More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLibri jo i zakonshëm i Sulit dhe suljotëve

    Libri jo i zakonshëm i Sulit dhe suljotëve

    Faik Konica, që lidhur me burimet albanologjike zotëronte informacion maksimal për kohën e vet, ka pasur për këtë libër një njoftim të tërthortë, pa ia dalë të identifikonte botimin dhe/ ose botimet. Më shqip: pa e futur dot në dorë. Tek “Albania” e vitit 1904, nr. 11 dhe 12, njoftoi një përmbledhje shqip të librit në fjalë prej një përmbledhjeje anglisht nga Thomas de Quincey, shqiptar të cilin Faiku e admironte për romanin “Rrëfime të një ngrënësi anglez opiumi”. Botimin origjinal as De Quincey nuk e kishte pasur për duarsh, por e kishte shuar kureshtjen e një libri për Sulin dhe suljotët të botuar në greqishte më 1815 në Venedik nëpërmjet një përkthimi italisht të vitit 1819.
    Konica e kishte mësuar shënimin e anglezit De Quincey nga vëll. X i veprave të shkrimtarit, Complete Works, bot. 1862. Në të vërtetë, De Quincey ka qenë joshur nga historia e Sulit dhe e suljotëve tre dhjetëvjetësha më herët, kur në revistën historike me të cilën bashkëpunonte, Blackwood’s Edinburgh Magazine, vëll. XXIII i muajve janar-shkurt 1833, botohej një shkurtore e historisë së revolucionit grek nga Thomas Gordon (f. 476-502). Ishte fjala për veprën madhore të sapodalë asokohe në publik History of the Greek Revolution, London 1832. Edhe pse vepra përmbante mjaft njoftime për arbërorët e Greqisë si banorë të Atikës, Argolit, Beotisë, Fokisë, ishujve Hidër, Specie, Salaminë, Andros dhe të një numri fshatrash në Arkadi, në Akajë dhe në Meseni etj., përfshi edhe doket e zakonet e tyre, si dhe për historinë kontroverse të Ali pashë Tepelenës, De Quincey ishte i mendimit që në të meritonin më shumë vend me historinë e tyre Suli dhe suljotët. Prandaj ai i shtonte aty në një shënim të gjatë përfund faqeve 485-492 duke e sqaruar kështu burimin e përdorur: “Ne e nxorëm atë (për ç’u përket fakteve) nga një vepër e vogël e hartuar në origjinal nga një shqiptar në greqishte të re dhe të botuar në Venedik më 1815. Kjo vepër qe përkthyer menjëherë në italisht, nga Gherardini, një oficer italian i Milanit. Dhjetë vjet më vonë u riprodhua edhe në version anglisht, me disa pak shkurtime, por në Angli duket të mos ketë tërhequr vëmendjen e publikut dhe, me gjasë, është harruar.”

    Botimi italisht i veprës Histori e “Sulit dhe e Pargës”, Milano 1819

    Botimi greqisht i vitit 1815 në Venedik, me titullin që në shqip do të përkthehej “Histori e Sulit dhe e Pargës që përmbledh kronologjinë dhe luftërat e tyre heroike, veçanërisht ato të suljotëve, me Ali pashën, prijësin e Greqisë”, ruhet në koleksionet albanologjike të Bibliotekës Kombëtare, Tiranë, me ardhje prej fondit “Lumo Skëndo”. Në këtë botim autori e ka fshehur emrin duke nënshkruar me pseudonimin “Byk Pso Psxī La, Aōka” dhe kuptohet se përse: ngaqë libri i bënte sfidë turkokracisë në atdheun e pushtuar. Letra përkushtuese me të cilën hapet libri, është nënshkruar “Stefanos Anagjirasios”. Po në të njëjtin koleksion ndodhet edhe botimi në italisht, ai që pati njohur dhe përmendur Thomas de Quincey, me titull: Storia di Suli e di Parga, contenente la loro cronologia, le loro guerre e specialmente quelle de’ Sulioti con Ali-Bascià, principe della Grecia, scrita in Greco-volgare da Byk Pso Psxī La Aōka e tradotta in lingua italiana dal ragioniere Carlo Gherardini Milanese Membro corrispondente dell’ Accademia Jonia, Milano 1819.
    Përkthyesi italian Gherardini, që kishte shërbyer në Korfuz dhe e kishte njohur në vend situatën arbërore të Epirit, ka treguar në parathënien e përkthimit italisht që ishte takuar edhe me Ali pashë Tepelenën, tek i cili e paraqiti konsulli Pouqueville.
    I dhënë sidomos mbas fakteve luftarake, Gherardini kuptohet të jetë joshur nga historia e qëndresës dhe e luftërave të suljotëve për të mbrojtur lirinë e tyre nga dhuna e pashallarëve. Ngaqë interesohej për atë histori, atij i ra në dorë libri i botuar në Venedik më 1815, që do ta përkthente dhe botonte në italisht më 1819. Falë këtij përkthyesi të mirinformuar mësohet fakti i rëndësishëm: vepra që ai ka përkthyer është shkruar da un ufficiale albanese, pra nga një ushtarak shqiptar. Çudi nuk është që autorin anonim ta ketë zbuluar nëpërmjet Pouqueville-it, i cili në ato mjedise kishte rrjetin e vet – të paguar – të informacionit. Thomas de Quincey prandaj e ka vënë në dukje këtë fakt në shënimin e vet historik: a little work originally composed by an Albanian in modern Greek. Dhe e ka përsëritur mandej disa herësh: the Albanian author, the Albanian author.
    Autori i vërtetë i veprës mësohet në një botim më të vonë të saj, të vitit 1857 në Athinë, i cili mund të quhet edhe përpunimi i saj përfundimtar. Ka tanimë titullin Histori e Sulit dhe e Pargës, që përmban kronologjinë e tyre, betejat kundër osmanëve, kryesisht ato me Ali pashën, satrapin e Epirit (Ιστορία του Σουλλίου και Πάργας περιέχουσα Την χρονολογίαν αυτών, τας προς τους Οθωμανούς μάχας, κυρίως δε τας προς τον Αλή Πασά Σατράπην της Ηπείρου, Τύποις Φ. Καραμπίνη και Κ. Βάφα, 1857). Ishte çliruar Greqia dhe autori e ka nënshkruar këtë botim me emrin Kristofor Perrevó.
    Ky qe emri luftarak dhe politik i birit të një familjeje nga të arbërorëve të Thesalisë, që në të vërtetë quhej Krisaf Haxhivasili (1773-1863).
    Arvaniti Kristofor Perrevó duhet të ketë qenë i lidhur qysh herët, njëzetecavjeçar, me Sulin dhe i përfshirë në qëndresën e suljotëve – si dhe të parganjotëve – ndaj sulmeve të mercenarëve të Ali pashë Tepelenës. Qe detyruar të mërgonte për të studiuar në Bukuresht dhe mandej në Vjenë. Aty, në Vjenë, ra në takim me Riga Fereon, famëmadhin ideolog të çlirimit të popujve ballkanikë nga turkokracia. Më 1817 udhëtoi në Rusi, për të rënë në marrëveshje me Eterinë Filike ose “Shoqatën e Miqve”; ajo përgatiste kryengritjen çlirimtare të Greqisë. Vetë ka treguar se si në Shën Petersburg i paraqiti carit Aleksandër projektin revolucionar për çlirimin e Greqisë. Cari nuk e përfilli. Nëpër Europë, mbas kësaj, i përndjekur nga polici të disa vendeve, i arrestuar, i burgosur, qe shtrënguar të bënte jetë konspiratori.

    Botimi i parë i veprës Histori e “Sulit dhe e Pargës”, Paris 1803

    U kthye në Greqi jo vetëm si njëri ndër organizatorët e kryengritjes çlirimtare, por edhe si luftëtar dhe komandant luftëtarësh. Këtë veprimtari e ka dëshmuar në një tjetër vepër të vetën, Kujtime të luftës (Απομνημονεύματα πολεμικά), që përfshijnë vitet 1820-1829, bot. Athinë 1836. Është vepër me vlerë burimore origjinale edhe kjo, posa që nëpër të përshkruhen me përimtí ngjarje të luftës për çlirimin e Greqisë nga ana e një pjesëmarrësi në to. Sulit luftëtari i është kthyer përsëri, sepse më 1821 suljotët qenë kthyer nga mërgimi në Korfuz. Ata burra qenë kthyer për t’i ardhur në ndihmë në momentet e tij kritike Ali pashës, – përndjekësit dhe masakruesit të tyre, – tani kur sulltani e kishte shpallur fermanli. Luftonin, pra, tani pro Ali pashës kundër ushtrisë së sulltanit. Ndër komandantët e tyre rezulton edhe vetë Kristofor Perrevoi, përkrah me të tjerë arvanitë në zë nga Boçarët, Zervat, Xhavellat, Kuconikat etj., siç e ka treguar.
    Me interes fakti që Perrevoi e ka dëshmuar në Kujtimet e luftës: vetë Aleksandër Ipsilanti, kryetar i Eterisë, e kishte miratuar këtë ndihmë të suljotëve për Ali pashën si pjesë e përgatitjes së kryengritjes greke; ajo pikërisht atë vit (1821) shpërthente në Peloponez për t’u hapur edhe në të tjera krahina të Greqisë.
    Arvaniti Perrevó qe pjesëmarrës në një numër të madh betejash të revolucionit grek, por ato nuk ka vend këtu për t’ia numëruar. Më 1823 ndodhej në Misolongjin historik dhe po atë vit merrte pjesë në “Asamblenë Kombëtare”, e cila e emëroi ministër të Luftës. Mbas themelimit të Mbretërisë së Greqisë për meritat e tij luftarake u gradua kolonel, mandej gjeneral. Kishte marrë pjesë në Asamblenë III Kombëtare të Argosit, mandej në Asamblenë IV etj., gjithnjë si përfaqësues i Thesalisë.
    Në të tilla rrethana, në Asamblenë Kombëtare Kushtetuese të 1844-s, libri Histori e Sulit dhe e Pargës i shërbeu për të mbrojtur me fakte historike kontributin e popullsive “heteroktone” – kështu emërtoheshin popullsitë etnikisht jogreke – të Epirit, Thesalisë dhe Maqedonisë për çlirimin e Greqisë.
    Për ç’i takon librit në fjalë, Émile Legrand në veprën e vet themelore Bibliographie Albanaise (1912) ka saktësuar që botimi i vitit 1815 nuk qenkësh veçse i dyti botim i tiji, ndërsa një botim i tij i parë ishte kryer në Paris më 1803. Qysh në kohën e vet bibliografi i cilësonte të rralla të dyja botimet. Për atë të 1803-shit: “botim i parë dhe fort-i-rrallë” (nr. 132). Për atë të 1815-s: “botimi i një rallësie të madhe” (nr. 135). Fatmirësisht, botimi i parë “fort-i-rrallë” i vitit 1803 sot mund të preket me dorë në disa biblioteka të Europës, si në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës (dikur Kaiserlich und Königliche Hofbibliothek), në bibliotekën e Universitetit të Kretës etj. Nga ballafaqimi i dy botimeve, të 1803-shit dhe 1818-s, kuptohet që i pari ka përbërë vetëm një vëllim, ndërsa i dyti është botim i plotësuar dyvëllimësh.
    Edhe një tjetër fakt me interes rezulton nga ballafaqimi i tyre. Në f. 9-10 të botimit të parë tekstin e paraprin një poezi me titull Elegji e shenjtë gjashtëvargëshe kushtuar maleve të Sulit e nënshkruar “Andronikos Olynthios Toronaeos”. Nga botimi II kuptohet që ky qenkësh pseudonimi i Andrea Idromenos, klerik nga Parga (Άνδρέας ιερεύς Ὑδρωμένος ό Ὑπαργείος), i ati i Arsen Idromenos të zhvendosur nga Parga në Shkodër dhe gjyshi i të mirënjohurit tonë Kolë Idromeno.
    Botimi i 1803-shit është befasues nëse mbahet në sy që qëndresa përfundimtare e suljotëve për të mbrojtur liritë e tyre nga ushtritë e Ali pashës u arrit të shtypej pikërisht në atë ndërkohë.
    Përgjatë vitesh suljotëve u qe dashur të përballonin ushtritë e pashallarëve paraardhës të Aliut në plot nëntë beteja historike, nga të cilat kishin dalë fitimtarë. Në kohën e sundimit të Ali pashës, si i kishin mundur në dy beteja ushtritë e tij, beteja e tyre e fundit me të kishte filluar më 2 tetor 1800, – data që jep autori i librit, – për të përfunduar më 2 korrik 1802. Me mesin e vitit 1802 përfundon edhe pjesa e parë e botimit të Parisit të vitit 1803 për ç’i takon Sulit. Pra, sado të duket e pabesueshme, qenkësh fjala për një libër të shkruar e të botuar flakë-për-flakë me ngjarjet tragjike të Sulit dhe të suljotëve. Sikurse në pjesën e dytë të librit të botimit të Venedikut 1815 shtjellohet edhe më, qëndresa e suljotëve nuk qe shtypur plotësisht. Ajo vijoi deri në fund të vitit 1803: në dhjetor të atij viti Ali pasha ra në ujdi me suljotët duke i lejuar të merrnin kishin e ç’nuk kishin dhe të mërgonin për në ishujt e Jonit. Po atë muaj u regjistruan akti heroik i murgut Samuil, që hodhi në erë veten së toku me magazen e barotit, si dhe heroizmi i grave suljote që, duke vallëzuar e kënduar, u hodhën në greminë për të mos i rënë në dorë turkut. Në libër autori i krahason luftëtarët suljotë me spartanët e antikitetit, ndërsa heroin Foto Xhavella e quan “një Leonidhë i dytë”.
    Përpos historisë së qëndresës dhe betejave të suljotëve, autori ka ndërtuar një minihistori gjeografike dhe etnografike të “shtetit të vogël”. Ajo ka vlerën e rrallë që të jetë mbështetur në dëshmi të vjela prej tij në vend. Burimi i tyre janë të dhënat prej pleqve të Sulit, në një ndërkohë ndoshta të papërcaktuar sak, por gjithsesi kohë më parë se Suli të prishej. Prej pleqve të Sulit autori ka parashtruar përfundimin e prejardhjes së suljotëve nga një zhvendosje, me disa ndërkohë, e banorëve të Gardhiqit, të cilët i parapëlqyen ato male dhe pyje si vende më të qeta e më të sigurta, pra më të lira.
    Edhe Panajot Aravantinoi (për vete çam nga Parga) te vepra madhore Kronografi e Epirit (1854) i ka bërë suljotët me prejardhje arbërore, që flasin shqip, dhe të vajtur në Sul nga Gardhiqi (v. II, f. 156). Mirëpo edhe ky po në librin e Perrevoit është mbështetur, siç e ka përmendur vetë.
    Një njoftim i tillë e bëri Konicën të pohonte që suljotët qenë “lebër të thjeshtë”, duke qenë që Kardhiqi ndodhet “në mes të Labërisë”. Për të “labësia” e suljotëve konfirmohej edhe nga fjalorthi shqip-greqisht i Marko Boçarit, që Konica e kishte nxjerrë për ta botuar nga Biblioteka Nacionale e Parisit. Konica i ka rënë shkurt duke mos ditur, ose duke mos dashur të dinte, që në këtë mes nuk hyn në vështrim vetëm Gardhiqi – më sak Kardhiqi – i Labërisë. Me të njëjtin emër ka disa fshatra në Epir, Arkadi dhe krahina të tjera të Greqisë. Fshatra që duket të lidhen drejtpërsëdrejti me prejardhjen arbërore të suljotëve janë, për shembull: 1) Gardhiqi në Thesproti, që quhet edhe pjesë e Sulit, si dhe 2) Gardhiqi po në Thesproti, që mbahet pjesë e Filatit. Nuk mund të mos vihet re që Aravantinoi i përmendur ka pas saktësuar: “nga fshati Gardhiq i Paramithisë” (po aty).
    Edhe për prejardhjen e emrit të Sulit autori i librit ka dhënë një variant vendës duke kundërshtuar hipotezat klasike të do autorëve të huaj, të cilët ia lidhnin emrin me Selin që ka përmendur Homeri ose me Solion që ndeshet tek Tukididi. Për t’i hedhur poshtë mëtime të tilla Perrevoi ka dhënë argumente dërrmuese gjeografike si njohës i mirinformuar i terrenit, sidomos në një shtojcë të botimit të dytë ku ka parashtruar një apologji të tërë kundër “një anglezi”.
    Ai ka përshkruar më tej përbërjen e katër fshatrave të mirëfilltë të Sulit, si dhe të gjashtë fshatrave të tjerë që i ka quajtur “të kolonizuar” prej suljotësh. I ka përshkruar fshatrat duke i numëruar familjet emër më emër, nga më të hershmet te më të rejat, madje duke njoftuar edhe prejardhjet e tyre, si për shembull: të parët Zervat vajtur në Sul nga një fshat i Artës i quajtur Zervi, mandej Boçarët nga një fshat i quajtur Dragan “katër orë larg Paramithie”, Drakat nga një fshat i quajtur Martan “në krahinën e Lamarit”, Buzbat “nga fshatrat e vllehve”, Dankliat “nga Fanari” dhe kështu me radhë për gjithsecilin fshat.
    Me sa ka qenë informuar në vend, ka përshkruar edhe gjendjen e popullsisë, doket dhe zakonet e saj, Kuvendin e të Parëve, gjykimi i të cilëve ishte ligj për të gjithë suljotët, pacenueshmërinë e gruas suljote që mund të shkaktonte ndëshkime turpi për këdo që do të guxonte ta shkelte etj. Suljotët e gjallë që ka regjistruar ai nuk kanë shkolla, as “letërsi”, nuk ushtrojnë zeje as tjetër mjeshtëri, përpos përdorimit të armëve: “me to hanë, me to flenë, me to vigjilojnë”.
    Jetën e suljotëve nën turkokracinë autori e ka përshkruar në një konflikt të vijueshëm luftarak disadhjetëvjeçar me ushtritë mercenare të pashallarëve dhe më së fundi, edhe me ato të Ali pashës. Përbërja kryesore e atyre ushtrive, sikurse edhe të tjerë autorë e kanë përshkruar, qenë të quajturit “arbërorë turq”: τουρκαρβανίτες. Ata qenë rreziku jetik për suljotët, sepse ata përbënin ushtrinë që Ali pasha përdorte për të shtruar të pashtruarit. Nga ana tjetër, edhe për ata turkarvanites suljotët nuk qenë veçse “grekë”, pra armiq. Një shpjegim të veçantë i ka bërë autori kësaj situate tragjike përçarjeje qysh në pjesën e parë të librit: “Turqit e vërtetë, ndonëse i pushtuan ato vende me fuqinë e armëve, megjithatë nuk iu dukën banorëve të tyre aq mizorë e të pamëshirshëm sa vetë bashkatdhetarët e tyre. Nga kjo merret me mend se përse janë më të neveritshme luftërat e brendshme sesa të huajat.”.
    Nga një këndvështrim i sotëm, lexuesi është në gjendje ta dallojë që kjo shkimje konfliktuale fetare ishte pjesë e strategjisë së turkokracisë: ajo qe provokuesja e saj duke i ndarë nënshtetasit në kaurë (të krishterët) dhe turq (myslimanët). Nuk është vendi për të shpjeguar këtu sistemin e mileteve, që besoj se studiohet edhe nëpër shkolla. Por kjo situatë tragjike mund të ndihmojë për të kuptuar se përse jo vetëm te Kristofor Perrevoi si autor, por as tek të tjerë luftëtarë të mëdhenj arvanitë të kryengritjes çlirimtare të Greqisë dhe të Revolucionit grek, nuk mund të kërkohet ajo çfarë nuk gjendet: “Shqipëria”. Arvanitë të tillë, sado trima të lavdishëm, luftonin për “atdheun” dhe ky atdhe nuk ishte veçse “patridha”, domethënë Greqia. Perrevoi e ka përsëritur më se një herë: “nëna jonë Greqi”. Në Kujtimet e një tjetri arvanit zulmëmadh, Jani Makrijani, luftëtar e komandant në luftën për pavarësinë e Greqisë i ngritur deri në rangun e gjeneralit, lexohen dëshmi me vlerë për ndërgjegjen e komandantëve arvanitë. Që janë arvanitë ata janë të ndërgjegjshëm dhe e flasin shqipen e tyre më mirë se greqishten, sikurse shprehej Odisea Andruco, i cili kur flet për “atdheun” e tij nuk e ka fjalën veçse për Greqinë. Kush ka lexuar veprën kërshërore të Aristidh Koljas, Arvanitët dhe prejardhja e grekëve, do të ketë vënë re që autori, vetë arvanit, e ka përshkruar këtë situatë kundërthënëse duke introduktuar një koncept edhe më të avancuar: “ndërgjegjja helene e arvanitëve”.
    I shfaqur në këtë mënyrë libri dyshekullor i vjetër i arbërorit Kristofor Perrevó rezulton dëshmia ndoshta më e drejtpërdrejtë e historisë së Sulit midis shekujve XVIII-XIX dhe veçan e qëndresës dhe luftërave të suljotëve për të jetuar të lirë në “botën” e tyre.
    Asnjë autor që ka shkruar ose do të shkruajë për Sulin dhe suljotët nuk ka se si t’i ikë kësaj vepre. Mund të vihen në diskutim të dhëna të ndryshme të saj, por nuk mund të vihet në dyshim besueshmëria e saj si evidencë. Përkthimi dhe botimi i saj edhe në shqipe – më mirë nga varianti përfundimtar i 1857-s – do ta ndriçonte edhe më një kapitull pa asnjë dyshim madhështisht të bukur të historisë së arbërorëve të Epirit ose arvanitëve.
    Se sa i pati mahnitur ky kapitull historie të huajt le të kuptohet nga shënimi i anglezit Thomas de Quincey, të cilit iu pat dukur histori gati e pabesueshme, a thua se “një roman paladinësh”, edhe nga aq pak sa qarkulluan përkthimet e saj të vjetra në italisht dhe në anglisht.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË