More
    KreuOpinionLetra e parë e Kurt Vonnegut-it për familjen pas daljes nga burgu

    Letra e parë e Kurt Vonnegut-it për familjen pas daljes nga burgu

    29 maj, 1945

    Të dashurit e mi,

    Më treguan se ndoshta s’ju kanë informuar kurrë se s’kam qenë thjesht “i zhdukur”. Ka gjasë po kështu që s’keni marrë asnjë nga letrat që kam shkruar në Gjermani. Kjo më detyron të shpjegoj shumë gjëra përmbledhtazi:

    Kam qenë i burgosur lufte që nga 19 dhjetori 1944, kur divizioni ynë u bë fërtele nga nga goditja e fundit e dëshpëruar e Hitlerit përmes Luksemburgut dhe Belgjikës. Shtatë divizione të tërbuara tankesh goditën dhe na shkëputën nga pjesa tjetër e këmbësorisë së parë të Hodges. Divizionet e tjera amerikane në krahët tanë arritën të tërhiqen: ishim të detyruar të qëndronim dhe të luftonim. Bajonetat nuk janë edhe aq të mira kundër tankeve: municionet, ushqimi dhe furnizimet mjekësore na mbaruan dhe të plagosurit tanë e tejkaluan numrin e atyre që ende mund të luftonin, prandaj hoqëm dorë. Divizioni 06 mori lëvdata nga Presidenti dhe një dekoratë britanike nga Montgomery për këtë, por të flasim drejt, s’e meritonim. Jam ndër të paktët që s’u plagosa. Vetëm për këtë pjesë falënderoj Zotin.

    E kështu, mbinjeriu na vuri të marshonim në rresht, pa ushqim, ujë apo gjumë deri në Limberg, afërsisht njëqind kilometra, ku u detyruam të hipnim dhe mbylleshim, në një makinë të vogël si kuti, të paajër dhe pa ngrohje, plot gjashtëdhjetë burra. Nuk kishte strehim higjenik, dyshemetë ishin të mbuluara me bajga të njoma lope. S’kishte vend për të gjithë të shtriheshim. Gjysma flinte ndërsa gjysma tjetër qëndronte në këmbë. Kemi kaluar disa ditë, edhe Krishtlindjet aty. Në prag të Krishtlindjeve, Forcat Ajrore Mbretërore bombarduan dhe qëlluan trenin tonë i cili s’kishte asnjë shenjë treguese. Vranë rreth njëqind e pesëdhjetë prej nesh. Na dhanë ujë ditën e Krishtlindjes dhe kaluam ngadalë nëpër Gjermani për të sosur në një kamp të madh për të burgosur lufte në Muhlburg, në jug të Berlinit. Na nxorën nga automjetet ku të zihej fryma ditën e Vitit të Ri. Gjermanët na futën si kope nëpër dushe përvëluese për të na çmorritur. Shumë burra vdiqën nga shoku në dushe pas dhjetë ditësh urie, etje dhe kushtet e tmerrshme. Por jo unë.  

    Sipas Konventës së Gjenevës, Oficerët dhe Nën/Oficerët s’janë të detyruar të punojnë kur janë të burgosur. Unë jam, siç e dini, një ushtar.  Njëqind e pesëdhjetë qenie të tilla të vogla u dërguan në një kamp pune në Dresden më 10 janar. Isha udhëheqësi i tyre për shkak të pak gjermanishtes që fola. Ishte fatkeqësia jonë që patëm roje sadiste dhe fanatike. Refuzuan të na japin ndihmë mjekësore dhe rroba. Na detyruan me dhjetra orë të bëjmë punë jashtëzakonisht të vështirë. Racioni ynë ushqimor ishte dyqind e pesëdhjetë gram bukë e zezë dhe një lugë supë patatesh çdo ditë. Pasi u përpoqëm të dëshpëruar ta përmirësojmë gjendjen tonë për dy muaj dhe pasi pashë se rojet kishin ca buzëqeshje të çuditshme, u tregova atë që do të bëja me ta kur të vijnë rusët. Më rrahën pak. Më hoqën nga detyra si drejtues i grupit. Rrahjet s’merrnin shumë kohë: një djalë vdiq nga uria dhe trupat e SS qëlluan dy të tjerë se kishin vjedhur ushqim.

    Diku afër 14 shkurtit erdhën amerikanët, të mbështetur nga Forcat e Armatosura Ajrore. Sulmi i tyre i kombinuar vrau 250.000 njerëz në njëzet e katër orë dhe shkatërroi të gjithë Dresdenin, ndoshta qyteti më i bukur në botë. Por jo mua. Pas kësaj u vunë në punë për të mbartur kufoma nga streha e sulmit kundër ajror: gra, fëmijë, pleq; të vdekur nga tronditja, zjarri ose mbytja. Civilët na mallkuan dhe na gjuajtën me gurë ndërsa bartnim trupa në turra të mëdha drush në qytet.

    Kur gjenerali Patton mori Leipzigun, u shpërngulëm në këmbë për në Hellexisdorf në kufirin Saksoni-Çekosllovaki. Mbetëm aty derisa mbaroi lufta. Rojet na braktisën. Në atë ditë të lumtur, rusët kishin për qëllim ta zhduknin atë rezistencë të izoluar, të jashtëligjshme në sektorin tonë. Avionët e tyre (P-39) na bombarduan, duke vrarë katërmbëdhjetë vetë, por jo mua.

    Tetë nga ne vodhën një qerre me dy mushka. Udhëtuam dhe ikëm si hajdutë rrugës për në Sudetenland dhe Saksoni për tetë ditë, duke jetuar si mbretër. Rusët janë çmendur pas amerikanëve. Na morën me vete në Dresden. Nga atje shkuam në frontin amerikan në Halle. Pastaj nga çuan me avion në Le Havre.

    Po shkruaj nga një klub i Kryqit të Kuq në Le Havre për të burgosurit e luftës, kamp riatdhesimi. Po më ushqejnë për mrekulli dhe po ia kaloj bukur shumë. Anijet shtetëore mbushen menjëherë, natyrisht, kështu duhet të jem i durueshëm. Shpresoj të jem në shtëpi brenda muajit. Pasi të kthehem në shtëpi, do të më japin njëzet e një ditë rehabilitimi në Atterbury, rreth 600 dollarë pagesë të prapambetur dhe, dëgjojeni pak këtë, gjashtëdhjetë (60) ditë leje!

    Kam një mal me gjëra për t’u treguar, por e lëmë për më vonë. S’marr dot asnjë lloj poste këtu, kështu që mos më shkruani.

    Ju përqafoj

    Kurti

    Shkëputur nga: “Kurt Vonnegut: Letra”, Random House, 2012.

    Si të shkruash me stil

    Reporterëve të gazetave dhe shkrimtarëve të letërsisë fantastiko-shkencore u është mësuar të mos zbulojnë gati asgjë për veten në shkrimet e tyre. Kjo i bën të çuditshëm në botën e shkrimtarëve, pasi pothuajse të gjithë të vobektët e ngjyer më bojë të asaj bote u zbulojnë shumë lexuesve për veten. Ne i shohim këto zbulesa si rastësore dhe të qëllimshme, elemente të stilit.

    Këto zbulesa na tregojnë ne lexuesve se çfarë lloj personi është ai me të cilin po kalojmë kohën. A na duket shkrimtari i paditur apo i informuar, budalla apo mendjendritur, hileqar apo i sinqertë, pa humor apo lojcak? Dhe kështu me radhë. Pse duhet ta shqyrtoni stilin tuaj të shkrimit me idenë e përmirësimit të tij? Bëjeni si shenjë respekti për lexuesit çfarëdo që të shkruani. Nëse i hidhni mendimet shkel e shko ashtu si ju vijnë, lexuesit me siguri do të ndjejnë se nuk doni t’ia dini për ta. Ata do t’ju damkosin si delirant ose ose si mendjelehtë, ose, më keq, do të reshtin së qeni lexuesi yt. Zbulesa më e mallkuar që mund të bëni për veten është se nuk e dini se çfarë është tërheqëse dhe çfarë nuk është. A nuk i pëlqeni ose nuk i pëlqeni ju vetë shkrimtarët më së shumti prej asa që ata zgjedhin t’ju tregojnë apo sepse ju fusin në mendime? A keni admiruar ndonjëherë ndonjë shkrimtar kokëbosh për mënyrën si e zotëron gjuhën? Jo. Kështu që stili juaj fitues duhet të fillojë me ide të mëdha që keni në kokë.

    Gjeni një subjekt që ju intereson

    Gjeni një subjekt që ju intereson dhe që ju e ndjeni me zemër se u intereson edhe të tjerëve. Është ky kujdesi i vërtetë, dhe jo lojërat me gjuhën, që do të jetë elementi më bindës dhe joshës në stilin tuaj. Nuk po ju nxis të shkruani një roman, meqë ra fjala, megjithëse nuk do të më vijë keq nëse e keni shkruar, me kusht që të keni shkruar për diçka që vërtetë ju intereson. Një peticion për kryebashkiakun për një gropë para shtëpisë ose një letër dashurie për vajzën në lagje bën punë.

    Mos i bjer gjatë.

    S’kam ndërmend t’i bie gjatë për ta theksuar këtë pikë.

     Shkruaj thjesht

    Për sa i përket përdorimit të gjuhës mos harroni se dy mjeshtra të mëdhenj të gjuhës, Uiljam Shekspiri dhe Xhejms Xhojsi, shkruan fjali të cilat ishin gati fëminore kur temat  e tyre ishin më të thella. “Të rrosh a të mos rrosh?” – pyet Hamleti i Shekspirit. Fjala më e gjatë është tre shkronja. Xhojsi, kur ishte lojcak, mund të krijonte një fjali të ndërlikuar dhe të shkëlqyeshme si gjerdani i Kleopatrës, por fjalia ime e parapëlqyer në tregimin e tij “Evelina” është vetëm kjo: “Ajo ishte e lodhur.” Në atë pikë të tregimit, asnjë fjalë tjetër nuk mund ta thyejë zemrën e lexuesit, siç e bëjnë këto tre fjalë.

    Thjeshtësia e gjuhës nuk është vetëm e vlerësuar, por ndoshta edhe e shenjtë. Bibla hapet me një fjali e cila brenda aftësive të shkrimit të një katërmbëdhjetëvjeçari: “Në fillim Perëndia krijoi qiellin dhe tokën”.

    Ki guximin të shkurtosh

    Mund të ndodh që edhe ju të jeni të aftë të krijoni varëse për Kleopatrën, po ta themi kështu. Por gojëtaria juaj duhet të jetë shërbëtori i ideve që keni në kokë. Por rregulli juaj mund të jetë ky: Një fjali, sado e shkëlqyer qoftë, nëse nuk ndriçon temën tënde tuaj në ndonjë mënyrë të re dhe të dobishme, hiqeni.

    Ngjaji vetes

    Stili i shkrimit i cili është mëse i natyrshëm për ju ka mundësi i bën jehonë ligjërimit që që keni dëgjuar kur ishit fëmijë. Anglishtja ishte gjuha e tretë e romancierit Xhozef Konrad, dhe shumë gjëra që dukeshin të shpejta në përdorimin e gjuhës angleze pa dyshim ishin të ngjyrosura nga gjuha e tij e parë, e cila ishte polake. Dhe është me të vërtetë me fat ai shkrimtari i cili u rrit në Irlandë, sepse anglishtja që flitet atje është kaq zbavitëse dhe muzikore. Unë vetë jam rritur në Indianapolis, ku e folura e zakonshme tingëllon si një sharrë që pret kallajin e galvanizuar, dhe përdor një fjalor të çrregullt si darë që shtrëngohet…

    Unë vetë i besoj më së shumti shkrimeve të mia, dhe të tjerët duket se u besojnë gjithashtu, kur ngjaj me dikë nga Indianapolis-i, nga dhe jam. Çfarë alternativash kam? Ajo që rekomandohet më shumë nga mësimdhënësit, pa dyshim u është rekomanduar edhe juve: të shkruani si njerëz të kulturuar të para një shekulli apo më shumë.

    Thuaj pikërisht atë çfarë ke ndër mend të thuash

    Ma sillnin në majë të hundës mësues të tillë, por jo më. Tani e kuptoj se të gjitha ato esé dhe tregime antike, me të cilat duhej ta krahasoja veprën time, nuk ishin të mrekullueshme për informacionin apo se ishin të huaja, por se thonin saktësisht atë çfarë kishin dashur të thoshnin autorët e tyre. Mësuesit e mi dëshironin që të shkruaja me saktësi, duke përzgjedhur gjithmonë fjalët në mënyrë të efektshme dhe duke i lidhur fjalët me njëra-tjetrën qartësisht, përpikmërisht, si bashkimi i pjesëve të këmbimit të një makine.

    Mësuesit në fund të fundit nuk deshën të më kthejnë në anglez. Shpresonin se do të bëhesha i kuptueshëm rrjedhimisht të më kuptonin. Dhe ja, pata atë ëndrrën që të bëja me fjalët atë që Pablo Pikaso bëri me ngjyrat apo çfarëdo ishulli i xhazit bëri me me muzikën. Nëse thyeja të gjitha rregullat e pikësimit, u jepja fjalëve atë kuptim që doja unë të kishin, dhe nëse i lidhja së bashku në mënyrë të çrregullt, thjesht nuk do të kuptohesha. Kështu që ju, gjithashtu, më mirë shmangeni stilin e Pikasos apo atë të xhazit, nëse keni diçka që ia vlen ta thoni dhe doni të kuptoheni.

    Lexuesit duan që faqet që lexojnë të duken shumë si faqet që kanë parë më parë. Pse? Kjo është për shkak se ata  kanë një punë të vështirë për të bërë, dhe kanë nevojë për të gjithë ndihmën e mundur që mund t’u japim ne.

    Ki mëshirë për lexuesin

    Lexuesit duhet të identifikojnë mijëra shenja të vogla në letër dhe t’ë nxjerrin kuptim prej tyre menjëherë. Ata duhet të lexojnë, një art kaq të vështirë sa shumica e njerëzve nuk e kuptojnë, edhe pasi i kanë studiuar në shkollë të mesme dhe të lartë, për dymbëdhjetë vjet të gjata.

    Pra, në këtë diskutim duhet më në fund të pranohet se alternativat tona stilistike si shkrimtarë nuk janë as të shumta dhe as joshëse, pasi lexuesit tanë ka shumë gjasa të jenë artistë të tillë të papërsosur. Publiku ynë kërkon që ne të jemi mësues dashamirës dhe të durueshëm, gjithnjë të gatshëm për të thjeshtuar dhe sqaruar, ndërsa ne do të donim të fluturonim lart mbi turmën, duke kënduar si bilbila.

    Ky është lajmi i keq. Lajm i mirë është se ne amerikanët qeverisemi nga një kushtetutë unike, e cila na lejon të shkruajmë çdo gjë që duam pa frikë nga ndëshkimi. Kështu, aspekti më kuptimplotë i stilit tonë, i cili është ajo që ne zgjedhim për të shkruar, është krejtësisht i pakufizuar.

    Për këshillë të vërtetë të detajuar

    Për një diskutim të stilit letrar në një kuptim më të ngushtë, një kuptim më teknik, ju kërkoj t’i kushtoni vëmendjen tuaj librin “Elementet e stilit”, nga Strunk, Jr. dhe E. B. White. E. B. White është, natyrisht, një nga stilistët më të admirueshëm letrar që ky vend ka nxjerrë deri tani. Duhet të kuptoni gjithashtu se askush nuk do ta vriste mendjen se sa mirë apo keq zoti White shprehet nëse nuk do të kishte për të thënë gjëra magjepsëse.

    Përktheu: Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË