More
    KreuOpinionJosif Papagjoni: Qamil Buxheli – më e bukura mendje e humorit

    Josif Papagjoni: Qamil Buxheli – më e bukura mendje e humorit

    Qamil Buxheli ka qëndruar përherë ëmbël në kujtesën time. Ndofta se rrënjën e kishte nga fshati Pandalejmon, pra nga Saranda prej ku edhe unë isha. Por nuk ishte aspak kjo kryesorja. Kjo ishte, le ta quaja, “aroma” që krijonte tek unë prania e tij duke e rritur simpatinë time për të. Kur e kisha parë për herë të parë, teksa shkoja në revistën “Ylli” në vitin 1971, ku Qamili ishte kryeredaktor, më pat mbetur në mendje buzëqeshja e tij e veçantë, e hapur, ato dy pullat në faqe që i jepnin hir. Seç kishte diçka si një nuancë ironie për gjithçka e për gjithkë, gjer dhe për veten, ky Qamili ynë. Sytë përherë i ndrisnin. Humori buiste aty. Fliste butë, ëmbël, dhe ëmbël… I dorëzova një shkrim timin për një komedi, në mos gaboj e Molierit, dhe mrekullisht ai e botoi që atë numër. Si s’dudentë e rishtar i kritikë që isha asoherë, ai më dha një palë krahë si të Ikariusit dhe më tha: “Fluturo, o djalë, dhe ti në qiellin e bukur të letërsisë!” Më pas më botoi edhe dy artikuj të tjerë. Qamili e dinte se unë ishte nga Saranda. M’u prezantua se edhe vetë ishte nga Saranda, nga fshatrat e buta e me portokalle të Çamërisë. Kur e pash më vonë Pandalejmonin e tij, atë fshat të vogël kredhur në gjelbërim ullinjsh, me shtëpitë dykatëshe të pastra, me oborret, rrugicat, pemët frutore, më pat lënë një përshtypje të veçantë. S’di përse atë fshat të vogël e përthyeja në mendjen time vetëm me Qamil Buxhelin. Më shumë mbase me urtësinë e tij dhe atë mirësi që i buronte syve të qeshur, të butë, të butë… dhe prapë të butë.

    Paçka se Qamil Buxheli ishte një personalitet i letërsisë shqipe, me të isha ndjerë përherë mirë. Vetvetja. Ky shkrimtar i shquar nuk e donte “autoritetin”. Satirist i guximshëm, i rrallë në sojin e vet, tejet sqimatar ndaj fjalës dhe artit, aq i butë sa dukej së jashtmi, aq trim ishte në gjithë letërsinë e tij: tregimet, monologjet, romanet, publicistika. Sidomos m’u bë i dashur dhe i afërt, kur në provimin e “Fjalës artistike” në Institutin e Lartë të Aeteve zgjodha si student të interpretoja pikërisht një nga tregimet e tij, “A doni më për Belulin”, nxjerrë nga vëllimi me tregime “Faraonë dhe firaunë”, botuar më 1969. Kaq shumë u shfrytëzuan tregimet e këtij libri nga ne, studentët e aktrimit të asaj kohe, sa rrallë ndonjë libër ishte pëlqyer aq. Mjaft prej tyre ishin përshtatur sakaq për skenë dhe me kohë ato u luajtën gjerazi në teatrot e estradave shqiptare si: A doni më për Belulin, Ndodhi në plazh, Faraonë e Firaunë, E ëma e Zeqos, Kameleoni, Lum është Lana etj. Qamili kishte hir e sqimë në të shkruar. Ndihej kudo kultura, leksiku, cilësia. Ndonëse e kisha lexuar vonë romanin e tij të parë “Kali i mbretit dhe kalorës të rinj”, botuar në vitin 1960, pasi asaj kohe ishte i ndaluar, e kisha përpirë. E kam ende në kokë atë uverturë trimërie dhe atë aventurë njerëzish që digjeshin për vendin dhe lirinë e tij. Qysh aty u ndje një shkëputje e letërsisë së tij nga ajo që zakonisht bëhej gjithandej. Ishte i shkolluar në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki” në Moskë, nuk qe pak.

    Qamili e bartte mbi shpinë vendlindjen e tij, fëmijërinë e kaluar në Pandalejmon, dy vitet në shkollën fillore në Markat dhe tre vitet e tjerë në Sarandë. Gjimnazin e mbaroi në Gjirokastër. Pastaj erdhën kohërat e vështira të Luftës dhe ai mori pjesë me armë në dorë, u zgjodh madje në forumet e rinisë antifashiste, komisar i një njësiti partizan dhe në luftën e Mezhgoranit shkroi vargjet e njohura mbi vdekjen e Asim Zenelit, e cila u muzikua dhe u këndua nga basi i mrekullueshëm shqiptar Mentor Xhemali (Një zë po del nga gryka e Mezhgoranit…). Edhe pse u zgjodh në forumet e larta të Rinisë, karrierën e tij politike ia ndërprenë mediokrit, dinakët, të pabesët dhe të dhunshmit. Mbase arsyeja kryesore ishte shpirti i tij i hapur, dituria, kultura, leximet, çka përfaqësonin një rrezik për kastën e lartë politike të vendit, e kredhur në egërsi, urrejtje dhe më pas në padituri proverbiale. Por them se pati fat që nuk e vijoi atë karrierë. Mendjehapja e tij do të mbyllej si në një pus vetmie dhe stresi, ndërsa lexuesi do të humbte një nga penat e arta të letërsisë që sfidonte kohën dhe kodet e saj të hekurta. Do të ishte harruar dhe sot askush, as unë e shumë të tjerë, nuk do të kishim dëshirë të shkruanim me qejf diçka për të, domethënë për letërsinë e tij prej “klasi”.

    Inteligjent siç ishte, krahas si gazetar, kryeredaktor i gazetës Rinia, redaktor i Zërit të Popullit, kryeredaktor i revistës Ylli, Qamil Buxheli e pati shpirtin e vet përherë te letërsia, më së shumti ajo humoristike. Pse mos ta themi që ishte më cilësori dhe më i epërmi i kësaj letërsia. Pëllumb Kulla në një nga shkrimet e tij për Qamilin, edhe pse vetë është nga lëvruesit më të talentuar e më të begatë të saj, e çmon atë si “shkrimtarin më të shquar në gjininë e humorit në letrat shqipe… një vëzhgues i mprehtë, gjahtar i thekur i pjesës qesharake të jetës shqiptare, që ai e shquante më shpejt e na ftonte të hidhnim vështrimin tonë mbi të… qe ai që shtroi shinat e para të një traseje të gjatë, të një humori të paparë ndonjëherë: aq dinamik, aq i zhdërvjelltë, aq i tejpashëm, modern dhe thellësisht popullor”.

    Ajo çfarë e mbresonte njeriun në letërsinë që Qamili bënte ishte shpirti i tij i lirë, fluturak, ajo ironi e sarkazëm që ai e derdhte falë një cilësie letrare që binte në sy. Ndihet “qejfi” i të shkruarit të tregimeve dhe romaneve prej tij, ndihet ngarendja, gazmendi, çka dëshmon për atë shkoqitje të vetvetishme të humorit, atë shpengim dhe lirshmëri, atë gjendje hareje brenda vetes/me veten/të tjerët, pa të cilën humori nuk bëhet dot. Më tutje ti shquan atë cirk ngjarjesh e kundërtish komike që i bashkangjitet asaj trumbe karakteresh, ca tallës e ca të tallur, ca të gjymtë, të budallallepsur dhe ca mendjemprehtë, leqendisës, të cilat e bëjnë lexuesin që të ndjehet rehat me veten teksa shfleton veprat e tij. Mbaj mend se kur kam lexuar librin e tij me tregime “Një ndodhi në plazh” qeshja me vete rrugëve si budalla, kaq të forta ishin mbresat e ndodhive dhe personazheve të tij në atë plazh ku shkonin mijëra vetë, të veshur e të zhveshur (sigurisht plazhi i Durrësit). Një galeri e vërtetë karakteresh, ku humori lëvizte aq bukur në shpengimin e vet, te fjalët dhe dialogët humoristikë, te situatat e krijuara, me njerëz nopranë e të çuditshëm, snobë dhe të paditur, zyrtarë me huqe e katundarë me një thes turpesh e paragjykimesh. I gjithë ky vëllim ka në thep të hostenit një shoqëri dhe një Shqipëri që ecte jo pa vështirësi në rrugën e kulturimit të saj, një Shqipëri ende e vjetër, ende fshatarake, ende nën trysninë e normave mesjetare të trashëgueshme.

    Shteti e shihte shtrembër Qamil Buxhelin dhe pas ndalimit të komedisë “I pazëvendësueshmi” (1973) e dëbuan nga Tirana; për 11 vjet rresht punoi në rrethin e Elbasanit si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani”. Ndonëse i larguar nga kryeqyteti, pas shembjes së diktaturës ai asnjëherë nuk kaloi në qëndrime mburravece, duke i rënë gjoksit për “ndëshkimin”, por mbeti një vlerësues objektiv i historisë, i jetës, sa i diktaturës aq dhe deformimeve të demokracisë. Letërsia humoristike rierdhi tek ai në një tjetër optikë estetike.

    …Mbaj mend një udhëtim të paharruar nga Tirana në Fier, kur Pëllumb Kulla kishte krijuar një shfaqje gjithë humor me krijimtarinë e tij. Isha i interesuar të dija për veprat e kritikuara të tij dhe biseda rrodhi vetiu. Qamili më shpjegoi se drama Rrugë të tërthorta (1966) ishte kritikuar drejtpërdrejt nga Ramiz Alia për gjoja demotivimin e “njeriut socialist” dhe sjelljen e një fryme deheroike, për mungesën e optimizmit të kërkuar, të solidaritetit si dhe dëshirës së rinisë për jetë më të rehatshme larg zonave të vështira etj. Pra ky partiak kërkonte gënjeshtrën, jo të vërtetën që Qamili kishte treguar aty. Po i njëjti fat e kishte ndjekur edhe dramën Dueli (1963), e cila e zhvendoste konfliktin nga ballafaqimi fizik e me armë te ballafaqimi shpirtëror midis një partizani dhe një ushtaraku të lartë gjerman, të cilin ai po e dorëzonte si rob lufte në bazën partizane për ta gjykuar. Kur e kisha lexuar këtë dramë në faqet e revistës “Nëntori”, përveç letërsisë së shkrifët të saj, më pat mbresuar posaçërisht thyerja e klishesë letrare të socrealizmit bardhë e zi, duke shtegtuar drejt një forme e strukture dramaturgjike origjinale, që e sfidonte skematizmin e kohës, me një vështrim nga përbrenda njeriut. Shkrimtari kridhej në motivet psikologjike të heroit, luhatjet dhe dilemat e tij të shoqëruara me ngulmin dhe stoicizmin, dhe sillte përplasjen e vullneteve të kundërta midis robit dhe triumfatorit, pushtuesit dhe luftëtarit, sfidës dhe sfiduesit. Më grishte ideja sfiduese se jeta ishte më e shtrenjtë se çdo ideal, sidomos në rrethanat e mbijetesës. Me siguri është elementi a trajtesa e parë e deheroizimit të personazhit në letërsinë shqipe të realizmit socialist.

    Më kujtohet fare mirë komedia I pazëvendësueshmi (1973), përshtatje e romanit Kur qesh tërë qyteti (1970). Shfaqja u dha 7 herë dhe bëri bujë në kryeqytet. Mund të them se e njihja mirë tekstin, e doja dhe qeshja me shpirt. Pata shkruar një artikull në gazetën “Bashkimi” për të me aktorët e mrekullueshëm Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Roland Trebicka, Roza Anagnosti etj., si dhe regjinë e Piro Manit. Theksoja se vepra sillte hapur dhe me guxim realitetin e deformuar e të korruptuar të kohës së diktaturës, satirën ndaj kultit të individit, fiktivitetin, mbytjen e nisjativës, konkurrencës dhe frymëmarrjes së lirisë. Këto metaforizohen nën një vështrim grotesk, duke aluduar për atrofizimin e institucioneve të shtetit. Qamili nuk kishte harruar të më falënderonte. I tillë ishte ai: sa një mendje e ndritur e pjellore, aq dhe një njeri i thjeshtë që dinte të respektonte dhe t’i inkurajonte të rinjtë. Në një bisedë që pata bërë me Qamilin vite më pas, të cilën e kam botuar në monografinë time “Poetikë regjisoriale” kushtuar Pirro Manit, prej mendimit të tij ndër të tjera dua të veçoj:

    “…Do të kesh parasysh Qamil, më tha Pirrua, se ne do të kemi probleme me këtë komedi. Pse, do të më pyesësh ti? Sepse ne themi, gati troç: “Do të bëhesh president se s’ka, or byrazer, do s’do ti; dhe po u bëre, ose do të vdesësh president, ose do të likujdohesh”. Kishte dy rrugë: e para, që të triumfonte e mira (pra të gjendej një këngëtare e mirë dhe shtëpia e kulturës së rrethit të fitonte në festival vendin e parë), dhe e dyta që ne s’do kemi një “dolçis in fundo”, pra një supertalent, prandaj do të presim Uçin, që ka rënë në letargji, gjersa të zgjohet. Domethënë, nuk shikohet fare mundësia e një zëvendësuesi, e një talenti të ri, veç atij që ishte, të vjetrit, të pazëvendësueshmit. Goditej utopia absurde, e cila shprehej me idenë që Uçi të flinte deri sa të zgjohej në komunizëm?!… Ne mund të paguanim për këtë edhe një “haraç”, por boshtin e veprës nuk duhet ta dëmtonim, duhet ta shpëtonim. Dhe unë e dija se cili ishte “haraçi”. Këta xhahilë në shtëpinë e Kulturës (pra në shtetin shqiptar të asaj kohe) ishin të mendimit se talente të reja nuk ka dhe s’gjenden, sado të kërkosh tutje-tëhu. Kurse ne, për të futur një element realist, por edhe një nëntekst, thoshnim se talente ka, por ju s’i njihni, s’i shikoni; ose s’doni që t’i njihni dhe t’i shikoni. S’vonoi dhe partiakët e lartë të asaj kohe e pezulluan shfaqjen. Domethënia e saj politike dhe aludimi për udhëheqësit e përjetshëm, “të pazëvendësueshëm”, u kap menjëherë. Mua më thirrën në zyrat e larta të partisë e të qeverisë dhe ma thanë troç: “Çdo të thuash ti me fjalët që ke shkruar në komedi se “ka vetëm një diell tek ne, dielli që na rri në kokë tërë ditën dhe ai na mërzitet ndonjëherë”? Kush na mërzitet kështu? Armiqtë mërziten dhe pëlcasin nga zilia. Dielli ynë është ai, Enver Hoxha. Është dhe do të jetë gjithmonë Ai…”

    Sipas meje, Qamil Buxheli mbetet autori më cilësor i humorit, shkrimtari që përdori mjeshtërisht groteskun, hiperbolën, si askush tjetër më parë; ai që e nxori humorin nga bejtet dhe folklori dhe i dha një gjuhë moderne, të kulturuar, të denjë për një letërsi elitare. Ai dinte të përdorte mjeshtërisht situatat me tejzmadhime dhe ndodhi të çuditshme, ku lëvizte absurdja dhe paradoksalja, kalimet në ekstremet e mundshme e qesharake të sjelljes së karaktereve, logjikën e tyre të atrofizuar, ngaherë tejet i kujdesshëm për gjuhën, selitës cilësor dhe i përkushtuar i saj. Në humorin e Qamilit nuk shihje kurrë banalitete, sharje, fjalë të pista. Sa i pastër ishte, sa sqimatar!

    Unë i kam lexuar thuajse të gjithë librat e Buxhelit, nja dy syresh shkrimtari m’i ka dhënë me dedikim. E çfarë mos të pëlqeje nga krijimtaria e tij? Një ndodhi në plazh, tregime humoristike (1962), që shënjuan një cilësi të re në letërsinë tonë, krejt tjetër? Po novela Komandanti dhe ushtari (1968), e mbushur me shpoti për njerëzit e budallallepsur e të ndërkryer. Këtu, madje, ndihet ndikimi i Hashekut me romanin “Ushtari i mirë shvejk”, të cilin ai e adhuronte. Te Stafeta e kuqe (1969), Qamili stigmatizon me guxim gjithë shtrëmbërimet populiste të kohës. Karriera e zotit Maksut ishte një roman satirik gjerësisht i komentuar për kohën, i cili u bë dhe film nën titullin Historiani dhe kameleonët. Shikoni se çfarë rrengu të pastër komik përdor shkrimtari: derdimenë të politikës, sa herë ndërron pushteti, po aq herë dridh e spërdridh b… Edhe Zoti Maksut kërkon të hiqet, pas pilafit, si një trim, i ndëshkuar dhe i burgosur nga regjimi të cilit i ka shërbyer, andaj dhe kapet fort nga hekurat e qelisë dhe nuk do që të dalë prej andej. Pak njerëz ka sot të tillë, karrieristë të çmendur e të pafytyrë që mbërthehen fort pas kolltukut qeveritar, dridh e spërdridh, veç të rrinë në pushtet, s’ka rëndësi kush ishte e kush vjen, s’ka rëndësi ideali, morali, dinjiteti!…

    Pastaj erdhën librat Kameleoni në hall (1978), pasuar nga novela Perënditë bien nga fiku, (1979), vëllimet Abeli, unë dhe Paganini, satirë e humor (1984), Maratona e vdekjes, roman (1983), Pjesë të zgjedhura (1992). Në këto vepra ti sheh Shqipërinë dhe shqiptarët e projektuar në marëzitë e tyre, jo më shumë politike sesa ato morale dhe karakteriale: njerëz që ndërrojnë shtatë lëkurë si gjarpri, kameleonë të karrigeve dhe posteve, “Abelët” e munguar, katundarë dinakë që duan të përfitojnë, nihilistë që mohojnë çdo gjë në vendin e tyre dhe e bëjnë zi e më zi, plaka të zgjuara që shpotisin nuset e hazdisura, tufa budallenjsh, mburravecësh, “komandantësh”, me fjalitë e mërzitshme mbushur me slogane dhe mburrje.

    Pas vitit 1991 Qamil Buxheli e ktheu sarkazmin e tij tashmë ndaj deformimeve që vëreheshin në ndërtimin e një mendësie të re demokratike, duke fshikulluar me guxim jo vetëm mbetjet e djeshme politike, por dhe gjithë atë skorje që po prodhonte qeveria e re e quajtur “demokratike”. Ndër veprat e bukura që edhe sot nuk e heq nga mendja qe libri me tregime Dostojevsk nuk kemi, idiotë sa të duash (1997). Si përherë, edhe këtu më pat lënë mbresë sqima e tij letrare, kultura, përzierja e njohurisë me humorin, sarkazmi dhe satira që djeg e përvëlon, pakënaqësia e shkrimtarit ndaj zvetënimeve morale e politike të njerëzve, deformimet e demokracisë, tundimi dhe fuqia prishëse e parasë. Më vonë erdhën librat e tjerë të tij si Nusja nga Evropa (2002), Amanetet e Kasandrës (2003). Qamil Buxhelit i ishin dhënë shumë çmime e dekorata, ndër to Çmimi i Republikës, urdhëri “Naim Frashëri” i klasit të parë, titulli Mjeshtër i madh i punës. Në memorien e letërsisë shqipe ai mbetet nga ndriçimet më të forta të saj, ndërsa në mendjen time, përveç kësaj, edhe si një burrë i urtë çam, me sytë e ëmbël, ato dy dy gropëzat në faqe tek qeshte, fytyrën e tij me dritë, fjalën e mençur si një urtan, sjelljen e butë, të butë… dhe të butë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË