More
    KreuLetërsiBibliotekë"Lavdërim i përmortshëm për një lidhëse këpucësh," tregim nga I. B. ...

    “Lavdërim i përmortshëm për një lidhëse këpucësh,” tregim nga I. B. SINGER

    Përktheu Fatmir Alimani

    Unë isha ulur në një bankë, në një park, kur vura re që lidhësja e majtë ishte zgjidhur. Kur u përkula për ta lidhur përsëri, ajo u këput. Një pjesë mbeti në këpucën time dhe tjetra në dorën time.

    Si ndodhi kjo?

    Sot në mëngjes, kur unë i lidha dy lidhëset e mia, ato kishin një dukje të fortë dhe një gjendje të përsosur, që të dyja. Ose, unë nuk kisha parë, që kishte një ndryshim

    ndërmjet të majtës dhe të djathtës? A mos e kisha tërhequr tepër fort të majtën, tashmë të vjetëruar, pa parë si ishte puna? Dhe përveç kësaj, përse pikërisht kjo? A ishte ajo më shumë e ekspozuar ndaj presioneve, fërkimeve të forta, dhe lagështirës? A ishte shkaktuar kjo nga shkujdesja ime? Unë nuk do ta di këtë, kurrë. Ne nuk i kushtojmë kujdes çdo ditë, lidhësave të këpucëve, ne nuk e studiojmë historinë e tyre, ne nuk e mbikqyrim higjienën e tyre. Por edhe sikur ta bënim, ne nuk do të ishim, me sa duket, të aftë për të parashikuar momentin e saktë, kur ato do të ishin jashtë shërbimit.

    Unë nuk kam si bëj ndryshe, përveçse të heq copën e mbetur. Si e bëra këtë gjë, unë shqiptova lavdërimin e saj:

    “Lidhëse, thashë unë, ti e ke mbajtur besnikërisht këpucën time, të lidhur mirë. Ti ke punuar gjer në kufi të forcave të tua, për të kryer punën, për të cilën, ti ishe bërë. Tani, ti nuk je më një lidhëse, ti je pjesë e tokës, e kozmosit. Molekulat e tua do të ndahen ngadalë dhe do të bashkohen me të tjera. Ekziston madje një mundësi, që ato të shpërbëhen në seri të ndryshme atomesh. Ti mund të jesh një ditë pjesë e një bime , e një krijese, e një minerali. Periudha jote si lidhëse këpucësh ka mbaruar, por diku në historinë e universit, atje ku është shënuar gjithçka, do të shënohet, ajo që ti ke bërë. Në regjistrin e madh të zotit do të shkruhet, që ti ishe një lidhëse këpucësh në aksh epokë, që ti ke lidhur aksh këpucë, dhe pastaj, një ditë, roli yt mbaroi, siç mbarojnë gjithë gjërat, herët ose vonë.          

    Nuk ekzistojnë lidhëse këpucësh të përjetshme. Vetëm elementet prej të cilëve janë bërë, ekzistojnë. Dhe nëse kjo nuk është fakt, ato janë pjesë, me sa duket, e një substance ose e një lënde që, ajo, është.

    Në realitet, ti nuk ke pushuar kurrë  të jesh univers. Gjatë kohës që ti e mbaje këpucën time, të lidhur mirë, ti ishe energji, lëndë, intelekt. Ti rrotullohesh, në të njëjtën kohë që toka rrotullohet rreth aksit të saj. Ti rrotullohesh rreth diellit. Ti lëviz me të, në një drejtim të panjohur, diku në Kashtën e Kumtrit, dhe kështu, ti bën pjesë në  lëvizjen e galaktikave të tjera.

    Të gjitha ligjet e universit janë të tuat.

    Gjithë misionet e tij janë misionet e tua.

    Ti ishe njëkohësisht një lidhëse këpucësh dhe kozmosi, duke luajtur për një kohë rolin e një lidhësje. Nuk është e nevojshme të qajmë për ty. Ti nuk ke nevojë për lavdërimin tim të përmortshëm. Kjo që unë jam duke recituar, nuk është bërë për ty, por për mua, një fragment i universit, i paracaktuar që të jetë egoist, frikacak dhe injorant, për një numër vitesh dhe për një arsye, që vetëm zoti e di.”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË