Nga Enver Kushi
I.
Shumë vite më parë, atëhere kur kapërceja nga mosha e femijërisë në atë të rinisë së hershme, historia dhe gjeografia e Çamërisë, më kanë ardhur në dy forma: Me atë të rrëfimeve dhe të ëndrrave. E para ishte më konkrete dhe në trurin tim, shtresa – shtresa zinin vend rrëfime nga më të çuditëshmet, për vendlindjen e gjyshërve dhe prindërve të mij, për qytetin e Filatit, që ishte shumë pranë, lindjet dhe dasmat, këngët dhe vallet çamiko, fiset, plakat, që mblidheshin në lagjen “Breg” dhe që andej vështronin Korfuzin që netëve llamburiste, apo shihnin tutje si në mjegull Gumenicën dhe përpara grykëderdhjen e lumit Kalama në detin Jon. Ndërsa Çamëria nëpërmjet ëndrrave më ka ardhur si përtej reve. Ajo vinte mëngjeseve, teksa të ulura për të pirë çajin e manxuranës, gjyshet e mia, ose mysafiret e ardhura, tregonin ëndrrat që kishin parë. Ato fillonin kështu: “Ëndrra më shpuri mbrëmë në Spatar. Frap dhe m’u bë një si feksmë(dritë). Dhromi m’u bë tërë drita. Edhe Spatari, edhe Filati kështu m’u bë. Dhe në ëndërr më erdhi furra, ku Nesua dhe Zelua po nxirrnin bukët e pjekura…”.
Pastaj vitet shkonin dhe megjithëse lexoja shumë, rrallë gjeja në ato që lexoja Çamërinë, historinë, kulturën, personalitetet e dramat e saj. Kjo më trishtonte, duke më krijuar dhimbje, sepse dukesha që i përkisja jo vetëm një populli rrënjëshkulur, por edhe pa histori dhe identitet. Mbaj mend, që herët m’u hapën dy porta që lidheshin me Dinastnë Dino. Portën e parë, ma hapi nëna ime, ndërsa të dytën, Ferid Hudhri, më 2 shtator të vitit 1979, në një shkrim të botuar në gazetën “Drita”. Dhe para se të rrëfej për këto dy porta, që më njohën me Dinejtë, dua të përmend edhe një fakt tjetër për Dinastinë Dino. Atyre u jam qasur disa herë pranë dhe më është dukur sikur qëndroja në këmbët e një mali të lartë, apo brigjeve tërë dallgë të deteve. Nuk e di, se përse ata më janë shfaqur dhe rishfaqur mes mjegullave të kohërave, herë-herë të largët, të rrethuar me mistere dhe herë-herë më pranë dhe më të qartë dhe madhështorë. Dinot jetuan kohërat e vrulleve të mëdha të shekullit XX, revolucionet, dalldisjet ideologjike, që nga komunizmi, deri në ato anarkistet, fashiste e naziste, apo luftrat botërore. Të rritur dhe edukuar në një familje të madhe, për të thënë më e madhja e Çamërisë, ushqyer me kulturat e Lindjes dhe Perëndimit, shkolluar dhe madhuar në mjedise intelektuale, ata u bënë personalitete të shquara në fusha të tilla, si letërsi, artet figurative, kinematografi etj. Jeta e tyre ka edhe dallgëzime, vetmi, ankthe, dhimbje, por jo thyerje, apo nënshtrim të fatit. Dinot kanë shumë në personalitetin dhe veprën e tyre, nga Lopësi, Paramithia dhe veçanërisht ata të degës së Prevezës, nga dielli i bukur i këtij qyteti, por dhe nga fisnikëria, bujaria, shpirti krijues, i butë e plot përmallim e melankoli i çamëve, apo dhe krenaria dhe shpirti rrebel i kësaj popullsie.
Duke zotëruar gjuhët dhe kulturat e mëdha të kohës, tre vëllezërit Dino u njohën dhe miqësuan me disa nga personalitetet e mëdha të kulturës europiane, turke e më gjerë. Ata e ndjenë vehten të barabartë në sallonet aristokratike të Stambollit, Moskës, Zyrihut, Athinës, Romës, Parisit etj.
Nipi i tyre, intelektuali fin dhe aristokrat, Jusuf Vrioni, ka ta drejtë, që siç shkruan Luan Rama, ka thënë: “Në dhjetë veta të kësaj familjeje, dy apo tre spikasin për madhështinë e tyre”.
II.
Rrëfimi i nënës sime për LLixhat e Elbasanit dhe zonjën e rëndë ngas dera e Dinejve të Çamërisë, më vjen herë-herë i mjegullt dhe herë-herë I qartë. Rastësia e kishte sjellë që nëna ime në fillimvitet ’50, të shekullit që lamë pas, nuse e re atëhere, të takonte zonjën e Dinejve. Në kujtesën e saj ruhej imazhi I gruas aristokrate, hijeshia e moshës, delikatesa në sjellje dhe në të folur, nëna ime në shoqërinë e zonjës, magjepsej jo vetëm nga e folura karakteristike e dialektit çam, por edhe në kujtimet e së kaluarës, që ajo rrëfente, duke sjellë lavdinë e një dere të madhe, pinjollët e së cilës ishin shpërndarë në Turqi dhe në disa vende të Europës. Zonja nga Preveza rezatonte në mjediset e Llixhave të Elbasanit fisnikëri, hijeshi, kulturë. Ajo kujtonte femijërinë dhe rininë e saj të lumtur, ditët me diell të Prevezës, Athinës dhe Stambollit, shirat e Parisit dhe trishtimin grit ë dimrave në qytete të ndryshme europiane. Pastaj martesën dhe dasmën madhështore, krushqit me kostume çame, vallet e bukura të grave, kafazin e zbukuruar që e mbanin djem të fuqishëm. Për fat të keq nëna ime nuk e mbante mend emrin e zonjës nga Preveza.
Këtij rrëfimi po i shtoj edhe atë të Vera Ibrahimit, e cila vite më vonë, kur ishim në një zyrë në Muzeun Historik Kombëtar, do të më jepte të plotë portretin e një zonje të Dinejve, jo të gjallë, por të vdekur. Bëhet fjalë për nënën e intelektualit dhe përkthyesit të mirënjohur, Jusuf Vrioni, e cila vinte nga Dinastia Dino. E saktë në të folur, Vera Ibrahimi, në rrëfimin e saj si shkrimtare, kthehej e rikthehej në ditën ku në Shtëpinë Botuese ishte marrë vesh lajmi I vdekjes së nënës së Jusuf Vrionit, për zëra që thonin se mund të mos jepej leje, që kolegët e Jusuf Vrionit të merrnin pjesë në këtë ceremoni. Dhe më në fund, kur ajo u dha, Vera IbrahimitiI kishin bërë përshtypje, sapo hyri në dhomën ku ishte e vdekura, orenditë e vjetra, pianoja, pjesë e pajës së zonjës Dino, kur kishte vajtur nuse në derën e Vrionasve të famshëm, mbulesa e veçantë që ishte hedhur mbi të vdekurën dhe aromat e dhomës së vogël, sikur vinin nga thellësitë e shekujve. Gruaja fisnike, tashmë pa jetë, ishte rrethuar me disa relikte të pasurisë të Dinejve dhe Vrionasve, ndërsa larg, shumë larg, ishtë Çamëria e bukur dhe tragjike, hapësirave të së cilës, lëviznin hijet e Dinastisë famëmadhe Dino. Gruaja e fisnikërisë çame, nëna e Jusuf Vrionit, kishte dhënë shpirt në një dhomë të vogël të kryeqytetit shqiptar, ndërsa pasuria përrallore e të parëve të saj shtrihej që nga Preveza, Paramithia, fushat e begata të Janinës etj. etj. Fati ishte sjellë mizorisht edhe me Dinejtë e Çamërisë edhe me Vrionasit e Beratit.
Nuk e di nëse në këto dy rrëfime bëhet fjalë për të njëjtën zonjë. Nëse nëna ime do ta mbante mend emrin e zonjës Dino nga Preveza, me siguri se në të dy rrëfimet bëhet fjalë për të njëjtën zonjë, sepse nëna e Jusuf Vrionit quhej Xhemile.
III.
Mbaj mend të dielën e parë të shtatorit të vitit 1979 dhe qytetin tim të vogël të Rrogozhinës, kur isha mësues i letërsisë, në shkollën e mesme. E kujtoj si sot fillimvjeshtat që vinin në këtë qytet, me ngjyra të shumta, ku mbizotëronte ajo e verdha, e një luleje që çelte e mbulonte anët e kanalit Peqin-Kavajë dhe anët e rrugëve automobilistike, që të çonin në Elbasan dhe në Jug. Dola atë të diel, pra më 2 shtator të vitit 1979, që herët në mëngjes, për të marrë gazetën “Drita”, e vetmja letrare e perjavshme e kohës. Gazetën “Drita” e shfletova sapo dola nga libraria e qytetit. Përveç shkrimeve të tjera, tregimit dhe poezive, në një nga faqet e saj lexova menjëherë titullin “Piktorë shqiptarë, që kanë punuar jashtë atdheut”, shkruar nga Ferid Hudhri. Në shtëpi këtë shkrim e lexova të parin. Ai zinte një faqe të plotë dhe Ferid Hudhri, krahas Sabri Fetahut, Theohar Gjinit, Mikel Trotës, shkruante edhe për Arif Dinon, Ali Dinon dhe Abedin Dinon, të tre vëllezër, ku më mbeti në mendje citimi që Hudhri i bënte një reviste të paraçlirimit për A. Dinon: “Është nga familje shqiptare, çame. Dinojt shquhen për një prirje të veçantë për arte të bukura…”. Atëhere nuk e njihja Ferid Hudhrin. Nuk e dija se punonte në gazetën “Drita”. Gazetën ku ishte botuar shkrimi i tij e vura në një nga dosjet e bibliotekës sime, për ta nxjerrë shpesh që andej e për të lexuar e rilexuar shkrimin e Ferid Hudhrit. Nuk e di, por sa herë e rilexoja, më dukej se Hudhri kishte hapur për mua një portë të madhe, ku për herë të parë njihesha me tre personalitete të shquar, me përmasa europiane. Këtë shkrim e gjeta prillin e këtij viti, në ditët e karantinës dhe disa javë më pas i telefonova prof. Ferid Hudhrit, i cili e mbante mend mirë shkrimin e tij.
Ferid Hudhrin e kam njohur pas viteve ’90. Ai tashmë është një nga studiuesit e palodhur, vepra e të cilit është e dukshme. I heshtur, larg publicitetit, modest, prof. Ferid Hudhri është shembulli I studiuesit të pasionuar, kontributet e të cilit janë të mëdha. Prof. Irakli Koçollari e ka dhënë bukur personalitetin e Ferid Hudhrit, kur shkruan: “Si një rrëmihës i harruar pas gjahut të tij të vyer, i mbyllur me kërkime në arkiva, përpara tablove të vjetra e të reja, pas diçiturave, ku shfaqet emri Shqipëri, apo shqiptar, vetëm atje do të mund të gjendet adresa pothuaj anonime e këtij kërkuesi dhe studiuesi të pasionuar, që e ka emrin Ferid Hudhri”. Le të rikthehemi në shkrimin e tij të botuar më 2 shtator të vitit 1979. Ishte një kohë, kur Dinot e Çamërisë, jo vetëm nuk njiheshin në tokën amë, por të shkruaje për ta edhe mund ta pësoje. Në parathënien e librit “Dino – Shtegëtari i Portës Sublime”, një nga më të bukurit për Dinot e mëdhenj, shkruar nga Luan Rama dhe botuar në vitin 2007, Ferid Hudhri për artikullin e sipërpërmendur, mes të tjerave shkruan: “Artikulli ngjalli interes midis intelektualëve, por ende pa u mbushur muaji, një zyrtar i kohës, i sapokthyer nga Franca, pasi më tregoi, se në një ekspozitë në Paris, kishte parë tablotë e Abedin Dinos, më këshilloi të mos shkruaja më për artistë që nuk u dihej biografia, e aq më keq për Dinon, piktor dekadent, që epspozon në Perëndim. Më shumë më shqetësoi vërejtja, që në ato vite mund të krijonte pasoja jo të vogla, më çuditi fakti, që Abedin Dinua ende jetonte dhe krijonte në kryeqendrën e kulturës botërore, ndërsa në atdheun e tij, nuk arrinte asnjë njoftim”. Ferid Hudhri guxoi dhe i publikoi për herë të parë vëllezërit Dino, duke na dritësuar emrat e mëdhenjt të tyre, që nisnin me A-në e alfabetit të shqipes dhe që mbanin mbiemrin Dino. Këtë A e mbante edhe gjyshi i tyre, ose Ati i Madh i Dinejve, Abedin Pashë Dino, I njohur jo vetëm si ministër i jashtëm i Perandorisë Osmane, por edhe një figurë poliedrike dhe me kulturë të madhe sa Lindore, aq edhe Perëndimore.
Po e jap të plotë tekstin e shkrimit të Ferid Hudhrit për vëllezërit Dino, botuar 41 vite më parë.
Arif Dino
Për këtë piktor kemi të dhëna që ka punuar si pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura të Stambollit gjatë viteve ’30. Ka njohur nga afër krijimtarinë e Sabri Fetahut dhe ka qenë koleg me të në Akademinë e Stambollit. Në një revistë të paraçlirimit shkruhet kështu për A. Dinon: “Është nga familje shqiptare, çame. Dinojt shquhen për një prirje të veçantë për arte të bukura…”.
A.Dino është vlerësuar për krijimtarinë në artet figurative dhe për horizontin e gjerë kulturor që kishte. Në një shkrim ku flitet për piktorët modern të Turqisë, ndërmjet të tjerave theksohet se “Arifi, ndonëse më pak i njohur te ne, është çmuar jashtë shtetit. Ai nuk është vetëm artist,por edhe poet, dijetar, natyralist, estet …shkurt ai është me një horizont të gjerë kulturor.. Pikënisja e tij është realiteti…. Veprat e Arif Dinos i ngjajnë ujit të ëmbël dhe të freskët të një kane kristali, ujë që edhe ata që s’kanë etje fare nuk mund të mos e pinë me rrëmbim”. (La Turqie Kamaliste. Nr.9, Octobre, 1935).
Ndërsa shkrimi i A. Dinos për S. Fetahun është një dëshmi tjetër e krenarisë së tij për Shqipërinë. Qëllimi i atij shkrimi në revistën turke që botohej në tri gjuhë të huaja (anglisht, frëngjisht, gjermanisht) ishte që t’i tregonte botës se nga Shqipëria kanë dalë artistë të shquar që japin kontributin e tyre në zhvillimin e artit në vende të tjera. Por nga vëllezërit Dino është një figurë tjetër më e shquar:
Ali Dino
Ky piktor ka punuar në Greqi. Ali Dino shquhet edhe për faktin se ka qenë piktor karikaturist. Në historinë e artit tonë mund të themi se, nga kërkimet e deritanishme, është piktori më i rëndësishëm në ato vite qëq është marrë me karikaturë. Në një revistë të paraçlirimit, duke vënë në dukje këtë gjë, shkruhet: “Një nga ata (nga pjesëarrësit e familjes së Dinojve – F.H.) Ali Dino, zë sot një vend të shënuar në jetën artistike të kryeqytetit grek, ku punon për shumë vjet si artist karikaturist i rradhës së parë”. Nga kërkime të tjera gjejmë të dhëna më të plota për Ali Dinon. Në një shkrim të mëvonshëm të vitit 1938, ku jepet lajmi i vdekjes së këtij artisti, lexojme: “Ali Dino, nga një familje shqiptare e Çamërisë, rrojti një kohë të gjatë brenda në jetën greke, ia kushtoi gjithë veprimtarinë e tij lëvizjes artistike greke, gëzoi famën e artistit – karikaturistit më të madh të Greqisë dhe vdiq duke u nderuar dhe u vajtuar nga ana e gjithë botës intelektuale greke si Kryetar i Lidhjes së Artistëve të Greqisë …. Ali Dino vërtet vdiq si një artist grek, por vepra që dha është e mbushur me motive shqiptare, bile diku me frymëzime dhe parafytyrime thjesht shqiptare…. Pra, sa për ne, vlen të studiohet, bile gjerë e gjatë”.
Ali Dino ka gëzuar respekt të madh midis krijuesve dhe njerëzve të tjerë. Kjo u vu re veçanërisht dhe në ceremoninë e varrimit që , siç njofton shtypi i asaj kohe, qe me të vërtetë një ceremoni madhështore, ashtu siç e meritonte. Gjithë shtypi i atij vendi e shënoi lajmin e vdekjes së tij si një humbje të rëndë për artin grek. Edhe shtypi ballkanik nuk la pa përmendur lajmin e vdekjes së Ali Dinos.
Abidin Dino
Është vëllai i tretë i Dinojve. Edhe ky është një nga piktorët që punoi në Turqi dhe u bë i njohur për veprat që krijoi. “Abidin Dino – shkruhet në një revistë turke, – është ndërmjet të rinjve një piktor nga më të fortët dhe më të shquarit…. Vizatimi i tij është i fuqishëm. I armatosur me një shpirt të lartë, të mbushur me një dashuri të zjarrtë për realitetin. Ai është një piktor me imagjinatë të fortë. Vizatimet që bën ai, shquhen për një mjeshtëri të madhe”. (“La Turqie Kamaliste. Nr.9, Octobre 1935). Për jetën e mëvonshme të këtij piktori tani për tani nuk dimë më gjatë. Nga disa të dhëna gojore mësojmë se më vonë Abidin Dino kaloi si piktor cirku në Rusi e pas disa vjetësh në Francë, ku qëndroi deri në fund.
Gjer tani, pothuaj, nuk njihemi me veprat e këtyre artistëve. Në një revistë greke të asaj kohe gjenden punime të Ali Dinos. Përgjithësisht, ato që kemi parë janë me temë shoqërore. Aty vihet re stili i autorit që karakterizohet nga një linjë e hollë dhe e zhdërvjelltë, që krijon humor me finesë. Në këtë revistë, ashtu si dhe në një revistë të paraçlirimit që botohej te ne, gjejmë edhe portrete – karikaturë të njerëzve të njohur të kohës, të bërë nga Ali Dino. Poshtë punimeve është firmosur thjesht “Dino” dhe pas janë vendosur dy numrat e fundit të vitit (Dino, 32).
Në shtypin tonë të paraçlirimit, sidomos në atë që është botuar jashtë atdheut, gjejmë të dhëna edhe për një piktor dhe një skulptor tjetër shqiptar, që kanë punuar në vende të ndryshme.
Prevezë – Tiranë, Vjeshtë e parë 2020