PROMETEU IM
U trand muri
Që e ngrita me shpirt ndër dhëmbë,
Me ferra nëpër këmbë,
Me mund pa fund;
E ngrita çdo çast atë mur,
Mur i durimit,
Prometeu im!
U trand dhe sot
E, një gur u pik prej majës së tij:
Me rropamë ra
Në fund të qenies sime.
Prej andej, prej së thelli,K
thjelltas jehona më ngushëllon:
“Mjaft e ngrite atë mur, or burrë!
Gjithçka e ka një cak.”
I gjegjem jehonës:
“Furça nuk paska caqe
Të lyen e përlyen,
Të sajdis me shumë faqe
Me bojëra çdofarëshe…
Lart e ngrita atë mur,
Ballë heshtave të cmirës,
Honeve të shpirtit të lig,
Humnerave të fatit,
Ballë dimrit të stepave.
Tani nuk mundem ma të vendos edhe një gur,
As flashkëza, as harlikë
Le të mbetet gjithmonë kështu
Duke ju lutur:
Mos e sulmoni mëSe do shembet,
Por, poshtë do t’ju zerë Ju!”
PLAGA
Kulloi pa prà
Plagë e Lisit të Gjakut
Hapur prej dimrit
Kontinental…
Rrëkaja u ba lumë
E rrodhi i zi
Drejt lumit të bardhë…
Nga gjoksi i Fisit Doli një ofshamë
E, Pikëllima u ba mal!…
Oi, Oi!…
FATI IM
Të kërkova në diell;
Ti, nën do rreze të rreme,
Dridheshe,
Si gjethja e shullanit në erë.
Desha të sajoj për ty një ombrellë
(Pa pyetur për çmimin e saj.)
Por shiu të kalbte gjer thellë
Dhe kolliteshe pa shpresë
E qaje pa faj.
Trimërova.
Kërkova erë tropiku.
Përtonte.
Harrohej në shkëmbenjtë
E ngrirë të pritjes.
Mëkatet përgjumur vareshin
Nëpër degë dafinash…
Në udhëkryqe provinciale u lage
Dhe u tere në ikje-kthim,
Një poçe dheu e pjekur në shi
Ti,
Fati im.
POÇETHYER
Verën e pinë orgjive
Ata që vozën e bajtën
Përplot
Me rrena e bujë…
Unë,
Mbi sup vozën me verë,
Por buza m’u tha Për një lot ujë…
Fati im – nyje
Unë – një poçethyer…
NËN QIELLIN E ZYMTË TË FATIT
E shoh lëndinën e kositun
Nga kostarë të çartun e katilë,
Do kuaj të vjetër, të braktisun,
Që dhëmbërënë, më kot kërkojnë jeshil.
Me brengën e vjetër në supet e brishtë,
Vetmitar eci lëndinës luletharë;
Në buzë më vjen një melos i trishtë,
Që kam vërshëllyer vite më parë.
I ri kur kam qenë, e prapë sot,
Brenga pa mëshirë më ban të vuaj,
Si kjo lëndinë, dikur hireplotë
Që po shkrumbohet për një curril uji…
Kërkoj një dorë të hedh një hendek,
Ta braktis relievin pa bar e lule,
Sikletin ta flak në tjetër breg,
T’ia shkul rrëmbyeshëm këmbët një ure…
Ajo urë nuk u hodh për njerëzit,
Ajo ishte pjellë e Qoftëlargut,
Që t’i nxirrnim sytë njëri-tjetrit,
Nën qiellin e zymtë të fatit…
FUND VJESHTE NË LËKUNDË
Një fllad i letë
Lëkund një fletë:
Nga kumbulla piket e bie
Në tub të kazanit
Dhe pikon vjeshtë…
Dikush me gotë, të tjerë me filxhan
I mbushin e i kthejnë hareshëm
Me turshi, djathë e ndonjë hudhër,
Derisa hana vjen, e ulet mbi kumbull…
Fundstina derdh dyll mbi pjergull;
Faqeskuqur fshatarët e mi
Natën vjeshtore e mbajnë ndezur
Me hoka e gota plot me mirësi…
PODRIMJES
O atë i Lum Lumit,
O kangë e gjakut që nuk falet!
Lumi i fatit papritun u ndal…
Vargjet e kangës,
Me qiellin e dhimbjes,
Stoikë e madhështorë,
Si vargmalet.
Dhe lumi ecën vrulltas,
Nuk mundet të ndalet…
22 korrik 2012
QËNDRESA E FAJIT
Dhe zjarri ra në kullën me myshk,
Gjuhët e flakës u grindën në erë –
U dogjën stolitë në sëndyq
Dhe krejt reliket me vlerë.
Në pirgun e lartë me hi,
Ku gjithçka u kall me rrëmbim,
Kishte shpëtuar për çudi
Fleta ku shkruhej “faji im”…
Maj 1998
SHIRA DHE YLBERE
Paradite shiu ra pa prà,
Konopin s’di sa herë ma lidhi në fyt,
Lumi më mbet pa va…
Varkë askund, askund…
Pasdite,
Mbi shkulma,
Ylberi nguli njërin skaj.
Pastaj,
Harkoi mbi shkrepa e pyje,
Mbi fate lidhur nyje
E te Shpella e Fatmirave
U thye…
(Bujtina ishte bosh,
Fatmirat nguteshin për t’u kthye.)
Nesër,
Paradite do të bjerë shi
E unë pres ylberin
Të shfaqet përsëri…
KROI I BARDHË
Kjo bjeshkë nuk do të ishte kaq e hirshme,
E freskët s’do të ishte sakaq,
Obeliskët e pishave ngulur mbi shkëmbinj
Nuk do të ishin kaq madhështorë,
Dhia e egër do të ishte më e egër,
Kjo tufë zogjsh s’do të këndonte kaq ëmbël,
S’do të ishin kaq të bukur sytë e tu të zi
Pa këto valë të Kroit të Bardhë
Që sjellin shëndet e bardhësi.
Bjeshkë më bjeshkë kaloni,
S’do të gjeni të ngjashëm –
Kroi i viseve të mia
…i fillikatshëm.