Mbi librin “Antropologji e religjionit – studime në antropologji kulturore, pjesa e tretë” e Shaban Sinanit.
Shaban Sinani është nga epëritë e mendimit akademik shqiptar, pak emra i rrinë afër (emra me meritë). Është modeli i një vullnetmadhi, me mendjen e mprehtë, të ngopur me dije dhe një ligjërim elegant, të bukur, brilant. S’di pse unë e shoh atë veçse bri emrave që kanë shënjuar histori në studimet albanologjike. Librat e tij shënjojnë kontribute meritore, janë nga opuset më cilësorë, ku ti ndjen thellësinë e njohurive dhe aftësinë për t’i shprehur ato në një rend, që sa të shtyn të thellohesh, aq dhe të rrëmben me koreografinë stilistike. Në kolanën e monografive mbi Antropologjinë Kulturore, veçova “Antropologjia e religjionit” për faktin e një lidhjeje më të drejtëpërdrejtë me letërsinë shqipe. Te ky libër jo i lehtë, Sinani na çon pa deliriume dhe patose të rrejshme nacionaliste në burime dhe integrale të mëdha midis religjionit, marrëdhënies së tij me vetveten, nga njëra anë, dhe ideve e korpit figurativ që letërsia jonë ka marrë prej tij, nga ana tjetër. Bash te kjo letërsi gjejmë ide dhe figura të përthithura prej rrëfimeve mitike dhe parabolave të mëdha biblike e kuranore, qysh nga veprat e hershme e gjer tek ato të fundmet. Me një mendësi dhe kapacitet të rrallë në këtë dije të antropologjisë, Shaban Sinani i vjen lexuesit si një kapiten i saj. Nuk jam studiues i këtij lëmi, por kam në duar njohurinë që autori bujt. Dhe ajo më mëson. Më jep, po aq, kënaqësinë e leximit. Ligjërimi është i shkrifët, jo i ftohtë, as i rëndë si gur varri. Vepra dhe mendja e tij shkojnë fill te burimet dhe vijnë prej andej në një formë mbushamendëse. Skeptri i tij në gjykimin e fenomenit është autoritar, veçse jo dogmatik. Te ky studim ke në duar një strukturë argumentimi e vlerësimi që të bind me idetë e shqyrtuara, në ato që janë mish e kockë shqiptare; më tutje lexuesi shijon të shkruarit, një shqipe e krehur që i rri hijshëm argumentit. Dhe mbi të gjitha, cilësia e të menduarit, e cila është e tëra dhe mirëfilli një hipostasi estetike e filozofike se si koncepti religjioz gjen hapësira në vetëshprehjen e tij në letërsi, si transcedentohet dhe si shndërrohet në një idiolekt të shumëfishtë.
Libri është konceptuar në dy pjesë, në dukje si më vete e të largëta, por saora ti sheh se ato janë konvergjente dhe ushqejnë njëra tjetrën, posaçërisht pjesa e parë të dytën. Pjesa e dytë e librit, për të cilin bëjmë fjalë, përqendrohet në raportin midis letërsisë shqipe dhe Shkrimit të Shenjtë. Nuk mund të thuhet se në studimet tona kjo temë është e virgjër, e pa cekur nga autorë e studime të tjera, madje dhe libra. Fjala është te mënyra e të këqyrurit. Sidomos mprehtësia për të nxjerrë në spikamë përqasjet, që nuk lidhen thjesht me subjektet e veprave dhe shtysat e tyre, as vetëm me simbolikën, lëndën mitologjike dhe metaforat biblike, të cilat risemantizohen në realitetin e fundmë shqiptar, posaçërisht atë letrar. Fjala tanimë është për një vështrim të përimtuar, që shkon te zanafillat, zbulesat, kuptimet e fshehta dhe pushteti riciklues i universales, sikundër edhe një pranëvënie tekstesh të përkthyera siç bëhet me Canticum Canticorum (“Kënga e këngëve”), ku realizohen pranëvënie që nga “Meshari” i Buzukut, mëpastaj te përkthimi kanonik i Dom Simon Filipajt, ku ka pak sensualitet dhe versioni i shpenguar i Mitrush Kutelit, ku ky sensualitet është më aktiv. Afërmendsh se tek të dy personazhet e saj, burrit dhe gruas apo të fejuarit dhe të fejuarës, dashuria si e tillë tejkalohet; ajo apostullohet tanimë si dashuria mistike e njeriut ndaj Krishtit dhe e vetë Krishtit ndaj kishës së tij. Falë transcedentimit marrëdhënia seksuale shndërrohet në marrëdhënie morale, në dashuri shpirtërore ku gjejnë shkrirje e ndërmjetësime kategori të ndryshme duke mbërritur, sipas Sh. Sinanit, te “dashuria e Hyjit për njeriun, dashuria e motrës për vëllanë, dashuria e vajzës për djalin, dashuria e burrit për gruan; dashuria e çiftit dhe e bashkëshortëve, është hyjnorja dhe tokësorja; është sakralja dhe sanktualja, është mitologjikja dhe krishtërimi, është karakteri shumëshkallësh i dashurisë vetë”. Të 113 vargjet e poemës “Kënga e këngëve”, të ndara në 8 kantikë ka shumë sensualitet, një joshje e shprehur e mbretit Salomon ndaj mbretëreshës së tij Salamithit. Vargjet janë konceptuar për t’u kënduar, teksa vështirësia e përkthimit qëndron në faktin se hebraishtja nuk ka zanore, andaj dhe tingëllima e fjalës ndryshon sipas tyre.
Në leximin ndryshe të poezisë së Nolit mendimi prijës i Sh. Sinanit cytet nga ideja se ajo nuk mund të identifikohet më si dukuri e retorizmit të kulturës apo thjesht si mjet i revolucionit. Klisheja këtu thyhet. Sipas tij, duhet tejkaluar “mënjanimi i heshtur i Nolit, duke ua kufizuar leximin vetjak poezive të tij; duke i shmangur prej receptimit mirëfilli estetik e duke programuar në vend të tij një lexues të gatshëm për lexim retorik, oratorik e doktrinar; ose duke ua paracaktuar rrugën e komunikimit të tyre si poezi të shkruara për dëgjim; duke mos ia njohur njeriut politik të drejtën për të pasur një un poetik të tij”. Pikërisht në këto pesë qasje, studiuesi argumenton dhe propozon që poezia e Nolit të lexohet ndryshe, jo në mënyrë njëlinjore, as si “dukje e parë”. Nënshtresat semantike, sidomos ato poetike, lipset të rimarin konotacionet e tyre estetike, jashtë e përkundër gremçave politikë. Me një stil të përmbledhur dhe ide të sakta, Sinani i ikën studimit të poezisë noliane vetëm dhe përjashtimisht përmes optikës historiciste dhe biografike si dikur. I kujdesshëm në gjetjen e ekuilibrit ai propozon që shpërfillja e kontekstit social, njësoj sikurse ngujimi brenda një subjektiviteti ekstrem, duhet të shmangen që të dyja. I kthjellët dhe gjegjësisht dioptrisë estetike, studiuesi ngulmon se “Albumi” i Nolit nuk mund të interpretohet fatalisht e lidhur me kontestualizimin e qenies së tij si kryeministër i qeverisë së dalë nga i ashtupërcaktuari “revolucioni i vitit 1924” apo nga kinse prirja e tij drejt të majtës politike dhe kinse simpatia për bolshevikët. Ky është produkt i qasjes politike, jo i të vërtetës. Veçanërisht poezitë biblike, shkruar në harkun kohor 1926-1932, paçka se asociacionet dhe alegoritë lidhen pazgjidhshmërisht me realitetin shqiptar të kohës dhe ndjeshmëritë e saj politike, nga ana tjetër ato kanë brenda shpirtin, rrumbullakësinë dhe ontologjinë e tyre, tashmë si poezi, si struktura mentale, si flukse ndjesore, përputhur kodeve poetike. Studiuesi ngulmon tek ideja e një leximi “tjetërsoj”, pa ia shprishur komunikimin estetik receptuesit të sotëm, as duke e orientuar atë kah mbishtresat politike, siç u bë enkas me lexuesit e periudhës së diktaturës, duke i dekoduar gabimisht ato vetëm si poezi “revolucionare”, “antizogiste”, gjer dhe “komuniste”. Unë do ta çmoja veçanërisht kontributive në studimet tona, nyjen e tretë të këtij shkrimi, kur Sh. Sinani bën qasjet e veta mbushamendëse midis paradigmës biblike të kësaj apo asaj rrëfenje, nyjejeje, koncepti, personazhi a postulati nxjerrë nga Libri i Shenjtë me vjershat gjegjëse të “Albumit” si: Shën Pjetri mbi mangall, Kirenari, Marshi i Barabajt, Marshi i Krishtit, Krishti me kamçikun, Marshi i kryqësimit, Kryqësimi, Moisiu në mal, për të përfunduar me Anës Lumenjëve (me barabitjen me Librin e Psalmeve, Psalmi 137, Anës lumenjëve të Babilonisë). Kësodore cikli biblik i vjershërimit nolian përfton karakterin e merituar mbikohor, universal, vjen si bulb poetik zanafillor, duke tejkaluar ngjarjet konkrete politike të Shqipërisë dhe të vetë Nolit si personalitet i kohës. Ato shkëputen vetiu prej konteksteve revolucionare, shpesh të sforcuara, dhe gjykimi e vëmendja e lexuesit adresohet drejt konteksteve të mirëfillta semiologjike të “leximit të parë” dhe të “rileximit në kohë”. Kjo nënkupton pikërisht marrëdhënien ndërvepruese midis leximit kontekstual me leximin mbikohor a ndërkohor. Kësodore qasja lidhet natyrshëm me receptuesin, nga ku leximi i parë dhe leximi i fundmë si zanafilla të vetjakësuara gjegjësisht lexuesit dje dhe lexuesit sot, ecejaken dhe krijojnë kuptimësime të ndërvarura: nga koha, vendi, mjedisi social, situata vetjake etj. Figurativisht, mesazhet poetike janë një farë apokrifi ku kohërat përzihen, qenia e tij si prift e poet përzihet, vetë idetë përzihen.
Shkrimi kushtuar At Gjergj Fishtës, edhe pse ka stilemat e një teze monografike, nuk merr përsipër shtjellime të gjera. Duke folur për një studim të tij me 30 fletë në italisht, shkruar në vitin 1914 dhe mbaruar në vitin 1924, Questione nazionale e questione catholica, ai paraqet disa çështje të mprehta të ardhmërisë së kombit shqiptar pas çlirimit nga pushtimi osman, mbajtur kryesisht në aspektin e riungjillizimit të shqiptarëve dhe kthimit në fenë e të parëve. Por ajo që e bën të vyer këtë studim është paraqitja e disa tezave se si duhet parë e rivlerësuar krijimtaria e Fishtës, brenda kundërshtive të tij: raporti midis epopesë “Llahuta e malësisë” me eposin e kreshnikëve, stili klasikegjant (“Mrizi i zanave”) dhe stili folklorizant (“Lahuta e Malcisë”), motivet sllave dhe armiqësia me ta, prijëtar i Kongresit të Manastirit dhe gjuha dialektale, krahinore, diku dhe arkaike që ai përdori; forma e shkruar dhe forma gojore e vargjeve.
Studimi, ndofta, më i bukur, më interesanti, më origjinali, më i frymëzuari dhe më dijesjellësi i këtij libri, sipas meje, është ai kushtuar poezisë së Migjenit, tek i cili unë gjeta përkitje të vetvetes por dhe një tjetër sy, që ma ngopi njohjen dhe kureshtjen. Poeti shihet tanimë përtej klishesë së dikurshme të studimeve tona si një “ateist”, përkundrazi poezia e tij vjen e kushtëzuar dhe e lidhur së brendshmi me tekstet biblike-ungjillore: “Në shkallën strukturore, në atë mitologjike dhe kulturologjike, në prozodi e metrikë, në tipologjinë e figurës, në nivelin e shembëlltyrës, motivit, tematologjisë, në leksik e idiomatikë, në të gjitha shkallët e ndërtekstorësisë, duke përfshirë atë të citimit me protokoll, si në shkrimin akademik”. Sinani e thyen korracën e njëhershme aksiologjike ndaj poetit, e cila e pat paraqitur vetëm si zëdhënës të protestës dhe rebelimit, denoncues të varfërisë dhe mjerimit, frymëzues të revolucionit, kriticizmit dhe antikonformizmit, demaskuesit të fesë, klerit dhe monarkisë, gjer dhe si pararendës të realizmit socialist. Të tjera profile, hapësira e ngjyra bujtin në vetëdijen analitike të tij. Ndikimi i Niçes në konceptimin e Perëndisë është i pranishëm në veprën e Migjenit. Ai e bën të hesht a ta vdesë Perëndinë, por pa e mbyllur në manastir, as si Niçja në muze. Ai ishte përkrahës i Mbinjeriut, jo si pushtet politik absolut, por si strukturë mentale iluministe, që epohet ethshëm kah liria. Migjeni ishte një shkrimtar outsider, para së gjithash në raport me rrymën letrare franceskane dhe atë jezuite; ca më pak ai mund të ishte një “shpirt sllav që flet shqip” (Arshi Pipa). Poeti nuk ishte ateist, ai e identifikonte Jezusin jo aq si Mesia sesa “si i vetmi i krishterë që u kryqëzua në kryq”. Pra si misionar dhe flijë për njeriun, siç dhe poeti kërkonte ta ngrinte nivelin e vet në këtë rang e mision, domethënë në rangun e Mbinjeriut mesianik si një fe e re dhe jo në rangun e një Zoti klasik. Mittemat e poezisë migjeniane kanë bulbe të Biblës dhe ungjijve. Në këtë rrafsh sa të rrëshqitshëm aq dhe të vërtetueshëm (falë komparacionit), studiuesi realizon përqasje sfindante midis “Vargjeve të lira” dhe Shkrimeve të shenjta, duke i kundruar ato në shkallë strukturore, konceptuale dhe të karakterit sinoptik, në atë të mitit, të subjektivitetit të autorit, të prozodisë dhe të metrikës; më tej të pragmatikës, të ndërtekstualitetit, në shkallën e motiveve, e gjedhes figurative, e një leksikoni gjuhësor. Duke u futur e gjithë poezia në këtë shoshë analitike, selektuese, disiplinore dhe sërenditëse, tanimë shtjellimi i Sinanit bëhet më konkret, kap bulbe referenciale mbushamendëse për çdo nyje, duke gjetur afëri dhe pikëtakime të vargjeve, figurave dhe ideve me konceptet dhe shembëlltyrat burimore biblike. Të gjitha këto pasohen me shpjegime dhe shëtitje nëpër literaturën e gjerë kritike e studimore, në libra dhe autorë sa mbi Migjenin aq dhe të ndërlidhura me poezitë dhe prozën konkrete të tij. Kësodore arrihet në një shterrim të thellë të temës dhe të vetë mënyrës analitike që studiuesi ka aplikuar. Migjeni bëri një akt të paparë risues në letrat shqipe “duke e kthyer letërsinë në qytet, atje ku oraliteti merr fund dhe legjenda përqeshet” (krahasuar me rrjedhat letrare të Fishtës dhe Koliqit, me dy mittemat bazike, malit dhe detit – mali mitik si identifikimi baladesk i shqiptarëve dhe deti i pabesë, si rreziku i tyre). Shpesh të duket se shpirti i lënduar i poetit fshihet pas ligjërimit liturgjik. Sipas Sinanit ai u quajt “poet jashtë rendit: përtej kufijve të shkollave, përtej preferencave të kohëve, përtej receptimeve të shmangura”. Po çfarë përfaqësonte atëhere letërsia e tij? Dhe studiuesi pohon se Migjeni ishte pranë paradigmës së shkrimtarëve pikëllimtarë të brezit të humbur. Teksa vet ai qe i kredhur në dëshpërim, përkundrazi shpëtimin e shihte jashtë vetes, në një përmasë mesianike të së ardhmes si shpresë.
Për krijimtarinë e Dritëro Agollit, veçmas për romanin “Arka e djallit”, Sinani luan me disa emra barabitës, që vijnë në fushëpamje të gjera, të cilat kapin krejt vektorët e brendisë së kësaj krijimtarie, dhe jo si emra konkretë. Më konkretisht, poeti persian Rumiu dhe të menduarit e tij, Ezopi si shpotitësi i botës antike greke dhe dyshimtar, Nastradini i Lindjes, tallës dhe leqendisës, të dy të paftuar në banketin e fisnikërisë. Përqasja është interesante. Nuk më kishte shkuar në mendje se dikush mund ta shihte krijimtarinë e Dritëroit, posaçërisht dy romanet e tij “Njeriu me top” dhe “Arka e djallit”, nëpër këto kthina. Por ja që gjen aty përkitje, ngjashmëri: Rumiu si frymë, si vetëdije bektashiane dhe dy të tjerët, tek romani i dytë, Cute Babulja dhe Bamkë Dynjaja, si ecejake kulturore Lindje-Perëndim. Doemos që unë i njoh mirë këto dy romane, madje kam shkruar për to, por nuk më kishte shkuar mendja se mund të gjeja mbivendosje ndërtekstore të tilla. Në sy të parë kjo duket e sforcuar, por teksa e lexon me vëmendje këtë trajtesë, ajo bëhet mbushamendëse. Aq më tepër që Sh. Sinani udhëton këtu në fushnajën e antropologjisë, ku pikat e takimit, sado të largëta, janë të përligjura, madje të zgjuara, të pacekura. Dhe thua: “Sa shumë kemi nevojë ta shohim letërsinë, autorët dhe veprat në përthyerje të shumta e diverse! Ato na japin shpjegime komplementare e vështrime spektrale…”
Me shkrimin kushtuar raporteve midis Biblës (Great Code), si kulturë kozmike imperiale dhe letërsisë popullore shqiptare, si kulturë bazike etnopsikologjike, posaçërisht eposit të kreshnikëve, autori rreket të hedh dritë në ngjashmëritë, lidhjet, pranëvëniet mes tyre, motivet dhe figurat, duke respektuar strukturat ngjizëse, kohore e hapësinore të njërës ndaj tjetrës. Fillimisht ai operon me tezat e më pas kalon në gjasa konkrete; vë re tre elementë ku mund të gjenden afëritë: “ringjallja, shenjtërimi i sakrificës dhe heroi me fuqi mbinjerëzore dhe një dobësi të fshehtë”. E gjitha kjo lëndë përqaset me sivëllezërit e arealit ballkanik, ecejaket më tutje në tatëpjetat e eposeve të njohura botërore, duke u kredhur edhe më tej në kohë, te zanafillat mitologjike, pagane e të parakrishtera. Lënda poetike e sjellë si përqasje me arealin biblik Code of Codes, krijon ca dëshmi interesante, të cilat, edhe pse në fillesa, kërkojnë studime më të thelluara nga autori nesër, a nga të tjerë, për t’i hequr velin një pronësie rapsodike që i bën nder hershmërisë etnike të shqiptarëve.