More
    KreuLetërsiBibliotekë"Kam me fjetë mbi andrrën tane", poezi nga Brikenë Ceraja-Beka

    “Kam me fjetë mbi andrrën tane”, poezi nga Brikenë Ceraja-Beka

    MË FAL PAK DASHURI

    Më fal pak dashuri
    Në heshtje
    Kur koha ndalet
    Të pres për pak dashuri
    Edhe pse heshtja ka vdekë
    Trupi yt ma nuk fal
    As zjarr në dashuri
    Do të vij një ditë
    Me Karontin në Akeront
    Të të zgjoj nga shtrati
    Të ta marr atë dashuri
    Që ta fala në gur.

    Të shenjtat e kohës

    Dielli i mëngjesit shndrit në flokët tuaja
    e pas një shekulli heshtja lëshoi kambanën
    është kohë e dritës
    sa vite ikën dhe ju u gozhduat me hijen
    të cilën toka jua fali
    Ju të heshturat e historisë kapërditë çdo fije kohe
    dhe i falet prapë dashuri dritës
    e dielli me fund i lëshoi rrezet
    mbi akullin që mbanit nën trupin tuaj
    u bëtë një lumë i pashterur
    ju të shenjtat e kohës
    nuk deshët të vdisnit përveçse si në të bukurën e ëndrrave!

    SONTE

    Ajo heshtur
    Kalonte rrugën e fundit
    Duke psherëtirë për kohën e shkuar
    Një çift shfrynte epshin në mes të rrugës
    Kitaristi këpuste telat me tingujt e vjetër
    Lypsari kërkonte lëmoshë
    Nga lypsari
    Fëmija kërkonte buzëqeshjen e humbur
    Engjëjt e djajtë
    Loznin lojën e tyre
    Në udhëkryqin e fundit
    Të kryeqytetit të humbur.

    PRITJA E NËNËLOKES

    Rrugëve të heshtura
    Ecën Nënëlokja e kohës
    Ka më se një orë
    Që ndjek zërat që i dëgjon
    Ka më se një javë
    Bisedon me ta në heshtje
    Ka një dekadë që ecën
    Rrugëve të heshtura
    Në pritjen e lindjes së re
    Eh!
    Edhe pas një shekulli
    Do ta presë kthimin e diellit
    Do t’i presë eshtrat
    O njerëz!
    Ktheni kokën mbrapa
    Shikoni Nënëloken
    Rrugëve të heshtura
    Ec e pret
    Pret e ec
    Pret kohën e pakohë
    Pret lindjen e diellit
    Pret e pret…

    BOHEM

    Fundosesha nën thellësinë tënde
    Nga dallgët e ndjenjave
    Përplasesha nga një kockë te një brinjë
    Dehur lundroja mbi trupin e lagur
    Si Karonti n’Akeront
    Me puthje deheshim
    Sonte ndihemi bohemë

    Nën hijen e llambës

    Kam me fjetë mbi andrrën tane
    e me gjumin e thellë kam me aktrue si Helenë
    ne lumin e vdekur kemi me diellzu
    ta kujtojmë kohën kur s’i falnim puthjet
    s’kam me të lanë me ra në andrrën pa diell
    atje në fund të tokës kam me të gjetë
    nën hijen e llambës kam me u fshehë
    dritën kam me ta dhanë përjetë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË