A |
skush nuk e pa pasditen e vakët të nëntorit, kur me një fuoristradë të marrë me qera, la udhën turistike që të shpinte në rrënoret arkeologjike të Chichén Itzá-s dhe u fut në xhunglën e Yucatán -it.[1]
Askush nuk e pa kur eci edhe rreth një orë me makinë përmes një bimësie të harlisur tropikale dhe një morie iguanash gjigante që i prisnin rrugën heraherë, dhe e braktisi makinën në një lirishtë të vogël. Askush nuk e pa kur paskëtaj, zuri ta çante udhën e xhunglës me një satër të shkurtër, duke bërë përpara ngadalë, duke përgjuar zhurmat dhe duke u ndalur hera-herë për të verifikuar drejtimin me anë të një busulle ushtarake. Trualli kish filluar të kthehej në ujesë, dhe baltovinat e shenjta shpejt i zunë vendin. Ende kish dritë në qiell, por vetulla e hënës në rritje kish nisur të përvijohej në të. Flatrimi i fuqishëm i një trumbe shpendësh të panjohur i tregoi drejtimin e rrënojave të tempullit të lashtë, të cilin busulla po vononte t’ia rrëfente. E njihte mirë tzolki-n, kalendarin ritual të mayave, ashtu siç njihte edhe cholti-n, gjuhën e tyre klasike. Mayat tani jetonin në ciklin e V të diellit.
Zjarre të lashtë e kishin kafshuar pa reshtur për qindra e qindra vjet tempullin e Kukulkán – it,[2] por platforma e tij dukej e paprekur prej tyre, apo si e përtërirë pas djegies. Në mes të saj, brenda një qerthulli të plotësuar, ndodhej vatra e gurtë që mbante zjarrin e gjallë. Ishte qerthulli i shenjtë planetar nga ku dilnin udhët e yjeve të qiellit. Muzgu i ceiba-s[3] mijëravjeçare, krahët e stërmëdha të së cilës kishin marrë nën sqetull rrënojat e tempullit, po mbulonte ngadalë tokën. Platformën tempullore e popullonin rrjedhësit e mayave të lashtë, njerëzit e kasolleve me liane dhe guano që kishin shpirt, që ishin pa dritare dhe zjarrin e ndezur përmbi tre gurë e mbanin mu në mes të tyre. Ishin kasolle të shpërndara fshatrave të nxehtë dhe të lagësht brenda xhunglës së Yucatán –it. Sonte ajo ishte një prej tyre.
E la veten të rrëmbehej nga festa rituale përballë rrënojave të zbukuruara të tempullit, e zhurmshme dhe me plot ngjyra, të cilat, flakët e zjarrit të vatrës së gurtë së bashku me ato të pishtarëve dhe qirinjve të shumtë i feksnin marramendshëm. Tymi i temjanit dhe copa-lit kishin mbushur hapësirën e tempullit. Kur njëri nga priftërinjtë i dha në dorë pijen ceremoniale tempullore dhe ajo piu gllënjkën e parë, ndjeu një si tërmetth brenda rropullive të saj. Ishte një ndjesi e paprovuar më parë, e cila e la pa frymë nga befasia dhe mëpastaj nga gëzimi. U mbështet pas nofullave të fuqishme të kokës së gjarprit prej guri që i rrinte roje shkallareve të paprekura të tempullit, dhe nga buzët i doli një pëshpërimë: “Biri im!”. Kështu foli ajo dhe vuri dorën mbi bark për ta qetësuar.
U ruajt dhe nuk hëngri kërpudha haluçinogjene rituale, të cilat mund ta dëmtonin krijesën e saj; pija tempullore do t’ i mjaftonte që të arrinte harmoninë kozmogjenike dhe, kësisoj, të mund të dallonte brenda mjegullinave të Krijimit zemrën e të birit që mbante në bark.
*
Vallet e burrave dhe këngët e korit të grave që kishin shungulluar rrënojat e tempullit kishin pushuar. Po ashtu edhe ritet e “dëlirjes”. Perënditë e majave duheshin ushqyer që të mund t’iu përkushtoheshin njerëzve. Nisën sakrifikimet dhe vetsakrifikimet. Në el Cenote Sagrado, pusi i shenjtë i tempullit, u hodhën kafshë të grira nga shigjetat dhe monedha, si blata për perëndinë Kukulkán. Njerëzit shpuan mishin e tyre me maja kockash dhe gjemba të egër, mblodhën gjak në gjethe dhe kërcej bimësh, dhe ia falën perëndisë. Paskëtaj, nxorën eshtrat e të parëve të tyre që i kishin ruajtur me përkushtim tradite, si edhe ato më rejat e të afërme dhe i pastruan me kujdes. Më pastaj, bojë e kuqe u derdh bujarisht përmbi eshtrat e të ikurve nga kjo botë…
Koha e vdekjes kishte mbaruar. Po niste një kohë tjetër. Koha e rimishërimit.
Ajo vazhdonte të pinte me gllënjka të vogla pijen tempullore, ndërsa murmurimat e formulave magjike të “Popol Vuh” librit të shenjtë të mayave të lashtë, merrnin qiellin. U ndje e papeshë; marramendja e fillimit iu kthye në një qartësi të madhe ndjesore. Pak e nga pak, koha e re nisi të mbushte hapësirën dhe kaosi kozmik që e përfshiu më parë dhe ku ajo u ndie papritur e tmerruar nga braktisja dhe vetmia, nisi të davaritej për t’ia lënë vendin harmonisë. Me sy të kthjellët ajo shqoi zinxhirin e planeteve me shtatë orbita, ku në çdo orbitë kishte shtatë rrathë zhvillimi, të cilët formonin dyzetë e nëntë stacione të ekzistencës. Ishin përvojat e ndërgjegjes së të ikurve për dyzetë e nëntë ditë nëpër shtatë botët…
Tani e ndiente veten të sigurt, e rrethuar nga një ngrohtësi miqësore dhe shpresëdhënëse. Tani mund të rrugëtonte e qetë drejt zemrës së të birit. Nga vdekja e të tjerëve u derdhën përmbi të vezullime dritash dhe horizonte të shkëlqyera; në vesh i erdhi tingulli i natyrshëm i së vërtetës; sytë i panë atomet e farës yjesore, atomet e farës së mendjes dhe atomet e zemrës. Më në fund, mjegullimave të kaltra të Krijimit dalloi atë që dëshëronte të shihte: zemrën e të birit në trupin e saj. Ishte ashtu siç e kishte imagjinuar kur e ndërtonte verbazi me lëndën e shpirtit brenda rrjetit të ngatërruar të gjakut për rreth pesëdhjetë ditë e netë: e kuqe zjarr dhe regëtitëse, e fuqishme dhe drithëruese. Po kundronte veprën e saj nën vullnetin e të Madhit, me dashuri, me dhembshuri dhe krenari, kur fryma e pavdekshme e kozmosit kaloi kufirin e buzëve të saj dhe i kaploi shpirtin[4]…
Drita e agimit kish mbuluar tokën, kur ajo mori udhën e kthimit.
*
Një gjumë i thellë dhe përtëritës e mbajti të mbërthyer në shtrat për tri ditë dhe tri netë me radhë. Mëngjesin e ditës së katërt, si e rilindur dhe plot me një energji të pazakontë, pasi hëngri mole dhe piu një kupë të madhe me lëng ananasi dhe mjaltë bletësh, u ul të punonte për studimin e saj mbi palingenezinë[5] maya. Do të punonte shumë që të rifitonte kohën e humbur në gjumë. Por pas rreth një ore që u përpoq më kot të gjente fillin e ndërprerë të studimit, duke i parë dhe stërparë fishat, kartelat, shënimet dhe gjer fotot e bëra ditë pas dite, hoqi dorë prej tij dhe mendoi të hidhte së pari në kompjuter gjithë ç’kish parë dhe ndjerë gjatë festës rituale mbi platformën përballë rrënojave të tempullit të Kukulkán – it, në zemër të xhunglës së Yucatán-it.
Hapi file-in “shënime përgatitore” por, ndonëse u zhyt në kujtimin e katër ditëve më parë dhe me sytë e mendjes pa dhe ndjeu mëpastaj me ndjesitë e kujtesës ceremoninë tempullore, asnjë fjalë nuk mundi të shkruante për të. Gjithçka vinte dhe ngatërrohej tamam në çastin kur duhej të formonte fjalët dhe fjalitë: pamjet shndërroheshin në mjegullina të shformëta, dhe ndjesitë në turbullime pa emër që i rrëshqisnin dejve…
Humbi shumë kohë përpara kompjuterit duke mos bërë dot asgjë, dhe ndërsa energjia i rritej brenda trupit dhe mendjes, e kaploi dëshpërimi i bllokimit përpara faqes së bardhë. E braktisi shkrimin. U përpoq të mësohej me gjendjen e re në të cilën ndodhej, me energjinë e madhe dhe të panjohur brenda vetes dhe me pamundësinë për ta shndërruar në punën e saj studimore. E ndiente që nuk ishte energjia e vet, nuk ishte as ajo që krijohej nga zemra e të birit, e cila përtërinte gjakun e zemrës së saj; ishte diçka e fuqishme, e huaj dhe e mistershme që po rrekej të bëhej njësh me të.
Kaluan ditë, përpara se ajo të ulej sërish në kompjuter nga një impuls i papritur dhe i beftë. Ortekë mendimesh dhe lumenj fjalësh u derdhën atëherë nga gishtat e saj. Dukej sikur një forcë e pazakontë kishte shpërthyer digat e një rrëfimi të rrjedhshëm dhe të fuqishëm që flinte brenda saj. Ishte një rrëfim që po i rrufiste edhe grimcën më të vogël të kohës. Kaloi ditë dhe netë duke shkruar vrullshëm, pa e ndjerë lodhjen, me një lloj mbushje shpirtërore dhe lartësimi që nuk i kish ndjerë kurrë më parë. Jeta e gruas tani po rridhte e tëra në hullinë e një shkrimësie, e cila nuk kishte asnjë lidhje me studimin e saj. U bë e ndërgjegjshme për këtë vetëm pasi pasi kishte shkruar dhjetëra e dhjetëra faqe në fill të frymës.
Një muzg të qetë dhe të vakët fillimdhjetori ajo e ndali punën, apo puna vetë i ndali gishtat e saj mbi tastierën e kompjuterit; u vu të lexonte atë ç’ka kishte shkruar. Që në grërmat e para pati ndjesinë se nuk po lexonte shkrimin e saj, por të tjetërkujt: ishte një prozë drithëruese dhe magjepsëse, nga lloji i atyre që të ndryshojnë jetën pas leximit. I shkruar në një spanjishte të shkëlqyer, të përkorë, të drejtpërdrejtë dhe përshkruese, rrëfimi epik ishte qerthullor, — vetmia, dëshpërimi, idengulitjet dhe absurdi përsëriteshin pa fund. Porse lënda e prozës mjeshtërore të fantazisë dhe magjisë ishte e njohur dhe e afërt për të. Aty shtrihej fati i një vendi të vogël në askundin e botës, i cili gjallonte në një mbyllje dhe izolim të skajshëm prej botës së madhe, nën peshën e një diktature të frikshme të panjohur më parë prej njeriut. Me zemrën që i rrihte fort prej emocionesh të mistershme, ajo lexoi për fatin e disa brezave njerëzorë pa Zot, me mendje të mpirë dhe pa identitet, të dënuar brenda një moskomunikimi të frikshëm dhe një hipokrizie ferri, ku burri spiunonte gruan dhe ku motra fuste të vëllain në burg për mospërputhje ideologjike, brenda një marrëdhënie të përbindshme të familjes me shtetin; ku gjithkush jetonte në frikë dhe në terror, që nga njerëzit-mekanizma të diktaturës dhe gjer te njeriu i fundit që jetonte brenda burgut të vogël apo brenda atij të madhit, që ishte i tërë ai vendth. Ishte fati i njeriut brenda një braktisjeje dhe vetmie monumentale, ku e vetmja shpresë për çlirim dhe dritë në fund të tunelit, ishte profecia e një cigani të rrallë, e cila rrëfente se liria do të vinte nga shembja e një muri të madh ndarës absurd…
Dorëshkrimi që dorëzoi një ditë më vonë në shtëpinë më të madhe botuese të Ciudad de Mexico, “Editorial Era”, ishte rreth 100 faqe A4, gërmat Times New Roman 12.
*
Antropologia e re, të cilën të gjithë e thërrisnin la gringa, siç i quanin rëndom të huajt, sipas zakonit vendas, vinte nga një vend i vogël i Ballkanit, mbante një emër të lashtë Thana, dhe kishte rreth dy muaj që jetonte në gadishullin Yucatán, në Meksikën juglindore. Vepra e saj “Kozmologjia e mayave” e botuar së pari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ajo kishte kryer studimet e larta, dhe e përkthyer më pas në shumë gjuhë, e kish bërë një autoritet botëror të fushës.
Këshilli
i botimit të shtëpisë botuese “Era” e shqyrtoi gjatë dorëshkrimin e
mrekullueshëm të antropologes. U thirrën edhe kritikë të njohur letrarë dhe
specialistë e studiues të kolumbianit të madh. Përfundimi ishte i prerë, i qartë,
unanim, tronditës dhe shpresëdhënës për tërë njerëzimin: dorëshkrimi i
antropologes së re ballkanase ishte, në të vërtet, pjesa e rrëfimit që mungonte
në romanin “100 vjet vetmi” të shkrimtarit të madh kolumbian Gabrial Garcia
Marquez, i shuar dy vjet më parë, në 2014, në Ciudad de Mexico. Ishte rrëfimi
për brezin e tetë të familjes Buendia, të cilën Marquez-i nuk e kishte shkruar
dot në gjallje të tij, në kohën kur iu desh që, për mungesë fondesh, ta mbyllte
romanin gjenial gjer në brezin e shtatë të familjes Buendia. Ishte, në të
vërtet, pengu i tij letrar.
[1] Gringo/gringa – kështu i thërrasin të huajt në Amerikën Latine
[2] Kukulkán – perëndia më e rëndësishme e Maya-ve të lashtë i ngjashëm me Gjarpërin me pendë. Lidhet me ajrin, ujin dhe rimishërimin.
[3] Ceiba – pemë gjgante e konsideruar si “pemë e shënjtë” nga Maya-t
[4] Sipas besimit të Maya-ve të lashtë, rimishërimi ndodhte me anë të frymës së pavdekshme që kalonte buzët e një gruaje shtatzënë.
[5] Palingenezia – është termi i përdorur nga filozofët stoikë për të treguar rindërtimin e botës pas shkatërrimit nga Zjarri. Emri në greqisht do të thotë “ rilindje”, “rigjenerim”.