More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLeonard Qyteza: "Vikama e tingullit" – një kreshendo dashurie

    Leonard Qyteza: “Vikama e tingullit” – një kreshendo dashurie

    Me Feim Ibrahimin jemi njohur herët, në vitin e largët 1967-1968, kur, edhe pse fëmijë apo të rinj, shijuam filmin e bujshëm Ngadhënjim mbi vdekjen.

    E kujtoj filmin. Dy vajzat bukuroshe, por trime, në film kishin emrat e heroinave, por artistet në jetë ishin dy aktore të reja dhe të bukura: Edi Luarasi dhe Eglantina Kume. Skenat dhe skenari i filmit na trimëronin, por edhe ndienim keqardhje dhe dhembje për ata që dhanë jetën e tyre të re për lirinë e vendit tonë.

    Nga fillimi e deri kur dolën titrat, skenat e filmit, episodet dramatike dhe vdekja e heroinave shoqëroheshin nga një muzikë ndër më të bukurat e dekadave të Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe kompozitori ishte një djalë i ri, i sapodiplomuar, në të tridhjetat, i dashuruar me një studente shkodrane, Vera ishte emri i saj, si luleborë e oborreve të qytetit verior, që me Argjironë ishin si dy motra kështjellore.

    Dhe vitet kaluan… kaluan.

    Po tingujt ç’u bënë? Ata u shumuan, morën trajtën e një lumi që rrjedh sa në këngë sa në ligjërime, sa në vepra madhore e sa në gjini të ndryshme të muzikës serioze, vokale e simfonike, në vepra skenike, në muzikë filmash e, jo pak, në vepra orkestrale, në muzikë dhome, në vepra pianistike. Me pak fjalë, çdo gjë që është muzikë në tabanin kombëtar e deri tek ajo që është e palëvruar te ne, muzika elektroakustike (1994).

    Të gjitha këto ishin veprat e kompozitorit Feim Ibrahimi, i pari nga plejada e kompozitorëve të mëdhenj të vendit tonë që u diplomua në Konservatorin e Tiranës me pedagogun e tij, edhe ai i muzikës së epërme, Tish Daija. Miqësia e tyre në vijim do të ishte e gjithkohshme.

    Po Vikama e tingullit muzikë është? Vërtet është muzikë e një letërsie të paparë deri më sot, e shkruar në librin me të njëjtin titull nga e shoqja e kompozitorit, dedikuar, siç thotë ajo, për Etrin dhe Mattia-n, shkruar në dy kohë: Bleni I në kohë të trishta (1997-1999) dhe Bleni II në kohë kovidiane (2020-2022). E pikërisht vikama, një britmë nën zë shkruar në një libër jete, dedikuar jetës së saj me Feimin dhe për Feimin.

    Ky zhanër i letërsisë njeh shumë raste kur bashkëshortët e famshëm shkruajnë për jetët e tyre kur ata humbin para kohe njëri-tjetrin dhe ndajnë fatet e jetës së tyre me publikun për të cilin kontribuuan dhe u shkrinë me veprën e tyre.

    Unë po shkruaj, pasi gjatë këtyre viteve, veçanërisht pas viteve 2000, kohë kur fatkeqësisht e patëm humbur kompozitorin Feim Ibrahimi dhe siç ndodh postmortem, shtohen aktivitetet për t’i rijetësuar veprat e tij edhe si homazh, por edhe si përgjegjësi qytetare dhe shtetërore, edhe si ridimensionim i vlerave mjeshtërore kompozicionale dhe muzikore, njerëzit e vlertë pas vdekjes jetojnë jetën e dytë, atë të përjetshmen.

    Kështu ndodhi e do të ndodhë gjithmonë me njerëzit e mëdhenj, me Feimin e me të tjerë të brezit të tij.

    Vikamën e parë e pata humbur, të dytën e prita me padurim, edhe pse isha informuar se ajo do të promovohej në Panairin e Librit 2023.

    Ishte 10 nëntor 2019, Katedralja Ortodokse, salla e bukur e saj, në hyrje një afishe e madhe “PEIZAZHI I PYLLIT TË RRALLUAR” (Romanca dhe këngë), portreti i bukur i Feim Ibrahimit dhe firma e tij, shkruar pjerrtas, që në sytë e mi erdhi si nota solfezhi, si shkallë në pentagram. Më çuditi kaligrafia dhe e ruajta në memorien time pa e ditur se ai e përdorte gjithkund ku donte të vuloste fundin e kompozimit në fletët muzikore; nënshkruante letra dhe korrespondenca, artikuj shtypi, CV-në e vet, e mandej të gjitha i pashë te Vikama.

    Unë isha në koncert, e dija se do të ishte festë, por nuk e dija se pas pak ditësh do të dridhej vendi ynë nga një termet i fuqishëm dhe pak muaj më pas një pandemi kovidiane do ta gjunjëzonte botën. Por Zoti është i madh, e deshi Feimin në atë koncert, për publikun dhe për vete.

    Në sallë, pas shumë vitesh, takova një burrë të bukur, të veshur shik si gjithmonë, një nëpunës të lartë shteti – kryetarin e dikurshëm të Shkodrës në vitin 1983, kohë kur e njoha unë dhe ai më promovoi në detyrë. Ishte Nesip Ibrahimi, kushëriri i parë të Feimit. Aty bëra lidhjen pse këta dy burra, në ato vite, visheshin shik, me modë jo të ndaluar, me flokët e zinj që dukeshin se i kishin të njëllojtë, krehur lart, jo kaçurrelë, gjirokastrit të fisëm, nga familje me zë të madh, të edukuar e të shkolluar.

    Te Vikama mësova se të atin e Feimit fëmijët e thërrisni me fjalën “zotërote”, çka tregon një rregull gati aristokratik të kohës së paraluftës.

    Sa i përket koncertit, për mua, i gjithë programi ishte një manifestim artistik, një punë e përkushtuar, një impenjim i të gjithë artistëve, por ajo që më “goditi” në një mënyrë befasuese ishte vepra e Feimit Dialogo per violoncello e pianoforte, interpretuar nga Etrita dhe një violonçelist i ri plot talent.

    Nuk e dija kohën e kompozimit dhe frymëzimin e autorit, por Etri tregoi klasin e saj të lartë interpretativ, një lojë virtuoze, me shpirt, me nerv, me zemër, me gjithë trupin, në stol dhe duke “picikatur” kordat e pianos, duke na dhënë tinguj ibrahimianë që rrallë mund t’i kapë veshi.

    Atë natë nuk kisha dijeni për Vikamën, por tani pas leximit e mësova dhe e kuptova lojën e “birit”. Vepra ishte shkruar enkas për Etrin, kur ajo u bë nuse, ishte dhuratë e babait për bijën, e kishte titulluar Dhuratë martese dhe mbeti vepra e fundit e tij, mbeti dhuratë gur i çmuar.

    Librin Vikama e tingullit e mora me dedikimin nga Vera: “Teutës dhe Leonardit, për respektin dhe dashurinë e gjithmonshme ndaj Feimit – Tiranë, 10.12.2023” dhe siç ndodh me librat e bukur, që i pret me kureshtje dhe vetëdije se do të plotësojnë dëshirat dhe dituritë e tua, vura ditën kur ta mbaroj. Në fletën e fundit, që ka numrin 278, shënova: “Fundi i leximit, 25 dhjetor 2023 – krishtlindje.”

    Pas kësaj, mora kohë për të vendosur edhe një datë tjetër: “6 janar 2024 – Dita e Ujit të Bekuar.”

    Feim Ibrahimi, si artist dhe muzikant, nuk e pati të lehtë Kryqin e Jetës.

    Nga biseda dhe takime me Verën, e dija përmbajtjen e librit, linjat e tij dhe disa gjëra publike në kohë të ndryshme, por qysh në faqen e parë, ku shkruhej: “Nga t’ia filloj?” m’u kujtua i bukuri shkrimtar shkodran Zija Çela në librin kushtuar djalit të tij, Dritanit, Për dashurinë shkruhet pas vdekjes.

    Dhe ka një datë nga filloi Vikama, ishte 29 korrik 1997, 30-vjetori i martesës së tyre. Në të tretën ditë pushoi zemra e atij kolosi të muzikës shqiptare dhe mbeti 2 gushti 1997 ditë përkujtimore, ende pa mbushur 62 vjeç.

    Libri është një manifest dashurie, ndoshta një manual se si duhet shkruar bukur shqip, se si duhen shkruar kujtimet, se si duhen ruajtur dokumentet, se si duhen shfletuar arshivat personalë dhe të të tjerëve. Me pak fjalë, libri duhet mbajtur në bibliotekën e gjithkujt që do muzikën shqiptare, ka respekt për ata krijues që në vite e mbushën jetën tonë me krijimet e tyre të bukura. Mjafton pak ta heqësh dhe aty do të jetë Feim Ibrahimi, në shtëpinë tënde, në kujtesën tënde.

    Në faqet e librit i kam nënvizuar me laps ato pasazhe që duhet t’i kesh edhe si referenca personale, si bukurshkrim stilistik, që të kujtojmë data, personazhe, analiza të ngjarjeve që kanë ndodhur në të kaluarën 50-vjeçare, sepse ne, në njëfarë mënyre, ishim në dijeni se çfarë ka ndodhur në vendin tonë. Duhet t’i njohim nga një retrospektivë disa personazhe me peshë baballarësh, disa pseudo dhe shumë të tjerë të vërtetë, shih e shkruaj, siç thotë populli.

    Në libër ka disa bukurina që nuk i ndesh kund tjetër në letërsinë tonë. Janë, siç duket, stil i autores, përvojë e saj e gjatë si mësuese gjuhe e letërsie, si redaktore në shtëpi botuese, si lexuese e apasionuar e letërsisë sonë dhe asaj të huaj.

    Ajo, ndryshe të tjerëve, kur shkruan për Feimin, i cili është kryepersonazh i librit, përdor dendur dhe jo pa qëllim për të përemrat, si Ai, Atij, Tij, Atë (me germë të madhe), një zgjedhje letrare-artistike e autores për nderim dhe veneracion ndaj të shoqit. Si gjetje tjetër artistike ndeshet në libër edhe përdorimi i shumë togfjalëshave që i japin fjalisë ngjyrë dhe ëmbëlsi, e ledhatojnë.

    Libri ka faqe të tëra me procesverbale të mbledhjes së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë të para nëntëdhjetës. Dihej se Lidhja ishte edhe një paradhomë për më tej dhe dihej vendi, por Feimi kishte atë peshë në krijimtari, saqë tek Ai të padrejtat bëheshin lak.

    Duke e lexuar librin me vëmendje, si letërsi, si narrativë, si strukturë shkrimore, erdhi e m’u soll në mendje diçka si rrjedhojë: ashtu siç është shkruar ky libër, ai fare mirë është edhe skenar për një film artistik kushtuar Feimit. Pse jo?

    Bota ka plot filma për kompozitorët e vet, Italia, Rusia, Franca etj. Natyrisht, ato janë shtete të mëdha, i dhanë botës kompozitorët klasikë, por gjithkush ka të tijtë, ka muzikën e vet.

    Sot kësaj toke nuk i ka ngelur kush të marrë nisma të tilla, për Jakoven, Teftën, Marijen, Krantjen, ndonëse disa përpjekje janë bërë me filmat, si Koncert në vitin `36, Udhëtim në pranverë etj.

    Kineastët tanë, të rinjtë, ja ku e kanë skenarin, ja ku kanë personazhin me emër dhe vepra të mëdha. Mjafton të gjenden ato të shkreta para dhe mbi të gjitha shpirt e vullnet. Historia do t’i çmojë!

    Në historinë e letërsisë botërore ka shumë vepra – romane, tregime dhe monografi – të shkruara për shkrimtarë, artistë, kompozitorë, qoftë edhe histori personale, kur njëri nga bashkëshortët që mbetet shkruan për shokun e jetës që është njëkohësisht edhe personazh publik me emër të madh.

    Shembull është ky libër. Vera shkruan kah fundi i librit: “Shpirti m’u shkallmua, duart dhe këmbët s’më bindeshin, sytë përsëri nuk nxorën lot. A do të vajtoj ndonjëherë?”

    Feimi kah fundi, që nuk e mendonte kurrë, kish kompozuar Simfoninë tragjike për mua, shkruan Vera, ai e kishte shkruar për vete. Ai Feimi tragjik në vetminë e tij krijuese.

    Dhe zgjodha t’i përgjigjem Verës me një “kolege” të saj që fatin e kishin disi të përbashkët, me Anni Filip, gruaja e Zherar Filip, artist i madh i kinemasë franceze. Ajo shkruan: “Po çfarë përfaqëson një jetë njerëzore në krahasim me përjetësinë? Kohën e një psherëtime. E di ç’do të thotë kur vdekja i troket te porta një çifti, kur ajo rrëmben njërin nga të dy në lulen e moshës, duke lënë tjetrin në zbrazëtinë e shtëpisë.”

    Dhe shton: “…vdekja s’është asgjë, mjerë ai që mbetet.”

    E të dyjave u përgjigjet një tjetër njeri i madh, prof. Gjovalin Gjadri: “…të vdekunit kanë nji ndikim të madh te ne. E gjithë kultura e ka zanafillën tek ata. Toka asht djepi i të vdekunve. Të vdekunit jetojnë nëpërmjet mbasardhësve dhe veprave që kanë lanë, ne s’mund të mos e përfillim ekzistencën e tyne e duhet t’u ngrehim përmendore.”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË