nga Mimoza Ahmeti
Një nga diskutimet që tërheq vëmendjen individuale sot, është lloji i njeriut brenda kulturave. Por edhe mënyra e përdorimit të kulturave brenda njeriut diskutohet. Të dyja këto përcaktojnë jetën e kulturës, pasi kulturë pa njerëz nuk kemi.
Kultura referuese, kryesisht e Perëndimit, është një shqetësim sot, për faktin se thjesht përdoret, por nuk jetohet nga të tjera kultura që e aplikojnë apo pretendojnë. Kjo hipotezë në dukje e çuditshme, pasi të bën të mendohesh paksa, mund të duket edhe e arsyeshme.
Ka mjaft që mendojnë se rriten me frymë perëndimore, janë perëndimorë, por kjo është vetëm një veshje e jashtme e një ideje pa jetësi. Por, çfarë mendohet në përgjithësi rreth kulturës?
Robert T. Boyter, një historian në retiçencë, mendon se kultura e organizatave dhe e korporatave është shumë e fortë mbi njeriun. Ajo krijon normat dhe rregullat të cilat edhe eliminojnë oponencën. Kështu ngjarjet, observimet, arti, festivalet, edhe te më seku-larët prej nesh, thotë ai, krijojnë trungun, madje edhe gjethet e pemës së kulturës.
Nga pikëpamja antropologjike dikush e përcakton kulturën si një mjet për t’iu ngjitur, bashkuar, një grupi. Kjo përfshin vlerat, standardet, besimin, gjuhën dhe gjithë gjërat e tjera të përafërta me grupin.
Shoqëria shikohet si një tjetër shpirt (anima) që merr e jep me kulturën, si një shumë totale e ndërveprimeve (mund të shtoja: e funksioneve); kultura përcakton se si njerëzit reagojnë, më në fund, ndaj gjërave që lidhen e nuk lidhen direkt me ta. Të gjitha këto arsyetime kërkojnë një përfytyrim fluid.
Në vazhdim të parantezës rreth topikut tonë, mund të hedhim një sy edhe te një koncept tjetër, ai i traditës dhe trashëgimisë: “diçka që vjen e të përket si arsye e lindjes në, që u trashëgua nga paraardhësit, që u përforcua si qëndrim yti, si zakon apo si informacion, apo si e vërtetë që ti beson”.
Por deri këtu ende jemi në një fushë gjurmimi se çfarë në tërësi sjell, përbën e ndan një kulturë prej një tjetre apo prej shoqërisë. Ende nuk jemi futur në skeptikën e çështjes, rreth asaj se dikush mund të përdorë një kulturë duke mos qenë i përputhur me të, duke e luajtur, duke e shfrytëzuar dhe duke mos e jetuar apo besuar si kulturë të vetën, pra thjesht duke e përdorur.
Këtu një koncept ndihmues, që mund të na hedhë pak dritë, është ai i civilizimit. Koncepti i civilizimit qe krijuar për të treguar se më e larta vlerë e vlerave shfaqet te qëndrimi kundrejt “tjetrit”, pra se si sillemi me tjetrin, në mënyrë të qytetëruar apo jo.
Thuhet se shenjtëria e jetës në një madhësi të konsiderueshme varet tek e mira, etikja dhe e bukura. Atyre që u mungojnë këto veti, qenë shikuar si barbarë ose të paqytetëruar.
Por përsëri edhe ky përcaktim nuk e shteron problemin e shtruar në debatin e filozofisë perëndimore në lidhje me kulturat e tjera, pra, ajo që aplikohet a jetohet apo thjesht përdoret?
Nëse për lehtësi kuptimi do t’i referoheshim fillimisht sistemit arsimor, mund të themi se një seri semantikash, domethënë aplikacionesh ideore, të cilat edhe i mësojmë dhe i përdorim në shkolla, nuk kanë vend në realitetin e marrëdhënieve përditore. Për shembull, për dy vjet studiova korporatat në nivelin master, por ende në vendin tim nuk pashë ndonjë jetë korporate apo bursë. Kështu një pjesë e aplikacioneve mbeten varur mbi imagjinimin, pa krijuar një përfytyrim tangible me realitetin e jetës.
Në fushën e mendimit shoqëror në vendin tonë, kjo është e dukshme gjithashtu, pasi debati social, në përgjithësi dialogu, mbetet i lidhur me interesa; ende nuk kemi një pikëpamje a princip që të qëndrojë mbi interesat dhe vlera, zakonisht, i referohet vetëm forcës në mënyrë të dukshme dhe të ndërrueshme.
Për sa i takon traditës së trashëguar, në tërësinë e saj ajo është familjare dhe ka një rit babai në të gjitha aktet e instancës mendore, që kërkon mbrojtje te diçka grupore; diskuri në tërësi, i palidhur me një interes imediat, apo grup, quhet pothuajse lajthitje.
Nuk kemi ende ndonjë traditë mendimi për kënaqësi mendimi. Ndoshta poezia është e vetmja fushë që ka bërë diçka për këtë formë joekzistenciale shprehjeje të ndërgjegjes sonë shoqërore.
Mungesa në tërësi e një rezonance publike nuk i jep amplifikim ndonjë vëzhgimi singular, madje edhe debati social, nëse mund ta quajmë të tillë, mbetet në një rreth shumë të ngushtë jo vetëm njerëzish, por edhe temash.
Kështu kultura matet, me sa duket, nga rrethi i padukshëm i shtrirjes së brendshme të formave kuptimore, të cilat janë imediate ose komplekse e të vonuara, pranuese dhe parakuptuese kundrejt tjetrit, ose refuzuese dhe agresive. Përdorimi i një kulture, i asaj perëndimore në vendin tonë, mund edhe të thotë se treguesit verbalë janë përmirësuar, por mbeten tjetër gjë dhe se sjellja njerëzore është tjetër. Ndoshta kjo është pika kyçe e keqpërdorimit të një kulture: që të thuash tjetër gjë e të veprosh tjetër, të çmosh teorikisht një vlerë dhe në praktikë ta diskriminosh atë, pikërisht pse përqafuesi i saj mund të jetë më i përgatitur se ti, domethënë, përjetues, jo përdorues.
Një kulturë, kur jeton veten, krijon atmosferë. Atmosfera është ajo që ndërton shpresat, pritshmëritë dhe piketat e aksionit.
Tradicionalisht, për efekt të historisë dhe pozicionit gjeografik, kemi bërë një jetë kulturore të tjetërsuar. Të jetosh në konceptin tënd dhe në kulturën tënde, ky ka qenë një privilegj i ndaluar për ne. Kështu më shumë se gjysmë shekulli jetuam në kulturën e komunizmit. Midis asaj që thoshim, mendonim dhe vepronim kishte një shpërputhje ekstreme, kur dihet se komunikimi i mirë është pikërisht përputhja e këtyre tri njësive. Nga kjo pikëpamje, zhvillimet tona janë kryer e deri diku vazhdojnë në përdorim kulture dhe jo në jetimin e saj.
Ndoshta një nga të drejtat e njeriut është përjetimi i kulturës së vet. Por jeta dhe aksioni social ndihen të tjetërsuar kur ecin në terma të ndryshëm, kur rrethi mental nuk i përshkohet shfaqjes verbale, kur veprimi dhe perifrazimi i tij kanë midis hendek të pakalueshëm.
Sigurisht, në terma linguistikë e gjithë kjo kontradiktë mund të shprehet si mospërputhje e gjuhës me kuptimin, si ecje e arsyes larg racionales (porcionit personal). Por mund të shihet edhe si një fasadë: një kulturë gjen veten në përdorim në një vend tjetër, kulturë, por kur afrohet për marrëdhënie konkrete prek zbrazëtinë e një realiteti të premtuar nga gjuha, poshtë termave të së cilës vepron një tjetër realitet dhe një rreth i panjohur mental. Ky nuk është thjesht një raport midis shoqërive. Sa vjen e më dukshëm ky diskord po bëhet prezent edhe mes njerëzve, të cilët me fjalë mbeten principalë, ndërsa me zemër janë inferiorë; potenciali gjuhësor tashmë para tyre është i lirë dhe mund të bënin të paktën një hap të vogël për të injoruar kushtet mentale (nëse ato nuk janë të kënaqshme), qoftë edhe nëpërmjet gjuhës. Asnjëherë njeriu nuk ka qenë më i pasur se sot dhe më i tiranizuar nga ideja e pamjaftueshmërisë së pasurisë. Ky inferioritet po ndihet në intrinsikun e të gjitha marrëdhënieve. Ndoshta ajo që duhet ndryshuar është thjesht dispozita. Disa, megjithatë, shikojnë anën e ndritshme të fenomenit dhe i jepen asaj. Ndoshta kjo është një mënyrë që kulturat dhe referenca e tjetrit të jetohet si e jotja, kur kënaqësia apo nevoja e kërkon.