Përktheu nga anglishtja Aristidh Shqevi
Të gjithë miqtë kishin zënë vend rreth tryezës së shtruar për vaktin e mëngjesit, kur Muriel Arbuthnot u fut në dhomë me hapa të mëdhenj duke mbajtur shtrënguar në dorë postën e ditës. Ajo veçoi një zarf të madh në ngjyrë të bardhë dhe ia dorëzoi atë mikeshës së saj më të mirë.
Një çehre e çuditshme ra mbi fytyrën e Anna Clairmont. Kush mund ta dinte vallë se këtë fundjavë ajo po e kalonte me familjen Arbuthnot? Syri i kapi menjëherë stilin e shkrimit të dorës, ndërsa mendjehollësia e tij e bëri ta vinte buzën në gaz. Atë çast shpresoi se i shoqi, Robert, i cili ishte ulur në fund të tryezës, nuk e kishte vënë re; në fakt, ai po lexonte gazetën The Times dhe ishte zhytur në të.
Teksa vazhdoi t’i hidhte një shikim të kujdesshëm të shoqit, Anna u përpoq ta hapte zarfin duke kaluar gishtin e madh të dorës te cepi i tij, por papritur, Robert hodhi vështrimin në drejtimin e saj dhe i buzëqeshi. Ajo ia ktheu buzëqeshjen, lëshoi zarfin mbi prehër, dhe pasi kapi pirunin, e nguli atë në kërpudhën e vakët. Për aq kohë sa i shoqi vazhdoi të qëndronte prapa gazetës së hapur, ajo e la zarfin të prehej mbi gjunjë. Në momentin që i shoqi iu kthye faqeve të biznesit, ajo e vendosi zarfin në dorën e djathtë, ngriti lart thikën e gjalpit dhe e rrëshqiti atë butësisht në cepin e zarfit ku fillimisht kishte vënë gishtin e madh. Pak nga pak, ajo filloi ta hapë zarfin. Me të mbaruar, rivendosi thikën në vendin e saj, anash pjatës së vogël me gjalpë.
Përpara se të bënte lëvizjen tjetër, ajo hodhi rishtazi një vështrim në drejtim të të shoqit për t’u siguruar se ai vazhdonte akoma të ishte i kapluar nga gazeta që mbante hapur. Ishte.
Ajo uli zarfin poshtë me dorën e majtë, ndërsa me të djathtën, me shumë kujdes, nxori letrën që ishte brenda tij. Më pas, zarfin bosh e futi në çantën që kishte aty pranë.
Anna uli sytë nga letra e markës Basildon Bond, ngjyrë krem, të cilën ajo e njihte mirë; ajo ishte palosur tri herë. Vijoi një shikim i shkujdesur në drejtim të Robert dhe meqenëse nuk po rrezikonte, ajo shpalosi letrën prej dy faqesh.
Letra nuk kishte as datë dhe as adresë, ndërsa cilësia e saj, si gjithmonë, ishte speciale.
‘E dashura ime Titania.’ Nata e parë e Ëndrrës ishte përjetuar në Stratford, kurse nata në vijim kishte qenë nata e tyre e parë që ata fjetën së bashku. Dy të para në të njëjtën natë, kishte vënë në dukje ai. ‘Jam ulur në dhomën e gjumit, dhomën tonë të gjumit, dhe po hedh në letër këto mendime vetëm disa çaste pas largimit tënd. Është kjo përpjekja e tretë, ngaqë fjalët e duhura për ta shpjeguar se si ndihem realisht, nuk po i gjej dot.’
Anna buzëqeshi. Që të bënte një pohim të tillë një njeri, i cili kishte bërë pasuri me fjalët, vërtet duhet ta kishte pasur mjaft të vështirë.
‘Mbrëmë ti kishe gjithçka që një mashkull do të dëshironte nga një e dashur. Një bukuri ngacmuese, e ndjeshme, provokuese, lozonjare, dhe për një moment të përkryer, një zuskë e harbuar.’
‘Kaloi një vit që atëherë kur u takuam në mbrëmjen e organizuar nga familja Selwyn në Norfolk, dhe siç ta kam thënë edhe herë të tjera, dëshira ime atë natë ishte që të të merrja me vete në shtëpinë time. Gjithë natën rri zgjuar në shtrat duke të imagjinuar të shtrirë në krah të Kumbullës së Thatë.’ Anna hodhi shikimin përtej tryezës për t’u siguruar se Robert kishte kaluar në faqen e fundit të gazetës.
‘Më pas erdhi takimi i rastësishëm në Glyndebourne – por u desh të kalonin edhe njëmbëdhjetë ditë të tjera përpara se ti, për herë të parë, ta tradhtoje Kumbullën e Thatë në kohën kur ai kishte shkuar në Bruxelles. Nuk e kuptova se si fluturoi ajo natë.
‘Nuk e imagjinoj dot se si do të reagonte Kumbulla e Thatë, nëse do të kishte parë të veshur si një shërbyese dhome. Ai ndoshta do të hamendësonte se ti gjithmonë e pastroje dhomën e ndenjjes në Lonsdale Avenue e veshur me një bluzë transparente të bardhë, pa sutiena, një fund të zi lëkure shumë të ngushtë e me zinxhir përpara, çorape të gjata me kuadrate, taka të larta, pa harruar buzëkuqin ngjyrë rozë dhe vërtet shokues.’
Anna ngriti kokën lart pa qenë e sigurt nëse po përflakej në fytyrë apo jo. Në qoftë se vërtet ai e kishte shijuar atë natë aq shumë, asaj do t’i duhej të dilte dhe një herë tjetër nga shtëpia për të psonisur në Soho, sapo të kthehej në qytet. Ajo vazhdoi leximin e letrës.
‘E dashura ime, unë shijoj çdo aspekt të dashurisë tënde, por më duhet ta pranoj se ajo që ma ndez pasionin më shumë se çdo gjë tjetër, është zgjedhja që ti bën për vendtakimet tona gjatë pushimit të drekës që ti merr për një orë nga puna. I kam regjistruar të gjitha në mendjen time. Në ndenjëset e prapme të Mercedes-it tim në Mayfair; në ashensorin e shërbimit në Harrods; në tualetin e restorantit Caprice. Sidoqoftë, më emocionuesja nga të gjitha ishte në atë llozhën e vogël në katin e dytë të teatrit në Covent Garden gjatë shfaqjes së operas Tristan dhe Isolde. Një herë përpara intervalit dhe më pas gjatë aktit final – u pa ajo punë, shfaqja ishte mjaft e gjatë.
Anna qeshi nën hundë teksa vendosi me shpejtësi letrën në prehrin e saj, ndërkohë që Robert mprehu sytë pasi bëri mënjanë gazetën.
‘Përse qeshe, e dashur?’ pyeti ai.
‘Qesh me fotografinë e James Bond, i cili zbret me parashutë mbi strukturën gjigante The Dome,’ tha ajo. Robert mori një pamje të habitur. ‘Në faqen e parë të gazetës që je duke lexuar.’
‘Aha, e kuptova,’ tha Robert teksa i hodhi një shikim faqes së parë, dhe pa buzëqeshur iu kthye sërish artikullit në faqen e biznesit.
Anna rimori letrën.
‘Ajo që më tërbon në lidhje me faktin se ti po e kalon fundjavën me Muriel dhe Reggie Arbuthnot, është mendimi që shtratin po e ndan me Kumbullën e Thatë. Jam përpjekur t’ia mbush mendjen vetes se, meqenëse Arbuthnot-ët kanë lidhje gjaku me familjen Mbretërore, ndoshta ju kanë vendosur në dhoma të veçanta gjumi.’
Anna tundi kokën në shenjë miratimi, sikur të donte t’i thoshte atij se parashikimi ishte i saktë.
‘A është e vërtet se ai gërhet si trageti Queen Elizabeth II kur futet në portin e Southampton? E përfytyroj tani të ulur nga fundi i tryezës. Me xhaketën Harris prej stofi të leshtë, pantallona gri, këmishë me kuadrate, kravatë MCC, ashtu siç perceptohej e modës nga firma Hare and Hound në vitin 1966.’
Këtë herë Anna ia dha një të qeshure me gjithë shpirt, por atë e shpëtoi Reggie Arbuthnot, i cili u ngrit nga ana tjetër e tryezës për të pyetur, ‘A ka ndokush dëshirë që të formojmë një katërshe për të luajtur tenis? Sipas shërbimit meterologjik, shiu do të pushojë së shpejti, ndaj koha është e mjaftueshme deri në mesditë.’
‘Unë do të merrja pjesë me kënaqësi,’ tha Anna teksa fshehu letrën nën mbulesën e tavolinës.
‘Robert, po ti?’ pyeti Reggie.
Anna vuri re të shoqin që pasi palosi gazetën The Times, e vendosi atë mbi tavolinë dhe tundi kokën në shenjë mohimi.
O Zot i madh, tha Anna me vete. Ai ka veshur një xhaketë stofi të leshtë dhe një kravatë MCC.
‘Do të merrja pjesë me shumë dëshirë,’ u përgjigj Robert, ‘por për fat të keq më duhet të bëj disa telefonata.’
‘Të shtunën në mëngjes?’ u hodh Muriel, e cila, e ngritur në këmbë pranë një komodine të gjerë plot me ushqime, po mbushte pjatën e saj për herë të dytë.
‘Kam frikë se po,’ u përgjigj Robert. ‘E dini si është puna, kriminelët nuk punojnë pesë ditë, pra dyzetë orë në javë, dhe as që presin që avokatët e tyre të bëjnë të njëjtën gjë.’ Anna nuk qeshi. Në fund të fundit, ajo e kishte dëgjuar atë të shprehej kësisoj çdo të shtunë në shtatë vitet e fundit.
Robert u ngrit nga tryeza, i hodhi një shikim ngulmues bashkëshortes dhe pastaj tha, ‘nëse ke nevojë për mua e dashur, do më gjesh në dhomën time të gjumit.’
Anna miratoi me kokë dhe priti derisa ai u largua nga dhoma.
Ajo ishte gati që t’i kthehej letrës, por papritur vuri re se Robert kishte harruar syzet mbi tryezë. Aty për aty mori vendimin që t’ia çonte syzet sapo të mbaronte mëngjesin. Vendosi letrën mbi tavolinë përpara vetes dhe filloi leximin në faqen e dytë.
‘Më lejo të tregoj se ç’kam vënë në plan për fundjavën e përvjetorit tonë, për aq kohë sa Kumbulla e Thatë do të jetë në Leeds. Kam porositur një dhomë në hotelin Lygon Arms, bëhet fjalë për të njëjtën dhomë ku së bashku kaluam natën tonë të parë. Këtë radhë kam blerë bileta për All’s Well. Kam dhe një plan tjetër që synon shmangien e monotonisë me t’u kthyer në Stratford, dhe konkretisht në dhomën tonë në fshatin Broadway.
‘Dua të më lidhësh në një krevat të madh të rrethuar me perde dhe të qëndrosh mbi mua e veshur me uniformën e një polici rreshter; xhore, bilbil, pranga; të veshësh një korse të ngushtë e të zezë me kopsa të argjendta përpara, të cilat do t’i zbërthesh për të zbuluar një palë sutiena të zeza. Së fundi, e dashur, nuk do të më zgjidhësh derisa unë të detyroj të ulërish me gjithë fuqinë e zërit, ashtu siç bëre në parkimin nëntokësor në Mayfair.
‘Mirupafshim,
‘I dashuri yt Oberon.’
P.S. Jam kureshtar ta di se me se po merret tani Kumbulla e Thatë.’
Anna ngriti kokën lart dhe pa se gotat e Robert nuk ishin më në tryezë.
‘Cili horr mund t’i shkruante një gruaje të martuar një letër kaq të turpshme?’ pyeti Robert teksa rregulloi syzet mbi hundë.
Anna ktheu trupin dhe u tmerrua kur pa të shoqin që po qëndronte në këmbë prapa shpinës së saj; letrën po e shikonte me ngulm, ndërsa balli i ishte mbuluar me bula djerse.
‘Mos më pyet mua,’ u përgjigj Anna me gjakftohtësi në të njëjtin çast që Muriel u shfaq krah saj me një raketë tenisi në dorë. Anna palosi letrën, ia kaloi atë mikeshës së saj më të vjetër, dhe duke ia shkelur syrin tha, ‘Magjepsëse, e dashur, por për të mirën tënde vërtet shpresoj se Reggie nuk ka për ta marrë vesh kurrë.’