More
    KreuIntervista“Kam shumë pyetje për ty”: Elena Ferrante bisedon me Marina Abramović

    “Kam shumë pyetje për ty”: Elena Ferrante bisedon me Marina Abramović

    FT Weekend Magazine ka ftuar romancieren italiane me identitet të fshehtë, Elena Ferrante, një fanse prej kohësh e veprës së me artistes performuese Marina AbramoviĆ, për të diskutuar mbi artin, shkrimësinë e shumëçka. Ferrante ruan me kujdes anonimatin e saj, kështu që biseda është zhvilluar në një seri email-esh. Rezultatet publikohen për herë të parë më poshtë.

    Romancierja më e fshehtë e botës shkëmben letra me artisten më publike të botës

    Elena Marinës

    Përgjithësisht, në një diskutim, kam prirjen të theksoj ndryshimet. Në rastin tonë, ndryshimi më i dukshëm është ky: për më shumë se 30 vite unë kam vendosur të shfaqem vetëm në shkrime; ju, për 50 vite, e keni vendosur veten me gjithë trupin tuaj, gjithë personin tuaj, me kurajë në qendër të skenës. Dhe sërish, që kur kam filluar të reflektoj mbi performancën tënde të jashtëzakonshme “Artisti është i pranishëm”, më është dukur sikur konkurrenca mes trupit dhe veprës që krijon nuk është dhe aq e largët sa unë që shkëputem nga libri im i botuar.

    Por dua të shpjegoj se në ç’sens. Te “Artisti është i pranishëm”, edhe më me forcë se kudo tjetër, ju e bëni Marina AbramoviĆ-in – artisten – vetë veprën. Dhe ju ja ofroni atë vepër publikut për ta soditur jo më ndryshe, sipas meje, nga mënyra se si një tekst i punuar me kujdes i ofrohet lexuesve. Dua të them se trupi gjithashtu, me gjithë përjetimet e tij, është material i papërpunuar, po aq sa guri, druri, letra, boja. Ajo që është e rëndësishme është se si ky material punohet poetikisht, si e shpikim, si bëhemi autoret e tij. Pjesa që mbetet është industria e madhështisë, marketingu, suksesi, fama, detajet biografike dhe autobiografike: gjera që nuk janë aspak të parëndësishme dhe të cilat mund t’i shijojmë ose – me një vetëkontroll që ta siguroj nuk është i lehtë – t’i braktisim.

    Marina Elenës

    Dhe një ndryshim mes nesh është se, në një diskutim dhe në punën time në përgjithësi, në fakt më pëlqen të gjej elemente që i bashkojnë njerëzit dhe i bëjnë të lidhen me njëri-tjetrin. Kur shkruaja kujtimet e mia, Walk Through Walls, shihja ngjashmëri mes të shkruarit dhe performancave afatgjata. Të dyja praktikat i qasen redaktimit për sa kohë që i shohim gjërat me kuriozitet dhe zemër të hapur.

    Gjatë “Artisti është i pranishëm”, për shembull, kuptova se tavolina që më ndante nga personi i ulur përballë meje po bllokonte rrjedhën e shkëmbimit të energjisë mes meje dhe atij personi. Kjo energji është kaq e rëndësishme për mua kur bëj komunikim joverbal, dhe arsyeja pse, në një pikë përgjatë performancës tre mujore, vendosa ta heq tavolinën për të favorizuar një vendosje më thelbësore.

    Vetë titulli, “Artisti është i pranishëm”, thekson një nga aspektet kryesore të artit performues: diçka që ndodh këtu dhe tani, në praninë e artistit. Nga ana tjetër, pas performancës time te MoMA, kuptova shumë e më shumë se publiku kishte një rol shumë më të madh se sa të qenurit thjesht spektator.

    Përpjekjet në vazhdim në praktikën time i janë drejtuar pjesëmarrjes së publikut dhe, ndërkohë që nuk e shkëpus dot vetën tërësisht nga performanca, kam gjetur padyshim një mënyrë për t’u përzierë në mënyrë që audienca të bëjë rrugëtimin e saj.

    Por gjithsesi, keni të drejtë, unë jam gjithmonë në qendër të punës time. Duhet të filloj me veten time pasi veten time njoh më mirë. Trupi im është universi im dhe është fillimi i gjithçkaje.

    Arti performues mund të jetë radikal nëse e hap veten ndaj zgjedhjeve të guximshme, siç keni bërë ju me shkrimin tuaj dhe vendimin për të mos u shfaqur në publik. A mund të pyes pse?

    Elena Marinës

    Si vajzë jam ndierë si një nyje e ngatërruar, e paprezantueshme. Dhe më vinte turp nga çdo gjë, sidomos nga dëshira për të shkruar. Shkrimi më dukej si një akt krenarie, sikur po deklaroja se mbaja botën brenda vetes. Por pasioni im ishte i fortë, dhe e trajnova veten ta udhëhiqja jetën si një person i ndrojtur, duke e ndarë radikalisht nga kohët kur trupi lirohej për të shkruar. Sa më e mprehtë kjo ndarje, aq më e lirë ndihesha.

    Suksesi i komplikoi jo pak gjërat. Njerëzit afër meje më thanë: “Shijoje; nëse nuk e shijon, pse shkruan?”. M’u desh të punoja më tej me veten time. Isha kurioze, dhe spektakli i famës më tundonte, por në fund m’u ngulit bindja që trupi im i vërtetë, i aftë për të shkuar jashtë kornizave me energjinë e nevojshme, është të shkruarit. Vetja ime që shkruan është atje, pjesa tjetër duket me kuptim vetëm në jetën time private. Nëse do ta ekspozoja veten, do të bëhesha një personazh, një trillim publik i cili do të kushtëzonte gjithashtu trillimin në të shkruar.

    Do të doja t’ju pyesja, a njihni këtë ndarje? A ka një pjesë të vetes tuaj të cilën nuk e keni ekspozuar dhe që ndonjëherë ju duket më e gjallë, më e gëzueshme se sa pjesa që i keni dhënë kuptim me performancat e juaja? Kam shumë pyetje për ju. Arti i grave nuk ka një traditë të fortë të vetën. Ju jeni përpjekur ta ngjisni femëroren te mashkullorja – po flas për veprat në bashkëpunim me Ulay – për t’i dhënë jetë një elementi të tretë, dhe ju desh të deklaronit dështimin. A ka ndonjë dhunë të pashmangshme në takimin-përplasje mes mashkullit dhe femrës siç përcaktohet ende historikisht? A mundet që kreativiteti ynë të shpërthejë vetëm me një përkushtim absolut – pa fëmijë, për shembull – dhe në vetmi? Dhe ta dedikosh veten tërësisht në artin tënd, duke derdhur gjithë jetën në vepër, nuk prodhon një lloj ankthi të mbetjes dhe mosqëndrueshmërisë?

    Performanca “Artisti është i pranishëm”, MoMA 2010.
    E ulur në heshtje përballë një karrigeje bosh, ajo pret pranë tryezës së drunjtë njerëz që të ulen në karrige para saj dhe të fiksojnë sytë me të. Për gati një muaj, për tetë orë në ditë, ajo ndeshi shikimin e 1000 të panjohurve, shumë prej të cilëve nuk i mbajtën lotët.

    Marina Elenës

    E di, njëherë më kanë kërkuar të ilustroj një libër për fëmijë të cilin do ta zgjidhja vetë, dhe pa e menduar dy herë, zgjodha Rosaku i shëmtuar. Si fëmijë i vogël dhe adoleshente në rritje, kam ndjerë një identifikim të plotë me këtë histori. Edhe unë isha rosaku i shëmtuar. Që kur isha shumë e re dhe ndihesha si e papërshtatshme. Kështu vitet e mia të adoleshencës ishin dëshpërimisht të sikletshme dhe të palumtura. Kisha këmbë të holla, këpucë ortopedike, dhe syze të shëmtuara. Mamaja ime më priste flokët shumë mbi vesh dhe i kapte me një karficë dhe më vishte me një fustan të rëndë leshi. Dhe unë kisha një fytyrë foshnjore më një hundë tmerrësisht të madhe. Në mendjen time, unë isha fëmija më i shëmtuar në shkollë.

    Kur gjeta mediumin e performancës përmes të cilit shprehja veten, çdo gjë ndryshoi. Momenti që dola para publikut për performancën time të parë, përjetova menjëherë transformimin tim, sikur të isha duke dalë nga veza. Lash pas dyshimet dhe vetëvlerësimin e ulët dhe zbulova veten time më të lartë. Kur performoj, ndihem e bukur, rrezatuese dhe e fuqishme. Çdo gjë është e mundur, dhe bota rreth meje shkëlqen.

    Kjo është gjithashtu arsyeja pse, në rastin tim, ndarja mes jetës publike dhe private ka pasur gjithmonë vija të turbullta. Si një artiste performuese, kam nevojë për vëmendje dhe energji nga publiku që të lidhem me ta, dhe një mënyrë për ta arritur këtë është të inskenoj frikërat e mia, brishtësitë dhe dhimbjet që audienca të lidhet me to. Nuk mendoj se ka një pjesë të vetes time të cilën nuk e kam ekspozuar, edhe pse ka padyshim gjëra të cilat njerëzit nuk i dinë për mua. Një prej tyre është se mund të jem qesharake. Adhuroj të kaloj kohë me miqtë e mi, i tregojmë njëri-tjetrit shaka politikisht të pasakta. Ndonjëherë njerëzit kanë një imazh timin i cili pasqyrohet nga performancat e mia të rrepta. Por nuk është kështu.

    Nga ana tjetër, nuk do të thotë se nuk kam sakrifikuar shumë për punën time, siç përmendët, amësia nuk ishte opsion për mua pasi zgjodha t’i jepja vëmendje të pandarë performancave të mia. Në shumë raste, zgjedhjet e mia profesionale kanë krijuar gjithashtu largësi mes meje dhe burrave në jetën time, duke përfshirë Ulay-n. Intensiteti i energjisë që gërshetohej në performancat tona mund të ishte po aq i fortë sa ndryshimet në jetën tonë private, ku mbizotëronin egot tona.

    Mendoj se dhuna që përmendët si rezultat i dy botëve që përplasen, mashkullorja dhe femërorja, ka të bëjë më shumë me natyrën tonë si qenie njerëzore se sa artistë. Mbi të gjitha, kam përjetuar vetminë shpesh në jetën time, dhe më korrigjo nëse e kam gabim, besoj se edhe ti. Sidoqoftë, si ndihesh vërtet për vetminë? Thatë që e keni trajnuar veten ta udhëhiqni jetën si një person i ndrojtur. A do të thotë kjo se e keni bërë vetminë pjesë të jetës suaj?

    Elena Marinës

    Kam qenë shumë vetëm; më vonë kam pasur një jetë të ngarkuar, por sot, jo shumë veta ma kanë nevojën, dhe e kaloj kohën duke shkruar. Përveç kësaj, të shkruarit është një punë të cilën e bën në vetmi absolute të rrezikshme, edhe nëse koka jote është e mbushur me shumë njerëz, shumë zëra, shumë objekte. Gjithashtu, publiku gjithmonë hyn në momentin kur gjërat kanë mbaruar, dhe duke qenë se kam zgjedhur të mos i takoj lexuesit, të mos kem angazhime letrare, ose të mos jem pjesë e botës letrare, në bindjen që gjithnjë e më tepër shkakton polemika se librat do të jenë të mjaftueshëm në veten e tyre, ja ku jam, në një vetmi që do ta quaja absolute.

    Kështu kam qenë gjithmonë e interesuar te kreativiteti juaj, i cili është i anasjelltë, i shpikur dhe ndodh në publik dhe me publikun. Jam veçanërisht e habitur, më duhet të them, nga krenaria me të cilën ju deklaroni se jeni artiste. Unë nuk do ta përdorja kurrë termin “shkrimtare” me aq krenari, do të më dukej e tepërt. Dhe akoma, kur procesi krijues shkon mirë është njëlloj përfshirës, nënkupton të njëjtën zhytje të plotë me kurajë, të njëjtin rrezik të humbjes së vetes, të njëjtën përpjekje për ta gjetur sërish veten. Përse e konsideroni artistin një qenie njerëzore të veçantë, që nuk njeh limite, që për artin mund ta ekspozojë veten e vetë deri në pikën e vdekjes?

    Më magjeps gjithashtu fakti që ju e largoni artistin nga veçantitë mashkullore apo femërore. Ne jetojmë ende në një botë të dominuar nga meshkujt, ku janë meshkujt të cilët përcaktojnë kanonet estetike, që na kërkojnë ta nënshtrojmë veten në çdo manifestim të jetës tonë, mbi dhimbjen e përjashtimit ose dëbimit për në tregun femëror. Ju nuk mendoni se, artiste apo jo, ne jemi ende shumë larg mundësisë të të shprehurit autonom të vetes tonë, duke iu arratisur kafazit të traditës mashkullore të fuqishme e të jashtëzakonshme?

    Marina Elenës

    Më duhet të them, më magjepsin shumë ndryshimet mes nesh dhe ndiej se nëse do të kishim shansin për t’u takuar, do të mësonim shumë gjëra nga njëra-tjetra.

    Në shumicën e rasteve, nuk besoj se vepra e një artisti është e mjaftueshme në veten e vet. Një vepër arti mund të mbajë shumë shtresa kuptimi, dhe, kur mundet, artisti duhet të përpiqet gjithmonë të vendosë një urë në hapësirën mes veprës dhe mënyrës se si publiku e sheh. E di që mund të duket si një deklaratë e fuqishme, por kam ndierë gjithmonë se artisti është një shërbëtor i shoqërisë. Nëse ke dhuntinë e krijimit, duhet ta ndash pasi nuk të përket vetëm ty. Dhe krijimtaria duhet të ndahet nga veçantitë mashkullore e femërore. Për mua, ka vetëm dy lloje arti: arti i mirë dhe arti i keq.

    Bota e dominuar nga meshkujt është një strukturë te e cila kontribuojmë të gjithë. Muajin e kaluar po bëja një rezidencë artistësh te Modern Art Oxford, në bashkëpunim me Pitt Rivers Museum. Gjatë kësaj kohe pata mundësinë t’i qasem një pjese të madhe të artifakteve më të shumëllojshme ku ishte e qartë se kishte një dominim të kulturës matriarkale. Kishte rituale dhe ceremoni ku gratë kishin gjithë fuqinë, bazuar në faktin e padyshimtë që ato krijonin jetë me trupin e tyre.

    Ndoshta jo çdokush e di se gjatë luftërave botërore, gratë nga Mali i Zi dhe Shqipëria, pasi humbisnin burrat e tyre në luftë, do ta përpunonin vetveten deri në atë pikë që bëheshin vetë burra, vishnin rroba burrash, përdornin armë, ndalonin periodat dhe rrisnin mjekër. Ajo që dua të them është se është gjithashtu faji ynë që përfunduam duke u dhënë kaq shumë fuqi meshkujve.

    Nuk lodhem kurrë së përmenduri shembullin e Louise Bourgeois, një nga artistet femra më të spikatura të kohës sonë. Ajo filloi t’i fokusohej plotësisht artit dhe karrierës së saj pasi i vdiq shoqi. Pa e kuptuar, ne krijojmë kaq shumë struktura për veten tonë dhe shoqërinë tonë. Ne jemi të vetmet që mund t’i ndryshojmë. Mund të jemi luftëtare në mënyrën tonë unike.

    Elena Marinës

    Edhe unë shpresoj se do të kemi rastin të flasim me njëra-tjetrën. Dhe më pëlqen shpirti yt luftëtar. Por na duhet të luftojmë që asnjë grua, asnjëherë, të mos i duhet të presë vdekjen e burrit të vet për të shprehur gjenialitetin e saj. As nuk jam e bindur që na duhet të kapim çdo mundësi për të zëvendësuar burrat e të sillemi si ta. Më saktë, duhen të luftojmë që shpërdorimi më i madh, më i gjatë, më budalla i parë ndonjëherë në planet të mbarojë: shpërdorimi i inteligjencës dhe krijimtarisë femërore. Pastaj do të shohim cilësinë e veprave. Të tuat janë jashtëzakonisht krijuese: më bëjnë të dua të shkruaj.

    Për dekada me radhë — sa për të dhënë një shembull — jam përpjekur të punoj mbi një roman që ka në qendër performancën që ju dhatë në Napoli në 1974, te Studio Morra. Nuk dua t’ju mërzis me skicat që kam mbledhur deri tani pa dalë ndonjëherë në një zgjidhje: ka gjithmonë diçka që më frikëson dhe më bllokon. Do t’ju tregoj vetëm që supozohej të ishte historia e një gruaje të re napolitane e cila tërhiqet nga një burrë për te ajo galeri, te audienca juaj. Dhe po ju tregoj për këtë këtu që të theksoj faktin që performancat e juaja, më shumë se të tjerët, më duken sikur, brenda një hapësire të kontrolluar, vjen një shtyrje, pastaj pyetja: po tani çfarë ndodh? A shpik me një vetëdije të plotë të situatave rrëfyese të mundshme?

    72 objektet e përdorura te performanca “Ritmi 0”, ekspozuar te Palazzo Strozzi, Firence, 2018.
    Në këtë performancë, Marina, për gjashtë orë ka ndenjur pa lëvizur, ndërkohë që audienca mund t’i bënte ç’të donte me këto objekte.

    Marina Elenës

    Je duke sjellë një aspekt kaq të rëndësishëm të artit performues, dhe procesit shumë personal përmes të cilit krijoj punën time. Performanca është mediumi që më ka dhënë mundësinë të vendos pak rregulla të sakta që mund t’i ndjek vetëm si artiste, në një kohë dhe hapësirë të dhënë. Si një qenie njerëzore, normalisht nuk do të kisha të njëjtën stamina dhe kurajë që kam kur jam duke performuar.

    Po citoj një rresht nga filmat e hershëm të Almodóvar-it: “Jam veç njeri dhe jam shumë i papërsosur.” Ajo te e cila unë po mbështetem është energjia e publikut që për mua përfaqëson ndihmën shtesë që më duhet për të vazhduar performancat e mia.

    Kur kam një ide për një vepër performuese të re, nuk mendoj ndonjë situatë rrëfyese të mundshme. Kam një listë me udhëzime dhe një kohë të caktuar për to që të shpalosen. Çdo gjë që ndodh në mes bëhet pjesë e veprës, e kështu, dhe e rrëfimit. Asnjë prej tyre nuk është e planifikuar, gjë që sjell një tjetër aspekt të rëndësishëm të veprës sime: unë nuk bëj prova për performancat e mia. Lejoj jetën dhe energjinë të shkojë përmes saj, dhe me këtë dua të them se një tërmet mund të ndodhë, dikujt nga audienca i bie të fikët, ose publiku ndërpret veprën. Nuk ka një rrjedhë të paracaktuar, dhe unë pranoj çdo gjë që del nga ajo që ne normalisht do ta quanim një moment përçarës.

    Pastaj ju përmendni vajzën e re që çohet në galeri nga një burrë më i madh në skicën e romanit tuaj të bazuar te “Ritmi 0”, dhe shkaktoni një kujtim që unë e kam hequr tërësisht dhe nuk kam ndarë me askënd deri tani. E mbaj mend shumë gjallërisht që gjatë performancës te Studio Morra, kishte një burrë të vjetër të vogël i cili ishte gjithmonë rrotull meje gjatë atyre gjashtë orëve. Në një pikë madje u afrua aq shumë, pavarësisht se nuk më preku kurrë ose nuk mori pjesë aktivisht në vepër. Sidoqoftë, mund ta dëgjoja frymëmarrjen e tij mbi lëkurën time. Besoje ose jo, ai ishte i vetmi person në dhomë të cilit ia kisha frikën.

    Nga ana tjetër, te “Ritmi 0” nuk u ndieva kurrë si viktimë. Ishte vendimi im, dhe vetëm i imi, që të isha një objekt mes 72 artikujsh të tjerë që zgjodha, të cilët përfshinin një pistoletë dhe një plumb. Vendosa që publiku mund të bënte çfarë të donte, duke përfshirë të më vriste, pavarësisht se brenda asaj kohe që unë dhashë. Pas gjashtë orësh, kjo e drejtë iu hoq.

    Më në fund, ju sollët një aspekt tjetër të rëndësishëm të kurbës krijuese: si ju, unë kam vepra që i kam pasur në kokë por nuk i kam performuar kurrë. Përse mendoni se ndodh kjo?

    Elena Marinës

    Nuk e di. Të vësh në vijë procesin krijues, rindërtimi i besueshëm se si një histori fillon, zhvillohet dhe i vjen fundi është një ndërmarrje e mundimshme, e ndoshta e pamundur. Më duhet të them, në fakt, se nuk i besoj vërtet atyre që diskutojnë me detaje konceptimin e veprës së tyre. Sipas eksperiencës time është çështje shkrepjesh, përplasjesh, paraqitje fragmentare që ikin në teatrin e trurit.

    Shumica e këtyre fragmenteve lënë shenja të zbehta. Të tjera tërheqin çdo gjë me vete, historia shkon drejt fundit. Sërish të tjera vazhdojnë të ndryshojnë drejtim, ti i ndjek, humbet, ndonjëherë të vijnë befasisht nga një kënd i papritur dhe të lëndojnë. Parapëlqej këto të fundit, gjithmonë, dhe rezultati është që unë i braktis shumicat e veprave të mia. Shpesh është sepse i konsideroj përtej aftësive të mia (shkrimtarja, siç po thoja, mund të mbështetet vetëm te vetja e vet, publiku vjen më vonë). Por në disa raste këmbëngul, pres, dhe filloj sërish. Për librin që ishte më rezistent ndaj shkrimit tim m’u desh të prisja një dekadë: quhet “Bija e humbur”. Dhe shkrimi i tij më frikësonte, nuk isha e sigurtë se do ia dilja mbanë.

    Kështu që, po, mendoj se disa prej veprave të cilat nuk i arrijmë struken në trurin tonë dhe presin për momentin e duhur. Janë aty, ne skicojmë fragmente të tyre, por forca dhe kuraja jonë nuk janë të mjaftueshme. Nuk është serioze. Ato shfaqen shkurtimisht, dhe dikush tjetër i plotëson në vendin tonë. Nuk jemi të domosdoshme.

    Ky shkëmbim, dhe kërkimi për pikat tona të kontaktit ka qenë vërtet një kënaqësi, Marina, faleminderit.

    Përktheu nga anglishtja Enxhi Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË