More
    KreuKinematografiJosif Papagjoni: Rikard Ljarja – një imazh lëvizës në kohë

    Josif Papagjoni: Rikard Ljarja – një imazh lëvizës në kohë

    Shumë vetë mbeten në mbamendjen e njerëzve, më gjerë të komunitetit, shoqërisë, kombit, për do ndihmesa të papërsëritshme, të vetëmjaftueshme, qenësore në llojin e tyre. Kadare, për shembull, është një lojtar i famshëm i gjuhës, i fjalës, i ligjërimit, i sfidave qytetëruese, i ideve demistifikuese, i kredhjes në brendësitë e historisë dhe qenies kombëtare shqiptare etj. Sali Shijaku, Myslim Mulliqi, Gazmend Leka, Bashkim Ahmeti sjellin në kanavacë disa përfytyrime a shpërfytyrime që lidhen me njeriun shqiptar dhe tokën e tij, me arkeotipin, natyrën, qytetin a fshatin shqiptar, mitin, legjendat, turbullirat shpirtërore, me furitë e shpirtit, mistikën e desakralizuar apo të sendërtuar në imazhe surealiste, transhedentale. Dhe kështu muzika, teatri, arkitektura. Po Rikard Ljarja?

    Sa e përmend këtë emër menjëherë ia beh në sy aktori ynë i njohur. Një yll i kinemasë, të tjerët i thonë Star. E ç’rëndësi ka fjala! Për mua ai ishte një imazh shëtitës në syrin dhe mendësinë e shqiptarëve. Një imazh human, i thjeshtë, i ëmbël, pranues. Imazh i njeriut të bukur, të pashëm, plot hir mashkullor. Imazh i një shqiptari të mirë, të thjeshtë, të pabëzaj. Sy që flet. Zë i bukur bariton. Imazh kinematografik rrallë i përsëritshëm më. Madje-madje, ai sikur është imazhi i krejt një kohe. Aktor, regjisor, skenarist dhe së fundimi shkrimtar. Gjithë këtë hapësirë shumëdimensionale e sjell edhe libri “RIKARDI – Nuk kam asnjë peng”, botim i Onufrit, përgatitur nga Marjera Ljarja, e shoqja e tij, aktore e njohur, dhe Dashnor Kaloçi. Një libër malli, kujtimi e respekti për gjithë miqtë dhe artdashësit e tij…

    Si strukturë është një libër mozaik: të tjerët për Rikardin dhe Rikardi për vete. Pastaj Rikardi për Shkodrën e tij, për botën shqiptare, për histotrinë, aromat që vijnë nga eposet e lashta. “Fjalë, fjalë, fjalë… – shkruan ai në parathënien e këtij libri. – S’kam ç’them. Është histori e gjatë, dhe nuk jam specialist i kësaj fushe. Por desha të them se të shkruarit letërsi nuk ka asnjë shpjegim të saktë sipas meje”. Po, të shkruarit është një nga pushtetet e mëdha të mendimit, komunikimit, përcjelljes mbresalënësë të kumteve, zbërthimit të mistereve të qenies njerëzore, qysh nga ravijëzimet e mureve nëpër shpella, më vonë me germat mbi pllaka balte, papiruse, kuneifeore, hieroglife egjyptiane, arabe a kineze, gjer te “germat” mbi ekran, imazhet lëvizëse. Rikardi nuk do tatuime mbi fjalën e tij, përkundrazi “dua të jem ashtu si jam, i vërtetë. Me të tëra gabimet. Pa më zbukuruar, korrigjuar, redaktuar, korrektuar e ku e di unë se çfarë. Dua të jem UNË.”

    Ti je “TI” Rikard, edhe te ky libër i yti dhe për ty. Je “Ti”, tanimë më shumë si njeri, si mendimtar, afërmendsh edhe si artist teksa bën vlerësime për krijimet e tua në kinematografi, por edhe të të tjerëve, të kohës, të ndryshimit të mendësive, sistemeve politike, referencave morale. Një gjë që më ka lënë mbresë te ty Rikard është DINJITETI. Ti je ai që ke qenë, ai që je. Nuk u tundove nga lakadredhjet prej “bythëtundësish” e trushkulurish me qëndrimet e tyre ekstreme ndaj krijimeve, sëmundje foshnjore e “fillimit të fillimit”, ku gjithçka e bërë me mundim e sakrificë më parë duhet flakur, duhet mohuar e asgjësuar. Por kjo psikologji dështoi, shoqëria nuk e qasi. Mbaj mend një diskutim të rreptë që kemi bërë dikur në një emision me një filolog, Agron Tufa, dhe ndoca “antikomunistë” të ndezulluar, që kërkonin t’i ndalonin gjithë filmat e prodhuar para vitit 1990, se kinse ata qenë “filma të kuq”. Çfarë marrëzie! Harronin se arti nuk ishte një zeje politike, as një poçe pas bishtit të qenit, por kishte në themel shpirtin e njeriut, sintezën e kohës. Dhe ai “shpirt” diku mes fjalëve, heshtjes dhe imazhit, “fle”. Gjeje, or mik. Aty është e vërteta e njeriut. Pikërisht Rikard Ljarja kishte një qëndrim të kthjellët, sikurse pjesa më e shëndoshë e kineastëve tanë, që nuk e lejuan këtë “dumbabizëm” të ri kinse kulturor. Unë nuk kam qenë miku yt i ngushtë Rikard, por një ndër të shumtët e tu. Dhe për këtë libër, ku ti je i vërtetë, po them dy fjalë të miat…

    RIKARDI ishte artisti i filmave të shumtë shqiptarë, një imazh i shumëdëshiruar nga të rinj e të vjetër, “imazh lëvizës”, madje aq popullor dhe i kudogjendur sa u sajua dhe një anekdotë bash nga qyteti i tij i lindjes, Shkodra. Njerëzit sikur donin të identifikoheshin me këtë imazh. Sepse ai ishte pjesë e së mirës, e së bukurës, e njerëzores. Shkodran nga prindërit, ai lindi në Shkodër më 1 prill. Mbaroi Shkollën e lartë për Aktor “Aleksandër Moisiu” (1965) dhe më pas u emërua në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Unë mbaj mend pak role të tij në teatër, paçka se teatri ishte për të një magji, një pushtet emocional i patejkalueshëm dhe i pakrahasueshëm ose siç e quante ai në një shkrim të vetin “Shenjtëria e tij Teatri”. Fati e çoi drejt kinematografisë dhe në vitet 1973-1996 punoi si regjisor në Kinostudion “Shqipëria e re”, ndërsa më pas deri në v. 2002, kur doli në pension, ishte drejtor artistik në televizionin publik shqiptar. Qysh në fillim, i prerë për ekranin, ai u shqua për talentin e tij si aktor i filmit dhe shpejt u aktivizua në rolin e parë, atë të Dritanit te Komisari i dritës (1966), me të cilin krijoi një portret të mëvetësishëm prej mësuesi atdhetar e të pushtuar nga idealet e bukura të diturimit të fëmijëve në malësi. Interpretimi i tij i dha këtij personazhi besueshmërinë, natyrshmërinë dhe prerjen njerëzore, përkundër skemave të një heroizmi bërtitës, imponues e “madhështor”. Ai bëri një “revolucion” në mënyrën e aktrimit. U iku skemave të teatrit dhe loja e tij solli modelin e një loje sa më të natyrshme e të vërtetë para kamerës, ku edhe një rrudhë, një gjest, një lëvizje syri bëhen tejet të dukshme. Heroi në qenien e tij erdhi i thjeshtë, pa fryrje, i besueshëm, burimor. Interpretimi i tij u bë model për artistët e tjerë të ekranit. Qe një hop. Suksesi i merituar që arriti me rolin e Dritan Shkabës i çeli shtigjet për t’u afirmuar si një nga aktorët më të kërkuar të kinematografisë në figurat e heronjëve të luftës e të punës, të cilët u interpretuan prej tij nga një sipëri e dukshme humane duke kërkuar në aktin heroik të thjeshtën dhe të domosdoshmen.

    Një vit më pas interpretoi rolin e Skënder Gurit në filmin Dueli i heshtur (1967). Fotogjenia e tij, zëri i pastër bariton, vetësiguria dhe vetëpërmbajtja, të shoqëruara nga një qetësi e brendshme e veprimit psikik dhe aftësia për të krijuar suspansën dhe kontrapunktet e nevojshme gjatë procedimit të aksionit filmik, krijuan gjasat që Rikardi të bëhet nga aktorët e parapëlqyer të regjisorëve. “Po mbushen afro 50 vjet që është xhiruar “Komisari i dritës” dhe pas tij edhe “Dueli i heshtur”, – shkruan ai te ky libër. – Isha vetëm 23 vjeç atëherë. Oh, çfarë privilegji! Kanë kaluar pra 50 vjet dhe unë kudo ku kaloj, rrugës, në kafene, apo kudo ku janë njerëzit, vazhdojnë të më urojnë njësoj sikur filmi të ketë dalë dje. E çfarë duhet të them unë, “Poshtë komisari i dritës”?!

    Maja më e lartë që ai mbërriti në aktrim ishte Deda te filmi Rrugë të bardha, 1974. Prirja për t’i dhënë lojës vërtetësinë deri në detaje të veprimit njerëzor, në një situatë të jashtëzakonshme, ku përkushtimi i pabujë ndaj detyrës si fillrojtës për të lidhur linjat e këputura telefonike në kohë stuhie me borë, nga njëra anë dhe shpalosja e një shpirti të ndrojtur, të butë, poetik por këmbëngulës e vullnet-hekurt, nga ana tjetër, realizuan shkrirjen e të madhërishmes dhe heroikes me të thjeshtën dhe të zakontën. Ai përputhi me sens mase veprimet e vërteta fizike prej fillërojtësi me ndjeshmërinë dhe fjalën e ngarkuar me emocion. Rikardi ka luajtur mbi 25 role në kinematografi, dhe veç figurave artistike të realizuara më sipër, spikati edhe te Naimi (Plagë të vjetra, 1969), Rrema (Shtigje lufte, 1974), Dino (Radjostacioni, 1979) etj. Loja e tij shënoi një stil të veçantë. Kryesisht ajo u trajtua në tone të ulta, të qeta, me një zë të ngrohtë, bindës dhe një portret filmik tërheqës, fotogjenik. Ai ishte, siç e cilëson edhe Marash Hajati në një shkrim për artin e tij, “mjeshtëri i heshtjes”. Është e vërtetë, Rikardi dinte ta luante për bukuri heshtjen, atë çka bulëzonte thellë gjendjes shpirtërore, anktheve, frikërave dhe vendosmërisë së tij. Te “Dueli i heshtur” ka aq shumë heshtje, domethënë veprime psikologjike pa fjalë, veçse me mimikë, me sy, një tension i brendshëm krejt. Edhe “Rrugë të bardha” po i tillë është: Aktori përballë tufanit, vdekjes, ecja mbi borë, telat, mërmërima, biseda me veten, vetëflijimi. E pra, nga kjo “heshtje”, që s’ishte veçse shpirti i personazheve, buronte një ndjeshmëri e thellë njerëzore, tone meditative, ato lirike e poetike.

     Në këtë libër, si element bazik, janë edhe mendimet e Rikardit në disa gazeta të kohës. Dhe këtu përfshihen intervistat me A. Markun, F. Kongolin, F. Nikollin, D. Kaloçin, A. Milen, A. Bardhylin, por edhe shkrime të dedikuara atij, ku spikat ai i Marash Hajatit. Paçka se shumëkush asaj kohe mund ta kërkonte modelin e heroit në caqet e një lloj butaforie (gjë e cila ka kapur për këmbësh shumë vepra të bukura arti), përkundrazi, loja e Rikardit dhe imazhi i tij sillte në ekran çuditërisht Njeriun. Heronjtë e tij, Dritani, Skënderi, Deda, Rrema etj., janë njerëz të thjeshtë, mbushur me shpresa e iluzione, të bukur, të afërt, pa qibër, vetëflijues, që çaponin mal mbi mal e pyll më pyll për t’u shërbyer njerëzve, qytezës, katundit, vendit. Pas përmbysjeve të mëdha e utopive të mëdha gjithnjë buisin edhe shpresa të mëdha. Njerëzit e dalë nga luftërat dhe shkatërrimet, sidomos të rinjtë, mëkoheshin pikërisht me këtë shpresë si mundësi përtëritjeje, si një ideal i bukur, i cili vishej nga pasioni njerëzor. I tillë ishte Dritan Shkaba. Ai vritet pas shpine, pabesisht. Ka dhimbje vdekja e tij, dhemb shpirti i gjorë. Sepse ai është një riosh, të cilit i pritet jeta në mes, i vritet një ëndërr, një dashuri. Dhe fle ky djalosh në një kasolle me kashtë, grumbullon ca fëmijë rrobe-grisur e të varfër, por me dritë në sy, dhe u jep mësim; është përhapësi i dritës, i diturisë, i “fjalës”, si apostujt dikur motit që shpërndanin kumtin mesianik. “Diogjenë” të tillë janë të përhershëm dhe të përjetshëm. Po Deda të “Rrugë të bardha”, cili është vallë? Paçka se një fillërojtës i thjeshtë skërkave, pyjeve dhe maleve me borë të veriut, a nuk është edhe ai një misionar i lidhjes së shpirtrave, zemrave, njerëzve, një metaforë në miniaturë e një Jezu Krishti të ri mbërthyer aty, në kryqin e shtyllës telefonike: një “Via Crucis” para vdekjes, siç pohon vetë Rikardi. Por një pohim të tillë ma ka bërë edhe vetë regjisori Viktor Gjika, të cilën e kam shkruar në një librin tim. Dritan Shkaba, Skënder Guri, Deda ngrihen mbi një trinom: fjala, drita, atdheu, martiri. Ata martirizohen për të tjerët, por disi ndryshe… Dua të kujtoj këtu një episod gjatë xhirimeve të filmit “Rrugë të bardha” pyjeve të Fushë-Arësit. Unë punoja në atë qytezë sharraxhinj atij viti (1974) dhe rrija për qejf me aktorët dhe ekipin realizues të filmit. Qe një dhomë e madhe, në mes të saj një sobë e skuqur flakë ku hidheshin vazhdimisht dru. Aktorët e mardhur e të lagur nga dëbora ngroheshin, teshat e tyre avullonin, njësoj si në film te skena Deda-Zana. Dhe muzika e mrekullueshme e Limoz Dizdarit. Ja ku erdhi dhe Rikardi. Më është ngulur në kokë figura e tij, fytyra e akulluar. Ai përplasi çizmet në tokë si prej Dede. Bora u hap në dysheme. Hoqi peliçen e lagur dhe u qas tek ajo e bekuar sobë plot me dru duke u fryrë duarve. Iu ngroh lëkura, trupi. Papo nisi pastaj një humor mes artistësh, hidh e prit. Robert Ndrenika e ngacmonte Rikardin: Po ç’tu desh, mor qyq, mbete ngulur në shtyllë të telefonit. Viktor Gjika qeshte me të madhe me atë mirësinë e tij në sy. Çfarë bukurie! Çfarë njerëzie. S’më hiqet nga koka ky imazh!

    Rikard Ljarja hyri i mëvetshëm në regjinë filmike me filmin e tij të parë Në pyjet me borë ka jetë, 1978, ku edhe u njoh e u lidh në martesë me aktoren Marjeta Ljarja. Vijoi mëpastaj me xhirime filmash të tjerë si regjisor, 10 të tillët, ku bien në sy veçanërisht filmat Radjostacioni (1980), – një tablo lufte dhe paslufte me përplasje kundërshtish, klasash (fitimtarë e të rrëzuar) nën një linjë subjektore përbashkuese: ngritjen e radiostacionit të ri që do t’i shërbente paskëtaj pushtetit të ardhur nga lufta; Skëterrë ’43 (1980), – veprimi dhe situata tragjike në një kamp përqëndrimi nazist, ku vuajtja, torturat, rezistenca për mbijetesë, të pleksura me faktorin politik vetëdijësues të kohës, krijojnë një tablo të kahut epiko-heroik, paçka se hasen aty edhe mbishtresime të koncepteve dhe miteve politike, që vinin nga estetika socrealiste. Një qasje gjithsesi dramatike mundi të përditësonte ai në filmin Fundi i një gjakmarrjeje, 1983, ku armiqësia fisnore e personale ridimensionoheshin në miqësi dhe në hakmarrje tashmë kundër pushtetit dhe sipërmarrësve italianë, brenda optikës së njohur socrealiste. Nivelin më të mirë të realizuar si regjisor Rikardi e mbërriti me filmin Kur hapen dyert e jetës, 1980, me të cilin fitoi çmimin “Aleksandër Moisiu”. Falë një situate të rëndë e të jashtëzakonshme (kryerja e një operacioni në një klinikë fshati, në kushte izolimi nga dëbora), filmi përcillte idenë e guximit, vullnetit dhe përkushtimit për punë, e pleksur në mënyrë organike me korrupsionin dhe abuzimet që vinin nga shfrytëzimi dhe tepria e pushtetit, me vetëdijen dhe qëndrimet patriarkale, sikurse edhe me linjën spekulative të “optimizmit” dhe thirrjes ndaj të rinjve për t’u ngulur dhe për të ndërtuar lumturinë e tyre në fshat. 

    Rikardi ka shkruar edhe letërsi, ndër ta romanet: Në një humbëtirë këtej rrotull, Kohë qensh, Josifopedia. Ka një stil lakonik, fjalë të prerë, peshë në mendim, heshtje të nënkuptuar, narrativë dinamike, pak përshkrime e më shumë mendim, përsiatje. Letërsia në dekadën e fundit të jetës u bë “mikja” e dytë me të cilën ai kuvendonte. Ka ky libër edhe eseistikë, ku unë do të veçoja shkrimin kushtuar Ndrek Lucës (Madhështia e thjeshtësisë), esenë për Gjirokastrën (Më kish marrë malli për ty), ose të tjera si: “Ejani të pështyjmë”, “Arnaut Osmani, Frederik Engels dhe Sigmund Freud” etj. Nuk po zgjatem shumë te kjo qasje, po risjell diçka nga një prej shkrimeve të tij të përfshira në këtë libër:

    “Ç’është atdheu? A nuk jam unë atdheu, gruaja dhe fëmijët, oborri im, toka ku kam mbjellë sivjet bostan a grurë, a nuk është atdheu komshiu im, lagjia, fshati përkarshi, ai lumi që s’pushon së rrjedhuri, a nuk është atdheu gjuha që flasim, këngët që këndojmë e vaji, e gjama, a nuk është atdheu varret e gjyshërve e stërgjyshërve, a nuk është atdheu gjithçka nën këtë tokë e mbi këtë tokë deri tek flamuri? Sigurisht që ky është atdheu…”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË