More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLindita Tahiri: Zija Çela ka krijuar një autoritet të ri, atë të...

    Lindita Tahiri: Zija Çela ka krijuar një autoritet të ri, atë të lexuesit

    1

    Kur përuroi romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, Zija Çela u paraqit në sallë përballë gazetarëve pa asnjë kritik e studiues, vetëm me një lexues, një qytetar të zakonshëm e publikisht të panjohur, të cilit ia kishte besuar recensionin e librit.

    Për këtë gjest vetë shkrimtari u shpreh: “Dhe kështu, me gjasë, hymë në një çështje problemore. Me këtë formë promovimi a mos po i kundërvihem mënyrës tradicionale, mënyrës së rëndomtë ku librat e rinj paraqiten shpesh me disa referues dhe me sallën plot, një sallë ku asnjë nga pjesëmarrësit nuk e ka lexuar librin?! Në thelb, unë refuzoj vetëm klishetë monotone. Standardet kërkohen e vlejnë tjetërkund, por në fushën e artit dhe në punën kulturore, duke u përdorur në formë të ngurosur, standardi bëhet armik i krijimtarisë.”

    Ndërsa gjatë promovimit, si për të dëshmuar rritjen e tij, lexuesi recenzent tha: “Romanet e Çelës ma kthyen besimin te letërsia dhe nisa t’i shkruaja letra autorit…”

    E ca më tepër të rritet admirimi për veprën e Zija Çelës, kur vëren se ky dorëzim, ky vetëflijim i autorit nëpër tekstet e tij, mbart në vetvete një proces mistik, që magjishëm arrin të shndërrojë në njerëz realë e të prekshëm shumë personazhe. Nuk është një ndërrim vendesh mes autorit, veprës dhe personazheve, por ma do mendja një shembull i kuptimit të misionit, arsyes dhe profesionit që më në fund, më në fund, kemi fatin ta shohim të ndodhë në letërsinë shqipe.

    2

    Ashtu si veprimtaria e Ismail Kadaresë, që e ka mundësuar lirinë e mendimit në kohën e diktaturës më të egër, proza e Zija Çelës e ushqen kreativitetin e leximit në epokën e sotme të kulturës së popullarizuar të konsumit, ndoshta duke vërtetuar kështu faktin se letërsia ka qenë tradicionalisht mjeti më efikas i shqiptarëve për t’u rezistuar ideologjive totalitare, çfarëdo qofshin ato.

    Me veprën e tij, Zija Çela arrin të krijojë një autoritet të ri, atë të lexuesit, duke iu kundërvënë jo vetëm dogmës së realizmit socialist, që synonte të parandalonte çdo shkëndijë të mendimit kritik te lexuesi, por duke u shkëputur edhe nga realizmi komercial, që e shndërron në konsumator pasiv lexuesin.

    Lexuesi i veprave të Zija Çelës është edhe lexuesi i rrëfyesit në botën fiktive, edhe lexuesi i autorit në botën reale, duke u angazhuar në një loje me hyrje e dalje nga teksti i librit, çka ia nxit vetëdijen për rolin e tij në këtë proces, për pjesëmarrjen aktive, për ‘natyrën vetvetishëm ndëraktive të leximit’ (Hutcheon: 141).

    Si mund të interpretohet ky tipar i shkrimtarit ne kontekstin e letërsisë bashkëkohore, jo vetëm shqipe? Joyce-i dhe Flober-i arritën teknikisht thuajse të paarritshmen, arritën konstruktimin e tekstit të drejtëpërdrejtë, pa të adresuar, pra, siç thotë Barthes-i, e rrëfejnë rrëfimin zero. Zija Çela dhe Orhan Pamuk bëjnë të kundërtën, e bëjnë të dukshme praninë e vet, por për të njëjtën arsye që ka edhe rrëfimi impersonal: për ta lënë të lirë lexuesin.

    Ngjashëm me autorët e tjerë të mëdhenj dhe gjithashtu të popullarizuar, Zija Çela e gjen mënyrën për t’u bërë njëkohësisht edhe i veçantë, edhe i lexueshëm. Risia e këtij autori është sidomos domethënëse në kohën e sotme, kur letërsia moderne ka pësuar aq shumë ndryshime, sa vështirë se mund të jetë mjaftueshëm moderne (Matz).

    3

    Zija Çela dëshmon edhe misionin shoqëror të letërsisë, një çështje kjo sa shpesh e diskutuar, po aq shpesh e çvleftësuar, si shprehje utilitare e thjeshtëzimit ideologjik të ekzistencës së artit.

    Në kulturën tonë shkrimtari tradicionalisht ka qenë figurë me rëndësi publike, madje ka marrë pjesë drejtpërsëdrejti në mbrojtje të çështjeve kombëtare. Dhe prej letërsisë janë pritur parashikime, të vërteta e udhëzime, jo vetëm në aspektin politik, por edhe atë moral.

    Zija Çela sot e fton lexuesin të bashkinterpertojë me atë, pa moralizim, pa predikuar me tone tragjike për të vërtetat transcendentale. Me humor e stairë, ai e fton lexuesin të mendojë me inteligjencë rreth problemeve të rëndësishme që preokupojnë shoqërinë dhe individin. Ky lloj rrëfimi e inkurajon leximin individual dhe shumësinë e perspektivave, duke u bërë drejtpërdrejt mjet i efektshëm narrativ kundër mendimit dogmat, propagandës dhe autoritarizmit, të rrënjosur qoftë nga sistemi i dikurshëm totalitar, qoftë nga skematizmi dhe komercializmi i sotëm kulturor. Një përqasje e tillë e autorit i shkon për shtat edhe raportit modern të lexuesit me letërsinë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË