Nga Aurel Plasari
Latinishtja paska qenë për Churchill-in, kur studionte në shkollën emërmadhe Harrow, njëra nga lëndët më të bezdisshme. Sa është ankuar për të! Kështu lexohet në kujtimet e tij “My early life”. E kuptueshme për një çunak anglez që, fjala vjen, e ka të vështirë të përkapë jo thjesht lakimin e emrave, që anglishtja nuk e ka, por logjikën e veçantë latine në përgjithësi.
Mësuesi i ka dhënë Winston-it të lakojë emrin “mensa” (tryezë): mensa, mensa, mensam… Çunakut nuk i mbushet mendja se si e njëjta formë, “mensa”, përdoret në tri rasa të ndryshme: në emërore, thirrore dhe rrjedhore. Sidomos thirroren nuk ia rrok truri. Çfarë kuptojmë, ka pyetur ai mësuesin, me “mensa” në thirrore? Ka kuptimin, i ka shpjeguar mësuesi, “o tryezë”. Dhe kur përdoret “o tryezë”? ka ngulmuar Winston-i. Kur i drejtohemi një tryeze duke e thirrur, i ka shpjeguar mësuesi. Por unë nuk kam pse t’i drejtohem ndonjëherë ndonjë tryeze! ka vijuar kokëfortë çunaku. Derisa mësuesi e ka kërcënuar se do të ndëshkohet shumë rëndë për këtë kokëfortësi në mësim.Sado keq ka folur në kujtimet e rinisë për latinishten, latinishtja e ka marrë shpagën mbi të. Të gjitha fjalimet e tij, të famshme për nga receptimi, dallohen që janë produkt i retorikës latine prej mjeteve të saj që i quajmë të stabilizuara nga kryeustai i retorikës, Ciceroni. Pa bërë zgjedhje tendencioze, marrim njërin nga fjalimet tij më të bujshme radiofonike, atë të qershorit 1940. Shkëlqen në të, pos të tjerash, mjeti që edhe sot e quajmë “asindet” dhe që ka të bëjë me shmangien e përdorimit të lidhëzave mes fjalive: “We shall go on to the end, we shall fight in France, we shall fight on the seas and oceans, we shall fight with growing confidence and growing strength in the air, we shall defend our Island, whatever the cost may be, we shall fight on the beaches, we shall fight on the landing grounds, we shall fight in the fields and in the streets, we shall fight in the hills, we shall never surrender…”
Shmangia e lidhëzave mes fjalive, asindeti, shkakton në retorikë një efekt ngjeshjeje dhe rrjedhjeje të shpejtë të fjalive. “Veni, vidi, vici” e Jul Cezarit është kryeshembulli i saj. Dikur, ndërsa na shpjegonin asindetin, nuk kishin të na jepnin veçse shembuj nga letërsia ruse, si ai i Pushkinit:
“Suedezi, rusi – ther, grin, pret. Gjëmim daulleje, britma, kërcëllima, hingëllima, ulërima”.
Ndaç ta ketë dashur, ndaç të mos e ketë dashur z. Churchill-i latinishten, si asindeti edhe e shumta e mjeteve të retorikës së tij të suksesshme aty e kanë zënien fill, te Ciceroni dhe ciceronianët të cilëve ua ka përgojuar gjuhën.