More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ku ise ti babi kul eli lufta?" tregim nga Shqiptar Oseku

    “Ku ise ti babi kul eli lufta?” tregim nga Shqiptar Oseku

    ”Pra do të flas për të:

    Për syrin e blertë të një demoni

    Në qiellin ngjyrëplotë”

    -Serhiy Zhadan, poet ukrainas

    Viktori puq kokën në qelq të derës dhe vendos dorën mbi sy, duke vështruar me ngulm matanë dritares. Jashtë bujis një pranverë e mrekullueshme, dielli i harlisur në qiell blu lahet në dritë si në flirt dashurie. Ai e pikas Yulian, tek këndon e ulur në një rreth me edukatoren dhe me fëmijët tjerë. Qyteti rreth parashkollores së vogël është plot tinguj jete, veturash, bicikletash e tramvajesh. Në ajrí enden cicërrima shpendësh shtegarë të dehur nga jeta, që janë kthyer mallëngjyeshëm në fole të vjetra.

    Viktori troket në dritare dhe rrethi i vogël i fëmijëve atje brenda e kthen i gjithi kryet nga ai, si një qenie e vetme. Yulia bërtet nga gëzimi, babi! Ky është ai çast i ditës që Viktori e adhuron më fort se gjithçka. Koha kur merr të bijën nga parashkolla.

    Gjysëm ore më vonë, Viktori e Yulia ecin bashkë të qeshur drejt shtëpisë. Edukatorja i ka vjedhur pak kohë duke i dhënë raportin e ditës, edhe Yulia e ka zor të shkëputet nga shoqet. Por Viktori e adhuron këtë copë rrugë që e bëjnë këmbë bashkë gjer në shtëpi, babë e bijë. Yulia i dëfton për sherret e shoqeve të veta, i këndon babit një këngë të re që e ka nxënë, a i përmend me zë të lartë nga ato bejtet e fëmijëve.

    A ka gjë më të bukur e më kuptimplotë në këtë botë, se një fëmijë e patrazuar? Aj baj buf. Se meraku tuf. Se meraku tike-taku, aj baj buf!!

    -A ise ti aty babi kul eli lufta? Pyetja e Yulias e zë gafil. Çfarë?! Yulia kërcen me një këmbë mbi katrorë të vizatuar me shkumës në trotuar, aj baj buf, dhe për një çast Viktori s’është i sigurt nëse i bënë veshët. Kish kohë pa menduar për luftën!

    -Ku ise ti babi kul eli lufta? Yulia pyet prapë, kësaj radhe duke e soditur seriozisht në sy. Viktori nuk ngopet dot kurrë duke kundruar të bijën. Sytë e saj bojë qielli, leshrat e verdha si kallinj gruri. –Edukatolja fa se sot ëstë ditë feste. Se fituam luftën. Se elën ca njelëz të ligj e bënë luftë. Por jo më!! –Yulia e bën një rreth të madh me duar, si për ta rrumbullakësuar tërë botën e vet. –Tash s’ka më luftë!! Mbaloiii!!

    Viktori qesh. Ai s’mundet kurrë të mos qeshë me gjestet dramatike të së bijës.

    -Po, sot është Dita e Çlirimit. Isha i vogël sa ti atëhere, kur erdhën ca njerëz dhe bënë luftë. Por s’kishin faj as ata, shton me ngadalë. –I patën prurë me zor.

    -Kus i pluli?! –Yulia hap sytë dhe Viktori e di: ajo pret të dëgjojë ndonjë emër të mnershëm, lubie, a kuçedre. Se kështu janë fëmijët. Mendojnë se ligësitë vijnë nga qenie përrallash.

    -I pruri kryetari i tyre. Ai ishte një xhaxhi me probleme.

    -Ndosta ai nuk kiste sokë? –Yulia var buzët, në gjest pikëllimi. –Ndosta ai iste krejt krejt vetëm? Eve bëli luftë pse iste i pikëlual?

    Viktori qesh. E bija e ka zor të shqiptojë ca tinguj, por flet si oratore.

    –Po, ashtu do të ketë qenë. Ai xhaxhi s’ishte krejt tamam.

    -Po si quhej, ai xaxi?

    Viktori ndalet një hop, duke kërkuar në kujtesë emrin e tiranit të Rusisë që kish nisur luftën dikur. Por emri i është fshirë komplet nga kujtesa. Diçka me T, a me N. Mutin?

    Ncuk, s’i kujtohet. Kujtimet e luftës i vijnë si jehona të largëta, në gjuhë të harruar të fëmijërisë. Ishte aq i vogël atëbotë, sa Yulia tash. Dhe Ukraina u çlirua në fund. Rusia poashtu.

    Viktori merr dorën e zgjatur të Yulias, e nis të kërcejë bashkë me të mbi katrorët e vizatuar me shkumës. Të dy këndojnë, aj baj buf, se meraku tuf!

    Kur arrijnë në shtëpi, Yulia i hidhet në përqafim mamasë. Nga kuzhina vjen një aromë joshëse, Maryna ka gatuar favoritet e familjes. Gjellë borsh rrepash të kuqe, e bukë të mbushur vareniki.

    -Pse u vonuat? –pyet Maryna. Viktori ndien tek i gufon zemra. Yulia ia ka këputur kokën së ëmës.

    -Më pyeti goca për luftën, përgjigjet, u paskan folur në parashkollë. Viktori e ul zërin, që të mos e dëgjojë e bija. –Si quhej moj ai kryekari rus që nisi luftën? E paskam harruar!

    Maryna e puth, e largohet drejt kuzhinës duke qeshur me zë.

    -Kujt i kujtohet, aman. Të lutem më ndihmo me tryezën. Pleqtë tu i ke këtu për gjysëm ore.

    Viktori shikon i buzëqeshur të bijën tek luan me një lodër. Ndihet fatlum. Është mirë që i kemi pleqtë afër, kështu në ditë festash. T’i gëzojmë bashkë, sa kemi jetë.

    Jashtë bujis një pranverë e mrekullueshme Ukraine. Një diell i harlisur në qiell blu lahet në dritë si në flirt dashurie, ndërsa qyteti është plot tinguj jete. Vetura. Bicikleta. Tramvaje. Në ajrí enden cicërrima shpendësh shtegarë të dehur nga jeta, që janë kthyer mallëngjyeshëm në fole të vjetra.

    Kjo është ajo kohë e ditës që Viktori e adhuron më fort nga të gjitha. Kur kthehet në shtëpinë e vet, të mbushur dëng me dashuri.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË