More
    KreuLetërsi shqipe në përkthimKur largohesh nga atdheu nuk jeton më në njëjës!

    Kur largohesh nga atdheu nuk jeton më në njëjës!

    Mbi atdheun dhe identitetin, mbi përkatësinë dhe të huajën, për shanset e barabarta në shoqëri – dhe nostalgjinë e Shqipërisë për Europën! Botohet në Gjermani libri me ese i Lindita Arapit, “Lulebliri për libra”

    “Lulebliri për libra” është një libër sensitiv dhe reflektues, me ese thellësisht humane, një libër për lirinë, vlerëson Svenja Frederike Bischoff nga Weidle Verlag, Gjermani, librin e ri të Arapit. Më tej Lindita Arapi e rikthen edhe njëherë vështrimin tek periudha e diktaturës, asaj kohe, kur për shqiptarët Evropa ishte si një planet i largët, i paarritshëm, i kushton vëmendje izolimit e persekutimit politik në Shqipërinë komuniste, por edhe rrugës së polarizuar dhe të vështirë drejt demokracisë.

    Cila është marrëdhënia me atdheun, kur nuk jeton më aty? A e humbim identitetin apo fitojmë diçka tjetër?  Autorja i kushton vëmendje distancës që lind kur nuk jeton më në atdhe, boshllëkut të përhershëm që dhemb por është edhe mundësi reflektimi.  “M’u desh kohë për të pranuar se jeta ime nuk mund të kuptohet vetëm në njëjës, porn ë një shumës të ri, isha bërë “disa” duke jetuar në vend të huaj. Vite rrodhën brenda dy lidhëzave që nuk i afronin po ndanin gjymtyrët e identitetit tim “ose je si ne, ose je ajo tjetra, e huaja”, dy lidhëza përçarëse që nuk të lenë të ndjehesh i plotë, po gjithmonë e ndarë. Një kërkesë e pashqiptuar për të zgjedhur njërën anë. Jetova gjatë brenda këtyre dy poleve. Ose jeton në vendlindje ose je e pa-atdhe! Ose je këtu ose atje! Ose shkruan në gjuhën amtare, ose nuk bën pjesë këtu! Ose vuan si ne, ose nuk ke të drejtë të flasësh për vuajtjet tona! Zëra që të ndjekin kudo. Të vjedhin qetësinë. Dilema dhe trazimi im. Nëse isha për njërën anë, përjashtoja tjetrën. Nëse isha për diçka, vihesha kundër tjetrës, që do të thotë se humb diçka.”

    Arapi i referohet në esenë e saj prekëse edhe shkrimtares britanike, Elif Shafak, e cila në “Udhëtimet e një nomadeje të gjuhëve”, shkruan se edhe ajo e ka kaluar jetën e saj mes këtyre pikëpyetjeve. “A je një prej nesh apo një prej atyre?” Për Shafak  si qenie njerëzore, nuk je kurrë vetëm një gjë e vetme. “Si poeti Walt Whitman, ‘Unë jam i shumëfishtë’. ‘I am large, I contain multitudes.’” Një varg, por me fuqi shpërthyes që çliron ngurtësinë e të qenurit kyçur brenda “ose-ose”.

    Arapi shkruan, se ndonjëherë kthimi në atdhe, ku ajo vjen shpesh i duket si kthim në një tokë të njohur e të dashur, po edhe disi të panjohur. “Unë kam ndryshuar dhe vendi im ka ndryshuar gjithashtu. Ndonjëherë ndihem si turiste në vendin tim. Zbuloj gjithnjë e më shumë gjëra të reja, disa zona në qytetin tim janë krejtësisht të huaja për mua. Por kjo nuk do të thotë se nuk ndjehem më e lidhur me atdheun tim. Vetëm dashuria ime është bërë më e qetë dhe më e menduar, e krahasueshme me marrëdhënien e një çifti me dekada martuar.

    Lindita Arapi i kushtohet edhe gjurmëve që le tek njeriu diktatura dhe mungesa e lirisë duke pyetur “një herë në diktaturë gjithmonë në diktaturë”? Ajo kujton dy shkrimtarët e famshëm rusë, Aleksander Solzhnicinin për të cilin vuajtja ishte purifikim dhe Varlam Shalamovin që mendonte se jeta në deportim e rrënon njeriun, dhe se nëse je një herë në kamp internimi, je gjithmonë në kamp internimi. “Jeta ime ndahet dyshas. Pjesa e parë: një jetë paliri. E dyta në liri. Të jetosh në liri nuk do të thotë patjetër të ndjehesh i lirë. I lirë do të thotë të marrësh frymë ndryshe. Zhdavaritet frymëmarrja e frikës. Këtë gjendje të lehtë si ajri, nuk kam për ta arritur kurrë, as në pjesën e dytë të jetës. Kjo shkujdesje, ky çlirim nuk është pjesë e ADN-së sime. Liria ime është e mundimshme. Hija e mungesës së dikurshme të lirisë është e gjatë. Pjesa e dytë e jetës është mëtim për të shpëtuar nga kjo hije. Se rrënjët e saj janë të ngulura thellë dhe dhembin kur shkulen. Ato janë historia ime. Vendlindja! Diktatura dhe izolimi! Baba e nënë! Fëmijëri e rini”! Traditë dhe ndrydhje.”

    ExLibris

    NJË KOMENT

    1. Mund të konstatohet NOSTALIGJI në një masë sepese njeriun shpesh e merre kujtesa pavarsisht vuajtjeve qe ka përjetuar. Logjikisht kjo ka lidhje sentimentale sepse as gjë nëpër të cilën ka kaluar, rritë shtatin nuk harrohet , madje edhe ka raste kur përfishihesh në ngacmimin e kujtesës.frontalisht, bile duke shfletuar edhe dhëmbje të kohës. Largsia bën të vetën pavarsisht se nuk je më njëjës. Mergimtari

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË