1
Perëndesha e Kujtesës më tha:
– Kur asgjë nuk ecën, thuaje një fjalë!
Fluturimi i fundit u pa.
Jeta nuk mbyllet.
Është e mirë, por e paparashikueshme.
Me pak fjalë, kërkon mundësi me shumë frymëzime.
Pa humbur kohë me keqkuptime.
Me fjalët: ik, ik, ik…
Turp, turp, turp…
Shpejt na është plakur goja.
Mos u mundoni për ta kuptuar pse.
Gënjeshtra e radhës është më e madhe se besimi i kotë.
Me një xixë gurzjarri ndizet mendja.
2
Në një pullë postare, dy mijë vjet pas Krishtit, me shumë rreziqe,
po mendoj kush jam e ku po shkoj.
Përtej fjalëve, si do ta përballoj.
A ia vlen të mendoj.
Nga ky lloj tërmeti nuk rrëzohen malet.
As oqeani nuk ofendohet.
Ata që jetojnë mes tokës e qiellit, retë e zeza i kanë mbi kokë.
Nga imagjinata e gjeniut të çmendur ëndrrës së viteve të fundit i thashë:
“Jeta nuk është për ta kopjuar natyrën, ajo për të gjitha konfliktet vjen me dramën e quajtur jetë”, interesat janë shqetësuese.
Pse nuk e kemi kuptuar se kush jemi, jeta pa maskë nuk flet.
Zemër, pse je fshehur?
Ata që janë me vite e vite larg realitetit nuk i pyet askush.
Fjalët janë vetëm për t’u tallur.
Në vizatimet e mia kur vret reja, fiken dritat.
Bishat qeshin.
Njeriu i mbyll sytë.
Pa leje e pa mëshirë.
Me shpresë për një jetë më të mirë, po na ikin fëmijët ende pa e njohur jetën
dhe fëmijët ende të palindur.
Ky dëshpërim i zi nga familja në familje, nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat përgjithmonë dikah shkon…
3
Pas dy Luftërave Botërore na erdhi truri për ta njohur e për ta kuptuar
kujtesën tonë kolektive.
Me shpresë se një ditë do të shqetësohen bishat që para nesh ecin me dy këmbë.
Fatkeqësisht, këtë varfëri të zezë tani kurrkush nuk e kupton.
Për gojë të liga nuk ka rrugë më të shkurtër.
Më vjen keq që po flas për gjëra të tilla, por asnjë fjalë nuk është vetëm fjalë.
Në paqe dhe luftë – deti det.
Në paqe dhe luftë – toka tokë.
Për shqiptarët e humnerës, në Konferencën e Paqes në Paris Vudrov Vilsoni për nënshkrimin e paqes kërkonte të sigurohet vetëvendosja e kombeve.
Mes fituesve dhe humbësve të ketë Zot.
Për presidentin Vilson, ky qëndrim nuk ishte edhe punë e lehtë.
Për të mirën e botës këtë qëndrim e mbajti edhe në Ligën e Kombeve.
Tani edhe pas 100 vjetëve, me modestinë tonë, ne e nderuam dhe e rikujtuam personalitetin e tij me një pullë postare, ku portreti i tij shkëlqen.
4
Për kombet e reja do të flasim nesër.
– Me brekë e pa brekë, do të jetojmë më mirë, tha një prostitutë.
Qesharake?…
Vërtet qesharake…
Për të mos thënë:
E dhimbshme.
E turpshme.
Me një fjalë, parashikohet edhe një tradhti.
Për t’i provuar sa gjëra të reja.
Ngjarje.
Takime.
Pa e kuptuar njëri-tjetrin.
Dhe shkojmë deri atje ku çdo gjë mund të ndodhë.
Çka na pret dhe me kë do të bisedojmë nuk e di.
A ka dalje, askush nuk pyet.
Përpiquni të më tregoni si ta përshkruaj reagimin.
Edhe e pamundura mund të jetë shumë më e thjeshtë për mendjen tonë të krisur.
5
Koha për ta njohur veten ishte: kur na ishte…
Aty ku për herë të parë është ndezur zjarri, nuk besoj se do të takoj njeri.
E para, është të shkojmë deri atje ku nuk e durojmë as lumturinë.
E dyta, të shohim mbi supet e kujt kemi hipur, si trima për ta vrarë Zotin.
Dhe e treta, krejt në fund, çka kemi bërë? Ku kemi shkuar? Çka kemi menduar
dhe çka kemi kuptuar?
Kur gjysmën e zemrës e kemi në skajin tjetër të botës.
Me një pikëpyetje të madhe këtë histori pakkush e kupton. Le, të dalë ku të dalë.
Gjakftohtësisë futjani zjarrin.
6
Për gabime që po më kujtohen, falsifikatorët e historisë po flasin sot për nesër.
Herën e fundit i pashë duke hedhur baltë edhe mbi shtatoret e heronjve.
Nga britma e tyre: unë, unë, unë, goja u mbeti pas veshi.
Për një hapësirë të humbur po më kujtohet edhe diçka e harruar.
Sa herë jeta kalon në kohë, e koha në ëndrra mashtruese,
dhe sa herë e humbim rrugën trurin e pyes:
– Si është puna?
– U ndez lumi, – më tha.
– A je i sigurt?
– Fatkeqësisht, po!
Nga tradhtia e largët po ikim e po shkojmë për të mos e parë jetën të shtrirë për toke.
7
Pa u pyetur populli, dorë pas dore edhe liria doli në shitje.
Ku shkuan paratë?
Nuk e di kurrkush!
Për ekonominë politike çka janë tre milionë dollarë, pesë milionë dollarë,
shtatë milionë dollarë?
Pse shitet e rishitet edhe kombi, edhe shteti.
Kombi dhe shteti janë domethënie e madhe.
Për këtë heshtje nuk ka përgjigje.
Ç’kuptim ka fjala?
Ç’kuptim kanë ligjet e forta të shtetit?
Dhe ç’kuptim ka liria që na ndihmon të dalim para pasqyrës?
Për faqe të zezë të historisë, çfarë loje është kjo lojë.
Në terr, kur të gjithë e dimë se ku po shkojmë, si lutje metaforike, para Zotit e para djallit, pse ta nderoj jetën?!
Realizimi i një ëndrre kujt i duhet.
Populli nuk sheh, as që ka se çka të shohë kur edukohemi me krimin.
Në një teatër ku luhet drama njerëzore.
Jeta që na çon në gabime nuk mund të kalojë pa pikëpyetje.
Kur veprojmë dhe flasim si të çmendurit.
Mungesa e Zotit po na vret.
Herën tjetër do të flasin shpirtrat e vdekur.
Qershor 2019