More
    KreuLetërsiBibliotekë"Kthimi i aviatorit anglez" tregim nga Luan Rama

    “Kthimi i aviatorit anglez” tregim nga Luan Rama

    Po perëndonte kur i ati mbylli sytë. Ajo dritë e dielltë që vinte nga dritarja sikur i praronte flokët e tij të rrallë.

    – Fli pak babush, – i pëshpëriti ajo dhe shkoi të mbyllë dritaren e dhomës së spitalit.

    – Jo, nuk më flihet. Kam kohë për të fjetur. Tani më duhet të udhëtoj…

    Ajo stepi një çast dhe e vështroi e habitur. Për ç’udhëtim e kishte fjalën. Vallë po fliste përçart apo si?

    Ai burrë 85 vjeçar qëndronte gjithnjë symbyllur. Në fytyrën e tij të imët e të verdhë ndjehej se vdekja po afronte.

    – Ishte natë…

    – Ç’po thua baba?

    – Po, ishte mesnatë kur fluturonim mbi Menuls.

    Vetëm kur shqiptoi këtë emër ajo e kuptoi se nuk po fliste përçart. Kohët e fundit gjithnjë e më shumë ai fliste për kohën e luftës, Normandinë, Menuls…

    Iu afrua dhe kapi dorën e tij të dobët dhe të lëshuar pa forcë.

    – Ishte një natë e bukur, një qiell plot yje por ne s’kishim kohë ta kundronim atë botë të magjishme qiellore.

    – Për kë natë e ke fjalën.

    Ai pëshpëriti diçka të pakuptueshme dhe pastaj heshti. Ajo e vështroi gjatë. E dinte që vuante shumë dhe se tani as morfina nuk arrinte ta qetësonte.

    – Po perëndonte kur ekuipazhi ynë i Lancaster linte bazën tonë në Brize Norton dhe nisej përsëri drejt La Manshit, Normandisë, Yvelines e Pointivin… Më kujtohet mirë kur atë buzëmbrëmje në bazë pimë nga një uski me komandantin Smith. Një ditë më parë aleatët zbarkonin në brigjet e Normandisë. Netët tani më ngatërrohen dhe unë jam gjithnjë me ta. Në drejtim të avionit ishte piloti Conlon, në krah kisha kapitenin Eliot Hopton dhe pas tij serxhentin Larkins. Përballë, ulur pranë mitrolozëve të tyre ndodheshin serxhentët Wood dhe Gibbes… radisti Mayes përgjonte pranë aparateve të tij. Ndërkohë që fluturonim papritur dëgjuam të shtëna nga bateritë gjermane që përgjonin në tokë. Na kishin pikasur. Vazhdonin të qëllonin mbi ne. Atëherë fikëm dritat duke shpresuar pak mjegull. Pastaj një predhë qëlloi mbi ne… Dhe ne e ndjemë se po binim duke humbur lartësinë. Alarmi në avion nuk pushonte. Lietnanti Conlon ishte qëlluar në kokë.

    – Baba, çfarë thua? Atë natë ti nuk ishe me ta?

    Ai hapi sytë dhe e pa i habitur.

    – Ashtu? – dhe vështroi përreth duke pikasur se ishte ende në atë dhomë spitali.

    – Ah, po, e di… por ja që ende jetoj me ta, – psherëtiu më së fundi ai.

    Ajo e vështroi me dhimbje por ai i mbylli sytë sërish. Fliste në errësirë. Ndoshta kjo e ndihmonte të jetonte në një kohë tjetër, atë që s’donte ta harronte kurrë.

    – Atë ditë dhe unë vdiqa me ta!

    Ajo u afrua dhe e puthi përsëri në ballë. Një lot i rrëshqiti dhe padashur i ra dhe atij në faqe. U drithërua. “At im i mjerë”, pëshpëriti ajo me vete duke menduar njëkohësisht: Përse kështu? Çfarë vallë e shtynte atë gjithnjë e më shumë drejt asaj nate të zezë kur u shua jeta e gjithë ekupazhit të tij, kur pas më shumë se gjysmë shekulli plagët e luftës ishin mbyllur?…

    Kapiteni Leigh kishte kohë që jetonte luftën. Pas vdekjes së gruas së tij Elisabeta, dhjetë vjet më parë, ai ishte angazhuar me shoqatën e pilotëve të Normandisë dhe shpesh shkruante kujtime dhe artikuj për revistën ushtarake. Skudriljet angleze në kohën e luftës së Dytë Botërore ishin një nga armët më të fuqishme të mbretërisë për të përballur sulmin nazist dhe bombardimet e tmerrshme që iu bënë veçanërisht Londrës gjatë “Betejës së Anglisë”. Kryeministri Çurçill kishte besimin e plotë në ta por me zbarkimin në Normandi, mijra nga aviatorët britanikë kishin rënë në luftën kundër ushtrisë gjermane që shpejt do të tërhiqej me shpejtësi. Në misione të shumta kapiteni Leight kishte bombarduar parreshtur rradhët e ushtrisë naziste gjer në tërheqjen e tyre përfundimtare, në Gjermani. Madje, pas bombardimit të Drezdenit, me avionin e tij Lancaster ai kishte bombarduar dhe mbi bunkerët e Hitlerit, i cili fshihej brenda Berlinit.

    Pas luftës, jo rrallë Leight kishte pyetur veten se pse pikërisht ai kishte shpëtuar nga ekuipazhi i tij i Lancaster dhe nuk kishte vdekur me shokët e tij. Vallë një fuqi e mbinatyrshme e kishte larguar atë natë nga detyra. Përse kishte ndodhur kjo? Ishte e vërtetë që atë ditë ai ishte i sëmurë dhe kishte qenë komandanti Scott që e kishte penguar të shkonte edhe pse ai kishte këmbëngulur. Në vend të tij kishte hipur në avion serxhenti Jones. Megjithatë, me kalimin e viteve, kjo brerje e ndërgjegjes, ky peng enigmatik ishte shuar ngadalë. Tre vjet pas luftës, në Oksord, ai ishte martuar me Elisabetën dhe shpejt ishin bërë me një vajzë, Bernardetën, që ishte gëzimi i tyre më i madh. Megjithatë kur vinte dita përkujtimore e Menuls, një ankth i madh e pushtonte dhe atëherë gjente gjithnjë një arësye të largohej nga shtëpia, të ikte, të bridhte fushave në vetminë dhe dhimbjen e tij dhe të kthehej vetëm të nesërmen. Pak nga pak Elisabeta u mësua me arratinë e tij dhe e dinte që ajo ditë ishte tronditëse për të. Njëherë kishte dashur ta shoqëronte, kudo që të ishte, por ai nuk pranonte. Donte të ishte vetëm dhe të përjetonte humbjen e tyre, të pinte dhe të flinte diku i dehur, të humbiste në errësirë në bidonvilet e Londrës edhe pse ishte një oficer i nderuar i flotës britanike. Pinte dhe qante për shokët e tij duke folur me ta sikur ata të ishin aty, para tij, në tavernën e varfër të bazës ushtarake duke kujtuar të dashurat e tyre. Pinte në një mejhane të ndyrë duke rreshtuar para vetes mbi tavoline tetë gota të mbushura me whisky, një për secilin nga ata, dhe kështu, në çdo gotë që kthente, ai përshëndeste shokun e tij të dikurshëm, qeshte me të, tregonte një histori dashurie e kështu me rradhë. Por dhe ata i flisnin, në fillim me mërmërima, pastaj zëri i tyre bëhej i plotë, bëheshin të gjallë. Dhe kështu ai harronte nocionin e kohës.

    – Ktheje Steve, të urojmë të kthehemi gjallë nga misioni i nesërm.

    – Gëzuar John! E di që në dasmën tënde do dehem dhe do pi i çmendur për dashurinë tuaj.

    – Ej, Lemon, çke që mendon kaq shumë. Ngrije gotën për të dashurat tona që na presin me aq mall.

    – Bob? … Ku është Bob irlandezi?

    Dhe ai vazhdonte të ngrinte gotat duke kujtuar historitë e tyre dhe luftën në ajër për mbrojtjen e Londrës. E atëherë i shfaqej ajo ditë kur në perëndim të diellit, verbuar nga dielli, nuk i kishte vënë re dy Messerchmitt që e ndiqnin nga pas dhe po i afroheshin ta godisnin. Ishte Bob që i kishte pikasur dhe ishte kthyer për ta mbrojtur nga ajo vdekje e sigurtë duke u sulur mbi gjermanët. Por ndërkohë u kujtua. Dëgjoi përsëri zërin e një prej shokëve që kishte thënë me dhimbje: – Bobi ka humbur në oqean tashmë!… E kështu, koka iu shëmb mbi tavolinën e tavernës duke humbur në atë botë të vrarësh që kishin humbur në atë luftë dhe nuk do të ktheheshin më. Pastaj, i dehur, një qetësi e thellë e rrethonte. Përse endej kështu në këto netë të errta, në heshtjen e madhe të botës?

    Kështu kalonin vitet me pengun e madh, i cili rizgjohej sa herë afrohej ajo datë e tmerrshme. Më vonë, si anëtar i Shoqatës së Aviatorëve Britanikë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Normandi, ai nisi të vijë në brigjet franceze të La Manshit dhe pikërisht në Menuls, për të përkujtuar vdekjen e shokëve të tij. Menuls ishte një fshat i gjelbëruar në Yvelines, me një kishëz mesjetare dhe varrezat pranë saj, ku në ballë ishin varret e aviatorëve britanikë. Sa herë vinte, në ceremoninë një orkestër e fshatit do të luante për ta të njëjtën muzikë që ishte luajtur në atë kishë kur ata i kishin varrosur: “God Save The Queen!…” Dhe kjo muzikë e bënte atë vend akoma më të shenjtë duke i falur një dashuri të jashtëzakonshme për shokët e rënë. Dy ditë më vonë Rezistenca Franceze e kishte njoftuar komandën angleze se të gjithë aviatorët e vrarë i kishin varrosur në varrezat e fshatit. E kujtonte mirë atë perëndim dielli të 7 qershorit të vitit 1944, kur ekuipazhi po hipte mbi Lancaster. I shikonte tek e përqafonin dhe nxitonin drejt pistës, nën dritën e zbehtë të prozhektorëve të aerodromit ushtarak. I shfaqej avioni që shkiste në natën që binte dhe fytyrat e tyre brenda avionit bombardues. I shikonte me rradhë sërish, siç i kishte parë në misionet e panumurta mbi Lancaster. Mjerisht, të gjithë ishin vrarë atë natë… Ja pse Menuls ishte kthyer kështu në vendin e tij të shenjtë, nga ku e kishte të vështirë të largohej.

    Por diçka e çuditëshme ndodhi me të pas vdekjes së Elisabetës: tashmë gjithnjë e më shumë jetonte me kohën e luftës, kujtimet, misionet e tij mbi Normandi. Madje gjatë këtyre viteve të fundit, duke vizituar jo pak vende të Normandisë si anëtar i shoqatës”Krahët e thyer”, në shumë prej varrezave kishte parë memorialet për aviatorët anglezë rënë gjatë luftës. I kishte parë ato në Yonne, Giverny, Baumont-le Roger, Saint-Sever në Calvados, Saint-Leger en Yvelines, Mazargues, Tregunc, Boulogne-sur-Mer, Muneville-sur-Mer.

    Vitet kalonin ndërsa kapiteni Leight i Air Royal Force, me pengun e madh në shpirtin e tij, dukej sikur shkonte në të kundërt të kohës. Për 35 vjet me rradhë ai kishte shërbyer në shkollën e formimit të pilotëve të rinj të ushtrisë britanike. Tashmë nuk ishin më avionët e vjetër Lancaster apo Bristol, Hawker, gjuajtësit Spitfire etj… Tani avionët ishin supersonik dhe teknologjia më e fundit e shkencës. Dukej sikur koha për të nuk kishte më të ardhme dhe sa më shumë ajo kalonte, aq më shumë rikthehej në atë datë fatale kur ai duhej të ishte bashkë me ekuipazhin në momentin tragjik. Koha për të kishte ndaluar, madje ai kishte një lloj ndjesie se akrepat e sahatit të vjetër në murin e sallonit tashmë shkonin mbrapsht. Gjithnjë e më shpesh, në shtëpi, me miqtë e tij apo pilotët e rinj të shkollës, ai fliste për misionet që bënte me Lancaster-in e tij, duke treguar kurajon dhe trimërinë e shokëve gjatë luftës. Shumë herë e kishte parë vdekjen drejt në sy ashtu si në një nga misionet e para në vitin 1940 kur fluturonin mbi Pas de Calais dhe kur u qëllua nga avionët gjermanë. Avioni i tij zbriste me shpejtësi drejt detit ndjekur nga një tym i zi dhe pikërisht në momentin e fundit, duke u përpjekur ta ulte mbi ujë, ai u hodh, ndërkohë që avioni zhytej me një zhurmë të llahtarshme në det. Gjithë atë natë kishte qëndruar mes dallgëve të detit dhe të ftohtit të madh duke ndjerë se vdekja po i afrohej, por në ag, në përhumbjen e shpresës së madhe, një motovedetë britanike kishte ardhur dhe e kishte marrë. Ishte plagosur në krah.

    Disa vjet pas vdekjes së Elisabetës, diçka tjetër do ta rikthente në kohën e luftës: njohja e tij me Laurën në një nga fermat afër qytetit verior të Lilës. Një ditë, duke riparuar strehën e shtëpisë së tyre, lart nën çati, Bernardeta kishte zbuluar një tufë letrash dhe meqë ishin në frëngjisht. I ati kurrë nuk kishte folur për to dhe ato letra e kishin bërë tepër kureshtare. Ishin letra të kohës së luftës dhe pikërisht atëherë, kur në tetorin e vitit 1944 kapiteni Leight bashkë me serxhentin Norman, gjatë një dyluftimi në ajër u ndeshën me tre Messerchmitt gjermanë. Papritmas avioni i tyre kishte marrë flakë dhe ata më së fundi kishin mundur të shkëputeshin nga avioni duke u hedhur me parashutë. Këtë histori i ati e kishte treguar shpesh, por për këto letra të marra nga francezja Laura, ai nuk kishte folur. Ishte një sekret i tij. Në shumë prej tyre, në fund, do kishte të vizatuar gjithnjë një zemër, një lule apo buzë çka zbulonin qartë dashurinë e asaj kohe. Vallë e kishte ditur nëna e saj? Gjithë atë natë kishte menduar rreth atyre letrave të fshehta duke kërkuar të imagjinonte se kush fshihej pas atij emri. Vallë a ishte gjallë? Kur kishte ndodhur kjo dhe pse ishin ndarë? Të nesërmen, më së fundi e kishte pyetur të atin:

    – Baba, në një nga kutitë e tua gjeta këto letra, – dhe ajo ia kishte zgjatur.

    Babai i kishte marrë në duar, kishte hezituar një çast dhe pastaj kishte qeshur lehtë.

    – Eh, një histori e largët… Por nëna tënde e dinte.

    – Çfarë? Një histori dashurie?

    – Mund ta quash kështu edhe pse bëhet fjalë për një periudhë fare të shkurtër. Dëgjomë bija ime. Atëherë po fluturonim mbi qytetin e Lilës me një Spitfire kur sapo e kaluam u ndeshëm me tre gjuajtës gjermanë Messerchmitt. Avioni mori flakë dhe ne u detyruam të hidhemi me parashutë… Më kujtohet që ishte nga mesi i vjeshtës dhe ne ramë mes një pylli të dëndur. Miku im Norman ndrydhi këmbën dhe e kishte të pamundur të ecte. Pasi fshehëm parashutat, ashtu të armatosur, gjatë natës, me Normanin në krahë, fillova të kërkoj përreth dhe më së fundi pas gjashtë kilometrash gjeta një fermë. Pikërisht atje u njoha me Laurën, vajzën e Rozhesë, patronit të fermës. Ishte një vajzë e bukur dhe mjaft e brishtë. Ne shpejt u miqësuam. Sigurisht, gjermanët na kërkuan atë kohë por ne na fshehën në një vend të fshehtë në hambarin e madh të barit, ku Rozheja kishte krijuar një vend të fshehtë nën tokë. Një ditë një kompani gjermane erdhi papritur por lumturisht ata nuk kontrolluan si zakonisht. E kishin hallin të merrni barin për kuajt që tërhiqnin topat për të vazhduar tërheqjen drejt Gjermanisë. Historia jonë e dashurisë vazhdoi veç dy muaj, pasi një avion i flotës sonë erdhi dhe na mori. Kështu ne u nisëm përsëri në ndjekje të gjermanëve. Ishte beteja e madhe për pushtimin e Anhem, në Hollandë.

    – Po Laura?

    – Sigurisht më donte, por atëherë ishte luftë. Laura priste të kthehesha tek ajo dhe pastaj të shkonim në Oskford, por kjo u bë e pamundur. Për më tepër letrat merrnin muaj që të mbërrinin në destinacion. Ekuipazhi ynë bashkë me 20 ekuipazhe të tjerë qëndruan në bazën ushtarake të Berlinit. Kur unë u ktheva në Oksord, gjeta një letër të Laurës që më njoftonte për martesën e saj. Prindërit  saj nuk besonin në dashurinë tonë dhe më së fundi ajo ishte thyer. Ajo vajzë e brishtë nuk e kishte kuptuar se çdo të thoshte luftë dhe se beteja për Berlinin ishte beteja përfundimtare për mposhtjen e nazizmit.

    Pastaj ai kishte heshtur… Kështu kishin kaluar vitet pa u ndjerë dhe gjithnjë me pengun e madh. Në sallonin, vendosur në një kornizë, mbante gjithnjë atë fotografi të shtrenjtë dalë me gjithë ekuipazhin, një ditë para një misioni. Të gjithë të qeshur, por fati kishte dashur që vetëm ai të mbijetonte nga ajo luftë gjer në këto ditë kur vdekja po i afrohej dhe atij…

    – Bija ime, – pëshpëriti kapiteni Leight, – tashmë ti e di dëshirën time të fundit. Dua të më përcjellësh në Menuls.

    – Përse?

    – Të më varrosësh atje.

    – Oh, po pse mi thua këto… ne duhet të shpresojmë.

    – Dje doktori ta bëri të qartë. Kjo mund të ndodhë sonte, nesër ose një javë më vonë. Eshtë e pashmangëshme.

    Bernardeta heshti. Ndërsa i ati vazhdonte. Tashmë e shikonte drejt e në sy.

    – Për këtë i kam dërguar një letër ministrit të Mbrojtjes dhe po kështu dhe ministrisë së Jashtme. Dua të kthehem tek shokët e mi.

    – E di, por nuk e kuptoj këmbënguljen tënde, – shtoi e dëshpëruar ajo.

    – Bija ime e shtrenjtë. Unë duhej të kisha vdekur në 7 qershor të vitit 1944. Gjithë këto vitet e fundit fytyrat e shokëve të mi nuk më janë ndarë. Me ta luftuam së bashku gjatë gjithë kohës së luftës. Bashkë kaluam sprovat më të mëdha kur vdekja na përgjonte çdo çast. Ishte Campbell që një ditë mbi brigjet e Nantes më shpëtoi nga vdekja e sigurtë kur dy Messerchmitt më ndiqnin pas me bataretë e tyre. Pilotin Campbell e doja si vëlla. Dhe ai dashuronte dhe fotografinë e të dashurës e mbante gjithnjë në xhepin e xhaketës. Kapiteni Foster kishte dy fëmijë të vegjël, por ai s’do ti shikonte më fëmijët e tij pas asaj nate, kur më së fundi nuk u kthye në bazë. Më kot e pritëm. Duhej të ishte rrëzuar diku në La Mansh por ne kurrë nuk e gjetëm trupin e tij. Vdekja na përgjonte çdo çast, por ne i jepnim kurajo njëri-tjetrit. Fati deshi që unë të mbijetoja, të njihja nënën tënde, të kisha një vajzë si ty, por tani, pas kaq vitesh, kthimi tek shokët e mi do mi lehtësojë të gjitha dhimbjet edhe pse jam në prag të vdekjes.

    Ai ndaloi dhe mori frymë thellë. Pastaj vazhdoi.

    – Jetova gjatë… tashmë mund të shkoj të pushoj i lumtur. Franca nuk është larg që këtu dhe ti mund të vish kur të mundesh… Nuk do të jem vetëm.

    Një heshtje e madhe ra mbi ta. Tashmë vetëm akrepat e sahatit të vjetër mbi mur dëgjoheshin: tik-tak, tik-tak. «Koha për tu kthyer», mendoi ai dhe pastaj pëshpëriti:

    – E çuditëshme. Në prag të vdekjes, të gjithë shpresojnë se do të shkojnë në një vend tjetër, diku, tek të dashurit e tyre. Disa mendojnë Parajsën, të tjerët në oborrin qiellor të Zotit, ndërsa unë mendoj kthimin tim. Dua të më përcjellësh bija ime që më së fundi të bashkohem me ata.

    Kapiteni Leigh zgjati dorën dhe preku fytyrën e vajzës së tij.

    – Më fal bija ime… të paktën kështu do të flë me ta në paqen e pafund.

    Atë ditë në spital, vajza e kapitenit Leight qëndroi gjatë. E ndjeu se ishte e kotë të vazhdonte ti mbushte mendjen se s’kishte pse të largohej nga familja dhe të shkonte gjer në Menuls. Rrugës, duke u kthyer për në shtëpi iu shfaq sërrish fytyra e të atit me një lloj drite dhe gëzimi të habitshëm tek i fliste për kthimin e afërt të tij. Shpirti i tij nuk kërkonte as nderet që bëhen në këto raste dhe as lavdinë, por veç të shkonte në atë tokë, që edhe pse e huaj, mbante në gjirin e vet miqtë e tij me të cilët dikur kishte luftuar vdekjen e pashmangëshme.

    Tri ditë më vonë kapiteni Leight dha    frymën e fundit. Shoqata e aviatorëve të vrarë britanikë «Krahët e thyera» i kishte bërë gati të gjitha formalitetet. Një përfaqësues i flotës ajrore të Air Royal Force do të ishte i pranishëm ditën e varrimit në Menuls.

    Dy javë më vonë, mbi varrezat e Menuls binte një diell i bukur dhe i ngrohtë. Para se ta zbrisnin në banesën e fundit, një orkestër luajti himnin e famshëm «God Save The Queen… Gjithçka ishte në fjalët e atij himni: «Që Zoti të mbrojë mbretërinë! Bëje atë fitimtare, të lumtur dhe të lavdishme!…»

    Ishte mars i vitit 2006 kur kapiteni Leight u varros pranë shokëve të tij… I njëjti himn që ishte dëgjuar dhe atë ditë të 8 qershorit të vitit 1944. Një himn që ngrihej lart si diçka hyjnore për të përqafuar kështu gjithë botën.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË