More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLa rivincita (“Loja, shembja e qiellit”): roman i dhimbshëm dhe ...

    La rivincita (“Loja, shembja e qiellit”): roman i dhimbshëm dhe i vërtetë nga Shqipëria në “Passaggi Festival”

    nga Bianca Savino

    U hap të enjten, 27 qershor, në Fano ekspozita e re e “Passaggi” kushtuar prozës artistike: “Europa / Meditterranea, Passaggi ad Est”. Katër takimet e parashikuara kanë për qëllim të zgjerojnë ofertat kulturore të festivalit dhe t’i shfaqin publikut një realitet të ndryshëm, duke ftuar autorë që vijnë nga Ballkani. I ftuari i parë ishte Bashkim Shehu, shkrimtar shqiptar i cili, së bashku me Matteo Mandalà, profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos, paraqiti romanin e tij “Loja, shembja e qiellit”.

    Subjekti dhe temat e romanit

    Ngjarjet e romanit zhvillohen në Shqipërinë totalitare të gjysmës së dytë të shek. XX dhe përfshijnë historinë e Aleks Krastës, i dënuar pa asnjë arsye të kalojë disa vjet të jetës në burgjet e regjimit. Bashkë më të është edhe miku i tij, rrëfimtari i një pjese të romanit, që mbledh historinë e jetës së vet me synimin të shkruajë një libër. Protagonisti do të donte të gjente shpagim për çka i ishte mohuar gjatë viteve të dënimit (dinjiteti, liria dhe identiteti), por në fund nuk do ta vërë në jetë shpagimin nën shtysën e parimeve njerëzore.

    Romani fillon me përshkimin e gjendjes politike, por më pas zhvillohet në shumë tema. Një nga temat më të rëndësishme është pa dyshim ajo fetare. Gjatë viteve të diktaturës kleri katolik, sidomos ai françeskan, u asgjësua krejt bashkë me nxjerrjen e fesë jashtë ligjit. Për personazhet kërkimi i Zotit shndërrohet në kërkimin e një autoriteti të drejtë që të zëvendësojë autoritetin despotik dhe të dhunshëm të përmasës tokësore.

    Risi dhe modele

    Matteo Mandalà e përshkruan romanin si një vepër me strukturë komplekse dhe një stil risor. Gjatë leximit gjendemi përballë shumë personazheve dhe kemi të bëjmë shpesh me dyzimin e zërave rrëfyes. Po të kemi fatin ta lexojmë këtë roman në origjinal, është e vështirë të mos vëmë re përmbysjen e rendit sintaksor të foljeve, aspekt ky që e ka revolucionarizuar letërsinë shqipe.

    Për shkrimin e këtij romani Bashkim Shehu është frymëzuar nga dy libra. I pari është “Rrno për me tregue” i At Zef Pllumit, fratit françeskan që në këtë lloj ditari rrëfen jetën e vet në burgjet komuniste të diktaturës. I dyti është romani “Nocturno de Chile”, i shkrimtarit kilian Roberto Bolaño. Shehu është përpjekur të ringjallë në librin e tij ndjesitë e përshkruara në këto dy vepra, por tashmë me një stil të ndryshëm dhe të ri.

    Mes biografisë dhe romanit

    Bota që përshkruan Bashkim Shehu është një botë reale, ku ai vetë ka jetuar. I ati ka qenë kryeministër i Shqipërisë gjatë diktaturës dhe pasardhësi potencial i diktatorit deri ditën kur u detyrua të vriste veten. Fill më pas gjithë familja u arrestua dhe Bashkim Shehu kaloi tetë vjet në burg. Në libër pasqyrohen ndjesitë dhe përmasa ekzistenciale e autorit, mirëpo qëllimi i tij nuk ishte që të shkruante një autobiografi. Në fakt, shumë nga referimet vetjake nuk janë të qëllimshme.

    Përktheu nga italishtja në shqip Gëzim Gurga

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË