More
    KreuLetërsiShënime mbi libraJosif Papagjoni: “Kohë astrale” si luftë brenda njeriut…

    Josif Papagjoni: “Kohë astrale” si luftë brenda njeriut…

    Ardhja e një autori të ri në kopshtiet e letrave shqipe është përherë një gëzim, sa dhe një kureshtje: “Ç’është vallë ky shkrimtar i ri, ky rishtar i artit të bukur të fjalës? A merr vesh ndopak nga magjia e saj apo e ka pushtuar deliri që vetë arti e ka si ngjizje, si shpërfaqje të vetvetes, si famë?” Sepse së largu arti i fjalës duket diç e lehtë, “punë për qejf”, “fantazi”, por tek hyn brenda pallatit të tij gjithë vezullime e ndjen se letërsia është një barrë e rëndë, të thyen dysh, si graviteti i tokës e qiellit mbi shpatullat e Atlasit. Dritan Sulçebe, jurist në profesion e me formim akademik në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, me jetën ndarë mes Tiranës e jashtë Shqipërisë, vjen e hyn në rrethnajën e letërsisë jo sikur të ishte një riosh i habitur nga vezullimet, por i sigurt në atë çka dëshiron të thotë dhe pse ta thotë. Përveç peshës së ideve e mendimeve që na marrin me vete e na sfidojnë, çdo vepër e re, sidomos romani, ka disa shenja që na japin të drejtën të themi: “Po, këtu ka mjeshtëri, këtu ka njohje, këtu ka art!” E ndër këto shenja parake te romani “Kohë astrale” është mënyra e të rrëfyerit, loja e fjalës dhe koreografitë plot sqimë të saj; mëpastaj vlerësoj ligjërimin, sintaksën, sistemin shenjor, ndërkalljet e shumëfishta mes asaj çka ndodh, asaj se si ndodh dhe asaj se si rrëfehet; dhe, ndoshta, më shumë akoma, më ka tërhequr mënyra se si ai i shpërfaq karakteret dhe botën e tyre, të menduarit dhe përjetimet, ankthet, përsiatjet, pjesën e padukshme që gërric thellë dhe krijon vuajtjen. Më ka bërë përshtypje realiteti që mbështillet prej misterit, fuqitë djabolike e okulte të cilat dominojnë shpirtrat në zezonë e të trazuar keq, për të cekur që aty limere psikike të cilat shpërfaqen, dekodohen dhe kuptohen përmes zhbirilimeve thellë e më thellë anktheve njerëzore, komplekseve të trashëguara, apo të përftuara së fundmi, nga rrethanat ku personazhet gjenden e veprojnë. Të gjitha lexuesi mund t’i shohë mirëfilli në romanin e Artan Sulçebe.

    Tri gjëra më befasuan në kryeherë te ky autor. E para, letërsia e paraqitur në fletët e romanit është, sipas meje, një “letërsi ndryshe”, një letërsi e re, jo aq e hasur dhe e shpeshtë në tipologjinë sunduese të romanit shqiptar, edhe pas viteve ’90; pra një letërsi e tipit postmodern, thuajse surealiste, një fantazmagori që nuk e flak gjithsesi magjen e narrativës klasike, veçse lëndën e derdhur aty e mbrujt në të tjera forma. E dyta, ky lloj romani dhe kjo lloj letërsie duket sikur rri përtej njeriut dhe gjasës së njëmendët të tij, në jetën dhe realitetin që e prekim me dorë dhe e perceptojmë çdo ditë-natë, e riprodhojmë mëpastaj si skemë jete e përditësie. Përkundrazi, duke qenë “përtej” dhe “jashtë” realitetit të përditshëm ajo futet “brenda” nesh, në interieret shpirtërore të njeriut, tashmë përmes një realiteti fiktiv, virtual, të trilluar, në formë fantazie të shpenguar që, megjithatë, është i mundshëm, qoftë dhe i supozuar. Herë ai jepet në trajtë onirike, herë në trajtë jermi dhe herë si përçartjeje, halucinacion (nga një rrethanë e skajshme klaustrofobike, ku personazhet vegjetojnë në zgrip të jetë-vdekjes). Dhe e treta, shumë domethënëse për mua, është ardhja e një autori të talentuar, i mbushur me kulturë, njohje, fantazi dhe hir estetik, tek i cili unë besoj se nesër do të shfaqet si personalitet i padyshimtë i letrave tona.

    “Kohë astrale” është një roman për botën tonë dhe botën “tjetër”, ndeshje shekujsh, superfuqish, doktrinash dhe qytetërimesh; roman për bëmat e tokësorëve dhe atyre jashtë tokësorëve e të klonuarve të supozuar, për “humanoidin” dhe “bashkëjetuesit” e tij të panjohur, tanimë në rrafshe mitike dhe jo vetëm. Është një ecejake botësh mes të rrokshmes dhe të parrokshmes, asaj që duket e klith dhe asaj që s’duket dhe pëshpërit, mes njeriut në situatë normale dhe njeriut në situatë anormale, midis gjeniut dhe të rëndomtit, liderit dhe turmës, fuqisë hipnotike e demoniake të ndikimit te “tjetri” dhe receptimit real të gjësendeve; është një përplasje ezoterike e mendjes që sendërgjon dhe e mendjes skeptike, sa dhe asketike, që beson te ky sendërgjim. Kjo është e veçanta e romanit dhe e autorit. Një mënyrë të shkruari jo aq e hasur ndër ne, që ka të drejtën e pëlqimit dhe vlerësimit prej një lexuesi të ri dhe e një shijeje të re.

    Dritan Sulçebe e sjell botën në zgrip, të ndarë dysh, në një përplasje apokaliptike bërthamore ku jeta thuajse zhduket, qytetet shkatërrohen dhe heshtja e vdekjes zotëron gjithkund. Përplasen dy botë, ajo e arsyes, bota humane me atë të mosarsyes, botës çnjerëzore të udhëhequr nga një çetë profetësh të rremë, aventurierësh dhe revolucionarësh të çartur, që duan ta rikthejnë njerëzimin në terrin e sundimit të iracionales, dhunës dhe doktrinave antihumane. Është diçka që mund të ngjasë, apo jo? Qytetërimi modern shfaqet kështu, befasisht, i thyeshëm si qelq, i rrezikuar nga katastrofa e shkaktuar prej abuzimit me teknologjinë luftarake, atë gjenetike dhe jo vetëm, me teprinë e pushtetit dhe, në rrashin sociopsikologjik, nga sundimi i qasjeve instinktive, të verbra me harbimin e pavetëdijes. Të gjitha këto ide e ky konflikt i përmasave apokaliptike, ku thërritet herë pas here historia, perandoritë, plojat e luftërave, katastrofat e dominimeve impreiale, vijnë të treguara apo në trajtë përfytyrimesh nga 7 personazhet e romanit: Gideoni, Romina, Flutura, Drita, Profesori, At Lazri, Luani. Krijimi i një realiteti historik tjetërlloj të Amerikës së Xhon Kenedit dhe incidentit të nëndetseve atomike sovjetike në Kubë me mundësinë e një lufte bërthamore diku në fillim të viteve 1960, dhe më pas rreziku i kësaj lufte në situatat e fundme me rusët dhe fondamentalizmin ortodoks e më gjerë, të cilat përfaqësohen nga figura okulte me domethënie mitike e religjioze si Lusius Solomoni, Semioni i Shenjtë, gjenerali Kruk, rabini Gershom Ben Juda etj., – s’është veçse loja e njohur e letërsisë që e shndërron diçka historike, të njëmendët e të mundshme në një pretekst estetik universal, asociativ. Dhe lexuesit mendja i shkon fill te vendet diktatoriale, te përplasja e qytetërimeve, në këtë rast edhe duke na kujtuar diktaturën komuniste në vendin tonë sikurse periudhën postkomuniste, ku kastat e përbetuara kriminale, ideologjitë e tyre të kthyera në mitologji shtypëse, mafia dhe degradimi tërësor i shtetit e vetë shoqërisë na bëhen krejt të dukshme.

     Më ka bërë përshtypje te ky roman i vëllimshëm me 450 faqe, dija dhe kultura e autorit, të derdhura në një qasje filozofike që ndërliqet me paradigmat religjioze të feve kryesore, kryesisht të krishtërimit (katolocizmit dhe ortodoksizmit me armiqësinë e vjetër e të re mes tyre), Kabalës hebreje, diçka nga Budizmi dhe politeizmi. Por kjo dije nuk vjen në formë inerte apo si një shpjegim i mëvetshëm, por si brendësi shpirtërore, si mendësi personazhesh, si ligjërim (monolog, dialog, meditim, përsiatje etj.), gjer dhe si ide a deduksione universalizuese. Ja si ligjërohet diku në përsiatjet filozofike të Gideonit: “Arsyeja e lindjes së universit? Mendja e epërme ka nevojë për një trup që të ndihet e gjallë. Çfarë është ndërgjegjja? Një copëz e vogël nga mendja e epërme që ndriçon në çdo gjallesë. Kuptimi i jetës? Gjetja e dashurisë për të gjitha qeniet, në mbarë hapësirën, në të gjitha dimensionet. Vullneti i lirë? Sprova e jetës për të treguar që ekzistojmë vërtet. Çfarë ndodh pas vdekjes? Rikthimi drejt mendjes së epërme për të lindur sërish nga e para në një formë ose tjetrën. Ekuilibrat e gjithësisë? Kanë humbur plotësisht, ndaj nevojiten profetët; për të risjellë harmoninë. Përgjigjet e pyetjeve, që e kishin munduar sa e sa herë gjatë meditimeve të gjata nëpër udhëtimet vetmitare nëpër hapësirë, tashmë morën trajtën e një përndritjeje të vërtetë.”

    Në rrafshe të gjera romani “Kohë astrale” është një gërshetim realitetesh mitike, religjioze, historike, antropologjike, kulturologjike, psikologjike, që japin e marrin në një narrativë që i lidh fati i përbashkët i 7 vetëve kredhur në një bunker atomik (a në një rroposje të nëndheshme), me përpjekjen e tyre për të dalë jashtë që andej e për të shpëtuar. Nga ana tjetër, aty sillen disa histori të habitshme vullnetesh të jashtëzakonshme si Mark Matrenga, Azma, Zinu, Filip Mara etj., pjesë e heroikës, e sublimes, e impakteve sociale të pakrahasueshme në histori dhe e udhëhapjes. Përjetimi i një bote tjetër prej Zinut, parake në thelb, ku niste fillesa, e hyjnishmja, është refuzimi ndaj ndërlikimit dhe vrasjes së thjeshtësisë; ose Azma, që të kujton klerikët a urtanët me fuqi të madhe në popull si një Mahatma Gand, gjer dhe një Mao Ce Dun, Fidel Kastro apo Çe Guevara, me mitin e rebelit dhe heroit. Në këto linja të mëdha shkon e vjen subjekti i romanit. Po këtu ndërlidhen edhe jetët e rrezikuara të këtyre 7 vetëve me atë çka po ndodh jashtë tyre, në një realitet apokaliptik pas një lufte bërthamore të hamendësuar, e cila vjen e hyn “nën dhe´”, bëhet pjesë e përfytyrimeve, gjer dhe e një situate konspirative ndërkombëtare e ndërplanetare. Pikërisht në këtë gërshetim kahesh, autori duket se parapëlqen po aq edhe formën e fantashkencës me gjësende që janë pjesë e supozimeve dhe hamendësimeve, por ende jo të provuara, në një botë teknologjike tejet të avancuar, e cila e presupozon mundësinë e komunikimeve astrale e tejhumane. 

    “Ai që e sheh botën porsi një vegim, thoshte Bud’ha, është i padukshëm nga mbreti i vdekjes”. Ky përcaktim përfshin një vëllim jo të vogël të të menduarit të disa personazheve gjatë rrjedhës subjektore. Në një realitet klaustrofobik, ku prania e vdekjes është e drejtpërdrejtë, autori e kalon tejqyrën e tij psikologjike sa: a) në paravdekje (dmth në gjendjet anksioze e të sëmura të personazheve si Romina, të priftit Lazër që beson tek ekzorcizmi për të dëbuar djajtë e që bie në kllapi apo të Gideonit të plagosur e në gjendje traume), aq dhe b) në gjendjet e arsyetimeve “filozofike”, që kanë rëndom veshje religjioze, sikurse c) në qasje konspirative, në shembëlltyra ëndërrore apo halucinative.

    Një vajtje-ardhje mes mitit, legjendës, fantazmagorisë dhe ezoterizmit me historinë dhe atë që quhet “frymë kombëtare” është rrëfenja për Mark Matrëngën, nga fragmentet më joshëse të romanit. ëshstë arbëreshi i famshëm ecur mes aventurave të pabesueshme nga Napoli, Peruja, Kuba, Kolumbia dhe indianët primitivë të Amazonës, një figurë që shëmbëllen asketët me fuqi hyjnore, pandehma, ëndrra e klithma mistike, çka e gjitha të kujton letërsinë kalorisiake të mesjetës dhe kalendarin e figurave të shenjtorëve çudibërës. Këta vijnë si bartës historikë që komunikojnë me qiejt dhe Perëndinë nëpër hapësira e kohë, me mënyra, instrumente mendore, çartje dhe paranoja të pashpjegueshme, pjesë e një eskatologjia që letërsia, sikurse edhe ky roman, e shfrytëzojnë si lëndë zjarri për të djegur mendjet e lexuesve duke krijuar afeksione të jashtëzakonshme përmes surrealitetit e virtualitetit, të cilat, nga ana e tyre, krijojnë gjendjen e transit. Por autori ndonjëherë zgjatet më shumë nga ç’duhet, e humbet fillin e thurjes së përligjur të reales me irealen dhe, duke e nuhatur këtë dëshirë që i rri brenda vetes, i bishtnon në kohë asaj dhe pikturon ca portrete të një historie me bëma të jashtëzakonshme, që nuk të hiqen nga mendja. Mark Matrënga, siç thashë, është njëri nga këta, historia e një miti e profeti mbrojtës të arbërve, një legjendë që shëtit kujtesës së dridhshme të kombit si pjesë e sakramentit dhe talismanit të fatit të tij të fshehur, të dubluar e të mbuluar nga mashtrimi Osman dhe feja që ata sollën. Paradoksi i përdorur nënkupton shënjtërimin e mashtrimit, Dervish Jahjan, arkitektin e vërtetë të natës sonë të robërisë së gjatë, ku sot, habitshëm, mijëra pelegrinë shqiptarë pa e ditur as vet se kush është ai, përfalen dhe heshturazi pranojnë “profetin e rremë”, duke lënë në harresë profetin e tyre mbrojtës e të vërtetë, Mark Matrëngën. Mark Matrenga ishte shpirti i pagjumë dhe i shqetësuar i Kombit shqiptar, interlokutori i shenjave profetike me Hyjninë dhe pushtetet numinoze, një Shën Mihal që luftoi me demonët dhe kuçedrat e së keqes sulur Arbrit. Ai u bë tym i bardhë me vetëflijimin si prej legjendash ngjethëse, për fat të keq i mbetur në harresë ndër ne…

    E gjitha çfarë ndodh dhe rrëfehet në roman nuk kuptohet nëse është një vegim apo e vërtetë, nëse është vdekja apo jeta, e përhershmja apo e përkohshmja, ëndërrimi i bukur apo çartja, një marrëzi, jerm apo sëmundje psikike?! Në Kabalah thuhet se “kjo botë është si një korridor drejt botës që do të vijë”. Pra është një komunikim mes vdekjes dhe jetës, në caqet e të pamundurës që trajtohet si e mundur. “Mos u besoni mjekëve, thotë një nga personazhet, ne jemi krejtësisht normalë, është bota përreth ajo që ka humbur ekuilibrin. Shihni thellë brenda vetes dhe do ta kuptoni që rruga drejt së vërtetës nuk gjendet tek ajo që na diktojnë të tjerët, por te zëri i mendjes hyjnore që na buçet fort në zemër”. Dhe pas një bredhjeje hapësirave astrale, fantazisë e sendërgjimeve, befasisht në fund romani bëhet i gjithë “tokësor”. Gjithçka s’ishte veçse një kllapi, një “ëndërr e keqe”. Them se autori mund ta alternonte më mirë këtë ecejake nga e hamendësuara, halucinacioni apo çartja tek e njëmendëta, ajo çka realisht është, duke i dhënë kësaj të fundit më shumë qasje, vëllim shkrimor e hapësirë. Por kjo është zgjedhja e tij. Artan Sulçebe, pas fluturimeve mitologjike e astrale, e mbyll romanin e tij me një apoteozë të bukur e domethënëse, lindjen e një foshnje:

    “Dora e të birit e shtrëngoi butësisht, ndërsa sytë iu drejtuan të atit plot gaz sikur për ta larguar nga përhumbja e atyre mendimeve. Nëpër atë vështrim të çiltër dhe plot dritë, Gideoni pa vetveten më të vërtetë se kurrë, duke ndier thellë në zemër magjinë e sferave të epërme të krijimit. Melodia e tyre teksa kumbonte fuqishëm po i kumtonte se sa e çmuar ishte jeta dhe gjetja brenda vetes së shëmbëlltyrës të atyre grimcave parake, që ashtu në mes të asgjësë së paanë, kur koha ende nuk kishte lindur, vendosën t’i japin udhë krijimit të universit në të gjitha përmasat e tij. Mundësia e zgjedhjes ishte dhurata më e madhe e trashëguar që nga zanafilla e madhe. Dhe tashmë si shprehje e asaj gjithësie, që herë përhapej, duke sjellë dritë e jetë edhe atje ku errësira dukej sikur nuk do të mundej kurrë, dhe herë të tjera tkurrej, duke lënë vullnetin e lirë të shpalosej pa asnjë kufi, ai kishte zgjedhur – mundjen e vdekjes, ngadhënjimin mbi të keqen, bashkimin me hyjnoren. Sa bukur është të lindësh njeri, sa e mrekullueshme është të arrish të vërtetën”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË