More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKosta Nake: Në pritje të trenit

    Kosta Nake: Në pritje të trenit

    Romani “Bolero” i Ardian Vehbiut, Botoi Dudaj, 2015

    Bolero është një vallëzim spanjoll me kthesa të forta, përplasje këmbësh dhe pozime befasuese. Romani i Ardian Vehbiut duke huazuar këtë term, ka mbledhur brenda vetes shumë këngë dhe këngëtarë, muzikë klasike moderne dhe kompozitorë, ka shumë skena dhe veprime të përsëritura, ka një rikthim të shpeshtë te pika fillestare e rrëfimit si shprehje e një këmbëngulje që në bolero realizohet me përplasjen e këmbëve. Që në 50 faqet e para pritja m’u krijua si perceptim që më çoi te drama e Samuel Beketit “Në pritje të Godot”, pa asnjë aludim se ajo mund të ketë shërbyer si shtysë për veprën e Vehbiut. Vendosja e disa paraleleve mes dy veprave vjen ngaqë Godot është përdorur gjerësisht në diskursin politik të mjedisit shqiptar në 20 vitet e para të tranzicionit dhe lexuesi ka një ide për dramën, edhe pse sot nuk besoj se ka shqiptar që vazhdon të presë ardhjen e Godot.  “Bolero” është ngritur mbi motivin e pritjes, por ndryshe nga drama e Beketit, ku pritet dikush, te ky roman pritet diçka: një tren.

    Joyce Meyer shkruan: “Durimi nuk është thjesht aftësia për të pritur, ajo është si sillemi në kohën që jemi duke pritur.” Në rrafshin filozofik pritja kthehet në një forcë të heshtur që formëson marrëdhëniet tona shoqërore, është një hapësirë meditimi që mund të na mundësojë të zbulojmë pozicionin tonë në jetë dhe në këtë vështrim nuk është kohë e humbur, por diçka e dobishme.

    Te drama e Beketit endacakët Vladimir dhe Estragon, duke pritur shpëtimin, zbulojnë absurditetin e ekzistencës, mungesën e qëllimit në jetë, kurse te romani i Vehbiut kemi disa sprova me udhëtarë të ndryshëm të cilët, në pritje të trenit, ndjehen të bëhen pre e kontrollit tekonologjik duke filluar me tabelat që i njohin udhëtarët me rregullat dhe sanksionet, me altoparlantët që riprodhojnë formulime të regjistruara që më parë, me kamerat vëzhguese, me personelin shërbyes që gjithsesi e kapin njeriun në rrjetën e ekzistencës. Po duke qenë se ka një mori variacionesh se ç’mund të ketë ndodhur, ka edhe një të tillë ku udhëtari është i pasigurt nëse do të dalë mbi tokë duke braktisur qytetin e nëndheshëm që është i plotësuar në gjithçka, përveç diellit.

    Te drama e Beketit më në fund vjen një djalë që u thotë Gogos dhe Didit se Godot nuk do të vijë atë mbrëmje, kurse te romani i Vehbiut mund të qëllojë që të kalojë edhe një udhëtar ose udhëtare tjetër që jo detyrimisht mund të ndajë pritjen me të parin. I pari shfaqet me disa identitete: Otto (f.32), Alan (f.121), Frank (150), Dietrich dhe Bruno (f.156) deri te shkrimtari Moz Vodak (f.171) i cili, për shkak të asaj që merret si paralajmërim, kthehet në instrument të verbër të së keqes dhe detektivët e marrin në pyetje si të dyshuar; pastaj përfundon si Theo në një bolero ëndrre. (f.209) E dyta identifikohet si Marta (f.27), Margarita (f.85), Stefani (f.121), Livia (f.130), Arjana (f.180) dhe përfundimisht Aloe. (f.214) Duke e rikthyer vazhdimisht narrativën në Nju Jork, te stacioni i metrosë te kryqëzimi i avenysë 7 me rrugën 40, duke bërë sprova të reja, vepra nuk ka nevojë për një linjë subjekti me një seri ngjarjesh, as një karakter që tërheq si magnet të tjerët, pasi kjo mund t’i ndodhë kujtdo, madje edhe vetë narratori provon të shkojë atje. E vetmja gjë përbashkuese e kompozicionit të veprës është vendi i pandryshueshëm – stacioni i metrosë, vendi ku mbështetet – një kolonë çeliku e rrjepur; veshja e personazheve me të njëjtën pardesy të gjatë, borsalina që mban nën sqetull, plus gazeta që mban në dorë. Njeriu mbetet i izoluar, ngjarja ndoshta ndodh diku larg në Bruklin dhe mbetet fund e krye e paqartë; treni që duhet të vijë, ka ngrirë diku gjithashtu.

    Beketi ka thënë për dramën e vet se filloi ta shkruajë si një shplodhje dhe largim nga proza e mërzitshme që kishte shkruar deri atëherë; mendoj se Vehbiu ka provuar të krijojë një roman eksperimental për të shpalsour mundësitë e mëdha që ka gjuha shqipe në mjete dhe teknika të ndryshme. Nëse te drama e Beketit pritja kthehet në një segment torturues të kohës, te romani i Vehbiut duket sikur udhëtari mezi ka pritur që të ndodhë kjo, madje e ka parathënë duke qëndruar te parimi i relativitetit: është e mundur që transporti hekurudhor të ndërpritet për shkak të një defekti në funksionimin e mjeteve ose për shkaqe aksidentale, por mund të jetë edhe një remont për shkak të rënies së numrit të udhëtarëve.

    Nëse te drama e Beketit ka një pemë që bëhet simbol i jetës, te romani i Vehbiut këtë e ka zgjidhur që më parë sistemi elektronik i kontrollit që tashmë është personalizuar te Big Brother dhe është bërë i pranishëm dhe trumbetohet në mediat televizive. Nëse te Beketi në sfond kemi hënën, tek Vehbiu në sfond kemi muzikën.

    Tek të dy autorët është i përbashkët absurditetin që karakterizon ekzistencën njerëzore dhe që mund të gëlltitet vetëm me një vështrim ironik, madje kthehet në satirë e grotesk: ta shohim pritjen si simbol të vullnetit të lirë “Lëreni të presë… Mos e prekni njeriun që pret.” (f.140)

    Një element i ri në roman është blerja e gazetës nga udhëtari. Kur u shkrua vepra, celulari nuk kishte marrë përdorimin absolut që ka sot, prandaj shërben si shteg për të hedhur një vështrim në atë që po ndodh me median e shkruar.

    “Bolero” është i pari roman lexuar në tranzicion që shoqërohet me figura dhe skica që përmbyllin disa kapituj duke sjellë botën memece të teknologjisë dhe skutat e Nju Jorkut të nëndheshëm.

    Rando Devole, mik i autorit, në shkrimin e vet të 1 tetorit 2015, shkruan se në roman ka shumë Shqipëri. Unë jo vetëm që nuk e vura re një gjë të tillë, por as nuk e ndjeva mungesën. Kur je në Nju Jork, e vetmja gjë që mund të të sjellë në mend atdheun është se sa të vështirë e ka një shqiptar, dhe jo  vetëm, të përshtatet me labirinthet pa krye të teknologjisë kur të duhet të përdorësh metronë si vizitor. Madje mendoj se romani nuk është shkruar për shqiptarët që ende nuk i kanë kapërcyer fizikisht kufijtë tokësorë e detarë të Shqipërisë. Kam udhëtuar në metrotë e Athinës, Parisit, të Moskës dhe kam parë mrekullitë arkitekturore, historike dhe artistike, prandaj e imagjinoj dhe stacionin në fjalë në Nju Jork, por ai që nuk e ka parë metronë, vështirë se mund ta përballojë leximin e romanit, veçanërisht kapitujt “Interaktivitet” (f.34) dhe “Inteligjenca artificiale” (f.63). Përveç këtyre, vë re se nuk ka ndonjë qasje të veçantë për të përdorur neologjizma nga brumi i shqipes, e kundërta ndodh, fjalori është jo vetëm i kushtëzuar nga moderniteti i një jete me standarte të larta, por ka dhe ndërkallje të fjalëve dhe shprehjeve nga gjuhë të tjera f.26, 32, 45, 55, 70, 77, 94, 121, 133, 154, 185-86, dhe vetëm në kapitullin “Komunion” (f.82) mezi gjen dy fjalë që të gudilisin lexuesin e rëndomtë: kallaballëku dhe mileti.

     “Bolero” është një vepër e përkryer gjuhësisht, autori shfaqet si mjeshtër që di të luajë me të gjitha stilet e shkrimit dhe ligjërimit duke iu përmbajtur premtimit fillestar se romani i tij do të jetë “aventurë narrative.” (f.8) Në kapitullin “Queneau,” duke iu referuar romancierit francez Raymond Queneau, shkrimtari Vehbiu vetë tregon dhe ritregon të njëjtën gjë, përdor mënyra dhe teknika filmike duke sjellë kamerat, duke ndryshuar njerëzit dhe këndet e vështrimit, duke ndryshuar ritmin dhe muzikën, duke përdorur regjistra të ndryshëm ligjërimi. Te kapitulli “Hyrje” (f.9) prezantimi i udhëtarit bëhet nga pozitat e një vëzhguesi rastësor por të vëmendshëm. Te kapitulli “Burimet tona na informojnë se…” (f.12) duket sikur do të fillojë një rrëfim i zhanrit policor. Te kapitulli “Udhëzime” fillon teknologjia që imponohet me folje në mënyrën urdhërore: blij, futu, mos mbaj shënime, zbrit, bëj sikur… etj. Te kapitulli “Neuroza urbane” (f.50) trajtimi i shqetësimeve bëhet me saktësi shkencore duke përmendur të gjitha fobitë dhe barnat përkatëse dhe efekti zbutës përftohet me futjen e dr. Kiddallës. Në kapitullin “Edhe ne dimë të flasim” (f.104) personifikohet gjithçka: gazeta, shkallët, platforma, altoparlantët, kamera, kolona prej çeliku. Kapitulli “Pjesë nga “Prolegomena për një sociologji të metrosë së Nju Jorkut” (f.105) ndryshimi i stilit të shkrimit shoqërohet edhe me ndryshimin e llojit dhe madhësisë së shkronjave. Te kapitulli “Njeriu me gazetë” (f.167) kalohet në ligjërimin biblik dhe brenda tij ka sërish një bolero me refrenin: të gjithë ulokët, të pastrehët, të verbrit, endacakët, zhelanët,, barkthatët, të braktisurit, të rrëgjuarit, të çalët, të vobegëtit. (f.169) Te kapitulli “Vitriol” (f.180) këndvështrimi ndryshon tërësisht në rrafshin filozofik duke e parë metronë si një botë të nëndheshme, një labirith pa dalje në tokë (uptown). Në kapitullin “Afreske” (f.202)  libri kthehet në një lloj ditari. Në f.59, f. 78, f.102, f.112 fillojnë e vazhdojnë me stil zyrtar udhëzimet e kompanisë së transportit. Informacioni është aq i shumtë, si vetë madhështia e Nju Jorkut, sa autori ka krijuar lumenj enumeracionesh që të rrëmbejnë në rrymat e tyre të magjishme. Një lexim i romanit është i pamjaftueshëm për të rrokur universin e nëndheshëm të veprës.

    Durrës, 24-28 maj 2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË