Gano rrinte ulur në karrige dhe vështronte lojën e rrezeve të diellit në perden e dritares së zyrës. Trokiste gishtërinjtë në tavolinë dhe vërshëllente një melodi të njohur me një ritëm të ashpër. Kishte një javë që s’kishte bërë ndonjë punë, me përjashtim të dy ditëve, kur kishte qenë në një kooperativë, për të sqaruar një letër anonime, të cilës nuk i doli njeri për zot dhe ai e mbylli këtë ece-jake me një drekë të bollshme, por të mërzitshme. Sa koha kalonte, atë e kaplonte një boshllëk i vazhdueshëm dhe ai, kryetari i komitetit ekzekutiv, e ndjente stresin si një gjëmë e pathirrur,por që duhet duruar. Sidomos, nervoz bëhej kur dikush i vinte në zyrë dhe i qante hallin dhe ai detyrohej të dëgjonte një zhargon njerëzish të pagdhendur, të cilëve, në fillim u tregonte ndonjë anekdotë e pastaj i thumbonte me marifet, duke treguar një sqojtësi të hollë prej intelektuali,që di të kripë llafin me terma të zgjedhura.
Kur dikush me guxim mundohej të përballte fyerjen, kryetari i nderuar e ndjente për detyrë të tregonte epërsinë e postit të tij, duke i ulëritur se do të jepte urdhër për ta lidhur, atëherë guximi i tjetrit shkrehej ngadalë- ngadalë dhe kryetari e qortonte, duke ndërruar taktikë, për t’i treguat se mendja e tij ishte e papërballueshme.Njerëzit e shkretë vinin për vetulla e nxirrinin sytë dhe ai s’e kuptonte këtë, duke humbur ndjesinë e të qenit njeri.
E pra, ai dikur kishte qenë një masovik i palodhur, që u hidhte dorën në qafë fshatarëve, u jepte kurajo dhe optimizëm revolucionar dhe, për këtë, katapulta e karrierës e ngriti, nga një veteriner mediokër, në postin e kryetarit të komitetit të një rrethi industrial.
Duke parë rrezet e diellit që loznin me tylin dhe perden e trashë, ai ndjente një squllje të habitshme.Por sakaq nga koridori vinte një zhurmë me luhatje.
Shtypi butonin e ziles dhe në derë u shfaq Avniu,sekretari i tij.
-Ç’është, mo!…
Këtë pyetje e përsëriste ,si një shprehje që i vinte vetiu,edhe kur në korridor ishte qetësi.
Sekretari ishte i zverdhur në fytyrë, por e mblodhi veten.
-Shoku kryetar, një fshatar…
-Një fshatar, ç`do ky?
-Kërkon t’ju takojë.
-I thuaj se nuk pres njeri sot!
Dera u mbyll ngadalë, por, pas një minute, zhurma u shtua edhe më tepër. Ganos iu duk se rrezja e diellit u drodh dhe, për një çast ,ajo sikur i erdh afër si tel i skuqur.. Zhurma herë ngrihej e herë ulej, me një ritëm çmendurak… Shtypi me forcë butonin.
Avniu menjëherë u duk në derë.
-Hë?!…
Nuk shkulet nga dera, shoku kryetar!
-Përzëre!
Tjetri u zverdh si meit.
-Hë qullash, fute brenda, se më erdhi në majë të hundës!….
Sapo tha këto fjalë ,fshatari u duk në derë.
Ai u ul menjëherë në kolltuk, pa i thënë kush se duhej të ulej. Kryetari e pa me vëmendje dhe rrudhi buzët, duke mos i ardhë mirë që ky kokorocc ulej si në shtëpinë e tij .
Ishte një burrë i bëshëm;në fytyrën e tij rrudhkat e thella tregonin vuajtje. Dukej i paepur dhe këmbëngulës.
-Nuk kam kohë për muhabet shtruar, por fol si e ke hallin?
-Kam 15 vjet që punoj në minierë e kam 6 kalamanj të vegjël ,që duan të hanë!….
-Nuk të jap unë bukë, bukë të jep puna!
-Aty e kam fjalën, më ka hequr nga puna kryetari i këshillit të fshatit dhe ka futur në vendin tim kunatin e motrës së tij.
-Kjo, more vëlla, është kompetencë e këshillit, ti i di ligjet, unë këshillin e fshatit nuk e urdhëroj dot.
-Pikërisht, kryetari i këshillit ka shkelur ligjet, këshilli ka votuar për mua, si njeri hallexhi, ndërsa ai ,në mënyrë të fshehtë, letrën ia ka dhënë kunatit të motrës.
Kryetari e kuptonte se kështu ishte, po si mund të hidhte poshtë mikun e vet, Zaim Zarën, me të cilin dilte herë pas here për gjah, shtrohej në darka e në dreka të paqme dhe kishte kohë që ndjente ngrohtësinë e respektin e tij në formën e dhuratave, jo pak të leverdisshme.
Ndërsa mendonte kështu, fshatari e ngriti tonin e zërit:
-Ju duhet të merrni masa për atë zyrtar të poshtër që shkel ligjet. Që sot unë dua nga ju letrën, për të shkuar ne vendin tim të punës!
-Shko, puno një vit në kooperativë, nuk bëhet kiameti, kooperativën nuk do ta mbajnë vetëm gratë e gjora, – foli butësisht kryetari.
-Nuk i mbaj dot fëmijët me një tre- lekësh për ditë pune,- tha fshatari dhe në zërin e tij një drithërimë sikur ia zbriti ngrefosjen e fillimit.
-Largohu tani, më duket se të sqarova.
-Si mund të largohem, shoku kryetar, ku të mbytem?! Të punosh sa vite në minierë, të marrësh kaq medalje dhe të të heqë një maskara prej pune, kjo është ç’është!….
-Si mund të thuash kështu për një kuadër që e ka zgjedhur populli? — ngriti tonin e zërit kryetari.
-Por partia s’thotë të bëhen padrejtësi dhe ajo u ka vënë ju këtu,për t’u zgjidhur hallin njerëzve.
Ky fshatar ishte brisk nga goja dhe arsyetimet e tij po e nervozonin . Nuk i kishte ndodhur ndonjëherë, që hallexhinjtë e shumtë të flisnin pa u lutur,me një këmbëngulje kaq krenare në të tyren. Kryetarit i ishin skuqur majat e veshëve dhe ndjente një buçitje në tru.
-Dil jashtë!,- i ulëriu.
-Dil ti, kjo është zyrë e popullit!.
-Këtu populli më ka vënë mua, kur të bëhesh ti kryetar, vepro si të duash!…
-Ti nuk e kryen mirë detyrën.
Jo kjo nuk durohej!Do të lajmëronte policinë,por shpejt e mblodhi veten.
-Të lutem shumë, shoku punëtor, unë zgjidh atë hall që zgjidhet!.
-Halli im është i zgjidhshëm, më jep letrën të shkoj në vendim tim të punës!..
Si të bënte? Ishte hera e parë që binte në një pozicion të tillë.
“Mirë, -tha kryetari,- rri në zyrën time, unë po dal, rri me Avniun e tregoni anekdoda”.
Kryetari u mat të dilte, po ndërkohë u çua edhe fshatari. Ishte zverdhur në fytyrë dhe i dridhej buza e poshtme.
-Fillova të kuptoj se ti nuk ke faj, shoku kryetar…
-Kështu pra, bëhu i arsyeshëm,- murmuriti kryetari.
-Jo, shoku kryetar, ti nuk ke faj, ti që vrave Rexhën, nuk pyet për asnjeri në këtë botë.
-Rexhën? Cilin Rexhë?!…
-Po, po, ti ke vrarë Rexhën!, – ngriti tonin e zërit fshatari, duke iu drejtuar atij me gishtin tregues dhe ,me një hap të shpejtë, doli përjashta ,pa përshëndetur.
Kryetari ndjeu një pickim në zemër. Ai mbështeti bërrylat në tavolinë dhe ngjeshi fytyrën midis pëllëmbëve. Ky minator kishte biseduar me të si i barabartë, por, edhe tani, duke hedhur një shashkë, e akuzonte për vrasje. Para dy vitesh, dikush ishte vrarë në gjueti dhe vrasësi nuk ishte gjetur akoma. Mos vallë ky i poshtër kurdiste ndonjë rreng, shkruante ndonjë letët anonime dhe Sigurimi, për të mbuluar mos-gjetjen, e piketonte atë ,si autorin real të vrasjes? Për disa minuta, i mbeti mendja tek ajo fjalë, e thënë në kalim,ndoshta si shaka, si një rrufe në qiell të kthjellët.
Ngriti kokën dhe pa Avniun që po rrinte si i ngurosur, me sy të largët s’dihej se ku. Ai shtrëngoi stilografin në dorë ,sikur aty të ishte enigma e asaj shprehjeje të tmerrshme.
-Po ti, more, ç’më rri si buf, dil gjeje atë të mallkuar dhe pyete se çfarë ishte ajo fjalë?
Lehtazi sekretari u prapësua rrëshqitas në ecje. Veshët i shungullonin nga replika të ashpra, po, kur doli në ajër të pastër, e mblodhi veten. Si nëpër tym iu kujtua gjithçka dhe si mund të shkonte i ziu, pa gjetur, atë, fshatarin kapriçioz, i cili kishte thënë një fjalë kaq të tmerrshme, të padëgjuar ndonjëherë? Duhej të nxitonte, ta gjente, ta luste, ta qiraste, ta zbuste, në mënyrë që t’i nxirrte sekretin, atë sekret që po e torturonte kryetarin në zyrë.
I kërkoi lokalet me radhë ,por nuk e pa. Vrapoi nëpër rrugë, hiç gjurmë njeriu… Vendosi të kthehej, po ku? “Shkoj në mal më ha ujku, shkoj në shtëpi më rreh gruaja”-iu kujtua një thënie e popullit. Koha kalonte e ngecte në vend ,sikur për atë të mbaronte gjithçka. Ishte i lodhur nga bredhjet, kur pa në një stol lulishteje, atë, fshatarin,i cili kishte hapur mbi stol një gazetë, bukën dhe po mbllaçitej në qetësinë e vet. Përtypej ngadalë dhe, herë pa here, kafshonte një copë qepë.
-Të bëftë mirë!, – uroi Avniu.
Fshatari nuk i ktheu përgjigje. Mblodhi thërrimet e fundit, i futi në gojë, pastaj palosi gazetën dhe e futi në xhep;ngriti kokën dhe e pa mirë në fytyrë ,sikur ta shihte për herë të parë.
-Erdhe?,-i tha,- ç`do?!
-Të kërkon kryetari.
-Ik, more me gjithë kryetar. Do të shkruaj lart!.
-Mirë, shkruaj, po kryetari ka një fjalë me ty.
-I thuaj nuk vij, kryetari ka vrarë Rexhën.
-Fja pimë një kafe,kryetari nuk është burrë i keq.
Fshatari u ngrit dhe i zgjati dorën për të ikur, po Avniu menjëherë i futi krahun dhe, me përgjërim, iu lut:
-S’shkoj dot te kryetari, bëje për mua. Të lutem!
“Kafen e pimë, -pranoi fshatari, por iu kthye atij afër në fytyrë:
– Tek kryetari nuk vij!
Ata u futën në restorant -turizmi dhe Avniu iu përkul, gati duke murmuritur: Çfarë do të pish?
-Pelin!
-Dy dopio raki nga ajo e mira!-poroiti Avniu.
Pas pak kamarieri solli dy dopiot dhe dy pjatat me mëlçi- kapulë.
-I keni nga Faja, -tha ai dhe u largua plot respekt.
Aromë e mëlçive të skuqura iu fut fshatarit në vrimat e hundës. “Eh, si jetojnë këta!”, tha me vete.
-E po gëzuar shoku…, më fal i ta thonë emrin?
-Asllan quhem.
Avniu çakërroi gotën ,po minatori nuk e ngriti. Sekretari përkuli kokën mbi pjatë dhe kollofiti një copë mëlçi. Asllani e ngriti gotën papandehur dhe kjo ishte një sihariq për tjetrin.
-Ne po hamë mëlçitë e kalit të Rexhës, që ka vrarë kryetari, -tha ai.
-Jo,-tha Avniu,- nuk janë mëlçi kali, po mëlçi viçi të freskëta.
-Ku merr vesh ti!, -iu hakërrye fshatari.
Ndërkohë sekretari e kishte mbaruar pjatën.
-Nuk e kuptoj pse nxitoni kaq shumë,- tha fshatari,- sado të nxitosh ti, nuk e gjen dot pse kryetari jot ka vrarë Rexhën
-Atë do ma thuash ti, përndryshe mbaroi karriera ime.
Fshatarit i erdhi keq kur pa fytyrën e Avniut që mbillte në trishtim .Ai mendoi t`ia rrëfente enigmën atij.Fundi,çfarë do të humbte?
-Dëgjo këtu more !…, -i tha bashkëbiseduesit: Është një këngë e njohur kosovare, që rrëfen për një Rexhë të shkretë, i cili ,ditën e dasmës, vajti të merrte kalin e nuses. Kali qëlloi me shkelm Rexhën, i cili priste të bëhej dhëndër.
-Pra kryetari nuk e paska vrarë Rexhën?
-Natyrisht që s’e ka vrarë, po ti, nuk e kupton akoma, që ai e ka vrarë një Rexhë?
-E vrau s’e vrau! E lagu s’e lagu! S’të kuptoj!… Eja me mua dhe thuaja vetë kryetarit!
-Jo. Në qoftë se shkon ti dhe i merr premtimin se do më japë letrën për të shkuar në punë, atëherë…
-Shkoj,- tha sekretari dhe u ngrit e doli përjashta. U vonua pesë minuta diku, pa qenë te kryetari dhe u kthye.
-Më premtoi kryetari, -tha, -eja!
-Ti nuk ke qenë, se je frikacak, megjithatë shkojmë!.
Pas dy tre minutash , sekretari i tha fshatarit të priste në paradhomë.
Kryetari rrinte si i ngurosur dhe shihte rrezen e diellit që po perëndonte.
-Çfarë ishte ajo mesele, mo Avni!?,- pyeti ai.
Sekretari uli sytë, si një nxënës i zënë në faj.
-Si të them, shoku kryetar…
-Avni, ne jemi shokë, ajo që ngjau, ngjau, vetëm mos e marrë vesh kush!
Sekretari i tregoi historinë e Rexhës, i cili ,ditën e dasmës, u vra nga kali.
-Ai maskara më paska …. dhe unë s’e mora vesh?! Fute brenda shpejt!
Fshatari u ul në kolltuk, pa i thënë kush. Në fytyrën e tij ndihej lodhje e qetësi. Kishte arritur të mposhte këtë njeri të gurtë dhe s`kishte rëndësi në do ta merrte letrën a jo .
-Avni!- thirri kryetari,- plotësoi letrën këtij malukati të shkojë në punë!
Balli i digjte dhe i shkonin djersë…