More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLedia Dushi: Romeo Çollaku, mes së bukurës dhe katarsit

    Ledia Dushi: Romeo Çollaku, mes së bukurës dhe katarsit

    Romeo Çollaku është përfaqësues e në të njëjtën kohë mbrujtës i asaj që e dallojmë si letërsia e pasviteve `90. Edhe pse vlera e tij artistike nuk është çmuar sa e si duhet, Çollaku është autor i disa librave në poezi e në prozë, duke filluar nga viti `93, vit kur botohet vëllimi i tij i parë poetik “Zemër virgjine” (Toena), i cili do të pasohet edhe nga vëllime të tjera, si në poezi ashtu edhe në prozë. Vitet `90 nuk qenë vetëm zanafilla e letërsisë së re shqipe, por edhe një fillim i ri në vazhdën e një përvoje të shkëlqyer të përkthimit në shqip. Brezi i poetëve dhe shkrimtarëve të kësaj periudhe, nisur nga mungesat e pamundësitë e trashëguara nga sistemi i para `90-ës, ishte edhe brez përkthyesish të padiskutueshëm. Çollaku vetë është shqipërues, veçanërisht i letërsisë greke dhe asaj franceze.

    Nuk është vështirë të kuptosh disi formimin dhe interesat letrare të Çollakut, nëse konsideron autorët që ai ka shqipëruar, duke filluar nga Euripidi, Ricosi, Elitisi, Kazanzaqi, Verleni, Malarmeja, De Nervali, Klodeli e deri te Zbigniew Herbert.

    Poeti shkruan:

    “Një krua i vetëm, aty te këmb’ e urës, dhe ky fshehur aq bukur mes çokllash edhe hithrash,/ saqë kurrkush s’mund ta gjente përveç etjes.”

    (Vera e vetme – “Kumbaraja e kohës”, Ombra GVG, 2004)

    “largohet nga dritarja, hap portën/ dhe e fton oborrin të hyjë brenda.”

    (Pelegrini mediton mbi poezinë – “Heshtjen duke gërmuar”, Princ, 2011)

    Ai mediton, ndërsa unë pyes: Ç’është poezia… përgjigjja ime ka qenë: e di, nëse njerëzit nuk më pyesin. Njeriu nuk është i autorizuar, por ka të drejtë të flasë. Përjetimi i së vërtetës është krejt tjetër gjë nga imitimi i saj.

    Poezia dhe proza e Çollakut na bën të ndiejmë dhe të kuptojmë se bukuria është gjithmonë rreth e qark nesh. Shpirti e vesh njeriun me një lëkurë të hollë që e quajmë dashuri. Po ta gërricim këtë lëkurë, shumë nga bukuritë e kësaj bote zhduken. Ka disa gjëra që mund t`i krijojë lehtë teknologjia. Kjo gjë ndoshta  mund të shtojë numrin e poetëve, por zhduk poezinë.

    Mos më zgjoni kur shikoj retë, thotë poeti,

    Një i huaj jam dhe unë. Gjithë/ ç’ndrydha thellë vetes/ në brerimë shndërrohet/

    dhe, motër e dhembshur,/ mollëzave të mia, gishtat/ e trëndafiltë njelmon agullima.

    Dhe unë, dherave, i huaj./ Të paktë janë ato që e dinë

    (dhe asnjëri syresh botanist), por,/ në të vërtetë, rrënjët e mija/ janë petalet.

    Unë e di që rrënjët janë petalet. Dhe e di se sot njerëzve u intereson fruta dhe jo petalet.

    E kanë të vështirë të ndiejnë këngën e shpirtit të trazuar, këngën e qiparisave: “Në dimër murlani këndon ndër qiparisë, qyqja në pranverë. Ndër qiparisë rrallë bie heshtja që/ thonë këngët.”

    Kjo është sa poezi, aq edhe pikturë dhe këngë. Ndoshta kjo është edhe një ndër vlerat e poezisë së Romeo Çollakut. Poezia e tij, letërsia në përgjithësi, është e aftë ta shndërrojë përvojën në gjuhë, të paraqesë nëpërmjet simboleve, shenjave të shpirtit, të cilat duke i vendosur në dikotominë prani/ mungesë, e ku secili mund të gjejë veten.

    Me t`u zbuluar, fjala zbulon nevojën për të vendosur njëfarë dialogu, mbi të gjitha me veten, për të zbutur ankthin e të jetuarit dhe për të vendosur rregullin sekret të sendeve, dashurinë në të gjitha trajtat e saj. Me pushtetin e diskursit, dialogu shtrihet dhe e vërteta poetike e kuptuar si dije mbi të jetuarit bëhet universale: lind dhe ushqehet, pra, nga kompleksiteti i përvojës njerëzore. Duke synuar e duke rrokur zemrën dhe duke vigjiluar mbi misteret që e rrethojnë njeriun vetëm përpara vdekjes dhe asgjësë, letërsia e poezia në veçanti sprovohet si një aftësi për të prodhuar emocione, si reaksion, si reaktivitet, transmetim dhe në fund dije, njohje.

    Kërkimi i vetes që Çollaku bën në shkrirjen mes së shkuarës dhe së tanishmes, kalon nëpër hapësirat labirinte të memories, ku përvoja e jetës përbëhet prej sendesh efemere, të mirëpërcaktuara, të venitshme, e pikërisht këtu merr formë krijimi i njëfarë vetëdijeje. Është misioni i poetit të mbajë brenda vetes çdo përvojë, ta ruajë fort për ta përjetuar më pas në një evokim total me anë të të cilit do të arrihet shkalla më e lartë e të kuptuarit edhe të dimensioneve më të fshehta të reales. Ndërsa paraqet botën e vetë jetës, poezia e Çollakut na mundëson krijimin e një dijeje që na jep mundësinë të matim e të deshifrojmë plotninë e universit, na jep mundësinë që të vendosim atë që Neruda e quan “pakt me hapësirën”.

    Si në një ritual inicimi, poeti zhytet në thellësinë e shpirtit për të nxjerrë në dritë konflikte e probleme intime, por në të njëjtën kohë përballet edhe me problemet e botës së jashtme të cilat, duke i rijetuar në brendësinë e vetëdijes, marrin trajtën proteiforme të simbolit.

    Romeo Çollaku, siç ndodh me çdo poet të vërtetë, ka mitologjinë e vet personale, simbolikat e veta. Ai na kallëzon se si është të jetosh me filozofi, por, mbi të gjitha, me poezi. Këtë moto duket se e lëshon si jeh ngado letërsia e posaçme që na ofron Romeo Çollaku. Çollaku është një poet e prozator që udhëton. Poetët janë të aftë të udhëtojnë, të humbasin nëpër shtjella pasigurish e kundërshtish, në kërkim të së padëgjuarës, të asaj diçkaje për të cilën nuk është folur kurrë, e që askush nuk e dinte se ekzistonte. Poetët nuk janë kurrë “në modë” dhe janë gjithnjë “të pavend”. Por edhe pse jetojnë si “mungestarë” në të tashmen, ia dalin të ngadhënjejnë mbi realen.

    Heidegeri e konsideronte poezinë një pranverë të paralajmëruar, në të cilën shprehet forca e një gjuhe joaktuale dhe origjinale. Kur e tanishmja është e dërmuar, e zbrazët dhe nuk arrin të evokojë më asgjë, nuk mbetet tjetër veçse të pranosh ftesën e “puhisë detare”. Të ikësh, të nisesh, të çlirohesh me anë të imagjinatës. E gjej me vend dhe të rëndësishme të theksoj se Romeo Çollaku i kushton kujdes të veçantë gjithashtu edhe përdorimit të dialektit apo varieteteve të tjera të gjuhës, duke i përdorur në diskursin e drejtpërdrejtë të personazheve, veçanërisht në romanin e fundit “Mjaltë në teh” (Zenit, 2016), në formula magjike apo proverba, në sinonime dhe emërtime, kur shpreh gjendje shpirtnore të caktuara.

    Në kushtet e një moskujdesi të plotë aktualisht ndaj shqipes dhe përpjekjeve shumë të vogla të përpunimit dhe të zhvillimit të saj, sprova e Çollakut është dëshmi e shkëlqyer dhe e sinqertë e asaj çka përbën letërsinë dhe kërkimin letrar e gjuhësor në kulturën shqiptare sot e gjithë ditën.

    Gjithashtu, personazhet që Çollaku krijon, absolutisht të gdhendura e të plota, paraqesin një stereotip të përfolur të “shqiptarit” e më tej akoma të “ballkanasit”. “Sindromi” i Ballkanit, i marrë e rimarrë si i tillë, shpreh gjuhë, sjellje dhe forma të menduari, shprehje dhe modalitete komunikative që gjithsesi ia vlen të përshkruhen dhe të interpretohen, pa i humbur lidhjet me sfondin e variablave ekonomikë, socialë dhe religjiozë.

    Romeo Çollaku, një krijesë blatuar sanktuarit të letërsisë, në një vend ku sendet e fenomenet janë të llojit të vet e me vështirësi i qasen botës, krijon dhe ia arrin të shpallë krijimin e rruzullimit të tij si një dimension paralel, larg së këtushmes dhe së tashmes dhe krejt afër universit shpirtëror, mes së bukurës dhe katarsit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË