More
    KreuOpinionKëshilla të mrekullueshme nga 25 autorë të famshëm mbi artin e të...

    Këshilla të mrekullueshme nga 25 autorë të famshëm mbi artin e të shkruarit

    Nga Emily Temple

    Ka libra të panumërt që marrin përsipër t’u mësojnë njerëzve si të shkruajnë. Shumë syresh janë të mirë. Disa jo edhe aq të mirë. Siç ndodh me gjithçka.  Megjithatë, sa herë që has një libër mbi të shkruarin nga një autor veprën e të cilit e adhuroj emocionohem shumë. Dua të them, është një gjë kur merr këshilla nga një profesor, kritik apo redaktor, por një gjë krejt tjetër t’i dëgjosh ato nga dikush që ka punuar në minierë dhe ka nxjerrë flori  – nga njerëz që mund të të mësojnë, por edhe nga ata që e vënë atë në jetë atë që thonë. Për këtë qëllim, kam përpiluar një listë me 25 udhëzues dhe libra të gjata frymëzues për këtë zanat nga autorë të famshëm, bashkë me disa këshilla nga secili libër. Një amuse-bouche [diçka për të ëmbëlsuar gojën]mund të them. Kini parasysh se kam përjashtuar antologji me ese nga autorë të shumtë, edhe kur një apo më shumë prej tyre (dhe/ose redaktori i librit) janë shkrimtarë të famshëm, si edhe libra që të mësojnë “se si të bësh diçka” nga autorë që njihen kryesisht për kësisoj librash si Natalie Goldberg dhe John Gardner. Lista sigurisht është në zgjerim e sipër dhe e paplotë (Shoh se Dean Koontz ka botuar një libër se si të shkruajmë bestsellerë, por nuk botohet më!), kështu që mund ta shtoni vetë në fund, si t’ju duket arsyeshme.

    Krijimi i subjektit dhe të shkruarit e letërsisë që e mban lexuesin në ankth, Patricia Highsmith

    Për të pasur shtysën e nevojshme, rrjedhën e vazhdueshme që të mbaroni së shkruari një libër, duhet të prisni derisa ta ndieni se rrëfimi brenda jush është  pjekur. Kjo gjë ndodh me ngadalë, gjatë periudhës së përgatitjes dhe krijimit të subjektit dhe nuk e nxitoni dot, sepse është një proces emocional, një ndjesi e brendshme përmbushjeje, njëlloj sikur një ditë të vjen t’i thuash vetes, “Kjo është vërtet një histori e madhe dhe mezi po pres që ta rrëfej!” Vetëm atëherë mund të nisni ta shkruani.

    Të shkruarit, Marguerite Duras

    Personi që shkruan libra duhet të veçohet gjithnjë nga të tjerët dhe të mbyllet në hapësirën e vet. Me këtë kam parasysh një lloj vetmie. Vetminë e autorit, e të shkruarit. Si fillim, njeriu duhet të pyesë veten se çfarë është hapësira që e rrethon – konkretisht në çdo hap që bën në shtëpi, në çdo çast të ditës, në çdo lloj drite, qoftë drita që vjen nga jashtë, apo drita e abazhurëve të ndezur gjatë ditës. Një vetmi e tillë e vërtetë, fizike kthehet në heshtjen e padhunueshme të të shkruarit. Për këtë nuk kam folur me askënd. Në kohën e vetmisë sime të parë, ndërkohë kisha zbuluar se puna që duhet të bëja ishte të shkruarit. Por, këtë ma kishte konfirmuar edhe Raymond Queneau. Mendimi i vetëm që Raymond Queneau më ka dhënë ishte kjo fjali: “Mos bëj gjë tjetër përveç të shkruarit.”

    Mbi të shkruarin, Samuel R. Delany

    Përgjithësisht, rregullat e një shkrimi të mirë janë një numër gjërash që nuk duhen bërë. Në thelb, shkrimi i mirë ka të bëjë me shmangien e rrëmujës të panevojshme. (Por, kjo nuk do të thotë të shmangësh kompleksitetin.)

    Shumë prej këtyre rregullave mund t’i programosh në kompjuter.  Po t’i zbatosh pak a shumë në çdo draft të parë të shkrimit, këto rregulla të tregojnë se ku je duke rrëshqitur. Po t’i rishikosh me kujdes, do të përmirësohet qartësia, lexueshmëria dhe gjallëria e tekstit.

    . . .

    Një krijim letrar që ngjason shumë me çdo krijim tjetër letrar, si për sa i takon përmbajtjes apo stilit, subjektit apo qasjes retorike, është në vetvete i keq. Sado paradoksale mund të tingëllojë, një shkrim i mirë që u përmbahet një numri kufizimesh (dua të them, kur të shkruarit është i mirë, por asgjë më shumë) prodhon letërsi shumë të keqe. Vjen një çast kur të kuptuarit e kësaj gjëje më në fund i bën shumicën e shkrimtarëve t’i rrinë larg të shkruarit.

    Ndërsa, të shkruarit e talentuar, është diçka tjetër. Duhet të kesh talent për të shkruar letërsi artistike.

    Të shkruarit e mirë është i qartë. Të shkruarit e talentuar është energjik.

    Shkrimi i mirë i shmang gabimet. Shkrimi i talentuar i bën gjërat të ndodhin në mendjen e shkrimtarit – me gjallëri, me forcë—gjë që nuk e bën dot shkrimi i mirë, i cili mbaron tek qartësia dhe logjika.

    Arti i biografive, Mary Karr

    Një biografi e madhe jeton ose vdes 100 për qind në bazë të zërit që përçon. Ajo është sistemi i transmetimit të përvojës së autorit – kablloja me valë të gjata që transmeton me qartësi të shndritshme çdo piksel të përvojave të brendshme dhe të jashtme të dikujt. Çdo zë ndërtohet me zgjuarsi për të vënë në dukje talentin apo mënyrën e të parit të botës nga talenti personal i  shkrimtarit. Një biograf e nis rrugën duke kërkuar kuturu—duke hedhur në letër fakte, duke ritreguar anekdota. Një shkrimtari mund t’i duhet të shkruajë me qindra faqe sprovë për të arritur një mënyrë të rrëfyeri e cila të shfaqet si një mënyrë unike e tij dhe e përvojave të tij, por kur shkrimtari ia del mbanë, si përvojat fizike edhe ato të brendshme i vijnë në mend me qartësi dhe vepra e tij përfton një ngarkesë elektrike. Për lexuesin, ky zë duhet të jetë i pranishëm që në fjalinë e parë.

    Zen-i në artin e të shkruarit, Ray Bradbury

    Deri tani keni punuar apo jo?

    Apo keni ndërmend t’i vini vetes një lloj plani posa që të mbaroni së lexuari këtë artikull?

    Çfarë lloj plani?

    Pak a shumë diçka e tillë. Një mijë apo dy mijë fjalë në ditë gjatë njëzetë viteve të ardhshme. Në fillim, mund të provoni të shkruani një tregim të shkurtër në javë, pesëdhjetë e dy tregime të shkurtra në vit, për pesë vite. Do t’ju duhet të hidhni poshtë apo të digjni shumë pjesë nga materiali që keni shkruar, përpara se të ndiheni rehat me këtë formë komunikimi. Do bënit mirë t’ia nisnit që tani dhe të bëni punën që duhet të bëni.

    Sepse unë besoj se më në fund sasia do t’ju shpjerë tek cilësia.

    Si kështu? Miliarda skicat e bëra nga Mikelanxhelo, da Vinçi, Tintoretto i përgatiti ata për cilësinë, deri sa një ditë arritën të bënin skica unike, peizazhe unike me zotësi dhe bukuri të pabesueshme.

    Një kirurg i madh hap e rihap një mijë, dhjetë mijë trupa, inde, organe, duke përgatitur kështu, përmes sasisë, çastin kur zotëron cilësinë e duhur për të bërë një ndërhyrje operatore tek një krijesë e gjallë.

    Një atlet mund të vrapojë 16,000 km për t’u përgatitur për një garë 100 metrash.

    Sasia ju jep përvojë. Cilësia mund të vijë vetëm nga përvoja.

    Nga vendi ku ëndërroni: Procesi i të shkruarit të letërsisë, Robert Olen Butler

    Ju lutem, hiqni dorë nga zakoni i të thënit se keni një ide për një tregim të shkurtër. Arti nuk lind nga idetë. Arti nuk lind nga mendja. Arti lind nga vendi ku ëndërroni. Arti lind nga pavetëdija juaj; ai lind nga thelbi juaj përvëlues.

    E keni të qartë? E kuptoni se çfarë po ju them? Nëse dëshironi të futeni në letërsi me mendime, nëse mendoni se mund ta analizoni rrugën që duhet të ndiqni për të krijuar një vepër arti, do të jemi plotësisht në kundërshtim nga pikëpamja filozofike me atë që arti është dhe me vendin nga lind. Por, nëse e keni një aspiratë të tillë dhe jeni i hapur ndaj ndjeshmërive dhe nëse e kuptoni këtë që po ju them, atëherë thojini mendjes të mos përzihet në këtë punë. Për të krijuar një vepër arti, duhet të kërkoni në një vend krejtësisht tjetër brenda vetes.

    Aspektet e romanit, E.M. Forster

    Kujtesa dhe inteligjenca janë të lidhura ngushtësisht, sepse nëse nuk mbajmë mend, nuk jemi në gjendje të kuptojmë. Nëse në kohën që mbretëresha vdes, kemi harruar se është edhe mbreti, nuk kemi për ta kuptuar kurrë se nga se vdiq ajo. Krijuesi i subjektit pret nga ne që të mbajmë mend, ne presim prej tij që të mos i lërë gjërat të vagëta. Çdo veprim apo fjalë duhet të ketë rëndësi; duhet të jetë ekonomik dhe i kursyer; edhe kur është i ndërlikuar, duhet të jetë organik dhe pa gjëra të kota. Subjekti mund të jetë i vështirë apo i lehtë, mundet dhe duhet të përmbajë të fshehta, por nuk duhet të çorientojë. Dhe teksa ai shpaloset, kujtesa e lexuesit duhet t’i bëjë roje nga sipër (si ndriçimi i topitur i mendjes ku inteligjenca është cepi i dalë i ndriçuar) dhe të riorganizojë dhe rishqyrtojë vazhdimisht, duke gjetur ide të reja, zinxhirë të rinj shkaku dhe pasoje dhe kështu ideja përfundimtare (kur subjekti ka qenë i bukur) nuk do të përbëhet nga ide apo zinxhirë, por nga diçka estetikisht kompakte, diçka që romancieri mund të kishte bërë të njohur që në fillim, por po ta kishte zbuluar menjëherë, nuk do të arrinte të ishte e bukur.

    Të drejtuarit e zanatit: Një udhëzues i shekullit të 21 për të notuar në detin e rrëfimit, Ursula K. Le Guin

    Gjithçka nis nga tingëllimi i gjuhës. Prova e një fjalie është, a tingëllon mirë? Elementet bazë të gjuhës janë fizike: zhurma që fjalët bëjnë, tingujt dhe heshtjet që i bëjnë ritmet të përcaktojnë marrëdhëniet mes tyre. Si kuptimi edhe bukuria e shkrimit varen nga këta tinguj dhe ritme. Kjo është e vërtetë si për prozën edhe për poezinë, ndonëse efektet zanore të prozës zakonisht janë më të pakapshme dhe gjithnjë të parregullta.

    Shumica e fëmijëve e pëlqejnë tingullin e gjuhës në vetvete.  Ata jepen pas përsëritjeve dhe fjalëve-tinguj të ëmbla dhe pas kërcitjeve dhe valëzimeve të fjalëve onomatopeike; bien në dashuri me fjalët muzikore apo që u bëjnë përshtypje dhe i përdorin në të gjitha vendet e gabuara. Disa shkrimtarë e ruajnë këtë interes të lashtë dhe dashuri për tingëllimat e gjuhës. Disa të tjerë e “humbasin” ndjesinë gojore/dëgjimore të asaj që lexojnë apo shkruajnë. Kjo është një humbje e pakthyeshme. Vetëdija e tingëllimës së asaj që shkuan është një aftësi thelbësore për një shkrimtar. Për fat të mirë, është shumë e lehtë ta kultivosh, ta mësosh apo ringjallësh.

    Të shkruarit e letërsisë, Edith Wharton

    Origjinaliteti i vërtetë përbëhet jo nga një mënyrë e re, por nga një vizion i ri. Ai vizion i ri, personal arrihet vetëm duke parë për një kohë të gjatë objektin e përfaqësuar deri sa të bësh atë tëndin si shkrimtar; ndërsa mendja që do ta bëjë këtë farë të fshehtë të mbijë, duhet të jetë e aftë ta ushqejë atë me një pasuri të grumbulluar njohurish dhe përvojash. Për të ditur qoftë edhe një gjë të vetme, njeriu duhet të dijë diçka rreth shumë e shumë rreth gjërave të tjera, por, sikundër ka vënë në dukje Matthew Arnold shumë kohë më parë, duhet edhe të dijë më shumë më tepër për subjektin që do të shkruajë se sa mund të duket nga një paraqitje e pjesshme e tij; dhe thënia e z. Kipling “Çfarë duhet të dinë ata për Anglinë që vetëm Anglia e di?” mund të merret si një paralajmërim simbolik për artistin krijues.

    Këtë vit shkruani romanin tuaj, Walter Mosley

    Gjëja e parë që duhet të dini në lidhje me të shkruarin është se është diçka që duhet ta bëni çdo ditë – çdo mëngjes apo mbrëmje, në çfarëdo kohe që kini. Në kushte ideale, koha që vendosni ta bëni është edhe koha kur keni për të bërë punën më të mirë.

    Ka dy arsye për këtë rregull: të ndihmon të bësh punën dhe të lidh me mendjen e pavetëdijshme.

    Nëse doni që romanin tuaj ta përfundoni brenda vitit, duhet t’i përvisheni punës! Nuk keni asnjë çast për të humbur. Nuk keni kohë të prisni sa t’u vijë frymëzimi. Hedhja e fjalëve në letër kërkon kohë. Sa kohë? Unë shkruaj tre orë çdo mëngjes. Është gjëja e parë që bëj nga e hëna deri të dielën, për pesëdhjetë e dy javë në vit. Ka ditë që nuk shkruaj, por ndodh rrallë që të mos shkruaj më shumë se një ditë në muaj. Të shkruarit është punë serioze që kërkon një farë vijimësie dhe disipline.

    Megjithatë, vullneti dhe rregullsia janë vetëm fillimi i disiplinës dhe shpërblimeve që do t’ju sjellë të shkruarit e përditshëm.

    Gjëja më e rëndësishme që kam zbuluar në lidhje me të shkruarin është se  është kryesisht një veprimtari e pavetëdijshme. Çfarë kam parasysh me këtë? Kam parasysh se një roman është më i madh se mendja juaj (ose mendja e vetëdijshme). Lidhjet, gjendjet shpirtërore, metaforat dhe përvojat që kujtoni gjatë të shkruarit do t’ju vinë nga një vend në thellësi të brendësisë suaj. Ndonjëherë do të habiteni se kush i ka shkruar ato fjalë. Ndonjëherë do të rrëmbeheni nga pasioni i zjarrtë që lidhet me udhëtimin e ndërlikuar përmes zemrës së dashur të protagonistit tuaj. Çaste të tilla ju vinë kur jeni të lidhur me atë vend në thellësi të qenies suaj, një vend që ushqen zellin që ju ka nxitur fillimisht dëshirën për të shkruar.

    Mënyra për të shkuar në këtë vend të pavetëdijshëm është duke shkruar çdo ditë.

    Letra një shkrimtari të ri, Colum McCann

    Mos shkruani ato që dini, shkruani për të mësuar ato që doni të mësoni.

    Dilni nga lëkura juaj. Kjo jua hap botën. Shkoni në një vend tjetër. Hulumtoni atë çka shtrihet përtej perdeve tuaja, përtej murit, përtej qoshes, përtej qytetit tuaj, përtej kufijve të vendit që njihni.

    Shkrimtari është eksplorator. Ai e di se duhet të shkojë diku, por nuk e di as nëse ajo diku-ja ekziston. Ajo duhet krijuar. Një Galapagos i imagjinatës. Një histori krejtësisht e re e asaj që jemi.

    Mos e shpenzoni kohën kot, duke parë brenda vetes. Kjo është e mërzitshme. Në fund, kërthiza juaj do të ketë vetëm push. Duhet ta shtyni veten të dilni jashtë, shkrimtar i ri. Mendoni për të tjerët, mendo për një vend tjetër, mendoni për një largësi e cila më në fund do t’ju kthejë në shtëpi.

    Çfarë është, Lynda Barry

    Është një pikënisje e mirë, sepse kur e di se çfarë ndjesie të shkaktojnë imazhet e vërteta, e ke më të lehtë të dallosh këtë ndjenjë kur shkruan letërsi. Kjo do t’i shërbente gjithkujt që ka ndonjë farë kureshtjeje rreth të shkruarit apo të mbajturit mend, veçanërisht njerëzve që kanë dashur gjithnjë të shkruajnë, por që kanë qenë tepër të paqartë qoftë edhe për të provuar dorën.

    Çfarë është kjo? E zakonshmja është e jashtëzakonshme. E zakonshmja është e jashtëzakonshme. E zakonshmja është gjëja që kërkojmë ta kemi përsëri kur dikush vdes, apo na lë, apo nuk na dashuron më. Ne e quajmë atë “gjëra të vogla”. Themi, “janë ato gjërat e vogla që më mungojnë më shumë”. Gjërat e zakonshme. Është një gjë e vogël që na i sjell papritur në kujtesë. Ne themi, “na i kujton”, por kjo është më shumë se rikujtesë – është një përflakje – një përmbytje. Edhe zjarri edhe përmbytja janë kujtesë. Është një shkëndijë dhe e çarë kaq e zakonshme sa që nuk e diskutojmë fare. Atomi ndahet. Gjëja e vogël.

    Feja e një shkrimtari: jeta, zanati, arti, Joyce Carol Oates

    Çfarë këshille mund të marrë përsipër një shkrimtar më i vjetër t’i japë një më të riu? Vetëm atë që ai ose ajo do të kish dashur t’i jepnin vite më parë. Mos u dekurajoni! Mos vështroni vjedhurazi dhe mos u krahasoni me të tjerët ndër shokë! (Të shkruarit nuk është garë. Askush nuk “fiton” vërtet. Kënaqësia gjendet tek përpjekja dhe rrallë në shpërblimet e mbrame, nëse ka ndonjë të tillë). Dhe përsëri, shkruani ato që ju thotë zemra.

    Shkrimi i qetë: Rreziqet dhe kënaqësitë e jetës krijuese, Dani Shapiro

    Një herë, gjatë një interviste kur Ann Sexton-in e pyetën se si kishte mundur të shkruante poezi kaq të errëta dhe të dhimbshme, ajo u përgjigj se dhimbja gdhend kujtime më të thella. Dhimbja gdhend kujtime më të thella. Mendoni për një kohë në jetën tuaj kur keni përjetuar një tronditje të beftë, një tradhti, një lajm të tmerrshëm. Ndoshta ju kujtohet koha, lloji i flladit, një tavllë duhani gjysmë plot, një e gërvishtur në dyshemenë prej druri, pulovra e ngrënë nga mola që kishit veshur, një sirenë në distancë. Dhimbja gdhend detaje, po. Por, do të thosha se këtë e bën dhe një gëzim i madh. Emocioni i madh, ka thënë Virginia Woolf, duhet të lërë gjurmë. Filloni të shkruani, mos lëvizni dhe rrini i qetë, shtyhuni përpara drejt atij emocionit të fortë dhe do ta zbuloni përsëri.

    Rregullat e vallëzimit: Udhëzues për shkrimin dhe leximin e vargjeve metrike, Mary Oliver

    Rishikimi është absolutisht i domosdoshëm. Nëse diçka është tepër e lehtë për ta ndryshuar, falënderoni zotat, por mos prisni t’ju ndodhë përsëri. Përkundrazi, prisni që të keni nevojë ta përmirësoni atë që u është dhënë, të vazhdoni strukturën e papërsosur që ka prodhuar puna juaj fillestare. Në fund të fundit, kjo është ajo që përbën shkrimin e poezisë – të marrësh pasionin dhe, pa e lënë të ftohet, ta derdhësh në një kallëp. Për një punë të tillë do t’ju ndihmojnë të gjitha pasuritë e zakonshme: energjia, ndershmëria, durimi. Por asnjë nuk është me aq dobi sa interesi për gjuhën, i cili është pothuaj mani. Në fakt, është thelbësor. Sepse ndjenjën nuk e nxjerr në pah emocioni. Atë e nxjerr stili.

    Ron Carlson shkruan një histori, Ron Carlson

    Shkrimtarëve u thonë të shkruajnë për ato që dinë dhe, në vështrim të parë, duket një këshillë e mirë. Është e mirë për faktin që, duke ua dhënë këtë këshillë nxënësve, mësuesit i paralajmëronin ata të mos vazhdonin të shkruanin letërsi fantastike shkencore pa ndonjë vlerë (ndalimi i kohës tek Planet Dwindgore, që na ngatërroi të gjithëve) dhe nga historitë televizive (Dil përjashta, Roki, e kemi rrethuar vendin!), nga e cila askush nuk mësonte gjë. Ata donin që nxënësit e tyre të vinin më pranë shtëpisë, të fillonin të përdornin gjuhën për të zgjidhur histori të vështira të jetës së tyre. Dhe unë për këtë jam: Shkruani për ato që dini, por, do të shtoja: Si mund ta dini çka dini përpara se ta keni shkuar atë? Çfarë mund t’ju mësojë procesi i të rrëfyerit? A dini gjithçka deri në çastin përpara se të filloni të shkruani një histori? “Të shkruarit e asaj që dini” tepër shpesh shndërrohet në kontroll të  elementëve të historisë dhe kjo e pengon shkrimtarin të shkojë përtej fakteve dhe gjërave të lidhura ngushtë me faktet, tek një vend që është më pranë të vërtetës së historisë së tij. Unë do ta formuloja kështu këshillën: shkruani në drejtim të asaj që dini, duke krijuar një inventar, dhe përdoreni me kujdes imagjinatën e cila mund të bëhet një instrument i fuqishëm ndijimi.

    Libri çudibërës: Udhëzues i ilustruar për krijimin e letërsisë imagjinare, Jeff VanderD

    Siç është vënë në dukje. imagjinata, mishngrënësi më i panginjur, mund të ushqehet pothuaj me gjithçka dhe gjithçka mund të kthehet në narrativë. Akti i të bërit shkrimtar—i angazhimit ndaj mësimit të zanatit apo artit të të shkruarit—ka të bëjë kryesisht me krijimin e strukturës së asaj që pjell imagjinata dhe është një proces i vazhdueshëm për të arritur një mjeshtëri të pakapshme (ka gjithnjë një derë tjetër). Por, lindja e këtyre shkëndijave fillestare është një nga të paktat pjesë të shkrimit që lehtësohet me përftimin e përvojës—me kusht që ky impuls të mos ndrydhet. Që do të thotë, nëse e shpërbleni imagjinatën duke ia hedhur idetë në letër dhe duke ia shtjelluar më tej, qoftë dhe fragmentin më të vogël, imagjinata do t’ju shpërblejë me një rrjedhë pak a shumë të vazhdueshme idesh. Nëse e largoni apo e mpakni entuziazmin e nënvetëdijes për t’u angazhuar në një lojë krijuese, rrjedha mund t’ju thahet.

    Mbi të shkruarin, Stephen King

    Vriti të dashurit e tu, vriti të dashurit e tu, edhe kur të ther në zemrën tënde egocentrike prej kalemxhiu të vogël.

    Mbi të shkruarin, Eudora Welty

    Si tregimtare, për mua, përgjithësimet rreth të shkruarit janë të vonuara dhe më vënë në siklet dhe, po të tregohesha e zgjuar, do t’i kufizoja duke thënë se, çdo përfundim tek i cili besoj, është pjesë përbërëse e tregimit në fjalë, e pandarë nga e tëra. Mësimi më i besueshëm që kam nxjerrë nga puna deri tani është i thjeshtë, shkrimi i çdo tregimi pa dyshim të hap një perspektivë të re, por dhe të krijon një problem të ri; dhe se asnjë tregim i shkuar nuk lidhet në ndonjë mënyrë të njohur me një tregim të ri dhe nuk të premton ndonjë ndihmë në çastin që mendja shkruese mund të ketë nevojë dhe dëshirë që t’i vijë ndihma. Ndihma që ofrohet nga jashtë kornizës së tregimit do të ishte në vetvete një ndërhyrje.

    Më rrënqeth: Ese mbi letërsinë, Benjamin Percy

    P: Cili është çelësi i mbajtjes në ankth? P: Ta tregoj më vonë.

    Të lexosh si shkrimtar: Udhëzues për njerëzit që i duan librat dhe për ata që duan t’i shkruajnë ato, Francine Prose

    Për çdo shkrimtar, aftësia për ta parë një fjali dhe dalluar atë që është e tepërt, atë që mund të ndryshohet, rishikohet, zgjerohet dhe, sidomos, të hiqet, është thelbësore. Është kënaqësi ta shohësh atë fjali të shkurtohet, të zërë vend dhe, më në fund, të dalë në një formë më të lëmuar: e qartë, ekonomike, e mprehtë.

    Jeta e shkrimit, Annie Dillard

    Shkrimtari hedh poshtë pikërisht fillimin e një vepre.

    Piktura i mbulon gjurmët e saj. Piktorët punojnë nga poshtë lart. Versioni më i fundit i një pikture u mbivendoset versioneve më të hershme dhe i zhduk ato. Ndërsa shkrimtarët punojnë nga e majta në të djathtë. Kapitujt që duhen flakur janë në të majtë. Versioni më i fundit i një vepre letrare fillon diku nga mesi i veprës dhe forcohet nga fundi. Versioni më i hershëm vazhdon të mbetet si një  gjë e ngathët në të majtë; fillimi i veprës e përshëndet lexuesin duke i dhënë dorën e gabuar. Në faqet dhe kapitujt e parë gjithkush mund të gjejë kapërcime të guximshme drejt askundit, të lexojë fillimet  guximtare të temave të braktisura, të dëgjojë një ton të braktisur me kohë, të zbulojë rrugë qorre, të dallojë copëza të kota dhe me mundim të mësojë një mjedis që del se është i pavërtetë.

    Ka shumë iluzione që ia dobësojnë vendosmërinë një shkrimtari për të flakur tej një punë. Kur i ka lexuar tepër shpesh faqet e shkruara, ato faqe do të kenë një cilësi të nevojshme, tingëllimin e të paevitueshmes, si një poezi e mësuar përmendësh; ato faqe do t’i përligjin përsosmërisht ritmet e tyre të njohura. Shkrimtari i ruan ato faqe. Mund t’i mbajë kur përmbajnë në vetvete disa virtyte që u japin forcë, por tekefundit, atyre u mungon virtyti bazë, lidhja dhe harmonia me thelbin e librit. Ndonjëherë shkrimtari i lë kapitujt e fillimit nga mirënjohja; nuk i sodit apo lexon dot ato pa ndier përsëri lehtësimin e amshuar që e bëri me krahë kur filluan të shfaqen fjalët e para – lehtësim për faktin se ishte në gjendje të shkruante diçka. Në fund të fundit, ai fillim e ndihmoi të arrinte aty ku kish ndërmend të shkonte; me siguri edhe lexuesit i nevojitet si një bazë. Por jo, nuk i nevojitet.

    Udha e të bërit shkrimtar: Reflektime mbi artin dhe zanatin e rrëfimit, Charles R. Johnson

    Po të mos e kontrolloj veten, fjalët në krijimtarinë time letrare priren natyrshëm të jenë të gjata, me imazhe dhe ide të mbivendosura mbi imazhe dhe ide të tjera, duke u tendosur dhe përdredhur, ndonjëherë duke u gërshetuar dhe kaluar në mënyrë dialektike nga teza në antiteza, të lezetuara me presje dhe gjysmë presje dhe kllapa për paranteza (si kjo), deri sa vjen një çast kur nuk mund të ndërfutësh më gjë tjetër në to. Gjithnjë e kam parë fjalinë dhe paragrafin si njësi energjie që duhet çliruar. Po, e vërtetë, i përdor fjalitë e gjata për ritëm dhe muzikalitet. Por, pothuaj gjithnjë pas tyre, vendos një fjali të shkurtër. Sikurse u thosha studentëve të mi, në këtë rast, teknika është që të marrësh një fjali të thjeshtë, pastaj ta “komplikosh” (d.m.th, ta zgjerosh) kryefjalë, folje, pastaj kundrinë.

    Që të jem e sinqertë, mendoj se fjalia e gjatë, elegante është diçka e bukur në vetvete. Një subjekt i plotë që vlen të studiohet më vete.

    Zog pas zogu: Disa udhëzime mbi të shkruarin dhe jetën, Anne Lamott

    Përsosuria është zëri i shtypësit, armikut të popullit. Do t’ju mbajë të ndrydhur dhe të papërgjegjshëm gjatë gjithë jetës, duke qenë pengesa kryesore midis jush dhe versionit të parë, shumë të dobët krijues. Mendoj se përsosuria mbështetet në besimin e ngulët se, nëse vrapon me kujdesin e duhur, duke shmangur çdo gur gjatë rrugës, nuk do të vdisni. E vërteta është se gjithsesi keni për të vdekur dhe se ka shumë njerëz që as nuk e shohin rrugën nën këmbët e tyre dhe ia dalin shumë më mirë se ju dhe ndërkohë bëjnë edhe shumë më qejf.

    Versioni nr.4: Mbi procesin e të shkruarit, John McPhee

    Kur jeni në kërkim të fjalëve, fjalorët me sinonime dhe antonime janë të dobishëm, megjithatë, ata nuk i shpjegojnë fjalët që renditin. Gjithashtu, janë edhe të rrezikshëm. Ata mund t’ju bëjnë të zgjidhni një fjalë shumërrokëshe dhe të paqartë kur një fjalë e thjeshtë dhe e qartë do të ishte më e mirë. Vlera e një fjalori në këtë rast nuk është që ta bëjë shkrimtarin të duket se ka një fjalor të pasur me fjalë të paqarta. Vlera e fjalorit qëndron në ndihmën që mund t’ju japë për të gjetur fjalën më të mirë të mundshme për misionin që ajo fjalë duhet të përmbushë. Mësuesit e të shkruarit dhe të gazetarisë njihen për krahasimet e tyre me patericat, duke lënë të kuptohet se asnjë shkrimtar me personalitet apo i zoti nuk do t’i përdorte ato. Në më të mirën e tyre, fjalorët janë ndalesa pushimi në kërkim të fjalës së duhur. Fjalori është pikëmbërritja juaj. Supozoni se shihni një mundësi për përdorimin e një fjale tjetër nga fjala “synim”. Lexoni listën e sinonimeve të fjalorit: “synim, qëllim, skemë, objektiv, objekt”. Por, fjalori nuk e lë me aq. Ai vazhdon t’ju tregojë dallimet midis tyre deri në fund—se si secila nga fjalët e renditura aty ndryshon nga të tjerat. Disa fjalorë nuk e zgjasin, duke dhënë thjesht sinonimet, pa bërë dallimet mes tyre. Ju doni llojin e parë ku merrni jo thjesht një listë fjalësh; ata që ju tregojnë dallimet mes tyre, thua se po shihni vijat e një tende, ku secila është në ngjyrë të gjelbër me një nuancë të ndryshme. Kontrolloni fjalën “vertikal”. Fjalori ju thotë – besojeni apo jo – se “vertikal,” “perpendikular,” dhe “pingul” ndryshojnë secili nga dy të tjerët. E njëjta gjë, “plastike, e epshme, e përpunueshme, e lakueshme, elastike, e punueshme, që përshtatet”. Po ashtu, “besnikëri, bindje, përkushtim, devocion, besim i thellë”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË