jeta e piktorit Shaban Hysa

    Vepra e Shaban Hysës ka një veçori që nuk e ndeshim shpesh ndër piktorët e tjerë të brezit apo të kohës së tij; ka veçorinë ku piktori, arkitekti i skenës, skenografi, kostumografi dhe etnografi jo vetëm ndihmojnë e plotësojnë artistin, por edhe i japin veprës së tij vlerë dhe dimensione universale.

    Duke qenë racionale në thelbin e vet, ajo është edhe shumë e organizuar në harmonizimin pothuaj deri në kufijtë e perfeksionit të të gjithë elementëve përbërës, ç’ka është produkt i një arsyetimi të peshuar gjatë, shumë më parë se artisti të na sjellë në trajtën e lëndës artistike, përjetimin e tij shpirtëror, ndjesitë apo emocionet që e urdhërojnë dhe udhëheqin në procesin krijues.

    Talenti dhe mjeshtëria e vizatimit si një prej dhuntive të veçanta të Shaban Hysës, i japin atij bazën mbi të cilën vjen e formohet artisti me gjithë kompleksitetin e elementëve të domosdoshëm, madhështinë e të cilit e gjejmë në pothuaj të gjithë veprën e pasur që ka lënë, e që është ndër ne sot në një farë mënyre jeta e tij e pambaruar, jeta që vazhdon, një privilegj i artistëve, të cilët, ndryshe prej njerëzve të zakonshëm, kanë edhe jetën e veprës së tyre, e cila është e pakohë.

    Që prej vizatimeve të para e skicave të thjeshta e deri tek tablotë e përmasave të mëdha, nga portreti e deri tek kompozimet monumentale, nga natyra e qetë e tek peizazhet mahnitës, nga detaji më periferik i skenografisë së një vepre skenike e deri tek shumëllojshmëria e motiveve dhe e ngjyrave të kostumografisë, që janë padyshim kontribute fondamentale të tij të një vlere të veçantë në të gjithë fondin tonë kombëtar të etnografisë, shfaqet piktori meditativ e lakonik i linjave elegante, por edhe mjeshtri i harmonisë së ngjyrave dhe i karakterizimit psikologjik të veprës me një peshë imponuese.

    Por,  po aq na vjen edhe skenografi novator e modern i një cilësie mjeshtërore në ruajtjen dhe harmonizimin e raporteve të vëllimit dhe hapësirës nga njëra anë, dhe kostumografi elegant e plot shije nga ana tjetër, që na plotësojnë në këtë mënyrë portretin e Shaban Hysës si artist në gjithëkuptimshmërinë e këtij përcaktimi, me një profil shumë të spikatur dhe lehtësisht të dallueshëm për nga individualiteti.

    Ndër disa vepra të tij, që kam fatin t’i kem në koleksionin tim dhe që po jua bëj të njohura duke i publikuar sot edhe për ju, më të veçantat e më të rëndësishmet për mua janë dy prej tyre.

    Dhe kjo jo vetëm prej faktit se në ato dy punë artisti zgjodhi të kishte për model dhe frymëzim vajzën time, por, më shumë ngaqë ato janë në fakt edhe dy punët e fundit të tij, të mbetura të pambaruara e ku ai ka lënë përjetësisht mbi telajo një emocion dhe përjetim krejt unik, gjë që duket jo vetëm në mënyrën e konceptimit, por edhe për këndvështrimin, për thellësinë dhe horizontin që u jep atyre.

    Duke i parë ato punë sot, 19 vjet më pas që prej kur piktori nuk pati më mundësi të përdorte penelin e të hidhte ngjyrat mbi to, në të gjithë lirizmin që i dominon, gjen edhe një përmasë metafizike deri në trajtën e ontologjisë në trajtimin artistik të tyre, që iu jep veprave një vlerë të veçantë, pasi nuk e gjejmë këtë element kaq të dukshëm në vepra të tjera të piktorit.

    Edhe pse ato janë dy punë të pambaruara, në fakt janë një vepër, e cila na vjen e pambaruar siç ndodh me shumë vepra të piktorëve të mëdhej, të cilët edhe jetën e kanë si veprën e tyre; të pambaruar, të pakryer. E kanë gjurmë vazhdimësie.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË