90-vjetori i vdekjes së Maksim Gorkit (28 mars 1868 – 18 qershor 1936)
Teksti: Larisa Maksimova
Marfa Maksimovna Peshkova është mbesa e shkrimtarit të madh rus Maksim Gorki. Është 94 vjeçe. Jeton e vetmuar dhe me modesti në rrethinat e Moskës; është krejtësisht e hapur për të biseduar, por thuajse nuk ka fare bashkëbisedues. Biseda jonë është për jetën e familjes së saj.
– Një jetë kaq e gjatë… As nuk di nga t’ia filloj…
– Nga gjyshi, sigurisht. Tek ne nuk ka gjë që s’e kanë emërtuar me emrin e Gorkit. A nuk ju duket e çuditshme? Për shembull, të kaloni pranë monumentit në Belorusskaja, nuk ju habit?
– Jam mësuar. Pastaj, monumenti është aq i stërmadh, sa nuk i dallohet as fytyra. Ai nuk është gjyshi im, por njëfarë blloku i madh guri.
– Po gjyshi i vërtetë, si ishte?
– I pëlqente të shëtiste me ne, me mua dhe me Darjën, motrën time më të vogël. Shëtisnim dhe ai na tregonte për fëmijërinë e vet. Tani as vetë nuk e dalloj më se çfarë kam mësuar prej tij dhe çfarë kam lexuar më vonë në librin e tij. Ishin shëtitje të mrekullueshme. Kishin nisur që në Sorrento, ku lindëm unë dhe Dasha. Jetonim atje si një familje e madhe — edhe mamaja me babanë ishin gjithmonë pranë nesh. Shtëpia ndodhej jo larg detit; përreth ishte aq bukur, kishte diell, ngrohtësi dhe gjelbërim. Deri më sot nuk kam arritur ta dua Moskën; shpirti më ka mbetur atje, në Itali.
Që në mëngjes vraponim për t’u larë në det dhe nganjëherë kalonim gjysmën e ditës në plazh. Gjyshi, përkundrazi, rrinte shumicën e kohës në kabinetin e tij të punës. Nuk lejohej ta shqetësonim. Detyra jonë ishte ta thërrisnim për mëngjes dhe për drekë. Dreka shtrohej në një orar të caktuar dhe gjyshit nuk i pëlqenin vonesat, prandaj edhe ne duhej të ktheheshim në shtëpi në orën e përpiktë. Unë dhe Darja vraponim në kabinetin e tij dhe i thoshim: «Dreka është shtruar». Të njëjtën gjë bënim edhe në mëngjes, kur e thërrisnim për të ngrënë.
Mbaj mend se, sapo na shihte, afrohej te pasqyra, krihej dhe vetëm pastaj dilte. Kur shkonim ne, ishte gjithmonë i veshur me kostumin e tij të parapëlqyer gri. Në përgjithësi, i pëlqente shumë ajo ngjyrë. Dhe kostumi, me sa duket, ishte aq i rehatshëm, sa e mbante përherë veshur dhe ndërrohej vetëm kur na vinin mysafirë të rëndësishëm. Vetëm mos më pyesni cilët ishin, sepse, sigurisht, nuk më kujtohet; për më tepër, atëherë ata njerëz nuk na interesonin aspak. Zakonisht na largonin dhe na thoshin se gjyshi kishte biseda serioze. Dhe ne gëzoheshim! Kishim jetën dhe lojërat tona.
Jeta ndryshoi rrënjësisht në vitin 1933. U shpërngulëm në Moskë. Unë isha shtatë vjeçe, pikërisht në moshën për të filluar shkollën.
– A jua shpjeguan juve dhe Darjës arsyen e shpërnguljes?
– Na thanë se Josif Visarionoviç Stalini thjesht e kishte ftuar gjyshin të vinte, sepse ai kishte një kohë mjaft të gjatë që qëndronte në Itali. Pastaj ndodhi pikërisht ajo së cilës i druhej aq shumë: nga Bashkimi Sovjetik nuk e lanë më të kthehej në Itali. Në fakt, nuk mund të udhëtonte më askund.
«Përse ju duhet Sorrentoja? Ne kemi Krimenë; do t’ju japim një shtëpi pushimi atje», i thoshin Gorkit. Për jetën e Gorkit në BRSS, më saktë se kushdo është shprehur Romen Rolani, kur në ato vite ishte mysafir te ne, në shtëpinë e pushimit: një ari i lidhur me zinxhir të artë. Pikërisht kështu ishte.
Mendoj se Stalinit i duhej gjyshi në Rusi, që, si të thuash, të bënte punë të mira nga brenda. Të gjithë thoshin gjithashtu se Stalini e kishte shkëputur gjyshin nga Italia dhe e kishte sjellë në Moskë që ai të shkruante një libër për të. Stalini i dërgonte materiale, dokumente arkivore, ndërsa gjyshi nuk i thoshte «jo», por thjesht e zvarriste çështjen. Në fund nuk shkroi asgjë; që në fillim kishte vendosur se nuk do të shkruante për Stalinin.
Por nuk kishte si të mos kthehej në BRSS; ashtu qenë krijuar rrethanat në atë kohë. Dhe ne të gjithë shkuam në Moskë.
Sorrentoja mbeti për mua qyteti i fëmijërisë, një ëndërr e paarritshme për shumë vite. Munda të kthehesha atje vetëm pas shumë dekadash, si një turiste e zakonshme. Nuk më lanë as të shkelja në pragun e shtëpisë sonë. Në atë kohë aty jetonte një familje angleze. Shtëpia u përkiste atyre. Nuk e di se çfarë ka tani atje, por, nëse më ka mbetur ende ndonjë ëndërr, ajo është të kthehem në Sorrento. Thjesht ta shoh gjithçka edhe një herë me sytë e mi.
– A mbani mend nëse, pas shpërnguljes në Moskë, Gorki ishte i dëshpëruar apo i rënduar? Çfarë atmosfere mbizotëronte përgjithësisht në rezidencën në Nikitskaja?
– Mua më dukej i kënaqur dhe gjithmonë me humor të mirë. E rrethonin njerëz interesantë dhe punonte shumë. Kushtet tona të jetesës ishin të mrekullueshme; këtë mund ta shihni edhe sot, po të vizitoni Muzeun Gorki. Qeveria sovjetike tregonte qartazi se nuk kursente asgjë për një klasik rus me famë botërore.
Kujtimi im më i gjallë nga fëmijëria është shkalla prej mermeri dhe llambadari i stërmadh. Ajo shkallë i mahniste të gjithë; skaji i saj valëzohej. Në fillim, unë dhe Darja jetonim në të njëjtën dhomë, por më pas, kur fillova shkollën, secila prej nesh pati dhomën e vet. Unë ngrihesha më herët, ndërsa ajo mund të flinte edhe pak. Na mësonin të luanim në piano dhe secila kishte orarin e vet.
Aty pranë, në krahun tonë të shtëpisë, ndodhej dhoma ku jetonte kujdestarja jonë gjermane, Magda Aleksandrovna Ginken. Falë saj, unë dhe Darja flisnim mirë gjermanisht. Dhoma ime kishte një ballkon shumë të bukur, që shihte nga Nikitskaja. Pikërisht në atë ballkon dëgjova një ditë nga Svetlana Alilujeva, e bija e Stalinit, fjalët që ma përmbysën tërë jetën.
– Svetlana ishte shoqja juaj e ngushtë?
– Po, mësonim bashkë në shkollë dhe uleshim në të njëjtën bankë.
– Ishte ndonjë shkollë e veçantë?
– Jo, fare e zakonshme. Por, sa për faktin që u bëra shoqe pikërisht me Svetlanën, mendoj se Stalini kishte një synim të vetin. Që përpara se të filloja shkollën, kur Stalini vinte për të vizituar gjyshin, e sillte gjithmonë me vete të bijën dhe na thoshte: «Shkoni, luani!» Qartazi donte që të bëheshim shoqe. Kështu, kur e pashë për herë të parë, nuk kisha filluar ende shkollën; ndërsa miqësia jonë zgjati shumë, deri në largimin e saj nga BRSS-ja.
Më kujtohet madje se si, të vogla, rrinim ulur në ballkon dhe bisedonim. Të rriturit merreshin me punët e tyre, kurse ne flisnim gjatë për gjithfarë gjërash dhe mua më pëlqente shumë ta dëgjoja. Svetlana më dukej shumë e veçantë dhe e konsideroja shumë më të zgjuar se veten. Në të vërtetë, ishte shumë e zgjuar dhe lexonte shumë; dinte tashmë jashtëzakonisht shumë gjëra, prandaj, natyrisht, ishte interesante të rrije me të. Unë dhe Darja kishim jetuar shumë të izoluara kur ishim të vogla, ndërsa prej Svetlanës mësoja një mori gjërash të reja.
Pastaj, në shkollë, nuk mund të ëndërroja shoqe më të mirë. Unë isha shumë e ndrojtur dhe e heshtur. Kurse Svetlana ishte e spikatur, e guximshme; i pëlqente shumë kur e nxirrnin në dërrasë. Prej andej mund të fliste gjatë e me zë të lartë, pa u ngatërruar dhe pa u turpëruar. I pëlqente t’i mahniste dëgjuesit. Në përgjithësi, Svetlana mësonte mirë, kurse mua mësimet më mundonin. Prandaj kopjoja shpesh prej saj; më jepte përgjigjet fshehurazi dhe më nxirrte jo rrallë nga situata të vështira.
– Ju ftonte në shtëpi?
– Sigurisht, madje dërgonte makinë që të më merrte. Ose shkonim bashkë pas mësimit, në daçën e tyre të afërt apo në Kremlin. Apartamenti i tyre në Kremlin nuk më pëlqente aspak; veçanërisht dëshpëruese ishte pamja nga dritarja mbi sheshin e brendshëm. Edhe në përgjithësi kishte një atmosferë të ftohtë, institucionale. Svetlana nuk e kishte më të ëmën dhe, në ato dhoma të zymta, më vinte veçanërisht keq për të.
Në daçë ishte shumë më mirë. Ja, tani m’u kujtua hera e dytë kur shkova tek ajo në daçë. Dy vajza të vogla: rrimë ulur në heshtje dhe nuk dimë ç’t’i themi njëra-tjetrës. Svetlana mbante diçka në duar dhe qepte. E pyeta:
– Çfarë po qep?
M’u përgjigj se po qepte një fustan për kukullën. U habita që ishte i zi. Svetlana tha se po e qepte nga fustani i së ëmës. Pastaj më pyeti:
– Vërtet nuk e di se mamaja ime ka vdekur?
Dhe shpërtheu në dënesë.
– Mua më ka vdekur babai, – i thashë dhe fillova të qaja edhe unë.
Meqë ra fjala, Svetlana e mësoi vetëm gjatë luftës, në Kujbishev, se si kishte vdekur në të vërtetë e ëma. Atje kishte nisur të mësonte anglisht dhe dikush i kishte futur në dorë një revistë amerikane ku kishte një artikull për këtë. Ma ka treguar vetë Svetlana. Në revistë ishte një fotografi e Nadezhda Sergejevnës në arkivol dhe shkruhej se kishte vrarë veten. E pyeta nëse e besonte. Svetlana tha një «po» të prerë, megjithëse deri atëherë i kishin thënë se e ëma kishte vdekur pas një operacioni të pasuksesshëm për apendicitin.
– Çfarë bënit zakonisht në daçë?
– Hanin drekë dhe pastaj dilnim për shëtitje.
– Bashkë me Stalinin?
– Epo, ai nuk shëtiste me ne, sepse në atë moshë ende nuk dinim të ecnim ngadalë; më shumë hidheshim e kacavirreshim. Ose shëtisnim me biçikleta. Kurse në drekë, natyrisht, ulej me ne në të njëjtën tryezë.
– Dhe çfarë ndienit?
– Nuk ndieja ndonjë gjë të veçantë. Që ai ishte Stalini e kështu me radhë… Ishte thjesht babai i Svetlanës. Çdo fëmijë ka një baba. Në përgjithësi, më la përshtypje të mirë; bënte shumë shaka dhe dukej qartazi i lumtur që Svetlana më në fund kishte gjetur një shoqe. Ushqimin e sillnin në tryezë dhe thjesht e vendosnin aty. Pastaj i shërbenim vetes.
Stalini ishte me shtat mesatar. E vetmja gjë që më ka mbetur në kujtesë janë sytë e tij, me një ngjyrë të verdhemë krejt të pazakontë…
Më kujtohet mirë dita kur vdiq Stalini. Nuk qava, por më vinte shumë keq për Svetlanën. Unë dhe Sergoja ishim në funeral. Svetlana dhe Vasja rrinin pranë arkivolit. U afruam, qëndruam pak…
Meqë ra fjala, në shkollë Svetlana mbante mbiemrin Stalin; ashtu e thërrisnin edhe kur e nxirrnin në dërrasë.
– Çfarë bisede patët me Svetlanën që ndikoi kaq shumë tek ju?
– Kjo ndodhi shumë më vonë, kur ishim rritur. Më kujtohet se më tha: «Eja të dalim në ballkon, dua të flas me ty». Dhe atje Svetlana m’i hapi sytë. Më tha: «Ti shumë gjëra nuk i sheh, shumë gjëra nuk i di. Këtu te ne po ndodhin gjëra të tmerrshme». Të gjitha këto i thoshte me pëshpërimë dhe pastaj shtoi: «Do të doja të largohesha. Vetëm, sigurisht, mos i thuaj askujt; por, po ta marrësh vesh, duhet ta kuptosh pse».
Gjithçka që më tregoi për atë që bëhej në majat e pushtetit dhe për atë që po ndodhte në vend ishte një zbulim për mua. Vërtet nuk dija asgjë të tillë. Por e besova menjëherë. E besoja gjithmonë, sepse ishte i vetmi njeri aq i afërt për mua; për më tepër, asnjë nga të rriturit, natyrisht, nuk fliste me mua për këto tema. Kurse ajo dinte vërtet shumë. Svetlana nuk më kishte gënjyer kurrë dhe nuk ishte njeri që fantazonte. Aq më pak mund të shpikte gjëra të tilla! Mbeta e tronditur.
– Kjo bisedë shënoi fundin e miqësisë suaj?
– Jo. Por u larguam paksa nga njëra-tjetra. Nuk isha dakord me atë që po bënte dhe, si të gjithë atëherë, kjo më indinjoi. Po, mendoja se njeriu mund të largohej. Pse jo? Edhe unë ëndërroj të shkoj në Sorrento. Por jo me atë gjendje shpirtërore, jo me aq urrejtje ndaj gjithçkaje që mbetej këtu. Të mallkoje fëmijërinë tënde, rininë, absolutisht gjithçka që kishte qenë…
– Atëherë, çfarë e shkaktoi prishjen përfundimtare?
– U ndamë përfundimisht kur ajo u largua. Por pati edhe një histori tjetër personale që e errësoi miqësinë tonë. Në shkollën tonë, një klasë më lart se ne, mësonte Sergo Beria, i biri i Lavrenti Berias. Sergoja ishte shumë i bukur; ishte e pamundur të mos dashuroheshe me të. U pëlqente shumë vajzave dhe, me sa mendoj, edhe Svetlanës.
Por, ndërsa unë, nga ndrojtja, nuk guxoja as të mendoja për ndonjë romancë, aq më pak me Sergon, Svetlana nuk dyshonte se mund të pushtonte këdo. Mirëpo me Sergon nuk i eci. Madje më duket se ai, përkundrazi, nuk e pëlqente, ndonëse nga mirësjellja nuk e tregoi kurrë. Sergoja ishte jashtëzakonisht i edukuar dhe i zgjuar.
Meqë ra fjala, u takuam për herë të parë te Svetlana, në Soçi. Ekziston madje një letër që Svetlana i dërgoi të atit nga Soçi, ku shkruan: «Ti mos eja, pishina nuk është ende gati… Marfa është ulur në një pemë dhe të dërgon të fala».
Sergoja ishte pikërisht ai lloj burri që më pëlqen shumë, por unë nuk shpresoja aspak se ndjenjat e mia mund të ishin të ndërsjella. Prandaj, përfytyroni habinë time kur doli se ai ishte i dashuruar me mua.
– Dhe si u mor vesh kjo? Ai ju foli për dashurinë?
– Po a është patjetër e nevojshme të flasësh? Ka vështrime që e bëjnë fjalën të panevojshme. Ne e ndienim njëri-tjetrin. Dhe kaq. Pas shkollës u martuam. Na lindën dy vajza dhe një djalë. Djali tani jeton në Ukrainë, ndërsa vajzat në Moskë. Kam edhe nipër e mbesa.
Në fillim jetuam mrekullisht, dhe Lavrenti Pavlloviçi, edhe Nina Tejmurazovna më adhuronin. Me Sergon udhëtuam shumë. Thjesht hipnim në makinë dhe niseshim drejt detit, ai në timon. Tani, kur kujtoj jetën time, e kuptoj se nuk do të doja të ndryshoja asgjë në të. Ka qenë e larmishme. Sepse ndodh që njeriu ta dijë çdo ditë çfarë do të ndodhë nesër dhe ç’do të vijë më pas. Tek unë gjithçka ishte ndryshe. Pati edhe shumë hidhërim, natyrisht. Ishte lufta, evakuimi në Tashkent, arrestimi i Sergos… Shumë gjëra, sigurisht. Por tani, kur kujtoj, ndonjëherë madje më vjen mirë të shtrihem e të sjell ndër mend.
– I kujtoni shpesh prindërit?
– Mamaja ime, në rini, ishte një bukuroshe e famshme moskovite; me babanë u njohën në pistën e patinazhit te Pellgjet e Patriarkut. Ai bëri përpjekje të jashtëzakonshme për ta fituar dhe për ta bindur të shkonte jashtë vendit. Në çastin kur u njoh me babanë, mamaja, në fakt, po bëhej gati të martohej me një njeri tjetër, një pronar të pasur manufakture. Martesa u prish. Por mamaja nuk merrte guximin të shkonte jashtë vendit, ku deri atëherë nuk kishte qenë kurrë. Atëherë babai im, i dashuruar marrëzisht pas saj, iu lut mikeshës së saj, Lidija Shaljapinës, vajzës së Fjodor Shaljapinit, ta bindte mamanë të nisej.
«Thuaji Nadjës se edhe ti po vjen me ne. Do të jetë shoqëri e madhe, do të shohë botën, do të jetë interesante».
Dhe mamaja pranoi. Meqë ra fjala, bashkë me Lidën, mamaja ëndërronte të luante në skenën e Teatrit Vahtangov; ato njiheshin me Ruben Simonovin dhe madje kishin ndër mend të hynin në studion e tij. Udhëtimi me Gorkët ua ndryshoi të gjitha planet. Në fund, Lida Shaljapina përfundoi në Amerikë, ndërsa mamaja dhe babai u martuan zyrtarisht në Berlin. Në fillim jetuan në Shvarcvald, pastaj shkuan në Çekosllovaki dhe, më në fund, përfunduan në Sorrento.
Atje mamaja u dha pas pikturës. Më pas, për shumë vite, e siguroi jetesën duke pikturuar dhe shitur tablo. Tema e saj ishte rrethi i Gorkit. Siç dihet, pikërisht për mamanë time Anna Ahmatova ka thënë dikur: «Një nga tragjeditë e pashkruara të shekullit të njëzetë është historia me titull “Timosha”». Kështu e quanin mamanë në shtëpi, dhe këtë nofkë ia kishte vënë gjyshi im. Tregonin se një ditë, ajo doli për drekë, hoqi kapelën dhe mysafirët panë se, në vend të gërshetit të zakonshëm, kishte prerje të shkurtër flokësh. Madje flokët i rrinin të ngritura në të gjitha anët.
«Te ne kështu e mbante karrocieri», tha Gorki.
«Vërtet, Timosha fiks», shtoi Maksimi.
Në atë kohë, kështu u drejtoheshin karrocierëve.
Në fëmijëri nuk më ndahej ndjesia se mamaja dhe babai e donin shumë njëri-tjetrin. E dini sa e nevojshme është për një fëmijë ta dijë se mamaja dhe babai do të jenë gjithmonë bashkë? Unë gjithmonë kështu mendoja. Mamaja ishte bukuroshe dhe bashkë ata ishin një çift shumë interesant. Pastaj ndodhi diçka. Nuk e di çfarë, por shumë vite më vonë, Nastja Pyshkalo, një mikeshë e mamasë, më tregoi se, me sa duket, Jagoda ishte dashuruar pas mamasë dhe kishte bërë gjithçka për ta larguar babanë tim prej saj. Dhe, duhet thënë, ia doli: bashkimi i tyre nisi të shkatërrohej. Mamasë, natyrisht, Jagoda nuk i pëlqente aspak, por, nëse ka qenë ashtu siç tregon Nastja, atëherë ai e arriti qëllimin e vet: i ndau nga babai, në mos formalisht, faktikisht.
Dhe, sigurisht, ndihmoi që babai të sëmurej, megjithëse ai vërtet u ftoh; por se përse mbeti në rrugë, kjo është punë e errët. Babai ishte kthyer nga Jagoda, i cili e thërriste vazhdimisht dhe e dehte… Doli nga makina dhe u drejtua nga parku. U ul në një stol dhe e zuri gjumi. E zgjoi dadoja. Xhaketa i rrinte varur më vete. Kjo ndodhi më 2 maj. Babai u sëmur dhe, pak më vonë, vdiq nga pneumonia e dyanshme.
E kam shumë të vështirë të flas për këtë, sepse kujtesa, natyrisht, të tradhton. Unë shkoja në shkollë kur u zhvillua procesi gjyqësor, gjatë të cilit Jagoda dhe Kriuçkovi pranuan vrasjen e Gorkit dhe të babait tim. A e besoja këtë? Nuk e di. Stalinit, sigurisht, Maksimi i pengonte, sepse ishte i vetmi që e lidhte gjyshin me botën e jashtme. Të gjitha lidhjet e tjera kontrolloheshin dhe filtroheshin.
Nëse mamanë e mbaj mend shumë mirë, babanë e kujtoj më pak, sepse ai ose merrej me mysafirë, i priste, sillte dikë, përcillte dikë, ose zhvillonte biseda të ndryshme. Pra, ishte gjithmonë me punë, si të thuash. Kurse mamaja më mësonte pikturë, kalonte shumë kohë me mua, sidomos më vonë, kur u rrita. Prej saj mësova shumë gjëra, por i premtova se nuk do t’ia thosha askujt. Për babanë, mamasë nuk i pëlqente të fliste. Mendoj se kjo ishte dhimbja e saj. Përsëriste: «Humbëm Italinë, dashurinë tonë dhe njëri-tjetrin».
Babanë e varrosën në varrezat Novodeviçje, ndërsa gjyshi, pa Maksimin, jetoi vetëm dy vjet; edhe ato vite ishin thjesht ekzistencë fizike. Sa shumë donim që ta varrosnin pranë të birit! Por Stalini tha «jo»: vetëm te Muri i Kremlinit!
Monumentin e babait tim në varrezat Novodeviçje e bëri Muhina, por ideja i përkiste vetë Gorkit. Pas kokës së babait është një bllok i stërmadh guri, që sikur e shtyp pas tokës. Gorki e konsideronte veten këtë bllok. Po të mos kishte qenë kërkesa që i biri ta ndiqte gjithmonë Gorkin si hije, babai mund ta kishte realizuar veten ndryshe; ishte i talentuar, i zgjuar, interesant…
E kujtoj shumë shpesh jetën tonë me gjyshin. Jo vetëm në Itali, por edhe në daçën në Gorki. Megjithëse as daçë nuk mund ta quash tamam: ishte një shtëpi me kolona dhe dy anekse. Në njërin ishin kuzhina dhe tri dhomat e atyre që shërbenin. Në tjetrin ndodhej tavolina e bilardos dhe dhoma e mysafirëve, në rast se donin të rrinin për të fjetur. Kurse në pjesën qendrore, në katin e dytë, në të djathtë ishte dhoma jonë e fëmijëve, ndërsa në të majtë dy dhomat e gjyshit.
Atëherë, për ndonjë arsye, të gjithëve u pëlqente të mblidhnin kërpudha. Edhe gjyshit i pëlqente. Por zakonisht, deri në çastin kur ai dilte nga shtëpia, të gjitha kërpudhat ishin mbledhur tashmë. Dhe unë me Darjën shpikëm këtë marifet: i mblidhnim kërpudhat që herët në mëngjes dhe pastaj, duke ditur se gjyshi do të bëhej gati nga çasti në çast për të dalë për kërpudha, i vendosnim shpejt e shpejt përgjatë rrugës që ndiqte zakonisht. Pastaj dilnim bashkë me të dhe, si pa të keq, i thoshim:
«Ja, ndoshta duhet parë pak andej. Ndoshta duhet parë pak këtej».
Është e qartë se gjyshi e kuptoi shpejt mashtrimin tonë — kërpudhat nuk ishin futur thellë në tokë — por nuk e jepte veten. Gëzohej bashkë me ne për korrjen e pasur. Ose, më shumë gjasa, thjesht për gëzimin tonë.
– Nga ato që ka shkruar, cilat doni më shumë?
– Sigurisht, i doja tregimet e tij; më interesantet për t’u lexuar ishin të hershmet, ato që zbulonin edhe karakterin e tij, edhe të bënin të kuptoje se kush e rrethonte.
«Në familje nuk ka pasur kurrë kult të ushqimit. Dhe sporti, natyrisht. Ja gjithë sekreti i jetëgjatësisë sime».
(M. Peshkova)
Qëndrimi ndaj Gorkit në vendin tonë ka ndryshuar tashmë tri herë. Në fillim e lartësonin dhe e përfshinin në programet shkollore, pastaj e damkosën si shkrimtar bolshevik. Sot po flitet sërish për dhuntinë e tij të madhe letrare. Po ju ç’mendoni?
– Unë e konsideroj, para së gjithash, njeri të mirë, sepse ka bërë shumë të mira. Duhet thënë se shumë njerëz në gjendje të dëshpëruar i drejtoheshin atij për ndihmë, shihnin tek ai shpresën e fundit. Dhe ai përpiqej t’i shpëtonte nga arrestimi, nga ndonjë telash i madh; me urdhrin e tij u jepnin diçka ose i dërgonin jashtë vendit.
– Por edhe gjyshen tuaj shumë njerëz e quanin «njeri të shenjtë».
– Ne e quanim babunçik. Gjyshja-babunçik. E kam të vështirë të flas për të; ajo jetonte jetën e vet. Jekaterina Pavlovna jetonte veçmas, kishte apartamentin e saj. Dhe ndoshta e dini se me të jetonte një djalë që quhej David Klyshko. Ishte i braktisur. Në fakt, kishte edhe një vëlla, Mishën, por ai po mbaronte shkollën. Kurse ky kishte mbetur krejt vetëm. Dhe gjyshja e mori pranë vetes; ai jetonte në një dhomë më vete.
Gjyshja ime ka shpëtuar shumë njerëz, shumë. Ajo gjithmonë përpiqej të bënte gjithçka që varej prej saj.
– Duke parë pas, a mund ta quani veten njeri të lumtur?
– Sigurisht që mundem. Jam e lumtur, sepse në jetën time mund të ndodhte gjithçka. Dhe kam parë njerëz të tillë… Si askush tjetër. Njerëz unikë. Kurse sot kam fëmijë dhe nipër e mbesa. Kjo është më e rëndësishmja. Dhe natyrën përreth. Prandaj jetoj shumë bukur, madje. E shihni sa këndshëm e kam këtu?a


