More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKosta Nake: Një lirishtë poetike ku mund të rikthehesh sa herë (Poezitë...

    Kosta Nake: Një lirishtë poetike ku mund të rikthehesh sa herë (Poezitë e Koçi Petritit)

    Koçi Petriti ishte një poet i lindur, mjedisi i vendlindjes dhe rrethanat familjare ushqyen në shpirtin e tij një frymëzim të zjarrtë, pastaj studimet e larta për letërsi i krijuan mundësi ta këqyrte kështjellën e artit nga brenda dhe kjo bëri që poezia e tij të vlerësohej nga kritika letare si ansambël harmonik, si strukturim sintaksor dhe ritmik, si pasuri akordesh eufonike e muzikore,  si krijesë e stolisur me tonalitet dhe imazhe, me butësi dhe lirizëm. Poezia e tij filloi si konvejer mesazhesh ideoartistike e filozofike të botës shpirtërore në trajtën e lirikës së dashurisë, peizazhit e meditimeve rinore. Në vargjet e lirikave, baladave dhe poemave të tij ka begati strukturash ritmike që zbulojnë kulturën e autorit dhe aftësinë e tij për të vënë në pah natyrën e pasur të shqipes dhe aftësitë e saj shprehëse. Lirika e tij është ritmike, me një sasi të kufizuar strofash, poezi që nuk ka narracion, pasi synimi i saj është shprehja e ndjenjave të komplikuara të heroit lirik që jo gjithmonë është i njëjti me autorin edhe pse zotëron përdorimi i vetës së parë.

    Poezitë e botuara gjatë periudhës së komunizmit do të demonstronin ndrydhjen e shpirtit krijues, do ta detyronin të luante fanfarën për të kallajisur paradokset dhe kthesat e errëta të cilat e gërvishtnin gjatë punës si mësues, krijimtarisë si poet dhe jetës si familjar. Por poezia e tij mbeti e vërtetë, ishte si ai vetë, mbushur me dashuri për njeriun që ka një liri të mohuar ose të kufizuar, me dashuri për natyrën që nuk duhet të bjerë në romantizëm dhe nuk duhet të largohet nga realiteti socialist, me një pikëllim që kurrsesi nuk duhet të errësojë optimizmin për të ardhmen e ndritur. Ai zgjodhi lirikën si një kostum që i shkonte më shumë fytyrës së tij artistike, zgjodhi t’i këndonte dashurisë, të bukurës, vashës, puthjes… Vargjet shquhen për thjeshtësi dhe bukuri, për freski e butësi. Siç e ka deklaruar dhe vetë, Koçi Petriti e gjeti rrugën e tij duke bërë art dhe kompromis me kohën. Kishte atëherë një haraç që duhej paguar nga krijuesit e mëdhenj për të botuar, sepse gjërat rrodhën si te ajo fabula me çifutin, sa bëjnë dy dhe dy? ku kishte dy përgjigje dhe jo një.

    “Dhe varg mbi varg e gur mbi gur/poemë e monument/ me “si e do, zotrote” u thur/gjer nxiu gjeninjtë e vet.” (f.204)

    Mjedisi i ngjashëm i Shqipërisë juglindore ka bërë që inventari leksikor i Koçi Petritit të na kujtojë sakaq Dritëro Agollin: tërfili me aromë, grushti me shkëndija, guguçja që guit mes pemësh, bari i larë nga shiu, mezhda, karkaleci jeshil, kallinjtë, lakuriqka, hardhucka, plepat si pojakë të natës, hëna e ngrënë si vetull, Arusha që lëkundet në djepin e pellgut, bilbilat dhe shelgjet, qielli i arnuar, qerret që mbartin kofinët, mullaret dhe kashtaret, fasulnishtat, cfurku dhe lesa, shelgu, kali që tund kokën nga vapa, lastarë e hardhisë, çapitja e kosës, mëska dhe pela, qiparisat dhe gurët e varrit, oshaf e pekëmez edhe raki, etj.

    Si mësues i letërsisë, gjatë gjithë karrierës së vet pedagogjike autori ka folur për poetët nga vendi dhe bota dhe i ka ilustruar vlerësimet me vargjet prej tyre, prandaj ngjashmëritë me ta tregojnë një pëlqim dhe përthithje të teknikave të tyre, dukuri që ndeshet gjithandej në letërsinë botërore. Tashmë ne kemi krijuar traditën e lavdërimeve duke u vendosur krijuesve tanë kurora dafinash me mbishkrimet Uitman, Bajron, Bodler, Esenin, Majakovsk, Naim, Migjen, Kadare, Dritëro, etj. Ja ku Petriti  duket pakëz Lazgush: “Mjegulla përhapur fjollë-fjollë/gremisur, grisur, hon më hon humbet.” (Përshkrim mëngjesi, f.19); pakëz Naim shartuar me Esenin: “O netë spërkatur me hënë,/ ç’më sillni ndër mendje kështu?/ Atë që dikur e kam lënë,/ndjej mall ta shtroj prap mbi gju.//Ta mbaj gjersa hëna të zhduket/ nën hundë të plakut kukudh/ gishtrinjtë t’ia lidh mbi baluket/ e çipin e buzës t’ia puth.//Ta shkund sipër supeve lehtë/ nga ves’ e petale qershish,/ në ndarje me zë të mistertë/ t’i them i drithmuar: Të vish!” (O netë spërkatur me hënë, f.21); pakëz Majakovsk: “Ti shkundmë, zgjomë e larg më ço,/ e veç troko, gulço, gjëmo!/ Ti krismë e klithmë e drithmë e marsh,/ me gjoks e ballë e brryl blindazh.” (Gulçimi i lokomotivës, f.112); pak Nol: “Ju shkelni shenjat e qilimit,/ç’enigma zogjsh, ç’ylber, ç’zambak!/ Aty fle shpirti i fluturimit? Përmbi mal, bunker përqark.”(Dallëndyshe, f.114)

    Citimet e mësipërme janë vetëm aroma sepse nga rrënja te kërcelli, nga gjethet te lulet, të gjitha janë bimë të kultivuara në kopshtin Petriti. Ato dallohen nga qasja ndjesifortë ndaj natyrës me personifikime befasuese të saj: “Nga re mendimesh balli shpejt m’u vrejt/ në  gjelbërime shpresash humbur krejt.” (Sytë, f.23) “Me doçka të mpira, mes territ/ troket shpesh kjo kumbull mbi xham” (Kumbulla, f.24) “Qielli në fytyrë u prish sërish,/ nga mërzia vjell shtëllunga tymi,/ mbi tastiera rrugësh e çatish/ retë derdhin notat e një hymni.” (Mërzia, f.27) “Dielli pushin pjeshkavet ua zverdhi/ e me doçka degësh flokët kreh…//Ç’epsh i skuqi faqet e qershive,/ lëng mbi to ç’hyjneshe i pikoi gjiri?” (Fillim vere, f.30) “Si lotët e një vajze që humbi dashurinë,/ këputet gjeth’ i plepit e prehet mbi xhade.” (Gjethi dhe dashuria, f.35) “Vejushë që përcjell e pret të birë,/ ç’kandil që i jep dielli, ia fal tokës.” (Hëna, f.55) Mes shelgjesh dridhet gjol i vogël,/ si sy i bukur mes qepallash.” (Unë, studenti, f.60), “Kosa në jonxhën e gjelbër/ ia thotë një ritmi gazmor.” (Mes drithrave, f.61) “Mbi lëmë e mbi kroje shket hëna/ e verdhë, si tas me kulloshtër.” (f.62)

    Së dyti, ato dallohen nga intimiteti dhe çiltërsia rinore: “Dhe sa herë u ndeshëm sy më sy,/ ç’vetëtimë malli u ndez  e u shua?/ Reja ime shi lëshon mbi ty,/reja jote breshër derdh mbi mua.” (Retë, f.130) “Si shpesë që zbret nëpër erë/ kujtesa çapkëne më ul.” (Në udhën ku shkela kaq herë, f.47)

    Kur punon kujdesshëm me vargun, ritmin, rimën dhe muzikalitetin, atëherë trokon vargu, trokon kali, trokon historia. Po veçoj pak shembuj aliteracioni: shkel shtërgu bisht zhapinjsh e shtrat shtërpinjsh (f.62), bredh brenga e mbrëmjes bryma brigjet zbardh (f.93), e bëhet trok, trumpetë e tren (f.113), kalimthi shkund shapka shavar e shelgjishta/… kli-kliu këlthiti këndesk e kënetës (f.151), balli i burrit Boletin/ brof e bubullimat mban (f.160), etj.

    Kalorësi i baladave

    Po e huazoj, në shenjë nderimi, karakterizimin që ka bërë Moikom Zeqo si një kalorës i baladës: “Koçi Petriti e ka një veçanti të lexueshme si dallim vetjak në lirikën tonë. Që në hershmëri të krijimeve të frymëzuara të veprës së jetës, poetin e tërhoqi magnetikisht struktura e baladës. Janë të rrallë poetët që janë mahnitur nga balada si zhanër, si institucion poetik, si mbijetesë.”

    Petriti iu blatua baladës, për t’u metamorfizuar në të, me një profilizim gati tërësor, krejt ndryshe nga të tjerët, përfaqësohet si baladisti më i suksesshëm në poezinë shqipe. Historikisht balada ka qenë një histori e realizuar me strofa katërvargëshe me rima dhe skema ritmike të ndryshme. Fillon si një befasi pa dashur t’ia dorëzojë pushtetin ngjarjes, as përshkrimit të rrethanave, por që të përcjellë një mesazh të fuqishëm i cili arrin të ngjitet në mendjen e lexuesit, e ngacmon atë duke u përpjekur t’i krijojë një marrëdhënie me historinë dhe realitetin. Shpesh është e nevojshme një figurë e jashtëzakonshme që sfidon veten, kohën dhe rrethanat dhe, kur i jep zë, i drejtohet ligjërimit bisedor. Edhe pse nuk është kusht, balada fiton forcë të veçantë shprehëse kur zgjedh strukturën me vargje alternues të tetërrokëshit jambik me tri këmbë dhe tre theksa ritmikë.

    Poetët e vërtetë nuk i shmangin, as i përbuzin strukturat e poetikës së shekujve. Shkatërrimi i zhanreve është i pamundur. Koçi Petriti e njihte shkëlqyeshëm baladën, bëri një rivlerësim i traditës së baladave popullore në shtratin konceptual të baladave letrare, të individualizuara sintetikisht nga poeti dhe vokacioni i tij vetjak. Ato nuk janë risjellje e imazheve epike, por bartëse të mesazheve të fuqishme zhytur në një solucion mjeshtëror të vargut dhe figurave për të marrë një përndritje të re, ashtu si ndodh me bizhuteritë që lahen me flori.

    Puna si mësues për rreth një çerek shekulli në Librazhd, u ngjan dy anëve të monedhës: nga njëra anë mbyllja e rrugës për t’u ngjitur në kështjellën e letërsisë shqiptare, nga ana tjetër fati për një eksplorim poetik të asaj zone që mund të konsiderohej deri atëherë si e virgjër. Kjo e dyta duket veçanërisht në lëvrimin e baladës dhe te poemat “Ura e Bushtricës”, “Firma e popullit tim”, “Legjenda e nënës.”.

    Te “Balada e urës” është lumi Shkumbin mbi të cilën zgjaten trupat e dy të rinjve: “Zgjatën duart, vunë gurë,/ shtruan dhëmbjet që nuk thuhen,/ gjer mbi lumë u bënë urë/ të kalojnë ata që duhen.” (f148) Balada “Kulla” që në titull identifikohet me ndërtesën tipike të malësorit në Shqipërinë e Mesme.

     “Balada e plugut”, edhe pse duket si ilustrim i parrullës socialiste “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”, kthehet në thellësi të shekujve: “Gjer të zhdukë njeriu të ligun/ krejt me soj e sorrollopin,/ të duhet ty, o plug, çelikun/ ta ndash përgjysmë tok me topin.” (f.179)

    “Balada e kandilit” përcjell një mesazh qytetar: Të ruajmë si gjë të çmuar atë që ka shënuar rrugën tonë. Kandili dhe mulliri i kafesë ishin dy aksesorë të shtëpisë malësore që mbaheshin dhe përdoreshin si sende tipike. Elektrifikimi nuk duhet t’i kthejë kandilët në objekt qitjeje “Mos, bre bir, se s’janë ata mëllenja!” (f.185)

    “Qeni gjeneral” është përpunim artistik i një rrëfenje: gjenerali turk dehet e zhvishet në fshatin Qukës dhe uniforma e tij i vishet një qeni.

    Korpusin kryesor e përbëjnë baladat që e marrin brumin poetik nga magjja e vendlindjes duke sjellë një episod a një batutë nga figurat historike si Themistokli Gërmenji me tri thëniet e mëdha, Sali Butka që e kishte zemrën me kockë për atdheun dhe mbajti malin në kurriz, Kajo Babjeni me atë mjekrën e bardhë “porsi mjegull mbi jatak” (f.158), Isa Boletini me atë aliteracionin me “b” bubullitëse, Shahin Matraku me shollën e ngrënë të opingës që “si thëngjill për udhë e djeg” (f.177), Gjergj Sina që famën si arkitekt e vulos në qytetet e mëdha të Europës dhe në çdo vepër “kish diçka nga veshja e tij” kombëtare. (f.184)

    Baladat me motiv atdhetar dhe përndritje të karakterit shqiptar vazhdojnë me “Balada e nënës mokrare” që për të gjetur të birin e martuar me një vajzë jo shqiptare “shkoi shtatë male kaptuar” (f.162), arrin një kulm të mrekullueshëm me baladën “E bukura” ku vajza i jep fund dilemës së burrave jo duke shkuar në shtrat me kralit, por duke ua hedhur në këmbë kokën e tij.

    “Balada suljote” është një himn për trimin që nderin e vet e mbron në sheshmejdan. Balada “Gardiani” sjell një variant të besës së dhënë, kur tre vëllezër shkojnë në dasmën e motrës dhe rikthehen sërish në hapsanë duke u ngritur më lart se ligjet e një shteti normal.

    Balada “Vallja gorare” është simotër e poezisë së Dritëro Agolli “Vallja labërishte” që vjen me perlat e veta: “Nga mëngoret e mëdha/del një re thëllëzërie” (f.152), “Nën opingat xhufkëkuqe,/tokën dredh dhe ajrin gris.” (f.153) Ndërsa vështrimi i Agollit bie mbi valltarët, tek Petriti ai fokusohet te lëvizjet dhe mesazhet e tyre.

    Ndër baladat që thërresin në skenë edhe kafshët, mund të veçojmë “Balada e kalit” me një fund si në fabula: “Me kalin e botës vërtet shkon kaluar,/ po dihet si kthehesh pastaj.” (f.169) dhe baladën “Lejleku” me një fabul interesante: sundimtari jep urdhër që lejlekut t’i merren vezët në fole, t’ia ziejnë dhe t’ia venë sërish në fole duke ndërprerë jetën, sipas taktikës “vrisni, prisni, pa klithma, pa gjak” (f.192).

    Prova e zjarrit

    Poetët e mëdhenj në një nga çastet kulmore të krijimtarisë së tyre duhet të përballen me provën e zjarrit: lëvrimin e poemës, për të cilën një detaj është i pamjaftueshëm, një çast frymëzimi mund të digjet si flaka e kashtës. Koçi Petriti e kaloi këtë provë dhe jo vetëm një herë. Poema “Ura e Bushtricës” u bë e njohur dhe u mirëprit njëlloj si poemat më të mira të Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit. Ajo u shkrua në gusht të vitit 1973, ndërsa vetëm një vit më parë pata punuar për ngritjen e një prej këmbëve të saj. Madhështia e urës e kapur vizualisht nga çdo udhëtar në segmentin rrugor Librazhd – Përrenjës, vargu dinamik gjashtërrokësh me të cilin u strukturua poema, mjaft i kapshëm për shkak të përdorimit në lirikën popullore, përbëjnë vetëm dy nga treguesit më të qartë të suksesit të saj. Nga ana tjetër, brenda poemës gjëmon historia në pikat e saj më të ndritshme dhe në honet e saj më të thella duke përdorur tone të larta trazuar me hiperbola të fuqishme dhe mesazhe të forta patriotike.

    Së pari, një urë që, për shkak të lartësisë, bëhet fillesë për të parë gjithë të tjerat që kanë historitë e tyre si Qabeja dhe Drashovica.

    Së dyti, një urë, që duke lidhur dy brigje, e pamenduar më parë, na kthen pas në vitet e luftës kur ajo ishte e domosdoshme për të kaluar lumenjtë vërshues e të ftohtë gjatë dimrave të egër.

    Së treti, një urë mund të të kthejë edhe më herët në kohë, kur emigrimi ishte plaga me të cilën gdhihej dhe ngrysej propoganda e diktaturës komuniste.

    Së katërti, një urë të bën të shikosh pranë saj gjurmët e rrugës Egnatia si bartëse e pushtimit romak.

    Së pesti, një urë madhështore të bën që urëzat prej teli t’i shikosh si lodra fëmijësh dhe të ndalesh më gjatë se peizazhi i varfërisë rurale.

    Së gjashti, pas kësaj ure që të bën krenar, është momenti për të parë e deklaruar se shqiptari ka ngritur monumente të tilla arkitekturore edhe më përpara nëpër botë.

    Së fundi, duke u kthyer në bashkëkohësi, poeti e shikon urët si tregues të zhvillimit ekonomik të vendit, posaçërisht të industrisë së përpunimit të mineraleve.

    Sa keq që 60 strofa të ngritura e të zbukuruara me aq dashuri dhe mundim nuk mund të kishin fatin t’u pritej shiriti i përurimit sikur të mos ishin dy-tri strofa deklarative si kjo:  “Ta ndrydhën gjeninë/në pesë kontinente/gjer gjete Partinë/kryearkitekte.” (strofë e hequr në këtë përmbledhje)

    Poema “Firma e popullit tim” u botua në vitin 1974, një vit pas poemës “Ura e Bushtricës”, dhe u paraqit në konkursin e 30-vjetorit të çlirimit, prandaj firma që ishte shfaqur te poema e Ismail Kadaresë “Shqiponjat fluturojnë lart” rivjen për t’i dhënë legjimitet qëndresës historike të popullit shqiptar dhe përpjekjeve të tij për progres duke hedhur më shumë dritë mbi portretin e punëtorit. Rrjedhës së shpejtë të vargut ritmik te poema “Ura e Bushtricës” ia lë vendin vargu oratorik që ka nevojë për thyerje të herëpashershme dhe duhet të jetë i lirë, si te ilustrimi që vijon:

    “Firma jote e dregosur, e sertë, e ngadaltë,/hedhur me qerre udhëve me baltë,/ gishta të plasaritur nën peshë fermanesh e kanunesh të dovletit/ e në folenë e fishekëve – gërmat e alfabetit.” (f.218)

    Poema “Prush i Prometeut” e vitit 1976 strukturalisht është e njëjtë me poemën e dytë, por tema është universale dhe realizimi artistik ngrihet në nivelin e vet më të lartë. Përveç Prometeut që deklarohet që në titull, poema do të sjellë edhe Keopsin, Galileun, Qezarin, Napoleonin, Spartakun, Hitlerin, do të përmendë Romën, Ruhrin e Komunën e Parisit.

    Ja një përqëndrim kompozitash që tingëllojnë si fjalë të reja të krijuara enkas për këtë poemë: “O gjoksgjakosuri, buzënxirosuri, pëllëmbëdjeguri,/o gjymtyrëgërryeri, po shpirtpathyeri, e qëndresëburri” (f.230) Ja një aliteracion i jashtëzakonshëm: “Dhe ziente bota zverk për zverku rrokur,” dhe ziente zemra e stërviganit popull” (f.227) Ja dhe një anaforë e modelit agollian: “Erdhi zjarri në kohëratë reja,/ zjarri i gatuar me djersë e me gjak,/zjarri që ndezi fërkimi e beteja,/zjarri që flinte në gjirin e strallit,/ zjarri që digjej në lulen e ballit,/zjarri që shkrepi rrufetë e dy fjalëve,/zjarri i përleshjes së dy idealeve,zjarri që ngriti në luftë e përpjekje/turmat që ndeshen për jetë a për vdekje.” (f.229).

    Poema “Legjenda e nënës” ka një konceptim të ngjashëm me poemën “Ura e Bushtricës”, sepse vënia në qendër e Marës së Gjorg Golemit i shërben si shtysë për t’u thurur një himn nënave shqiptare duke përmendur e treguar për Ajkunën e Mujit, motrën e Gjergj Elez Alisë, mbretëreshën Teutë, Mamica Kastriotin, Shote Galicën, Maro Mokrën, Margarita Tutulanin.

    Poema “Elegji” që përmbyll përmbledhjen e zgjedhur, është shkruar fillimisht në vitin 1992, pas përmbysjes së madhe të sistemit politik, përmbysje që ka sjellë edhe një ndryshim të madh në stilin e poetit. Gjithë poema është ndërtuar formalisht me distikë, kurse përmbajtja, e rënduar nga pakënaqësia, ka përcaktuar një ton të ashpër narracioni plot antiteza dhe grotesk: “Cerber, bunker e sherr e terr,/ Otranton varr, kufirin ferr.” (f.251) “Këtej gurstrall, andej uror,/ ti ndizu e digju e bjer theror.” (f.252) “O vend fatal, sinor e prag,/si bishë e kapur keq në lak.” (f.253) “Ti han buzë udhës, ku hanxhiu/mërgon e zot rri qiraxhiu” (f.254) “O gjysmi Nol e gjysmi Zog,/ç’kain të la përjet’ ulok?” (f.255) “Lypsar nuk je e dorën shtrin,/të vdesësh do e s’gjen qefin” (f.256) “I bërë gjarpër, zhgabë e ujk,/ç’gji greklatin, shkjaturku nduk?” (f.257) “Ti djep e varr mbi shpinë i mbart,/të shqyejnë anve e rritesh lart.” (f.258) “Fal pronë e plëng, jap shpirtin tim/e  marr veç krim-ndëshkim shpërblim.” (f.259)

    Poema i është nënshtruar rishikimit vetëm pas një dekade dhe bie menjëherë në sy zhgënjimi i poetit qytetar, sepse padrejtësitë e së kaluarës vazhdojnë me të njëjtin temp, qasja ndaj problematikave ekonomike dhe perspektivave të zhvillimit po njëlloj, mendësia për jetën dhe shoqërinë njerëzore duket e ngrirë, vetëm braktisja e atdheut, etja për pushtet dhe babazia prej cub kanë shënuar rritje.

    Durrës, 1–10 qershor 2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË