More
    KreuLetërsiBibliotekë"Kumbullat e fëmijërisë", poezi nga Elida Buçpapaj

    “Kumbullat e fëmijërisë”, poezi nga Elida Buçpapaj

    Kumbulla
    e oborrit të fëmijërisë
    arqipelag i përhumbur
    mjegullnajash malli
    në lisharësin prej resh
    më përkund
    gunga malesh
    karvani devesh
    më mban të lidhur fort
    me venat e gjakut
    litar shtrënguar rrotull pas trungut
    hijet e Carl Jungut


    treshja perfekte
    Mix, Max, Mex 1)
    një çift i ri me një fëmijë
    trinom trinie
    një zgjua që vlonte
    ëndërrash të zjarrta rinie
    në apartamentin 84
    shkalla 12
    Pallatet e Aviacionit
    Tirana e re
    kati i tretë
    parashutë qielli
    aty ku ndërtonin
    foletë dallandyshet
    e ktheheshin çdo pranverë
    përballë Dajtit
    kuvlisë djep
    ku lind dhe sot dielli


    një mbrëmje
    im atë nuk u kthye në shtëpi
    ime më u përpoq
    të më shpjegonte
    me gënjeshtra të bardha më kot
    veshët i mbaja përpjetë
    të dëgjoja trokitjen e nxituar
    ta shihja tim atë të hynte
    të më ngrinte në duar
    pastaj të më vinte në gjumë
    me përrallën e shpikur
    enkas për mua
    atë natë
    mosha e përrallave
    kish perënduar
    bota e madhe ish futur e gjitha
    në syrin e një dritareje
    e zvogëluar


    sa ngrinte qerpikët dita
    lavjerrësi i frikës
    binte me ding dong
    kërceja si sustë
    shtrati ishte me ethe
    nga mardhësia
    në dritare
    pa abrakadabra
    ja behte gjithësia –


    bota që shfaqej
    oborri i lojrave
    shoqja ime besnike
    kumbulla
    dhe pallati përballë
    ndërtuar gjatë
    pushtimit italian
    banohej nga ish gjeneralë
    dikur djem të trimëruar
    të luftës antifashiste
    trimëri e thërmuar
    pa nam e pa nishan


    për kumbullën
    çdo ditë dilja
    nga koraca e kërmillit
    ku fshihesha kruspull
    m’i vrente lastarët
    me antenat e bisqeve
    kumbulla e bukur manekine
    bënte pasarela mode
    e ngulur në oborrin tonë
    të lojrave
    në varësi si i lakoheshin
    rrezet e diellit,
    shirat, stinët
    ndërronte veshjet,
    me kostume marsi,
    prilli, maji, qershori…
    në dimër dremiste përzishëm
    më ngjasonte me gjyshen
    ia dëgjoja këshillat
    m’a largonte frikën


    kur i fryheshin
    e i plasnin sythet
    gjelbërore
    deri sa shpërthenin petalkat
    nga fryma pranverore
    për ne vajzat e vogla
    të dy pallateve përballë
    fillonin shtegtimet
    mbi kuaj flatrorë
    ditë vellobardha nusërore
    me lulekumbullat
    kurora aureole


    sa hapja sytë
    t’i ikja lakut gotik
    me padurimin vrik
    që se fshihja
    zija vend në dritare
    kiçin e anijes së shpëtimit
    pikën e vrojtimit
    gjithë rruzullin
    një grusht fëmije
    si në pëllëmbën e dorës
    ta shihja


    e para ishte sythesumbulla
    gjumin aty e bënte
    edhe zgjimin
    ku kishte ngulur
    këmbët e drunjta
    e ngritur me degëza
    shtëpizën e saj kumbullore
    pa kumt tingëlluar
    kumbuese kumbanore
    hija e lulzimi i saj
    na shoqëroi si shenjtore
    në rritjen zemërmardhur
    në ditë të paluajtura
    lojrash fëmijënore
    faltore e pafajësisë
    në kohë fatkeqësish
    prej marramendjes
    me habinë që na mbështolli
    qoftë e bekuar
    ajo dorë e panjohur që e mbolli


    e pavarur nga mjergullat
    sorrat e zeza të reve,
    e pa ndikuar
    nga fatthënat e rreshjeve
    kumbulla botën
    360 gradë
    rreth e rrotull e kundronte
    larg nënqeshjeve
    oborri i lojrave
    një pus i mbyllur,
    me kova imagjinare
    të zbrazura e mbushura
    me ujë të bekuar
    një furrë tavëpjekëse
    me prush të valë
    në jetën reale
    ishin kontinente më vete
    dy pallatet kundruall
    dy shtete
    banuar me fëmijë, të rinj
    prindër e gjyshër
    që donin të jetonin plot poterë
    nën syrin e vigjilencës
    njëri pallat i zbukuruar
    me mermere e porta druri
    rimeso të stilizuar
    ndërtuar nga arkitektë italianë
    gjatë pushtimit fashist
    tjetri kur kisha lindur unë
    i thjeshtë, skematik,
    si letërsia socrealiste
    ndërtuar sipas thatësirës moniste
    pa shfaqje të huaja
    perëndimore
    me ornamente të fshehura
    veshësh përgjimi
    që gjithësesi
    gumëzhinte nga zërat fëmijnore


    kumbulla shoqja ime unike
    alter egoja binjake
    e pandashmja
    si kukulla fëmijës
    nga duart nuk më shqitej
    shoqja ime fisnike
    me lapsat magjikë të bojrave
    ia ndryshonte ngjyrat kohës
    e vishte me imagjinatë futuriste
    oborrin e lojrave


    një botë më vete
    ishte furxhiu tiranas
    që piqte me gruan e tij
    tavat e gjithë lagjes
    radion e hapte në kupë të qiellit
    për këngët e Hafsa Zymerit


    në furrë sillnin
    tava me perime, speca të mbushura e patëllxhanë imam bajëlldi
    byrekë gjithëfarësh
    të holluar nga duar të rrudhura gjyshesh
    gjirokastrite, labesh, e korçaresh,
    shkodranesh, sarandiotesh e lushnjaresh
    për Vitin e Ri dyndeshin
    e viheshin në rradhë tepsitë
    me gjela deti e bakllava
    të prera në forma trekëndëshash
    e me rombe,
    revani e kadaif
    gjyshet kremtonin në fshehtësi
    Krishtlindje, Bajram e Pashkë
    e në Netët e Mira
    gatuanin hallvë
    për shpirtrat e burrave të tyre
    por ne fëmijëve nuk na tregonin
    qysh e përse
    era e gjalpit përhapej
    e ngjitej në çdo kat
    deri kur doli shpikja e tollonit
    hyri në çdo shtëpi
    si shpikja sot e ajfonit
    dhe era e gjalpit mori fund
    e zëvendësoi 100% policia popullore
    spiunimi u bë meny kursimi
    shkallë më shkallë
    e pallat më pallat
    atëherë furra u mbyll me qepena
    kumbulla dhe unë qamë me lot
    u përmbyt një kontinet
    nga gjithësia
    askush nuk mërmëriti
    një të vetme Ave Maria


    im atë ishte shtatë Dajte larg
    pranë gjirit të klasës punëtore
    saldonte nëpër skela
    dimrat e ftohtë
    mendimet që kishte në kokë
    e urdhëronin t’i digjte
    me saldatriçe


    tek tavëpjekësi
    në pushimet verore
    unë fëmija çova tavën time të parë
    patate me kripë e vaj ulliri,
    kur erdhi ime më nga puna
    drekuam nënë e bijë
    patate të pjekura në furrë
    me thëngjij të kuq si kratere
    vullkani të shuar
    dreka e përgatitur
    me duart e mija të vogla
    ishte sikur dhashë koncert
    një kapriçio Paganini me violinë
    në guzhinën tonë të thjeshtë buiti
    në tavolinën ku ishim ulur ajo dhe unë
    ime më e mahnitur më duartrokiti


    kumbulla me durim priste
    t’i shpërthenin
    nga lulkat bardhoshe
    frutet e vogla gjelbëroshe
    e ne fëmijët
    e dy pallateve përballë
    të linim oborrin e lodrave
    t’i kacavareshim si majmunë
    nëpër degë deri në lartësirë
    duke shtrëmbëruar
    fytyrkat e bukura
    prej thartësirës


    poshtë pemës na luteshin
    më të vegjlit fare
    ej na jepni edhe ne ca
    kumbulla
    është e të gjithë fëmijëve
    nuk është vetëm juaja
    asnjëherë frutet nuk
    i lamë të rritën,
    nuk u bënë rrumbullake
    topka të blerta
    ping-pongu,
    po kumbullës nuk i bëhej vonë
    në këtë periudhë të vitit
    kur rreth saj roisnim
    si bletët në hoje
    kumbulla harenë
    e vinte në pah
    e gatëshme të fluturonte
    në qiellin e shtatë
    me krahë


    oborri i lodrave
    fushëz e baltosur kur binte shi
    lëndinëz e gjelbëruar
    ditëve me diell
    shesh i vogël pikpjekje, piktakimi
    nga dritaret përballë
    njëri tjetrin thërrisnim
    me emra, me tinguj, me jehona,
    me personazhet e librave e filmave
    hej Spartak, Guliver, Paris,
    Helenë e Trojës
    me shenja, me mimikë,
    me gishtrinj, alfabete fëmijësh
    ej do vish të luajmë,
    erdha më prit,
    s’kam bërë ende
    detyrat e matematikës
    sot nuk mundem
    kam gabuar
    po vij sa të hapesh
    e të mbyllësh sytë
    po hidhem direkt
    nga dritarja sa mirë
    që jemi kati i parë
    dhe oborri gumëzhinte
    vinin fëmijë nga pallatet fqinjë
    futboll, me cingla, hapa dollapa
    kukafshehtas, ne vajzat
    kërcenim në litar
    e kujdeseshim
    mos të na dukeshin breçkat
    në atë oborr lodrash
    deshëm të mbeteshim
    Piter Panë në përjetësi
    nën të njëjtin qiell, diell e hënë
    nën sytë e spektatores
    kumbullës Shën Mëri
    por nuk ishte e thënë


    fëmijë moshatarë
    orë pas ore zgjateshim
    çdo ditë na ngushtoheshin
    rrobat e trupit
    na rritej këmba e numri i këpucës
    Zoti na përgatiste
    të nisnim fluturimin
    në sheshin e lojrave të shpikur
    mes dy pallateve tona
    një fushë e baltosur kur binte shi
    aty ku lodrat vriteshin
    e ne kishim frikë të rriteshim


    një mëngjes herët
    pa u zbardhur
    i dridhur, i mardhur
    erdhi kamioni i internimit
    nga pallati i ish gjeneralëve
    mori shokët tonë të lodrave
    bashkë me prindërit,
    vëllezër e motra
    kamionët e internimit atë ditë
    kishin ngarkuar familje në masë
    me plot fëmijë të lagjes sonë
    kryeqyteti ish boshatisur
    nga armiqtë e klasës


    kur u ktheva atë ditë
    nga shkolla
    dhe vrapova në pikën e vrojtimit
    sytë më mbetën tek dritaret bosh
    ku shoket e shoqet e mia
    nxirrnin kokat
    bota ishte shuar
    të dyja me kumbullën
    qamë prapë me lot
    kur u takuam


    në oborrin e lojrave
    atë ditë nuk dolëm të luanim
    por të nesërmen
    asnjëri nga ne
    nuk pyeti për shokët
    që na mungonin aq shumë
    ishin pyetje të ndaluara
    që na shkaktonin të dredhur
    pyetje që ia bënin vetëm vetes
    si këngët e Bitëllsave
    që i dëgjonim fshehur


    një ditë shtatori
    një kamionçinë e mori
    edhe familjen tonë
    asnjë nga fëmijët
    e dy pallateve nuk na përcolli
    me ne nuk u përshëndet
    kokat e tyre fshiheshin
    në dritare pas perdeve
    vetëm kumbulla
    më qendroi besnike
    fëmijëri e çrrënjosur
    hedhur si një rreckë
    gjithë pluhur
    në një kamion rrangallë
    me një adresë
    në një fshat të humbur
    me kujtesën e helmuar
    vëth në vesh
    thoni shyqyr që mbetët gjallë


    kumbulla mbeti aty
    nuk mundi t’i ndalte ikjet
    e fëmijve të oborrit të lodrave
    midis dy pallateve kundruall
    fëmijëri e prerë në mes dhunshëm
    kumbulla mbeti aty
    gjethetharë
    deshmitare e fëmijërisë sonë
    të vrarë


    kur u ndamë
    i premtova se do të kthehesha
    sido të më hidhte fati
    sa për t’ia prekur
    me gishta trungun e ledhatuar
    e për t’i thënë se kurrë
    nuk e kam harruar
    në labirintet tunel
    nga ku ma hodhën
    si breshëri automatiku terrin
    mbulesë qielli e tokë përfund
    arkitektët e zinj të ferrit
    që na dizajnonin jetët
    ku drita nuk dukej askund


    mallin për kumbullën
    e mora me vete
    në çdo kontinent e vend të botës
    që i rashë rrotull e mbijetuar të gjeja strehë paqeje
    ku humba si një grimcë atomike
    në qiellin pa kufij e praqe
    në çdo metropol të rruzullit,
    bulevarde, lulishte e parqe
    pashë si lulëzonin lumturisht kumbullat
    prej mrekullisë e kujdesit
    të gjithë Perëndimit demiurg
    nga Central Park, Kopshtet e Vatikanit…
    në Jardin du Luxemburg
    asnjëra nuk e pati atë hijeshinë
    e kumbullës sime
    mrekulli mes ditësh e fëmijërish
    të djegura nga inkuizicioni
    sidomos kur lart në degët e saj
    një zog i friksuar fshihesh
    përballë dritares së pallatit
    në katin e tretë
    parashutë qielli ngrihesh
    ku shfaqej ime më
    një e bukur grua a perëndi
    në kohë të shterpëra apokaliptike
    krijuar prej shkumës së detit dhe erës
    që më thërriste
    “Zbrit nga kumbulla Lidka se do të biesh”
    me kumtin e Herës.

    1) Tre personazhë të një romani të Luis Sepúlveda-s
    Janar-Prill 2024
    (Nga libri në përgatitje Skaterr)

    NJË KOMENT

    1. Pasi lexon”Kumbullën e fëmijërisë” sikur has një”copë shpirti që dhëmb. Fare shkurt:Poetja është”pema që ka rënë nën pemë”.Vetëm urime nga unë.
      Përparim Hysi
      Tiranë,10 maj 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË