Romancieri Bashkim Hoxha jo vetëm ka perfeksionuar teknikat e strukturimit të veprës, por të befason me shtigjet e zgjedhura të subjektit për ta çuar lexuesin te bërthama që përmban dhe përcjell mesazhe. Fillon si një histori e rëndomtë provinciale ku telat e shpirtit i drithëron vetëm seksi, dhuna dhe hajnia. “Këtu vetëm aktet trimërore që lidhen me vdekjen, sido që të jetë ajo, i japin rëndesë emrit dhe jetës. Pjesa tjetër e jetës quhet e shpëlarë e pa ngjyrë. Sapo në mes hyn vdekja, ndizen dritat e spektaklit me vlerë. Vdekja u jep tjetër nur të gjitha veprimeve.” (f.42)
Befas stërkalat e ngjarjeve që bëjnë historinë kombëtare, arrijnë deri atje. Flamuri kuq e zi, pasi është ngritur në Vlorë për të shpalosur pavarësinë, si në një stafetë sportive fillon e kërkon lartësi të tjera anë e kënd trojeve shqiptare. Po një akt i rastësishëm dhe krejt i zakonshëm i së shkuarës, në një çast kohor të së ardhmes, pasi injektohet politikë dhe interesa, fillon e vishet me një rrobë të mëndafshtë; grushti i njerëzve që u ndodhën në një banesë ku nuk dihej se ç’përfaqësonte ai flamur, fillon e mbushet pas vakti me njerëz që e kthejnë në miting, madje dikush që nuk ka qenë fare, mëton të kthehet në organizator të eventit për të marrë grada e dekorata.
Bërthama e romanit fillon pikërisht këtu, pas qytetit pa identitet dhe pas një individi që përjer nga karakteristikat fizike, mendja na shkon menjëherë te qytete të njohura dhe figura historike që kanë shënuar ose devijuar rrugën e mundimshme të Shqipërisë. Në tragat e shumta të jetës shpesh ka ose kërkohet pak fat. Autori ndalet për një trajtesë filozofike rreth tij, kur fut në faqet e veprës edhe antagonizmin Ferdinand – Lis, të dy djem të Azis beut të ardhur nga martesa të ndryshme. Bëmë me fat dhe hidhmë në ferrë, thotë një fjalë e urtë e popullit dhe ilustrimi i saj realizohet me Azis beun 24-vjeçar të cilit një vajzë 16-vjeçare, e mbetur pa nënë, shkon dhe ia dorëzon virgjërinë pa ia kërkuar. Ai ngrihet nga vulgariteti i mjedisit dhe synon të hartojë dekalogun e shqiptarit. “Edhe pse kishte qëndruar larg historisë, ajo e kishte ndjekur pas dhe e kishte përfshirë edhe atë në një ngjarje historike, duke i ardhur drejt e në shtëpi.” (f.70)
Kjo pikë takimi me historinë hap udhë për pika të tjera kontakti me austriaken Gertrudë, me figura historike të njohura si Faik Konica, at Gjergj Fishta dhe mbreti Ahmet Zogu, të kuptojë interesat e fuqive europiane ndaj Shqipërisë, si përplasje e cepave “të gjithë pllakave të mundshme të qytetërimeve që sjellin tërmete.” (f.87) Ndryshe nga politikanët që prodhoi tranzicioni Azis beu “nuk erdhi në politikë për të bërë para, paratë i kishte, erdhi në politikë se e kërkoi jeta.” (f.112)
Një prej karaktereve të tjerë të romanit, Misto N., në pragun e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, merr një ftesë nga Mbreti që i kërkon të punojë si historian për ta ndriçuar ngjarjen e madhe. Po atë që nuk e thotë Mbreti, e thotë oborri mbretëror: historia duhet shkruar që projektorët të ndriçojnë figurën e Mbretit dhe pikërisht kjo është kuintesenca e veprës. Misto N. dhe Ferdinandi, djali i Azis beut, zbresin në terren të qëmtojnë të vërtetat e ngjarjes dhe bien në rrymën e përpjekjeve për manipulimin e saj. “Është e mundimshme ta shkruash realisht historinë… Po mundimi bëhet më i madh kur duhet ta bësh këtë me porosi.” (f.96-97)
Autori beson se më shumë se të shkuarës, historia e i përket së sotmes, ajo shkruhet për t’i shërbyer qeverisë në pushtet dhe qeveritarëve të saj që detyrimisht duhet të dalin se kanë qenë pararendës, largpamës, heronj. Ky manipulim është i mundshëm, sepse çdo vit largimi nga ngjarja shton mjegullën që endet mbi të, vështrimi mbi pjesëmarrësit vështirësohet dhe kushdo mund të pretendojë se ka qenë faktor. Kështu ndodh me Harunin që është bërë prefekt dhe rrjedhimisht i takon të jetë në qendër të ngjarjeve të ndritura të së shkuarës. Grotesku mbërrin deri te kryerja e një akti trimërie, vrasja e Masarit, të cilin të gjithë e njihnin si memec, por na dalka se paska qenë agjent i rusëve. Mistoja thotë: “Shqiptarët i ngjiten historisë pasi ajo ka ndodhur. Kur ajo ka mbaruar, përpiqen ta vendosin veten si pjesë të saj…” (f.147) Dhe më tej: “Historia është e mbushur vetëm me korrigjime.” (f.159) Vepra ka vlera të veçanta sepse kapërcen me shpejtësi periudha të ndryshme historike për të ilustruar atë gjë që përsëritet duke e shtrembëruar ose duke e fshirë tërësisht të shkuarën, aq sa mund të themi se nuk kemi një fill të pashkëputur të historisë sonë – nuk kanë dashur fitimtarët e përkohshëm. Mjafton të kujtojmë atë që bëri Enver Hoxha me paraardhësin e vet Ahmet Zogun: jo vetëm çdo gjë që bëri Mbreti, u nxi, jo vetëm që gjithë sukseset e socializmit shkëlqenin duke i krahasuar me vitin 1938, por edhe ndaloi paraqitjen e portretit të tij në tekstet e historisë. Me të njëjtin zell punoi edhe Sali Berisha për ta errësuar socializmin e Enver Hoxhës dhe për vite të tëra mohimi arriti deri te mospërmendja e emrit të diktatorit. Me të njëjtin zell Edi Rama kërkon ta largojë Sali Berishën nga skena politike. Të gjithë kanë vepruar sipas formulimit që bën në fund regjisori sovjetik Andrei Sokolov: “Fitimtari i merr të gjitha.” (f.218)
Për ironi të fatit, Ferdinandi shkon të mbledhë historinë ku i ati duhej të ishte heroi i pavarësisë në atë cep të vendit dhe zbulon se më mirë se heroin, i ati kishte bërë hamshorin.
Rrota e historisë bën që disa t’i ngrerë lart e pastaj t’i hedhë poshtë. Hëna, karakteri kryesor i veprës, ndjek një kah të kundërt lëvizjeje, nga poshtë lart dhe brenda fatit të vet gjen edhe thërrime lumturie që mund t’i sjellë vetëm dashuria dhe sërish kemi një meditim poetik rreth saj. Në kasollen e saj te Shpella e Kuçedrës gjatë viteve të luftës kishte bujtur Enver Hoxha me Shtabin e Përgjithshëm dhe pas çlirimit ai e ngriti figurën e saj si nënë të dy dëshmorëve, madje u zgjodh edhe kryetare e këshillit.
Mjaft interesant është vëzhgimi për ëndërrimtarët dhe rrëmbimtarët pasi largohet armiku i jashtëm. “Ne ëndërrimtarët nuk jemi si ata. Ata janë të shkathët, përfitojnë nga rasti dhe zënë vendet. Kur shkon ti, vendet janë zënë nga ata, që bëjnë para si më parë dhe realizojnë ëndrrën tonë, sepse vetë ata nuk kanë asnjë ëndërr.” (f.164) Një kategori më vete shoqërore dhe estetike përbëjnë sarhoshët që frekuentojnë mejhanen e Luc Demës e cila ndërron emrin sa herë ndryshojnë rrethanat politike.
Linja që i qëndron të vërtetës është ajo raportit Azis – Hëna, një çift të rinjsh i bashkuar rastësisht që ndjekin rrugë të ndryshme në jetë: njëri me partizanët, tjetri me nacionalistët. Azis beu vdiq në kampin e kënetës së Maliqit, djali i tij Ferdinandi u largua nga Shqipëria me ushtrinë gjermane.
Poeti persian Shams Tabrizi ka thënë: “E kaluara është një mjegull në mendjet tona. Po e ardhmja? Krejt ëndërr. Ne nuk mund ta marrim me mend të ardhmen, as nuk mund ta ndryshojmë të shkuarën.” Por atëherë poeti nuk kishte njohur se si manovron politika e ditës me të shkuarën dhe ndoshta ishte i ndrydhur nga errësira e saj, ndoshta nuk e kishte zbuluar atë zonën gri ku ndahet realja me irealen, e vërteta me manipulimin. Nënvizimi i fundit i autorit që punon deri në fund me metaforën e mjegullës është zhgënjimi i regjisorit rus që vjen në Shqipëri me shpresën se do gjejë diçka jashtë klisheve të realizmit socialist, por zbulon se e njëjta mjegull që mbulonte të vërtetat dhe i deformonte në mënyrë banale kishte mbërritur nga Bashkimi Sovjetik deri në Shqipëri, sepse “marrëzia shtrihet si mjegulla dhe mbulon gjithçka, bëhet globale.” (f.222)
Bilisht, 16 – 18 nëntor 2023