More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKlara Kodra: Hamleti dhe leximet e mundshme të kësaj figure në kohë

    Klara Kodra: Hamleti dhe leximet e mundshme të kësaj figure në kohë

    Hamleti i Shekspirit është një personazh i pazakontë në një  shekull veprimi, si njeri  i dilemave  dhe i dyshimit.

    Ka kritikë si Bielinski që e shohin si  njeri të  mendimit, të paaftë për të vepruar.

    Të tjerë si Noli ynë  e shohin  përkundrazi  si njeri të matur  që  i zotëron  pasionet  dhe synon  të përpunojë  një strategji sa më të efektshme  për të vepruar, për të  vendosur  drejtësi.

    Në të vërtetë  figura e tij është  kontradiktore, ai  është  njeri i lindur për të mishëruar  virtytet e Rinashimentos, ka  mençurinë, përgatitjen, guximin, humanizmin, do të  mund të ishte  një mbret që do të mbronte kulturën  dhe artet  dhe do  të kontribuonte  në lulëzimin  ekonomik të vendit të vet, po rrethanat e shndërrojnë në një hakmarrës  që vërtet vë në  vend  drejtësinë e cenuar, po shkakton  në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë  vdekjen e njerëzve të pafajshëm si  Polloni, Ofelia, njerëzve të  dobët dhe jo aq fajtorë si  Laerti dhe dy të rinjtë në shërbim të  Klaudit.

    Pra, ky njeri tepër human kur i drejtohet  dhunës  kalon caqet.

    Figura e tij jep rast  për lexime të ndryshme. Shekulli i shtatëmbëdhjetë dhe shekulli i tetëmbëdhjetë s’do ta kuptojnë sa duhet  këtë figurë. Iluministi Volter e quan  barbar  Shekspirin  për guximin e tij në pikturimin e jetës,  të pasioneve  njerëzore  të skajshme.

    Shekulli XIX  ishte  më i aftë për ta kuptuar Hamletin si figurën e një intelektuali të munduar nga  problemet ekzistenciale të jetës dhe të vdekjes, domosdoshmërisë  dhe lirisë.

    Hamleti i  shekullit XX mund  të ishte  një intelektual që do  të donte  të reformonte  botën në mënyrë  revolucionare, po do të ngurronte para dhunës.

    Si do të  ishte Hamleti i shekullit XXI kur idealet e majta  të  revolucioneve nga një anë  dhe ideali i  progresit  teknologjik  që do të  sillte  lumturinë dhe begatinë e njerëzimit nga ana tjetër kanë rënë?

    Ky hero  do të mundohej  nga dyshimet  dhe dilemat  shumë më tepër  se Hamleti  i Shekspirit; do ta mundonte  paaftësia  e vet për ta  rindërtuar  botën, po do  të ishte  nga ana tjetër i çorientuar nga mungesa e ndonjë  ideali të qartë  dhe nga kaosi  i vlerave  ku është vështirë të dallohet e mira nga  e keqja. Ndonjë  ideal  i mundshëm do të  ishte ideali  i solidaritetit njerëzor para rreziqeve  të shumta që e kërcënojnë planetin, ideali i zhdukjes  së  luftërave shkatërrimtare dhe i përdorimit  të shkencës dhe teknologjisë në dobi të  njerëzimit.

    Ekzistenca e armëve të tmerrshme  bërthamore  dëshmon  për faktin se një luftë e re botërore  do të  ishte vetëvrasje e sigurtë për  njerëzimin.

    Pra, një Hamlet  modern nuk do të  kënaqej  me vetëgjyqësi për padrejtësitë  që mund  t’i ishin  bërë atij individualisht, po do të  synonte  të bashkohej  si ushtar i thjeshtë apo si udhëheqës në një përpjekje të bashkuar të njerëzimit për të zhdukur  luftërat  dhe  për të shpëtuar planetin.

    Kjo do të ishte  e vetmja  zgjidhje  për të kapërcyer  dilemat  dhe dyshimet.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË