nga Shqipe Elezi
Autori përballë utopisë
“Kthimi i profetit ” i autorit Adil Olluri është libri i fundeve, i përmbysjes së ideologjive, i mbarimit të historisë por edhe i realitetit. Përmes këtij libri është krijuar një grusht i fortë që i mëshon shoqërisë mu aty ku i dhemb më shumë e shpesh denjon ta pranojë këtë të vërtetë paradoksale të shekullit XXI. Si jetohet në këtë shekull në Kosovën e autorit? Çfarë pasojash ka lënë e kaluara në të tashmen e ç’na pret në të ardhmen? Rrëfimet e këtij libri e vënë njeriun përballë utopisë.[1] (Gashi)
Kamxhiku i Ollurit godet këdo, pa mëshirë dhe pa hatërmbetje. Ndonëse i vogël për nga vëllimi, “Kthimi i Profetit” është i bujshëm për nga tematika. Në të gërshetohen tragjikja me komiken, mbijetimi i njeriut në jetën e sistemin e sotkrijuar, mosvlerësimi i jetës njerëzore dhe rrekja e pafundme nëpër rrëpirat e pushtetit e sistemit vetëm për pozita shoqërore e para. Gjatë leximit fillon të dyshosh se a jetojmë vërtet në demokraci, a jemi në shekullin e XXI a në errësirën mesjetare? Apo ndoshta diktaturat s’marrin fund kurrë por thjesht transformohen ?!
Struktura dhe loja me ‘mëkatet’
Libri përbëhet nga tetëmbëdhjetë tregime që shumica nuk kanë lidhje mes veti. Personazhet janë të ndryshme dhe në secilin tregim flitet për një temë të caktuar përmes së cilës autori e sulmon shoqërinë. Ngjarjet vendosen herë në kryeqytetin e Kosovës, herë fshatrave të saj, herë dhomave luksoze të hoteleve, herë bankave shtetërore e herë maleve a fushëbetejave të luftës. Përmes këtyre tregimeve secili personazh rrëfen tragjikomedinë e vet, qarkoren e jetës së tij nga e cila s’mund të dalë dhe s’i mbetet zgjidhje tjetër veç të bëhet njësh me tufën, me fenë, me sistemin, me politikën, me krimin, me korrupsionin, shtetin… Tregimet që janë vendosur në fillim me titujt “Barku i balenës”, “Sheshi i ndryshuar” , “Kthimi i profetit” , janë tregime në të cilat krijohet lojë me referenca religjioze.
Autori nxjerr në fushëbetejë njeriun përballë fesë, që e beson por s’di asgjë në lidhje me të, ai hipotezon e dyshon vazhdimisht, thotë se besimi pa njohje është xhahiliet. E vetëm përmes pyetjeve mund të arrijmë te njohja. [2] Olluri e kthen edhe njëherë profetin Muhamed në Prishtinë , ai është si të tjerët, joshet nga e bukura dhe mëkaton njëlloj si njerëzit. Keqinterpretimin e fesë, të cilën ai e ka krijuar, e hasim në xhami, ai tregon se është profeti por e marrin si të marrë e kur bërtet se njerëzit e besojnë dhe i luten Zotit vetëm sepse kanë frikë nga Ai e jo nga dashuria që ndiejnë, atëherë profetin e flakin jashtë xhamisë.
Januzi që qëndroi tri ditë e tri net në barkun e balenës[3], kthehet në ditët e sotme por nuk e ripërtërin historinë nga libri i shenjtë, ai mëkaton, tundohet aq fort nga një femër sa harron martesën e fëmijët dhe zhytet në epshet njerëzore që falin kënaqësi. Kur kthehet në shtëpi aq mistershëm sa u largua, gënjen duke thënë se ka qenë në barkun e balenës.
Tregimi me titull “Sheshi i ndryshuar” është një proleksë përmes së cilës e ndërton ardhmërinë, shkuljen e kombëtares përpara fetares duke harruar se kombi është mbi të gjitha. Këtu flet për shembjen e idhujve kombëtarë, burgimin e intelektualëve dhe ardhmërine e errët kur në pushtet do të vijë feja e do të udhëheqë me shoqërinë.
Tregimet tjera flasin për hipokrizinë njerëzore e shoqërore, që duhet të vdesësh e më pas të të duan se po të jesh në jetë s’mund të të mposhtin dot (“Funerali im”), që mediet e sotme (“Vdekja e autorit”) të bëjnë lajm e shpifin për ty, qoftë kjo edhe për mënyrën si ke vdekur, që teatri shoqëror dhe marionetat e pushtetit vazhdojnë të shpifin e të përflasin cilindo a cilëndo e në këtë rreth shoqëror, ku gjithçka është kokëposhtë (“Rrëfimi im personal”) vetëm një person ndryshe nga kjo shoqëri mund të gjejë një strehë ku të jetë vetja, e jo kokëposhtë.
Populli, sado që të revoltohet është i vogël përballë pushtetit,ai s’e ka përjetuar lirinë dhe nuk di si të veprojë e si të sillet në liri prandaj prapë kthehet në zgjedhën e robërisë e të pushtetit që kështu së paku të ketë bukë për të ngrënë. Intelektualëve të sotëm duart ua pret sistemi e pushteti, e ata duhet të shkruajnë e t’i përshtaten atij, në të kundërtën e harrojnë ëndrrën për të cilën punuan aq shumë. E pushteti ka spiunët e tij kudo dhe xhelatët e tij mbijnë si kërpudhat pas shiut për të vrarë viktimat. Kjo lloj shoqërie që kemi krijuar ka mbirë brenda nesh jonjerëzoren, që vret mikun për t’i marrë gruan a pushtetin, që sa është paradoksale aq edhe ironike, që sado e kritikojmë aq më shumë e pranojmë, sado e mohojmë natën fshehurazi bëjmë planet si të dashurohet kjo shoqëri në mua e të jem unë sunduesi. Autori përmes sarkazmës, ironisë dhe alegorisë (“Revolta e minjëve”, “Kthimi i sërishëm i drerit në kopshtin zoologjik”) kritikon, provokon, parodizon secilën hallkë të sistemit që është ngritur e jetës shoqërore që jetojmë, e për krijimin e këtij sistemi si fajtor e sheh vetë njeriun, që luftoi aq shumë për atdheun por s’krijoi atë që u prit aq shumë e u ëndërrua aq fshehurazi.
Olluri është një Kafkë që krijon procesin e gjyqit kafkian në Kosovë, e për përfundimin e gjyqit na flet në “Sheshin e ndryshuar”. Ai është pasqyra ku secili shqiptar e gjen veten, e përmes këtij libri synohet edhe revolta, jehon në të thirrja “Zgjohu o popull, se është koha për ndryshim”.
Një metanarrativë njerëzore
“Kthimi
i Profetit” është një metanarrativë njerëzore e së tashmes, ku secili tregim
shpalos një jetë personazhi e cila sado na duket personale, trajton tema
ngacmuese e intriguese dhe përfundon duke u universalizuar aq sa secili e gjen
veten pjesë të këtij a atij tregimi. Vetëm përmes revoltës do të mundnim
shpëtonim nga sunduesit dhe t’i jepnim fund një metanarrative njerëzore
shqiptare. Ndonëse vepra do të kënaqte maksimalisht edhe një lexues semantik,
do të ngacmonte ende më shumë erudicionin e një lexuesi semiotik. E vepra e
Ollurit fillon pikërisht në momentin kur mbyll librin.
[1] Agron, Gashi: https://gazetaletrare.com/olluri-sjell-profetin-muhamed-ne-prishtine-agron-gashi/, 10 dhjetor 2019
[2] Adil, Olluri: Kthimi i profetit, Armagedoni, Prishtinë, fq.16
[3] Histori nga Kurani për profetin Junuz, një histori e tillë e ngjajshme ekziston edhe në Biblën hebreje