Nga Rami Memushaj
Këto ditë botimeve për arbëreshët e Italisë iu shtua edhe libri “Arbëreshët midis mitit dhe realitetit” i autorit Fatmir Toçi. Kjo vepër për historinë dhe të sotmen e arbëreshëve të Italisë përmban një informacion të pasur, gjë që e bën një vepër me shumë vlerë për të njohur “mrekullinë” arbëreshe. Ka jo pak libra për arbëreshët, të shkruar nga historianë e studiues të fushave të ndryshme, por ky botim i ri dallon shumë prej tyre. Ai është shkruar nga një autor i cili vërtet nuk është historian i Shqipërisë apo i arbëreshëve të Italisë, por është ndër njohësit më të mirë të botës arbëreshe. Si kryetar i grupit të deputetëve për marrëdhënie me arbëreshët e Italisë, të krijuar vite më parë, atij iu dha mundësia të shkelte e të shihte nga afër vendbanimet arbëreshe. Siç e thotë edhe vetë në parathënien e librit, ai është “nga shqiptarët e paktë, në mos i vetmi, që ka mundur të shkelë e të shohë nga afër pothuaj të gjitha vendbanimet arbëreshe në Itali”, mbi 510 ngulime, nga të cilat sot kanë mbijetuar rreth 50 komuna e fraksione të tyre. Këto vizita të tij jo vetëm në ngulimet ekzistuese, po edhe të dikurshmet që janë shuar, i krijuan mundësinë të njihte mirë botën arbëreshe dhe historinë e saj, duke i dhënë edhe shtysën për të shkruar për arbëreshët. Për këtë qëllim, krahas shënimeve nga takimet e bisedat me vendësit dhe fotografive të vendeve e të objekteve të vizituara prej tij, ai nisi edhe grumbullimin e literaturës e të dokumentacionit historik përkatës.
Është afër mendsh që vizitat në ngulimet arbëreshe kanë qenë premisa e parë për të shkruar këtë libër. Por jo kushdo të cilit do t’i jepej mundësia për t’i vizituar këto vende, do të shkruante për to. Duhet edhe pasioni për historinë, që autorit nuk i ka munguar. Interesin për historinë Fatmir Toçi e ka dëshmuar me mbështetjen si botues të shumë librave historikë, herë-herë duke nxitur e madje financuar vetë hartimin e disa veprave të tilla. Ky pasion e nxiti që t’i binte kryq e tërthor Italisë, duke vizituar komunat arbëreshe e duke kërkuar gjurmët e vendbanimeve të zhdukura dhe, më në fund, të ulej për të shkruar një libër për ta. Veçoria kryesore e këtij libri, që e bën të ndryshëm nga librat e tjerë për arbëreshët, është se zë fill nga terreni për t’u përfunduar në studio dhe jo nga studioja e duke u mbështetur vetëm në dokumente të shkruara, siç janë librat e mirëfilltë historikë. Kjo e bën më aktual, pasi në të, veç dokumentimit shumë të pasur historik, ka fakte e dëshmi të gjalla si dhe përshtypje e gjykime të autorit për botën e sotme arbëreshe të Italisë.
Duke shfletuar librin “Arbëreshët”, lexuesit do t’i bjerë në sy se me sa dashuri flet autori për këtë degë të shkëputur të trungut shqiptar, e cila edhe pas kaq shumë shekujsh ka mundur të ruajë, si asnjë pakicë tjetër etnike në Europë, identitetin e vet kulturor dhe lidhjen e ngushtë shpirtërore me dheun mëmë.
Libri ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë të tij përshkruhet historia e eksodit arbëresh drejt Italisë, që ka vazhduar, sipas autorit, në tri faza: faza e mërgimeve spontane, që nis nga fundi i shekullit të dymbëdhjetë e deri para vdekjes së Skënderbeut; faza e eksodit, që filloi nga vera e vitit 1467 e deri më 1537, kur qe pushtuar Moreja dhe u shtyp kryengritja e madhe e Himarës; dhe faza tretë e mërgimit në grupe, që vijoi deri në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë. Me një gjuhë prekëse, përshkruhen peripecitë e kalimit nga arbrit të Adriatikut e Jonit dhe të vendosjes në krahina të ndryshme të Italisë, përpjekjet e tyre të mundimshme për t’u përshtatur me jetën në dheun e huaj, përplasjet e tyre me banorët vendës, me klerikët katolikë dhe me feudalët, duke arritur shpejt të bëhen edhe një faktor me peshë në luftën çlirimtare dhe në lëvizjet politike të Italisë. Në këtë pjesë të librit flitet për lidhjet e ngushta të Gjergj Kastriotit me mbretin Alfons të Napolit dhe me djalin e tij Ferdinandin, për ekspeditat e Skënderbeut në Itali në ndihmë të këtij të fundit; bëhen përpjekje edhe për të hedhur dritë mbi fatin e familjeve fisnike shqiptare që mërguan në Itali pas vdekjes së Skënderbeut, duke filluar me Donika Kastriotin e djalin e saj Gjonin e pasardhësit e tij dhe duke vijuar me familjen e Vrana Kontit, me familjen Dushmani, me Dukagjinët etj.
Autori vlerëson lart kontributin e arbëreshëve në jetën politike të Italisë dhe në kulturën e historinë e Shqipërisë. Ai e njeh lexuesin me intelektualë të shquar arbëreshë: klerikë e laikë, mbledhës të folklorit e të traditave, shkrimtarë, studiues, veprimtarë të arsimit shqip, artistë, politikanë etj.; me individë e familje të mërguarish arbër që u ngjitën deri në majat e pushtetit laik e fetar në Itali. Ai tregon për lidhjet shpirtërore të arbëreshëve me dheun mëmë, për kontributin e tyre në jetën religjioze të Shqipërisë së shek. XVI-XVIII, sidomos në trevën e Himarës historike; për punën e klerikëve të shquar arbëreshë të kësaj periudhe për zgjimin e ndjenjave atdhetare te shqiptarët, duke u bërë pararendës të Rilindjes sonë kombëtare; për lidhjen e intelektualëve arbëreshë në shek. XIX me Shqipërinë dhe për ndihmesat e tyre të vyera në Rilindjen kombëtare shqiptare; për përpjekjet e tyre për të tërhequr në kolegjet arbëreshe shumë të rinj nga Shqipëria; për traditat arsimore e kulturore të arbëreshëve.
Në mbyllje të pjesës së parë të librit, autori ndalet edhe në të ardhmen e ngulimeve të sotme arbëreshe, shumë prej të cilave e kanë humbur gjuhën shqipe, ndërsa pjesa tjetër janë duke e bjerrë. Tek arbëreshët për këtë temë ka diskutime (në të cilat janë edhe përfshirë edhe studiues shqiptarë) se si mund të ruhet gjuha. Zgjidhjen e pranuar që fëmijët të mësojnë gjuhën e ngulimit të vet, autori e sheh me dyshim, pasi është vështirë për t’u jetësuar (se duhen abetare e gramatika për çdo ngulim). Si rrugë shpëtimi të diasporës arbëreshe dhe të gjuhës së saj nga asimilimi ai sheh ndihmën e atdheut mëmë, forcimin e marrëdhënieve arsimore, kulturore e ekonomike me bashkësitë arbëreshe, shtimin e kontakteve të ndërsjella etj.
Në pjesën e dytë të librit jepet një informacion i shkurtër për ngulimet arbëreshe të 17 krahinave të Italisë, nga Kalabria në Piemont e nga Sicilia në Sardenjë, si dhe për kishën ortodokse arbëreshe. Libri shoqërohet edhe me një numër pasqyrash të vendbanimeve arbëreshe, të mërgimit të tyre të brendshëm në Itali, të kishave e famullive arbëreshe etj. dhe mbyllet me një bibliografi shumë të pasur.
Kjo pjesë është ekstrakt nga një vepër më e madhe e autorit, me të dhëna të hollësishme për ngulimet arbëreshe, e cila pritet të dalë së afërmi.
“Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” është një libër i shkruar me një gjuhë të thjeshtë e të zhdërvjellët, pa alambikime të frazës, siç ndodh në veprat shkencore për historinë. Kjo e bën atë një vepër popullarizuese që mund të lexohet nga kushdo, pa qenë nevoja për njohuri të mëparshme historike. Ajo do t’i japë lexuesit dije për historinë e arbëreshëve të Italisë dhe për gjendjen e tyre të sotme, duke nxitur në ta dëshirën për udhëtime turistike në ngulimet e tyre, për të ndërmarrë studime gjuhësore, historike e etnologjike, për të bërë biznes etj. Dhe, ndoshta, do të nxitë drejtues të bashkive në Shqipëri ose të komunave shqiptare në Kosovë, në Maqedoni të Veriut e në Mal të Zi që do ta lexojnë këtë libër, të vendosin lidhje binjakëzimi me komunat arbëreshe, të bëjnë vizita të ndërsjella e veprimtari kulturore të përbashkëta. Nga përvoja e pasur e drejtuesve arbëreshë të komunave në organizimin e jetës së këtyre bashkësive, drejtuesit shqiptarë të pushtetit vendor kanë për të mësuar e përfituar shumë.