Mendime për romanin “Lindur së prapthi”
i shkrimtares Rita Petro.
Romani i Rita Petros, “Lindur së prapthi”, është një roman që të befason. Të befason me formën tërësisht të re që ka zgjedhur autorja: e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, novatore. Romani ngjet me një himn kushtuar dashurisë, që ndrydhej nga rregullat e një shoqërie jo të lirë dhe, si e tillë, shpesh mbahej e fshehtë. Por jo vetëm aq. Romani është pasqyrë e jetës në Shqipëri në vitet ’70‒’80 një brezi që i përket edhe autorja. Personazhi kryesor, vetë Rita, është njeri i lirë, e lindur në një shoqëri ku mungonte liria. Nga kjo merr shkas edhe kontradikta që përshkon mbarë ngjarjet në këtë libër. Ajo është një vajzë me shpirt të lirë në ato vite kur nuk mund të shpreheshin hapur mendimet për jetën, për vendin, për shtetin, për institucionet, për politikën, kur çdo lidhje midis një vajze e një djali duhet patjetër të kurorëzohej me fejesë e martesë, përndryshe vajza cilësohej si pa moral e djali aventurier.
Rita shihet dhe trajtohet nga familjarët si një njeri “anapolla”, e lindur së prapthi në kuptimin e drejtpërdrejtë dhe figurativ të fjalës. Ky epitet që përdoret nga familjarët e afërt, është edhe një lloj justifikimi për veprimet të saj. “Anapolla”, ngaqë mendon e sillet ndryshe, pa asnjë lloj filtri apo rezervimi; “anapolla”, ngaqë mendon si shumë bashkëmoshatarë të saj, por ndryshe nga ata reagon ndaj ambientit shoqëror pa autocensurë, ashtu si ajo ka dëshirë. Rita është njeri i lirë, e vërtetë në ato që bën, që nuk vepron apo sillet si shumica e bashkëqytetarëve. Një individ i veçantë, edhe pse lind i tillë si një mrekulli e natyrës, në shoqërinë ku jeton Rita konsiderohet si njeri “anapolla” apo “allasoj”.
Autorja përdor me mjeshtëri paralelizmin: ajo, ndryshe nga lindjet normale, ka dalë nga barku i nënës jo me kokë, por me këmbë, pra mbrapsht. Këtij paralelizmi autorja i referohet disa herë nëpër faqet e librit. Ashtu sikurse ka lindur e pozicionuar ndryshe nga shumica e fëmijëve të tjerë, ajo edhe mendon ndryshe. Romani i kthehet shpesh retrospektivës, si një formë artistike që i shërben edhe narrativës së ngjarjes.
Autorja trajton disa tema në roman. Ajo hyn fillimisht në psikologjinë e një fëmije, si e sheh jetën një fëmijë si ajo, pastaj të një adoleshenteje, pastaj të një të reje e më pas të një gruaje të re, e divorcuar e me partner. Përmes jetës së saj, lexuesi mëson për mungesën e lirisë së shqiptarëve në diktaturë, për varfërinë e atyre viteve, izolimin nga bota, kultin e individit, absurditetet në jetën e përditshme e pasojat tragjike të politikave të ndjekura nga shteti monist, që e bëjnë të padurueshme jetën e individëve të veçantë. Tezes së Ritës, për shembull, i është prishur jeta, ngaqë ka dashuruar në Moskë një italian dhe e kanë kthyer si “kartë postale” nga studimet, edhe pse ishte bija e një heroi të Luftës së Dytë Botërore. Asaj ia kanë vrarë dashurinë e parë dhe atë të jetës së saj. Kur kthehet nga Moska, shihet si njeri “me cen”, që ka vepruar ndryshe nga turma e jo konform udhëzimeve të Partisë-Shtet.
Në roman përshkruhet edhe një nga tmerret e shoqërisë së asaj kohe, spiunimi i qytetarëve duke i përgjuar në jetën e tyre të përditshme. Këtë veprim të ulët që shpesh bëhej nga njerëz me karakter të dobët, apo njerëz të indoktrinuar, qeveria e shfrytëzonte për të kontrolluar jetën e qytetarëve, sidomos ata që kishin “njollë” në biografi, sipas fjalëve të autores. Kështu, mamaja e Ritës, edhe pse bijë heroi, ka kujdes e ruhet vazhdimisht nga komshinjtë spiunë, sepse ata kanë marrë në qafë shumë njerëz, të cilët kanë përfunduar në internim.
Autorja trajton në mënyrë krejt të veçantë figurën e udhëheqësit të madh, të cilin, me naivitetin e një fëmije, ajo e adhuronte, derisa fillon të gjykojë e të kuptojë realitetin ku ndodhej. Me naivitetin e një fëmije, krahasimi i udhëheqësit të madh dhe Zotit teksa shikon tavanin e Kishës Ortodokse të pikturuar me ikona, është një ironi e gjetur artistikisht. Propaganda komuniste arrin të indoktrinojë edhe një fëmijë, që adhuron pafund udhëheqësin e madh. Me kalimin e viteve vjen zhgënjimi, kur Rita përjeton internimin e njerëzve që ka njohur, luftën e egër të klasave që nuk i shpëton dot as syrit të saj prej fëmije, ndërsa shikon keqtrajtimin dhe frikën që ndien familja e shoqes së saj të ngushtë me “biografi të keqe”. Autorja fillon të shohë me sytë dhe mendjen e një fëmije që fillon të kuptojë diçka nga realiteti, mungesën e lirisë, heqjen me dhunë dhe ndalimin e fesë dhe institucioneve fetare, që u diktua nga qeveria komuniste, por që nuk u kapërcye dot nga shumë njerëz (shembulli i komshijes që i tregonte si falej në xhami dhe i hallës që mbante të fshehura ikonat dhe lutej fshehurazi).
Romani prek edhe temën e korrupsionit në Shqipërinë e pas viteve ‘90, përmes një debati me partnerin, që kujton autorja, kur atyre nuk i është dhënë mundësia, madje i vijnë kërcënime që të mos marrin pjesë në një tender, edhe pse kanë punuar shumë dhe kanë arritur mjaft sukses me kompaninë e tyre të botimeve. Fenomenet e reja negative, edhe pse pak i prek në roman, autorja i sheh si një tjetër shprehje të mungesës së lirisë në Shqipërinë e viteve të demokracisë, që ajo e përjeton me shqetësimin e një qytetareje që nuk mund të bashkëjetoje me padrejtësinë, mashtrimin e hipokrizinë, por tashmë askush nuk mund ta quajë më atë “anapolla”. “Lindur së prapthi” lexohet me një frymë.
Roman , prozë një ngjarje të ndodhur ku autorja jo vetëm së është deshmitare, por edhe përjetuese e ngjarjës. Nga ajo që rrefejnë të tjerët për romanin shihet se autorja R. Petra pas sukseshmit të praqitjes së saj në POEZI vie me sukses edhe në PROZË, e drejtpërdrejt nga një shoqëri që s’kishte asgjë tjetër përveç dhunimit- ndeshkimit të njerëve t’vet në aplikimin e ,, HEKURT” R. Petra me mjeshtri do rrefente një kohë thua se të pa kohë, por që ishte dhe mbeti REALITET i dhimbshëm , ajo emëron vetën edhe si përsonazh përjetues të ngjarjës, por edhe të jetërritës së saj.