More
    KreuLetërsiShënime mbi libraJola Tasellari: Poetika e Ervin Hatibit si shembëlltyrë e urbanizmit bashkëkohor letrar

    Jola Tasellari: Poetika e Ervin Hatibit si shembëlltyrë e urbanizmit bashkëkohor letrar

    Themelet e letërsisë botërore, përmes thyerjes së normave letrare të mëparshme, kishin nisur të lëkundeshin që pas gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, për t’i lënë hapësirën e plotë të veprimit rrymave të reja letrare të shekullit të njëzetë, si surrealizmi, dadaizmi, futurizmi, post-avangardizmi etj. Ndryshimet e dukshme të qyteteve, urbanizimi i tyre, largimi nga imazhi tradicional i ambienteve të mëparshme, u reflektuan dhe në letërsi, për të mundësuar kështu lindjen e një qasjeje të re që do të njihej si urbanizmi letrar, me argumentin se qyteti modern urban ndikon shkrimtarët të zhvillojnë praktika të veçanta letrare, që përkthejnë përvojën e përplasjes së përditshme urbane, në letërsi; qoftë kjo poezi apo prozë. Përfshirja e ideve urbaniste në letërsi erdhi ngadalë e natyrshëm, por bazuar mbi një princip, që ndikoi pa frikë dhe letërsinë botërore, atë të zhvillimit teknologjik, largimin nga natyralja dhe natyra, dhe afrimi me urbanen. Kjo lëvizje e re letrare që ndikoi emra të rëndësishëm të letërsisë, nga Lawrence tek Italo Calvino gjatë shekullit të njëzet, ofrohet si jo fort e njohur në letërsinë e vendeve që njëlloj si Shqipëria, kanë rënë në kontakt me rrymat letrare mbizotërsuese të shekullit paraardhës me më tepër vonesë se vendet që iniciuan vetë lindjen e tyre.

    Bradbury[1] dhe Mcfarlane (1989), kur studiuan e analizuan fenomenin modern letrar vunë theksin tek fakti se, në letërsinë e re moderne botërore, qyteti po ndërmerrte plotësisht kompetencën e një mjedisi të vrullshëm kulturor të karakterizuar nga mjedise të reja sociale, zhvillime të një jete të re më argëtuese, ambiente të sigurta sa i përket qarkullimit të ideve të reja, librave, autorëve të rinj, duke krijuar kështu një ndërlidhje mes letërsisë dhe përvojës urbane të barazvlefshme me zhvillimin letrar dhe atë qytetar, pasi këtu gjenden lehtësisht dhe aktorët letrarë si: botuesit, bibliotekat, muzetë, libraritë, teatrot, revistat letrare etj.

    Ky zhvillim i pashmangshëm i qyteteve të reja solli po ashtu dhe një frymë tjetër në letërsitë e tyre respektive, një përmbysje tanimë të raportit vetëm poet- shoqëri apo

    poet- shfaqje/pasqyrim të unit poetik, dhe sjellja në jetë e një raporti të ri, atë të poetit me qytetin, duke vendosur kështu në qendër të emocioneve mjedisin e ri urban, atë, marrëdhënia me të cilin do të kthehej në burim të ri poetik. Ndryshe nga romantikët p.sh, me emocionet e tyre të asociuara detyrimisht me natyrën dhe rebelimet e saj të herëpashershme, në botën e re urbane jeta është më e vrullshme dhe njëkohësisht më indiferente ndaj ndryshimeve shpotitëse.

    Idealizimi i qytetit urban si qendra e universit të ri poetik, u zhvillua në zhanra të ndryshëm letrarë, duke veçuar këtu poezinë dhe mbi të gjitha poezinë simboliste, për ta parë këtë dhe në poetikën e Hatibit, drejtimin letrar të urbanizmit dhe simbolizmit estetik të tij.

    “Qyteti- thotë Hatibi-, është planeti, drejt të cilit rendin me afsh të futen meteorët e veturave a kamionëve ku dëgjohet një radio e mirë, qyteti është dielli i natës, ajo gjë që na duhet për të shpuar natën e për të dalë tek drita artificiale e jetës bashkë…Qyteti na duhet që të organizojmë vetmitë në njëmandala urbanistike ndër-besimi.” [2]

    Qyteti i ri urban nuk na ofron më imazhin e një vendi sakralitetetesh. Ai është burimi i çdo marrëdhënieje të shëndetshme ose jo, që ngrihet mes poetit dhe personales-interpersonales, urbanes-jashtëurbanes. Qyteti për të cilin Hatibi shkruan është një qytet me tipare të dukshme të një vendi në tranzicion, me njerëzit e tij në tranzicion, apo futur rrëmujshëm në të, gati kokëposhtë. Jetesa urbane, veçanërisht pas ndryshimeve të thella të fundshekullit të nëntëmbëdhjetë, kontribuoi në krijimin e një atmosfere vetmie, që reflektohet dhe në arte e në rrymat mbizotëruese të shekullit të ri. Në poezinë “Tranzicioni” shprehet zhgënjimi e njëkohësisht befasia e ndryshimit, një metamorfozë e mjedisit urban që tanimë, reflektohet tek të tjerët.

     “Gocat e buk’ra të rinisë sime të parë

    Ju ishit pa e ditur dhe pa faj

    Bija të luleve të San Françiskos oqeanike

    ….

    Zhdukur përfundimisht silueta juaj e mirë

    Nëpër palestra

    Ku sot fabrikojnë një tip femrash të tjera

    (pak më të lehta)”[3]

    Imazhi i qytetit të ri urban në poezinë e Hatibit shoqërohet me përjetime mbi të kaluarën dhe përballjen e egër të saj me të tashmen, përballjen e harresës me kujtesën, e mikros me makron, përballjen e qytetit me katundin, imazhit urban të ri me atë të vjetër. Ndonëse vargjet e Hatibit janë të mbushura me ironi e humor të zi, ato shprehin zhgënjimin për një qytet që nuk është më i njëjti, që idealizohet mbi imazhin e grimcave të së kaluarës e jo më mbi mandalanë metafizike. Ironia, që bërtet në vargjet e Hatibit mbi fenomenenet e përmbysura shoqërore, shoqërohet me konstatim e zhgënjim. Në poezinë “Përmbi revolucion”, identifikohet jeta e re shpotitëse urbane, fenomenet që prekin botët e reja të tranzicionit:

    “Dua të vdes e ta harroj

    Ta vjell. Dua të vdes kot

    Ose hiç të mos vdes nëse duhet

    Të vdes me qëllim

    Do marr një lypës të mitur mulat

    Ta ngroh e ta rris ndyrë

    Ju ftoj të gjithëve në strofkën time

    Të më pështyni në fytyrë

    Veç të mos më provokojë njeri me plaget e veta” [4]

    Qyteti i Hatibit, me gjithë dritat e tij artificiale pasi bie nata, është i pranishëm si objekt, njëkohësisht dhe subjekt. Për të flitet dhe përmes tij veprohet. Urbania, qyteti modern, është shndërruar në fenomen të kudogjetur në vargjet e poetit.

    “Neonët e qytetit

    vjellin dritë

    mbi sipërfaqen e qetë

    të detit.

    ……

    Dy cigaret tona në këtë mesnatë,

    si fenerë të udhëve detare,

    rrugën e rrëfejnë ditëve të lumtura,

    që shtegtimin kanë nisur drejt nesh.”[5]

    Kur Walter Benjamin analizoi faktorët që sollën lindjen e zhvillimin e lëvizjeve të reja kulturore që po preknin Europën e shekullit të kaluar, e kategorizoi zhvillimin e ri urban si faktor me ndikim të pashmangshëm në arte. Megjithatë, raporti i ngushtë që poeti shfaq me qytetin, nuk është kalimtar, si vetëm një tregues i shokimit nga ndryshimi. Kohë pasi nuk e kishte gostisur më lexuesin e tij, fanatik apo jo, qoftë dhe arenën tonë letrare, me botimin e vëllimit “transkript nga krevati tjetër” (2020), Ervin Hatibi i qëndron besnik të njëjtit frymëzim poetik; qytetit. Me një prezantim dukshëm dinjitoz të jetës shpotitëse urbane, uni poetik i Hatibit mbetet në vend, qyteti në mes dhe poeti mes tij (qyteti në mes dhe unë mes tij/ red devils, Hatibi, E.).

    Njëjtë si Bodler, që e ndërtoi një pjesë të konsiderueshme të vëllimit të tij “Lulet e së keqes” përmbi marrëdhënien që ndërtoi me kuriozitetin e ri mbi urbanen, Hatibi arrin përmes vëzhgimit realist dhe sentimentalizmin e patepruar, të ofrojë një pikëpamje mbi mjedisin e ri urban, zhvillimin e tij dhe përqafimin e mbarë ose jo nga të rinj e të vjetër. Duke e krahasuar Bodlerin me poetikën e tij të anës së errët e misterioze të rrugëve të qytetit, cepave të ndotur të tij, në kundërvënie me idenë e modernitetit të lartësuar industrial, me pretendimin se këtu fshihet bota e re modern, qyteti i urbanizuar vendoset në raport me të kaluarën, jo për të glorifikuar këtë të fundit, por për t’u drejtuar kah një ndryshimi të shpejtë e të panatyrshëm ende.


    [1]Modernism: A Guide to European Literature 1890-1930, Bradbury Malcom, Penguin books, 1973.

    [2]  Hatibi Ervin, 27.al, Tiranë, 2016.

    [3]  Vajzat e tranzicionit.

    [4]  Përmbi revolucionin.

    [5]  Mesnatë në bregdet.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË