Vepra letrare e Ridvan Dibrës është krijuar dhe botuar pas vitit 1990, ku ai na sjellë forma dhe mjete të reja të shprehjes artistike, të cilat sipas kritikës letrare, elementet që e përbëjnë në tërësi veprën i përkasin postmodernizmit. Është ndër shkrimtarët më prodhimtarë i cili e ka pasuruar letërsinë shqipe, jo vetëm në aspektin sasior (pasi tashmë numëron një sërë veprash, ku llojet që ka lëvruar janë romani, tregimi,eseistika,drama, poema, poezia ), por edhe në aspektin ideotematik, formal, ku përmes kësaj të fundit ka bërë dallimin nga autorë të tjerë bashkohës, duke u vlerësuar kështu edhe me disa çmime si brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Shprehja gjuhësore-artistike e bën karakteristike veprën e tij. Kemi një prirje për thyerje sintaksore, fjalitë janë shpesh telegrafike, konçize, gjejmë dendur fjali njëkryegjymtyrëshe emërore (Amanete gjysmash,Klithmë e pambarimtë,Shekulli me profil gjysme,Një gjumë i rëndë si vdekja etj. ) dhe foljore (Ëndrrën për t’u bërë i tillë, Siç më kanë thënë, I puthin gratë e tyre etj.), fraza që përsëriten, kjo me qëllim për të rimbajtur ndezur kujtesën e lexuesit mbi ngjarjet e mëparshme të rrëfyera. Gjuha e prozës, shpesh, duket se vjen në shkrirje me atë të prozës poetike, kjo përmes figuracionit letrar që përdor p.sh. “Hëna është e plotë dhe gjaku mbi gjoksin e atit duket si argjend i shkrirë”. (Legjenda e Vetmisë)
Gjuha rrjedhë me një thjeshtësi duke e bërë tekstin të ngrihet në nivelin e të bukurës estetike, ku lexuesi e lexon atë me një frymë.
Personazhet e Dibrës janë të paktë në numër. Në tërësi ky personazh që shpesh bëhet një me autorin, përfaqëson botën e individit si qenie shpirtërore me ndjenjat, dyshimet, mendimet, paradokset dhe komplekset e veta, i cili si pjesëtar i një shoqërie shpesh ndihet i pafuqishëm duke u përballur me një ndjenjë izolimi, nga realiteti që e rrethon, e nga kjo duket se lind më pas reflektimi e filozofimi mbi botën. Me të drejtë shprehet Ag Apolloni se “Dibra i përmbahet parimit të ajsbergut, në sipërfaqe nxjerrë pak, por leximi i vertikales semantike mundëson të shihet edhe pjesa nënujore, që është e madhe dhe frikësuese”. Në vepra na del edhe figura e Tjetrit, si tjetërsim i personazhit në vetvete apo i dyzimit të tij kundrejt asaj çfarë e rrethon, por edhe si prania e dikujt tjetër përballë nesh pa të cilin ekzistenca është e pamundur. Dibra na i sjellë personazhet ndryshe nga autorët e huaj, qoftë klasikë apo modern, kryesisht atë të gruas. Ku kjo Grua, pikëmbërritjen duket se e ka te vepra “Gruaja që deshe”. Thjeshtësia, e Bukura e Mira, veshin kryepersonazhin Grua,duke na lënë një shije estetike të bukur në sytë e ndjeshmërinë e lexuesit. Siç shprehet edhe autori “Virtyti qëndron tek normaliteti dhe jo tek ekstremet”. Mininarracionet, ngjarjet e vogla, përkundrejt ngjarjeve të mëdha, janë pjesë e stilit të Dibrës. Në dukje aq të thjeshta, këto vepra godasin në skutat e fshehta të qenies, duke nxjerrë në sipërfaqe shqetësimet e brendshme që e mundojnë njeriun,ndryshe nga autorët modernë që siç thotë Dibra shkruajnë në zgrip të ekzistencës së tyre, duke shmangur qenien normale.Sepse ndonëse nuk ka beteja, karaktere të kundërta, intriga (që zgjojnë interes te lexuesi) beteja më e madhe ndodhet brenda vetes. Vetë qenia që sulmon vetveten dhe mbrohet prej vetvetes. Në rrekje për t’i ruajtur normalitetet. E ashpër kjo betejë, sipas teje, sidomos te gratë. Edhe e bukur. Ngjarje e denjë për një vepër letrare…
Tek veprat e Dibrës dallojmë shkrirjen mes gjinive letrare, konkretisht nëse ndalemi te romani “Stina e ujkut”, gjejmë të gërshetuar tekstin rrëfyes (fragmentet jepen në trajtën e tregimit), tekstin poetik( figuracioni letrar në nivel poetik), tekstin eseistik (përmes reflektimeve filozofike të personazhit), tekstin dramatik ( dialogu mes Njeriut dhe Ujkut, si dhe monologu). Veprat e Dibrës shpesh përmbajnë referenca ndaj teksteve të tjera, qoftë ato të letërsisë shqiptare apo ato ndërkombëtare. Ai përdor intertekstualitetin për të krijuar një lidhje mes kohëve të ndryshme por edhe kulturave, ku çdo tekst është pjesë e një rrjeti më të gjërë referencash tekstuale dhe ndikimesh. E tillë është p.sh vepra “Franc Kafka i shkruan të birit” ku ai mbështet tek modeli i letrës që Franc Kafka i shkruan të atit, duke vënë në dukje problematikat e përjetshme që ekzistojnë mes brezave. Ironia intertekstuale është një element që autori e përdor për të goditur kontradiktat shoqërore dhe ideologjitë e rrënjosura. Ai merr elemente tradicionale, si p.sh: mitet apo personazhet historike të cilat i çmitizon duke i bërë personazhet të jenë aktuale në një botë moderne. Çmitizimi i mitit me realitetin, i lashtësisë me aktualitetin është një tjetër veçori e prozës. Këtë e gjejmë p.sh: te vepra “Triumfi i Gjergj Elez Alisë” ku tashmë nuk kemi më heroin popullor por një njeri të ditëve të sotme, që mbart në vetvete plagë të pashërueshme shpirtërore. Një veçori tjetër e rrëfimeve artistike të Dibrës është ndërthurja e trillit letrar me elementet autobiografike. Rrëfimi në vetën e parë, detajet nga jeta biografike e autorit, aq sa e bëjnë interesante veprën, ku autori eksperimenton me mënyrat e të rrëfyerit, aq edhe e bëjnë sfiduese atë në qasje me lexuesin, pasi përvoja artistike në shumicën e kohës shkrihet me atë jetësore.Këtu mund të përmendimin kryesisht romanin “Gjumi mbi borë”. Ajo çfarë vëmë re te vepra e Dibrës është seNarratori pasi bën rrëfimin i lë vendin Autorit për të komentuar metafiksionin e veprës së tij. Ai komenton fragmentaritetin e tekstit, i cili ndërtohet sipas teknikës së kolazhit. “E di se ky rrëfim ka dalë i thyer, copa-copa. Si një pasqyrë e madhe hedhur nga një lartësi drejt e në tokën e ashpër. Ashtu siç e di se kjo pasqyrë, me gjithë mundin e rrekjet e mia, përveçse e thyer, është edhe e paplotë”.(Gjumi mbi borë)
Me anë të artit të tij Dibra duket se na fton të largohemi nga realiteti i rëmdomtë, format e robërimit, dogmat e mykura, e kjo arrihet përmes artit të fjalës dhe materies së saj, gjuhës. “Kishte zbuluar befas misterin e artit, por edhe të jetës. Pa korniza. Në djall kornizat dhe mesazhet. Ishte artist dhe asgjë më shumë”. (Prostituta e Virgjër)
Shkodër, 2024