nga Virion Graçi
Përkthimi: interpretim, përshtatje apo shqipërim?
Emërtesa e parë, ‘përkthim’, më duket e saktë, e pranueshme; ruan modestinë e përkthyesit si premtim i matur, por edhe zotohet të kryejë një punë, prej shekujsh e njohur dhe e rëndësishme: ta sjellë një tekst letrar prej një gjuhe në një gjuhë tjetër. Interpretimi mund të na ngatërrojë në kontekste të ndryshme social-kulturore mësimdhënieje me zbërthimet/ analizat shkollore-univesitare të teksteve të përzgjedhura për interpretim. Po kështu ‘shqipërim’ më duket se premton një liri të madhe të përkthyesit ndaj tekstit, d.m.th. që ai ta aktualizojë origjinalin, ta bëjë një ‘mall’ vendas, paçka se ‘mall’ letrar-artistik. Në këtë mënyrë origjinali përdoret nga përkthyesi dhe botuesi i tij në gjuhën/ sistemin tjetër letrar – unë jam kategorikisht kundër shndërrimit të tekstit origjinal në një jastëk/ kopaçe/ traktat duke u… shqipëruar. Gjithsesi, kemi sinonime kontekstuale, dallimeve semantike midis tyre nuk u duhet mëshuar në planin teorik; duhet hetuar, shijuar a kritikuar çdo libër i botuar, pavarësisht si quhet puna e kryer: përkthim/ interpretim/ shqipërim.
Kurse me ‘përshtatjet’ jam kategorikisht kundra. Kam parë me lemeri si kryevepra të ndryshme, që nga antikiteti greko-romak e deri te klasikë të kohëve të vona, ritregohen, gjasme, të përshtatur për fëmijët e moshave të hershme. Kjo është masakër, e shndërron letërsinë në thashethem, në anekdotë, në kallëzim policor. Nxënësit minorenë le të vihen në dijeni për ato vepra prej mësuesve, por lipset t’u shërbehen disa faqe a ndonjë fragment i zgjedhur nga vepra, sa për t’i përligjur vlerësimet e ligjëruesit epror për atë vepër e për ta ndezur kureshtjen te lexuesi për ta lexuar veprën e plotë në kohën e duhur, në moshën e duhur. Ritregimi i tragjedive të antikitetit duke i treguar në mënyrë prozaike, ritregimi prozaik i eposeve, e të tjera përshtatje transvestite si këto, për të ashtuquajturat interesa shkollore, i vlerësoj si akte vandale ndaj veprave letrare përkatëse e nxënësve të gjorë.
Të përkthesh nga gjuha origjinale apo gjuhë e dytë?
E mira e të mirave është të përkthesh nga origjinali. Por për gjuhë tepër të rralla, ose me sferë mikroskopike njohjeje përtej abitatit të vet etnik-kulturor, mund të përkthehet edhe nga një gjuhë e dytë, zgjedhje nga e keqja, si e keqja më e vogël. Për poezinë jam shumë skeptik nëse mund të vijë me ndërmjetësinë e një gjuhe tjetër, proza e gjatë deri diku e duron një transit të tillë, me humbje të padëmshme. Duke qëndruar në terrenin tonë kulturor, kam përshtypjen se tashmë kemi përkthyes të mirë për çdo gjuhë të botës letrare, mund të jemi të qetë e mikpritës për veprat e kryeveprat që ata na bëjnë gati për lexim në gjuhën tonë amtare.
Përkthimi: kulturë dhe gjuhë, sa rëndësi kanë?
Të dyja kanë rëndësi. Kultura e gjerë, e thelluar, është domosdoshmëri për përkthyesin që të kapë konotacionet filozofike-kulturore e botëkuptimore të origjinalit.Njohja e asimilimi me kohë i burimeve kulturore-letrare të autorit, tekstet e mëparshme të së njëjtës tipologji e problematikë me tekstin me të cilin po punohet e të tjera shtresëzime sociale-historike që njohja e njëmendtë, kultura e vërtetë i nënkupton, ndihmon në të kuptuarit e veprës në mënyrë anatomike, si frymë e si material, përtej sipërfaqes së zakonshme të fjalëve. Po ashtu, njohja e gjuhës në të cilën përkthen është domosdoshmëri. Njohja e gjuhës në të cilën përkthen nënkupton jo vetëm 25 mijë fjalë apo 50 mijë fjalë qofshin ato, por edhe të gjitha pasuritë ligjërimore të gjuhës përkatëse, monumentet e mëparshme letrare që janë në atë gjuhë: letërsi popullore, klasikë letrarë të periudhave të ndryshme, madje edhe kryeveprat nga letërsitë e huaja, të përkthyera tashmë në gjuhën në të cilën ti po përkthen.