More
    KreuIn memoriamJonny Diamond: Mamaja ime do të jetojë përgjithnjë në tregimet e Alice...

    Jonny Diamond: Mamaja ime do të jetojë përgjithnjë në tregimet e Alice Munro-së

    Përktheu Jola Tasellari

    E kam lexuar vonë Alice Munro-në.

    Pavarësisht se jam një lexues i përkushtuar me pretendimin për t’u bërë shkrimtar, u rezistova kërkesave dhe përpjekjeve për të më bindur që të lexoja diçka nga, siç më thoshin, versioni ynë i Chekhov-it. Arsyeja për këtë hezitim nuk është e ndërlikuar dhe kur e mendoj, më vjen disi zor: Alice Munro ishte shkrimtarja e preferuar e mamasë sime.

    Në atë çfarë ishte më shumë përkëdhelje sesa rebelim i të njëzetave, refuzova të lexoja Alice Munro-në së bashku me dy Margaret-at, Atwood-in dhe Laurence-in, dhe Carol Shields-in, një kuartet i dashur shkrimtaresh që u lindën brenda një dekade nga njëra-tjetra, të gjitha të preferuarat e mamasë sime. Por ishte Munro ajo që vendosej në krye të pirgut me libra në anë të krevatit të saj, së cilës i kthehej vazhdimisht për ta lexuar.

    Njëzetepesë vite më pas dhe mbi një dekadë pasi mamaja ime ka ndërruar jetë, nuk është e vështirë të kuptosh përse Munro ishte e preferuara e saj: kishin pak vite diferencë me njëra-tjetrën, të dyja u martuan të reja, që në moshën 21 vjeçare, dhe iu kushtuan menjëherë detyrës parësore të gruas shtëpiake të viteve ’50, rritja e fëmijëve dhe kujdesi për familjen (katër fëmijë lindi Munro, pesë fëmijë mamaja ime).

    Teksa rrëmuja kulturore dhe politike e viteve ’60 vazhdonte në prapaskenë, Munro dhe mamaja ime shkruan të dyja: e para, tregimet që do të botoheshin si përmbledhja e saj e parë, “Kërcimi i hijeve të lumtura”, një libër i cili do të shpaloste gjeninë e heshtur të tregimtares më të madhe të jetës ashtu siç është në realitet (pasi jetohej nga të gjithë ne, qoftë nëse e pëlqenim apo jo); ndërsa e dyta, fragmente poezish dhe reflektimesh në formë ditari që do të lexoheshin prej djalit të saj më të vogël një vit pasi ajo ndërroi jetë, në një apartament të pluhurosur e të mbinxehur në një lagje të quajtur Georgian Court Arms, një kompleks banesash i ulët e i lënë pas dore, një orë larg Torontos.

    Më pas, në vitet ’70, Munro u divorcua nga burri i saj i parë (1972) dhe mamaja ime la të sajin (1974); të dyja gjetën burra të cilët do t’i donin për pjesën e mbetur të jetës. Megjithatë, ndryshe nga Munro-ja, mamaja ime do të lindte edhe një fëmijë në moshën 42 vjeçare: mua.

    Në këtë pikë ndoshta po pyesni veten nëse po krahasoj mamanë time, Margery Bird, me një prej shkrimtareve më të mëdha që ka jetuar ndonjëherë dhe… po, ndoshta jam duke e bërë. Për aq kohë sa kanë pasur jetë të ngjashme, të paktën derisa Munro u bë e famshme, mamaja ime, motrat e saj, bashkëshortët e tyre, miqtë e tyre, ishin të gjithë personazhe në një tregim të Alice Munro-së, ashtu siç ishte vetë Munro.

    Megjithëse kjo s’ka të bëjë aspak me dhuntinë e saj si shkrimtare, e kam të vështirë të mos e mendoj veten si një personazh i Alice Munro-së, djali i paplanifikuar i një marrëdhënieje të pazakontë dashurie, i cili në fund mbyt aspiratat e një gruaje që prej kohësh i ishte kushtuar amësisë, që në valën e dytë të feminizmit të viteve ’70 gjen shkurtimisht një recetë për pavarësi, vetëm për t’i dhënë fund sërish sepse duhet të rrisë një fëmijë.

    Kur më në fund lexova tregimet e Munro-së në mbarim të të njëzetave, në atë moshë kur pendesa fillon të shndërrohet në pranim, më dukej sikur m’u hap një dritare e jetës së brendshme të prindërve të mi: festat e panumërta gjatë mbrëmjeve dhe barbekjutë buzë liqenit në të cilat endesha si fëmijë, krevatet e mbuluar me pardesytë e njerëzve të panjohur në të cilët kërceja, aromat e mistershme të vajit të motorit, jargavanëve, thekrave dhe tymit të dendur të duhanit që nuhasja, krejtësisht i pavëmendshëm kundrejt nevojave të secilit të rritur aty, me kthesat e gabuara, shanset e dyta, shpresat e pashuara dhe mposhtjet e hidhura që kishin provuar.

    Alice Munro i kishte parë të gjitha. Askush nuk ka pse të shkelë në Kanada në mënyrë që ta kuptojë, sepse ajo ka shkruar për të gjithë ne, kudo ku jemi. Ajo shkroi për këdo që ka lënë cepin e mprehtë të pendesës të kthehet në dhimbje të përditshme, që është habitur prej dashurisë, nevojës, dëshirës për më shumë, që ka hezituar e ka humbur, që ka ngulmuar, që ka vazhduar të pyesë veten, të ndiejë, kaq thellësisht e qetësisht, përmes gjithë ditëve të panumërta që na çojnë nga njëri cep i jetës te tjetri.

    Alice Munro dhe mamaja ime, Margery Bird, ndërruan jetë në të njëjtin qytet të vogël, dymbëdhjetë vite nga njëra-tjetra. Port Hope është një vend pa ndonjë rëndësi, ndërmjet autostradës Trans-Canada dhe bregut verior të liqenit Ontario, e që duket i njëjtë me mijëra qytete të tjera kanadeze. Ose të paktën kështu kam menduar dikur.

    Të lexosh Alice Munro-në është ta shohësh jetën në secilin prej këtyre vendeve dhe në vendet që ngjasojnë me to, ashtu siç është: përgjithnjë e mbushur përplot, përgjithnjë me dhimbjen e pamjaftueshmërisë. Të gjithë jemi personazhe në një tregim të Alice Munro-së, nën mëshirën e mallit dhe të pendesës, që vetëm ajo dukej se ishte e aftë t’i përshkruante. Do të plakem e do të vdes, dhe kujtimet që kam për mamanë do të zhduken, por jeta e saj do të jetë ende aty, diku, në tregimet e Alice Munro-së. Përgjithmonë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË