More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKosovar Berisha: "Inati" i Philip Roth

    Kosovar Berisha: “Inati” i Philip Roth

    Vitet e pesëdhjeta dhe të gjashtëdhjeta të shekullit XX në historinë amerikane portretizohen si dekada protestash, trazirash dhe zhgënjimi. Fundi i Luftës së Dytë Botërore supozohej se do të sillte zhvillim të gjithmbarshëm si dhe paqe në botë, por në të vërtetë veçse e përgatiti njeriun për një zhgënjim tjetër të madh dhe provokoi luftëra të reja e ndarje të botës në taborë. Lufta e Ftohtë, lufta koreane, lufta në Vietnam, lufta për të drejtat e njeriut, lufta kundër racizmit e diskriminimit gjinor përbëjnë vlugun e kësaj periudhe. Ky kaos luftërash e protestash, represionesh dhe kundërvëniesh rravguan subjektin e tronditur, paranojak, i cili në njërin krah është konformist dhe i përgjegjshëm, ndërsa në tjetrin eruptiv dhe (vetë)shkatërrimtar. I tillë është edhe Markus Mesner, protagonisti dhe narratori i romanit “Inati” (2008) të shkrimtari amerikan, Philip Roth, një nga përfaqësuesit më eminentë të postmodernizmit, autor i romaneve të njohura si “Ankimi i Portnoit” (1969), “Del hija” (2007), “Gjiri” (1972), “Nemesis” (2010), “Pastoralja amerikane” (1997), “Martesë me një komunist” (1998), “Njolla njerëzore” (2000), “Përulja” (2009) etj.

    Ironia

    Ngjarjet e romanit “Inati” vendosen në kapërcyellin mes viteve 50’ dhe 60’, vite kur u formuan shumica e mendimtarëve dhe artistëve postmodernë,…sepse këto vite janë koduar në mënyrë kundërthënëse: vetëmiratimet në të kundërtën e angazhimit; solipzimi borgjez në të kundërtën e demonstratave, mbajtja e mësimit – greva, flower power (Hutcheon 1988, 281).  Duke qenë edhe vetë një personazh i kësaj periudhe, Philip Roth-i, i rikthehet vazhdimisht asaj në romanet e tij, ashtu si rikthehet në vendlindjen e tij në Njuark si dhe në ambientin e tij etnik hebraik, në pikën e nisjes së aktit të tij të shkrimit, siç kthehet një doras në vendin e tij të krimit.  

         Po ç’do të thotë kthimi në një tip të tillë letërsie? Ikje për të harruar të tashmen dhe për të himnizuar të kaluarën, siç bënin romantikët? Ikje në të kaluarën për ta kritikuar të tashmen për t’i ikur censurës shtetërore, siç bëjnë shkrimtarët në vendet socialiste? Jo. Rikthimi në të kaluarën, në pajtim me poetikën postmoderne, formacion/periudhë së cilës i takon edhe vetë Rothi, vjen si argëtim, parodizim a ironizim i së kaluarës dhe historikes me ç’rast ky ironizim realizohet në dy modalitete: ironi ideo-tematike dhe ironi formale, dhe në tri nivele: në nivel të autorit, të narratorit dhe të protagonistit. Ironia thumbon shoqërinë amerikane të asaj periudhe, ajo bie mbi trysninë që kjo shoqëri ushtron mbi individin i cili ende nuk e ka rimarrë veten nga Lufta e Dytë Botërore,  mbi luftërat “e pakuptimta” amerikane, mbi ideologjinë ekzistuese politike e religjioze, pastaj edhe mbi ndërrimet e shpejta ideologjike; pra, një ironi e shtritë në rrafshin ideo-tematik me synim të shfaqjes së mospajtimit, por dhe distancimit nga fajet e shoqërisë. Ironia tjetër ndërtohet në aspektin formal përmes intertekstualitetit (raportet historike mbi të dhënat e luftës mes dy Koreve, poezisë së E.E. Kamings “i këndoj Olafit të hareshëm dhe të madhërishëm”, librit “Historia e Republikës amerikane”, esesë së famshme të Bertrand Rasellit “Përse nuk jam i krishterë”, himnit kombëtar kinez, librit “Winesburg, Ohio” të Sherwood Andersonit, “Natës së dymbëdhjetë” të Shekspirit etj.), i cili në të shumtën hyn në funksion të protagonistit, në tipizimin e tij, por dhe në funksion të autorit për të ironizuar dhe për të thelluar rrëfimin e romanit. Ndërkaq tri nivelet ironia janë: në nivelin e parë, përmes rrëfimit të Markusit të sinqertë ironizohet familja, shoqëria dhe institucionet amerikane; në nivelin e dytë, përmes rrëfimit të narratorit ironizohet karakteri i Markusit, i cili me zgjedhjet e tij të rëndomta, rastësore, madje komike kishte pësuar; ndërsa në nivelin e tretë, përmes “shënimit historik” të autorit ironizohet narratori duke dëshmuar triumfin e revoltës dhe të të revoltuarve, për të sugjeruar se Markusi ishte një pionier i kësaj revolte. Ai ishte i pari që vuri në dyshim autoritetin atësor, shoqëror dhe institucional. Dhe, vënia në dyshim e autoriteti që ishte rezultat i parimeve morale të viteve ‘60 është edhe qëndrim boshtor postmodern.

    Narrator-i/-ët

    Si realizohet rrëfimi në romanin “Inati”? Në roman na shfaqen tre tipa narratorësh: narratori-autor, narratori dhe narratori-personazh. Pjesa më e mirë e romanit përbëhet nga rrëfimi rivizitues i Markus Mesnerit mbi vargun e ngjarjeve që e sollën në gjendjen që ai mendon se është: një i vdekur që përçon rrëfimin e vet nga përtej-varri, vend në të cilin i duket sikur ka miliona vjet që ndodhet. Pandehma e tij se është i vdekur krijon mundësinë për ironizim nga narratori i ri, i cili shfaqet pas mbarimit të rrëfimit të Markusit e që jepet në kapitullin me titull “Nën morfinë”. Loja me të kaluarën tani nuk qëndron në duart e Markusit-narrator, por në atë të narratorit të ri, i cili shfaqet për të sqaruar se Markusi nuk kishte vdekur, por ishte i plagosur duke dhënë shpirt, dhe se e gjithë “kujtesa” e tij ishte rrëfyer nën ndikimin e morfinës. Me të mbaruar jeta e Mesnerit mbaron edhe zëri i tij rrëfyes. Mbarimi i tij do të thotë mbarim i historisë së jetës së tij, por jo edhe i historisë së jetës rrethit tij, jetë e cila rrëfehet nga zëri i ri narrativ heterodiegetik në kapitullin “Dalja nga terri”. Kapitulli i fundit “Shënim historik” risjell autorin-narrator, i cili më parë është shfaqur në fillim të librit në kapitullin me titull “Falënderime”, për të nxjerrë në pah burimet e shfrytëzuara në roman. Kësisoj, autori vë në lojë teknikat shkencore akademike dhe obsesionin e tyre të citatësisë, por edhe njëkohësisht aplikon teknikën artistike postmoderne të poioumenon-it. Rrëfimi i autorit bashkë me atë të narratorit shërbejnë si korniza të rrëfimit të Markusit dhe prania e dy të parëve është më shumë e karakterit formal. Pra, kemi të bëjmë me një lojë të bartjes së kompetencës narrative nga autori te narratori-personazh, nga narratori personazh te narratori dhe nga narratori te autori. Rrëfimi qendror është ai i Markusit si narrator.

    Markusi si narrator homodiegetik kujton të shkuarën e tij nga distanca njëvjeçare përmes rrëfimit që karakterizohet nga fragmentarizmi, diskontinuiteti, nga digresionet e shumta, nga detajet që japin përshtypjen e një mbamendjeje fotografike të ngjarjeve, në anën tjetër nga hendeqet e shumta në vargun e ndodhive që e përmbysin atë përshtypje. Nga ai rrëfehet historia e viteve vendimtare që e çuan drejt vdekjes, nga ikja prej shtëpisë meqë nuk duronte kontrollimin dhe trysninë e të atit, regjistrimi në Universitetin e Uajnsburgut, konflikti me shokët e kampusit, dashuria e pafat me Olivian, zënka me dekanin e djemve për shkak të shërbesave fetare deri në “fundin e tij”. Rrëfimi i tij nuk është i njëtrajtshëm dhe nuk ka një përfundim të dhënë nga ai vetë, në pajtim me strukturën narrative postmoderne e cila groposet me anë të epilogëve postmodernë. Epilogu i takon narratorit heterodiegetik i cili i shton disa pika themelore të ngjarjeve që rrëfimit “të detajuar” të protagonistit i mungojnë. Ndërkaq, këtë rrëfim e mbështjell rrëfimi kornizë i autorit, i cili del me një qëndrim ideologjik. Ai sjell rezultatin historik të revoltës së dëshiruar nga protagonisti, të cilën, ironikisht, ai vetë nuk e ka arritur.

    “A” në mësim, por jo në jetë

    Romani “Inati” mund të quhej romani i personazhit, meqë rreth tij ndërtohet e gjithë ngjarja të cilën ai vetë e rrëfen. Markus Mesner, nxënës i kujdesshëm, i përgjegjshëm, i zellshëm, i palodhur i A-së, në horizont të të cilit duket suksesi dhe lumturia, rrëfen se si nën trysninë e shoqërisë dhe për shkak të zgjedhjeve të tij të gabueshme do të shkojë verbërisht drejt asaj që ai i frikësohej më së shumti: luftës dhe vdekjes së parakohshme. E gjithë kjo tatëpjetë jetësore e Markusit kalon nëpër faza, të reduktuara në katër fjalë kyçe: shtrëngim-inat-revoltë-pësim. Nën shtrëngimi e të tjerëve, Markusi nuk revoltohet, por shpreh zemërimin e tij pasiv duke ikur apo duke bërë zgjedhje të gabueshme, nga të cilat pëson. Shtrëngimi fillon në familje: i ati i Markusit ka frikë se mos e humb të birin, i cili është afër të qenit i rritur, andaj e kufizon atë dhe e përcjell ngado. Markusi që nuk duron këtë shtrëngim, andaj gjen mënyrë për t’iu shmangur të atit: ndërron kolegjin dhe qytetin. Atje e pret një grumbull tjetër trysnish. Kolegji konservator detyron studentët që të dëgjojnë dyzet shërbesa deri në diplomim, gjë të cilën Markusi si një ateist i palëkundur dhe një adhurues të Bertrand Rasellit nuk mund ta tolerojë, andaj me indinjatë (inat) tërhiqet nga ndjekja e shërbesave. Shtrëngimi i tretë dhe më i padurueshmi është shtrëngimi seksual që bëhet nga kolegji. Ky shtrëngim ose kjo trysni që ushtrohet në studentët manifestohet (shpërthen) në forma të pahijshme, si: akti i “fellatio-s” që i bëhet Markusit në takimin e parë nga vajza Olivia Haton, apo akti i masturbimit të Flaserit (shokut të dhomës së Markusit,  ekscentrikut homoseksual) mbi gjërat personale të Markusit, ngaqë pritshmëritë e realizimit të një dashurie mes tyre ishin të pamundura kur mendohej se obsesioni i tij homoseksual do të takonte refuzimin e madje edhe pështirosjen e Markusit; apo dhe akti që edhe më shumë e dëshmon reaksionin e studentëve së autoritetit të shkollës. Dhe, në fundi: akti i revoltës së Markusit ndaj dekanit që e çon atë drejt përjashtimit nga kolegji, drejt rekrutimit në ushtri dhe drejt pësimi të tij përfundimtar. Se sa është e motivueshme që një nxënës i notave A të shkojë drejt një fundi të tillë, përgjigjja na del: faji tragjik – hamartia. Ky mjet i tragjedisë antike këtu tash vihet në lojë nga një shkrimtar postmodern, ngaqë këtu nuk kemi më heroin tragjik, përfaqësuesin e denjë të popullit, bartësin e historisë dhe të rrëfimeve të mëdha, por kemi studentin e zakonshëm të një lagjeje periferike të Ohajos, i cili bëhet mjet që shërben për të ironizuar me heroin tragjik dhe për të vënë në dyshim metarrëfimet.

    Trajtat e shqendërzimit dhe kodimi i dyfishtë

    Krahas largimit nga rrëfimet e mëdha,  largimi nga qendra ose shqendërzimi është një tipar tjetër postmodern i romanit “Inati”. Kjo vërehet qoftë në zgjedhjen e ambientit ku vendoset ngjarja si mënyrë për t’i ikur qendrave të mëdha amerikane, familjes tipike amerikane duke preferuar periferinë dhe minoritetin, apo qoftë në poetikën e romanit që ka si synim të rrënojë hierarkitë arti i lartë/art i ulët, pra shmangia nga qendërzimi dhe hierarkimi i artit. Ngjarja e romanit vendoset fillimisht në Njuark, Nju Xhersi e më pas në qytezën Uajnsburg, Ohajo. Markus Mesner vjen nga një ambient i ngushtë i një familje kasapësh hebrenj, një minoritet që kishte filluar të përshtatej në Amerikë, por që ende ruante kulturën etnike. Kjo theksohet sidomos nga profesioni që ushtrojnë. Ata janë kasapë kosherë, kasapë që presin mishin sipas ritualeve hebraike. Pjesa më e madhe e romanit del si zë i një hebreu, një minoritari në një vend që gjakon për shkrirjen e dallimeve në një komb të vetëm: amerikan.

         Duke u nisur nga parimi i shqendërzimit të artit dhe nga ajo që njihet si double-coding (broadcast/narrowcast coding) që manipulon me dy tipa lexuesish: lexuesin semantik dhe atë semiotik , romani “Inati”, duke qenë një roman postmodern, e synon dhe e arrin rrafshimin e dallimit art i lartë dhe art i ulët. Ky roman mund të lexohet në njërën anë si historia e dhembshme e një adoleshenti i cili ka dëshirë të bëhet i suksesshëm, t’i bëjë prindërit krenarë dhe të gjejë dashurinë e jetës, por që nuk arrin. Në qendër të interesimit të lexuesit semantik është pikërisht rrugëtimi jetësor i Markusit, peripecitë e tij jetësore e mbi të gjitha, mbase, lidhja e tij e pazakontë dashurore me Olivian. Kurse lexuesin semiotik e tërheq ajo që njihet si zhvendosje zhanrore ose provokimi i kufijve të zhanrit, duke bashkuar tipin e shkrimit fiksional me atë historik; struktura e ndërliqshme narrative me narratorë të ndryshëm me analepsa e prolepsa dhe rrjeti i gjerë intertekstual nga letërsia, historia e kultura.   Pra, në njërën anë romani luan me tema të njohura për lexuesin, kurse në anën tjetër luan me teknikën e veçantë të shkrimit. Tema e njohur e kënaq lexuesin semantik, por nuk e mërzit lexuesin semiotik, ndërsa teknika e veçantë e shkrimit që e kënaq lexuesin semiotik, kalon pahetueshëm pranë lexuesit semantik. Kështu romani “Inati” arrin të kënaqë të dy tipat e lexuesit. 

    Romani “Inati” është romani i 29-të i Philip Roth-i dhe pjesa e dytë ciklit romanor “Nemesis”, ku hyjnë edhe romanet “Everyman”, “Përulja” dhe “Nemesis”. Tema e përbashkët e tyre lidhet me nocionin antik grek të “nemesis-it” ose të pamundësisë së shmangies së ndëshkimit apo fatit tragjik. Vdekja në veçanti është tema që e preokupon autorin tashmë të plakur. Megjithëse, romani “Inati” nuk është një nga krijesat e mbrujtura nga dëshira për eksperimentime postmoderne, siç është shembull “Ankimi i Portnoit”, si krijimi i rinisë së tij shkrimore, ai paraqet një nga romanet më të mira të Philip Rothit dhe mbase një nga romanet më të mira amerikane të fillimshekullit XXI.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË