More
    KreuMuzikëJoe McGasko: Si e ndryshuan Beatles kulturën amerikane

    Joe McGasko: Si e ndryshuan Beatles kulturën amerikane

    Deri në 7 shkurt të vitit 1964, Britania e Madhe njihej për shumë gjëra: çajin, flotën e kompletuar, rrobaqepësinë mjeshtërore, Mbretëreshën. Megjithatë, “eksporti i muzikës emocionuese,” nuk kishte vend kryesor në këtë listë. E gjithë kjo ndryshoi kur katër muzikantë të rinj anglezë nga Liverpool, u ulën në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy, në New York dhe shkaktuan një shpërthim kulturor, i cili do të jehonte për shumë vite me radhë. Po i referohem, sigurisht, mbërritjes madhështore në Amerikë, të grupit unik të cilin të gjithë e kemi njohur dhe e duam, atë grup të mahnitshëm që e ndryshoi muzikën amerikane përgjithmonë: Beqarët!

    Po, unë bëj edhe shaka. Beqarët janë një grup i mrekullueshëm (në janarin e vitit 1964, ata patën një këngë shumë të suksesshme dhe janë edhe sot aktivë), por ata nuk janë si Beatles[1]. Asnjë grup nuk mund të jetë dhe asnjë grup nuk ka për t’u bërë ndonjëherë. Ishin Beatles ata që u ulën në Amerikë në shkurt të vitit 1964, për të mos u larguar më kurrë.

    Është e vështirë të nënvlerësohet ndikimi i Beatles në rrugën e muzikës pop në Amerikë. Si individë të tjerë të caktuar në historinë e pop-it amerikan, përfshirë Benny Goodman[2], Frank Sinatra[3] dhe Elvis Presley[4], ata nxitën një zjarr të hershëm, një periudhë “manie” ku adoleshentët shprehnin entuziazmin e tyre në grupe të mëdha në koncertet dhe shfaqjet publike. Por Beatles, njësoj si paraardhësit e tyre (madje edhe më shumë), kaluan përtej kësaj faze dhe u bënë një forcë kulturore, ku kompozimet dhe sjelljet e tyre po ndryshonin mënyrën se si muzika pop përjetohej nga një numër i madh njerëzish. Muzika e Beatles, duke rastisur në një nga periudhat më të trazuara të historisë së Amerikës, reflektoi atë epokë, madje edhe e kapërceu dhe ditët e sotme, muzika e tyre mbetet e freskët për çdo brez pasardhës që e zbulon.

    Prezantuesi i emisionit amerikan, Ed Sullivan, buzëqesh teksa qëndron me grupin anglez të rrokut, Beatles, në skenën e emisionit të tij, në New York, 9 shkurt, 1964. Nga e majta në të djathtë: Ringo Starr, George Harrison, Sullivan, John Lennon, Paul McCartney.

    Këtu kemi një vështrim të këndshëm mbi ndikimin që ata patën në terrenin kulturor amerikan. Ja shtatë mënyra se si Beatles e ndryshuan përgjithmonë Amerikën.

    Beatles rritën standardin e cilësisë së idhullit për adoleshentët

    Përpara se Beatles të mbërrinin në Amerikë, skena e muzikës pop mbijetonte midis sharmit të një grushti këngëtarësh me paraqitje të rregullt e me dhëmbë si rruaza të bardha, një pjesë e mirë prej tyre nga Philadelphia dhe muzika e të cilëve ishte aq e fabrikuar, sa imazhi i tyre si fqinj të mirë. Këta djem ishin të sjellshëm dhe në disa raste edhe kishin talent, por karriera e tyre drejtohej nga producentë dhe njerëz të industrisë, të cilët ndërronin marshet e makinerisë që krijonte këngët e suksesshme, ajo çfarë muzika pop ishte bërë në fillim të viteve ’60. Sjelljet e “çmendura” të këngëtarëve si Little Richard[5] apo Jerry Lee Lewis[6] nuk shfaqeshin më dhe muzika rock’n’roll tani përfaqësohej nga këngëtarë më të menaxhueshëm si Fabian, Franklin Avalon[7] dhe Bobby Rydell[8].

    Të analizosh shijen e rinisë amerikane është një përpjekje e pakuptimtë (fakti që në vitet ’50, Pat Boone konkurronte dhe me raste e mposhte Elvis Presley-n në sondazhet e popullaritetit për të rinjtë, është thjesht dokument), por Beatles, ishin me siguri një frymë e re në një terren të mërzitshëm të idhujve të adoleshentëve. Theksi i tyre i Liverpool-it dhe paraqitja e pazakontë jo vetëm i bënte tmerrësisht ekzotikë, por ata ishin si katër idhuj për adoleshentët, të bashkuar në një pako të shndritshme. Ishte Paul, i lezetshëm dhe i adhurueshëm; John, i zgjuar dhe pak i rrezikshëm; George, i urtë dhe i ndrojtur; dhe Ringo, argëtues dhe qesharak. Kishte diçka për të gjitha shijet e adoleshentëve dhe uniformiteti i prezantimit të tyre, “çuna, të gjithë për një dhe një për të gjithë,” i bënte edhe më tërheqës: stilet e ngjashme të flokëve, kostumet e mbërthyera pa kollare dhe çizmet me majë dhe takë kubaneze.

    Një ndryshim i rëndësishëm midis Beatles dhe konkurrentëve të tyre, ishte se Beatles e kontrollin vetë paraqitjen. Me menaxherin Brian Epstein, ata zgjidhnin garderobën, një pjesë e mirë e së cilës ishte marrë nga miqtë e tyre të modës në Hamburg. Më e rëndësishme akoma, Beatles e kontrollonin vetë muzikën e tyre, e cila bazohej tek rhythm dhe blues, si dhe këngë nga shtëpia diskografike Motown, jo Patti Page apo Mitch Miller. Kur nuk këndonin këngë të vjetra që i zgjidhnin vetë, ata kompozonin këngët e tyre, diçka që pak këngëtarë të tjerë po aq të njohur mund ta bënin, edhe nëse ishin të aftë. Kjo e bënte të gjithë dallimin. Përveçse ishin të lezetshëm dhe karizmatikë, Beatles kishin edhe substancë, të cilën ishin të vendosur ta vërtetonin.

    Beatles e bënë rebelizmin diçka të kohës në tendencën kulturore

    Edhe pse sjellja rebele dhe kundërautoritare ka një traditë të vjetër në kulturën amerikane, Beatles u shfaqën në kohën kur kjo nuk ishte përhapur ende mirë. Në fakt, performuesit si komediani Lenny Bruce, i cili u persekutua për thyerjen e rregullave, përjashtoheshin nga trendi amerikan pasi krijonin telashe. Argëtimi në Amerikë u përpoq të ishte një industri të cilën njerëzit do ta respektonin, duke sjellë performues të parrezikshëm, njësoj siç Detroit prodhonte makina të sigurta.

    Beatles ishin më të ndërgjegjshëm se aspirantët e tjerë në llotarinë e industrisë pop. Ata kuptuan një farë absurditeti në aktivitetin e kësaj muzike dhe dukeshin të vendosur të ndiqnin rrugën e tyre. Kjo sjellje binte gjithmonë në sy kur përballeshin me gazetarët. Gjatë këtyre momenteve, ata ua kthenin me qëllim të mirë pyetjet gazetarëve ose u përgjigjeshin me fjalë të kota. Beatles e bënë të qartë se ishin mendimtarë të pavarur, të cilët do të bënin atë që donin, pavarësisht se çfarë mendonte bota. Disa vite më parë, adoleshentëve u kishte ngjitur qëndrimi prej rebelësh i James Dean[9] dhe Elvis Presley; Beatles përshtatën po këtë sjellje, por e shfaqën në mënyrë më të sofistikuar dhe pa rënë në sy. Shakatë e Beatles gjatë konferencave të shtypit, mund t’i thumbonin vërtetë gazetarët dhe ata nuk ishin asnjëherë aq të nënshtruar sa Elvis, i cili ishte gjithmonë i sjellshëm me të gjithë të rriturit, sado të pagdhendur të ishin. Ishte një nga mënyrat e shumta se si ata shfaqnin dijeninë e tyre ndaj sistemit të showbiz-it ku bënin pjesë dhe se sa shumë e meritonte vënien në lojë. Kjo anarki që krijohej, të rriturve u dukej edhe turbulluese, edhe e këndshme.

    Me raste, grupi e çonte rebelizmin shumë larg; një koment i John Lennon ku thoshte se ishin “më të mëdhenj se Jezusi,” rezultoi në djegien e sasive të mëdha të albumeve të tyre në disa pjesë të Amerikës, si dhe në një rënie të përkohshme në shitjen e këngëve të tyre në vitin 1966[10]. Por shumica e admiruesve të muzikës pop (dhe nëse ju ishit admirues i muzikës pop në vitet ’60, ishit admirues edhe i Beatles) e vlerësonin ndershmërinë e grupit dhe i besonin. Ky besim vetëm sa do të forcohej ndërsa Beatles vazhduan të përmirësoheshin dhe të hynin në fusha më të panjohura nga ana muzikore dhe politike. Të rinjtë i shihnin Beatles si përfaqësuesit e tyre kulturorë dhe ndiqnin drejtimin e grupit. Nuk do të kalonte shumë kohë para se rebelizmi të bëhej diçka kombëtare dhe, pas një farë kohe, një tipar i përhershëm i kulturës së rinisë amerikane (disa mund të thonë i të gjithë kulturës amerikane). Beatles, një faktor i pavarur me një sjellje që thoshte në djall pasojat, ka ndikuar aq shumë sa të tjerët në këtë transformim. Gjithashtu, ata i hapën dyert çdo grupi që mund ta shprehte këtë sjellje më lirisht, tani që pengesa ishte shtyrë më tej.

    Beatles i bënë të pranueshëm flokët e gjatë për burrat, madje edhe të dëshirueshëm.

    Tani duket qesharake, por përpara se Beatles të vinin në Amerikë, “flokëgjatë” ishte një term i cili u drejtohej një grupi të vogël njerëzish, shumica prej tyre artistë. “Flokëgjatë” ishte për shembull një referim shpërfillës ndaj disa muzikantëve të caktuar klasikë, ose Bitnikëve dhe Bohemianëve të tjerë. Flokët e gjatë shiheshin si diçka thelbësore e një temperamenti artistik të pazakontë, ndoshta me përjashtim të veçantë të burrave fetarë nga rajone të huaja, të cilët i rrisnin flokët dhe mjekrat me devotshmëri.

    Më pas u shfaqën Beatles me flokët e tyre të “çrregullt.” Shumica e shkrimeve në shtyp të asaj kohe, merreshin me stilin e tyre të flokëve, i cili tani do të konsiderohej i rregullt dhe i pastër. Në një rast, një gazetar i cili i pyeti “Nga i gjetët këto stile flokësh…?” u ndërpre në çast nga John Lennon, i cili ia ktheu me ironi, “Po thua për flokët e shpupurishur.” Njësoj si uniformat e skenës, stilet e flokëve të Beatles ishin një produkt i origjinalitetit gjerman dhe vinte nga komuniteti artistik që mbështeti Beatles në Hamburg. Sapo u bë i njohur, ky stil flokësh mori identitet të vetin kur paruke të Beatles nisën të prodhoheshin dhe komedianët në emisionet televizive visheshin si ata për të marrë të qeshura nga publiku. Jo për të përfituar nga kjo gjë e pakuptimtë, Beatles panë se si llogaritë e tyre bankare po mbusheshin, megjithëse nuk kaloi shumë para se ky stil i çrregullt flokësh të kalonte në vend të dytë. Teksa koha ecte dhe grupe të tjera ndoqën shembullin e Beatles, flokën u zgjatën gjithnjë e më shumë.

    Në vitin 1966, Beatles mbanin mjekër. Pamja e plotë prej “hipi” ishte shumë afër dhe Beatles e nisën këtë trend. Në fund të viteve ’60, stili çrregullt i flokëve do të konsiderohej i dalë mode, përpara paraqitjes prej malësori që shumë figura pop-i po përqafonin (George Harrison i Beatles ishte më leshtori). Flokët e gjata u bënë diçka dalluese, një simbol i përbuzjes për rregullat e shoqërisë; shumica e figurave të larta të shoqërisë e urrenin pamjen prej hipi dhe sulmet ndaj tyre nuk ishin të padëgjuara, madje edhe deri në fillim të viteve ’70. Megjithatë, me kalimin e kohës, edhe politikanët po i zgjasnin flokët mbi veshë e mbi jaka dhe revolucioni u fitua. Zgjatja e flokëve nuk ishte më një akt provokues, si në kohën kur Beatles e bënë për herë të parë. U kthye thjesht në një zgjedhje tjetër.

    Beatles na trullosën

    Edhe pse në bregun perëndimor të Amerikës ishin shfaqur me kohë dhe Donovan[11] po fillonte të këndonte për supermenë të lumtur dhe “udhëtime” në Angli, gjatë viteve ’60, Beatles ishin ndër grupet e para pop dhe me siguri më ndikuesit, në infektimin e rrymës popullore në Amerikë, me virusin e halucinacioneve. Kur Beatles nisën të këndonin për “fikjen e mendjes,” LSD ishte ende një drogë e ligjshme në Amerikë, por pas disa vitesh do të bëhej e jashtëligjshme, kryesisht për shkak të imazhit të mirë që mori.  

    Treguesi i parë se Beatles kishin hyrë në një fazë të re zbulimi, ishte kënga e fundit në albumin e tyre të vitit 1966, Revolveri. Teksti i këngës “E nesërmja nuk di kurrë,” u riprodhua nga një libër i titulluar “Përvoja e halucinacionit”: Një manual i bazuar në librin tibetian të të vdekurve, me bashkautorë përkrahësin e LSD-së, Dr. Timothy Leary, gurunë Ram Dass dhe akademikun Ralph Metzner. “E nesërmja nuk di kurrë”, njësoj si gjuha e librit, kishte një tekst abstrakt të përzier me një nuancë shpirtërore, ndërsa muzika i përshtatej tonit të tyre – një tingull muzikor indian ndërthurej me një motiv hipnotizues e të vazhdueshëm baterie, i cili dukej sikur do të ngatërrohej në çdo përsëritje dhe efekte të ndryshme si shirita kasete të kthyera mbrapsht, krijonin një përzierje të mbinatyrshme. Zëri i John Lennon u përpunua që të tingëllonte i largët dhe si vorbull. E qeshura e Paul McCartney u luajt së prapthi dhe u përsërit pa ndërprerje duke tingëlluar si një tufë pulëbardhash.

    Rinia lehtësisht e ndikueshme mund ta shmangte këtë këngë të “çuditshme” duke e ngritur pak më shpejt gjilpërën e gramafonit, por prej bombës hipnotizuese “Përgjithmonë fusha me luleshtrydhe”, kënga pasardhëse e Beatles, nuk kishte shpëtim. Që nga teksti enigmatik (“Asgjë nuk është e vërtetë/ Dhe s’ka asgjë për t’u shqetësuar”) tek akordi i pazakontë e zhangëllues, e gjitha ishte si halucinacion, me një përmbyllje euforike të mbushur me tinguj qestre indiane, një violinçel që mezi dëgjohej dhe instrumente që luheshin së prapthi. Sigurisht, kishte edhe një pjesë të madhe të melodisë së Beatles, që e bënte këtë gjë anormale, më të këndshme.

     “Përgjithmonë fusha me luleshtrydhe,” një nga 10 këngët më të mira, caktoi modelin për zhvillimin e plotë të fiksimit hipnotizues të Beatles ndaj Bandës së klubit të zemrave të vetmuara të rreshterit Pepper, një album, shpeshherë i cituar si albumi rrok më ndikues që është regjistruar ndonjëherë. Të gjithë po e dëgjonin, nga kolegët në skenën muzikore, tek adoleshentët në radiot e tyre. Rroku hipnotizues (dhe frymëzimet e mënyrës së jetesës) do të bëhej gjatë viteve të ardhshme, një aspekt i rëndësishëm i kulturës amerikane. Sapo Beatles hyri në skenë, pemët me mandarina dhe qiejt prej marmalade, nuk ishin më diçka ekskluzive e një grushti muzikantësh anglezë dhe kimistëve amerikanë që i frymëzonin.

    Beatles zhvilluan videot muzikore

    Kur MTV debutoi për herë të parë në vitin 1981, Amerika u bë shteti i parë që kishte një stacion televiziv vetëm për muzikën. Në atë kohë, rrjeti televiziv kishte qëllim shfaqjen e videove muzikore, të cilat pas një farë kohe, do të bëheshin po aq popullore sa vetë këngët, kur artistët si Michael Jackson[12] dhe Peter Gabriel[13] nisën të sillnin gjëra të reja. Videoja muzikore u kthye në një simbol të viteve ’80, por rrënjët i kishte më të hershme. Siç mund ta merrni me mend, grupi Fab Four e kishte nisur këtë shumë herët.

    (Nga e majta në të djathtë) Basisti Paul McCartney, kitaristi George Harrison, John Lennon dhe bateristi Ringo Starr (mbrapa) të bandës rock and roll, The Beatles, ndërsa performojnë gjatë provave për paraqitjen e tyre në emisionin ‘The Ed Sullivan Show,’ në 9 shkurt, 1964, në qytetin e New York-ut.

    Pamjet vizuale të shoqëruara nga muzika, e kanë origjinën që kur filluan filmat me zë dhe pjesë të caktuara nga filmat muzikorë të viteve ’30 dhe ’40, mund të merreshin për të krijuar diçka të ngjashme me një video muzikore. Në vitet ’40 madje, kishte makineri me monedha të cilat luanin filma të krijuar posaçërisht për promovimin e një kënge. Këto queshin Soundies. Në vitet ’50 dhe ’60, Francezët u përfshinë duke prodhuar makineri që quheshin Scopitones. Megjithatë, filmat e shkurtër që luheshin tek Soundies dhe Scopitones, në përgjithësi kishin kosto të ulët prodhimi dhe ishin të mërzitshëm.

    Beatles e ndryshuan të gjithë këtë, me filmin e tyre të parë, Nata e një dite të vështirë. Ky film përmban disa sekuenca ku këngët luhen të plota dhe shërbejnë si shprehje e muzikës, por nuk e zgjasin ngjarjen e filmit. Më e famshmja prej tyre është sekuenca e këngës “Nuk më blen dot dashuri,” ku Beatles shfaqen duke kërcyer përreth një fushe. Montimi është përmbledhës, filmi shpejtohet dhe ngadalësohet sipas lëvizjeve të tyre dhe ka një përdorim origjinal të fotografisë me kënd të ulët dhe nga lart. “Nuk më blen dot dashuri,” në thelb, është një video muzikore.

    Pas kësaj, Beatles vazhduan me dy video të palidhura me njëra tjetrën, për dy këngët kontroversiale, “Përgjithmonë fusha me luleshtrydhe” dhe “Rrugica e qindarkave.” Për të dyja u xhiruan filma të shkurtër. Më interesantja është “Përgjithmonë fusha me luleshtrydhe,” tek e cila, grupi gjendet sërish në një fushë, por këtë herë, efekti nuk është gëzim dhe humor, por drithërimë dhe turbullim, duke përdorur kthimin mbrapsht të filmit, vendosjen e imazheve njëri mbi tjetrin dhe zmadhimin pa u përqendruar në qendër, të cilat krijonin një ndjesi hutimi. Filmi kulmon me rrëzimin e një pianoje dhe pjesa e përparme e saj, spërkatet me bojë nga grupi.  

    Meqë Beatles i kishin ndërprerë koncertet, këto filma promocionalë morën rëndësi. Përpara se karrierës së tyre t’i vinte fundi, ata bënë disa filma të tjerë për televizionet dhe kinematë. Përgjatë viteve ’70, shumë artistë (përfshi George Harrison dhe Paul McCartney) vazhduan të prodhonin filma të tillë, deri sa MTV erdhi dhe videot u kthyen në mjet standard për promovimin e këngëve.

    Beatles i bënë të pranueshëm filmat vizatimorë me personazhe rroku.

    Që kur filluan karrierën, dukej qartë se Beatles nuk pëlqeheshin vetëm nga një grup moshe. Pjesën më të madhe të audiencës së tyre të hershme e përbënin adoleshentët, por njerëzit më në moshë, si dhe të vegjlit, iu bashkuan këtij popullariteti. Një mënyrë për të tërhequr të vegjëlit, ishte përshtatja me ta dhe kështu, Beatles, pranuan prodhimin e një filmi vizatimor të përjavshëm, ku do të luhej muzika e tyre. Filmi vizatimor The Beatles, edhe pse mbahet mend më pak se arritjet e tyre të tjera audiovizive, vazhdoi për tre sezone në televizionin ABC, nga mesi deri në fund të viteve ’60 dhe i ekspozoi adhuruesit e vegjël, ndaj muzikës së Beatles. 

    Gra dhe vajza në Toronto, Kanada, duke bërtitur me gëzim gjatë një vizite të Beatles në qytetin e tyre

    Beatles krijuan filmin e parë vizatimor për muzikën pop; me shumë gjasa ka qenë edhe i pari që bazohej në njerëz të vërtetë. Sigurisht, skenari ishte qesharak: John zvogëlohet nga një lëng magjik; Ringo bëhet toreador; Paul rrëmbehet nga një shkencëtar i çmendur i cili kërkon ta martojë me vajzën e tij vampire; George përfshihet në një duel sërfi me një personazh të quajtur Surf Wolf. Ngjarja e çdo episodi ishte kryesisht një pretekst për të shfaqur dy këngë të Beatles, disa prej të cilave ishin këngë pak të njohura, por të përfshira në album. Animimi nuk ishte shumë i sofistikuar, por nga viti 1965, deri në vitin 1969 (dy vitet e fundit ishin përsëritje), ishte emisioni kryesor i paradites së të shtunës.

    Edhe pse Beatles nuk i përkushtoheshin shumë filmit vizatimor dhe nuk bënin gjë përveçse autorizonin muzikën e tyre, sërish pati ndikim. Personazhe të reja që përfaqësonin grupe të vërtetë rroku (Jackson 5, Osmonds) dhe të trilluara (Archies, Josie dhe Pussycats) ndoqën po këtë linjë. Në fakt, për të reflektuar muzikën që shoqëronte filmat vizatimorë, u krijua një zhanër i ri pop-i: bubblegum.

    Në kohën kur këngët e zhanrit bubblegum po kryesonin renditjet muzikore, Beatles e kishin lënë pas botën e filmave vizatimorë, por jo përpara se të binin dakord për prodhimin e një filmi të plotë të tillë, të bazuar në këngën e tyre “Nëndetësja e verdhë.” Ngjyrat hipnotizuese të filmit “Nëndetësja e verdhë,” reflektonin më saktësisht shijet e tyre në atë pikë të karrierës, megjithëse është intriguese të theksohet se emisioni televiziv, u përpoq të përfshinte edhe “Përgjithmonë fusha me luleshtrydhe.” Beatles kishin hapur sërish derën dhe animime të tjera që kishin muzikën e Nilsson, Pink Floyd dhe bandave të rrymës heavy metal, do t’i pasonin. Pavarësisht ndikimit, seriali vizatimor The Beatles, duhet ende të rishitet në format DVD, megjithëse qarkullojnë versione gjysmë të ligjshme dhe një pjesë e mirë e tyre mund të shihen online, por me cilësi të dobët.

    Beatles ndryshuan mënyrën se si e përjetojmë muzikën

    Ne jetojmë tani në epokën e shkarkimit të këngëve, ku dëgjuesit kanë më shumë gjasa t’i blejnë në internet, sesa në dyqan dhe kanë më shumë gjasa të blejnë një këngë të suksesshme, sesa një album të tërë. Në disa mënyra, kjo metodë për të blerë këngët, e ka origjinën përpara se të vinin Beatles, kur të gjitha burimet, përqendroheshin në kompozimin e një kënge të suksesshme. Kënga regjistrohej, publikohej më vete me një shpejtësi luajtje prej 78 ose 45 rrotullimesh në minutë dhe njerëzit, ose e blinin, ose nuk e blinin. Nëse e blinin, bëhej një sukses. Në ditët e hershme, Beatles përparonin pasi këngët e tyre ishin gati gjithmonë të suksesshme. Në prill të vitit 1964, pothuajse dy muaj pas mbërritjes në Amerikë, këngët e Beatles zunë pesë pozicionet e para në renditjen e 100 këngëve më të mira të Billboard.

    Edhe pse kjo ishte mënyra se si industria e muzikës funksiononte, Beatles nuk e shihnin veten si një makineri që prodhonte vetëm këngë individuale, megjithëse publikuan disa nga këngët më të suksesshme në historinë e muzikës. Ata u përpoqën t’i bënin të gjitha këngët e tyre cilësore, në një kohë kur albumet mbusheshin kryesisht me materiale jo të mira, për të rritur shitjen e një kënge të suksesshme. Përpara Beatles, ka pasur përjashtime nga ky rregull, si për shembull Frank Sinatra, i cili mblidhte shumë pllaka të këngëve që i përkisnin një teme të caktuar, ose këngëtarë të ndryshëm xhazi, tingulli i të cilëve përmirësohej me çdo publikim. Por Beatles ishin muzikantët e parë pop që përpunuan albume ku secila këngë, ishte pjesë e rëndësishme e së gjithës. Ata punonin që çdo album të kishte cilësi të lartë, nga fillimi, deri në fund. Ata nisën t’i vinin rëndësi albumit, në vend të këngës së suksesshme.

    Mbretëria e Bashkuar, 20 maj; Foto e Beatles: John Lennon, Paul McCartney, Ringo Starr, George Harrison, jashtë shtëpisë së Brian Epstein në lagjen Belgravia, për publikimin e Rreshterit Pepper

    Në Amerikë, në mënyrë ironike, një pjesë e mirë e kësaj përpjekje mposhtej nga shtëpia diskografike e Beatles, Capitol. Të paduruar për t’i mbushur raftet me më shumë produkte, Capitol, merrte publikimet e Beatles në shtëpinë diskografike Parlophone në Britani dhe i rishpërndante në më shumë albume, duke shtuar këngë të cilat në Britani nuk u publikuan. Pllaka gramafoni dhe shkurtime në kohën e luajtjes. Si pasojë, në Amerikë u publikua dyfishi i këngëve, krahasuar me Britaninë. Në raste të rralla, metoda ju pëlqen ose jo e Capitol, do t’u mundësonte adhuruesve amerikanë, blerjen e këngëve që në Britani nuk ishin publikuar ende (si për shembull “Dizzie Miss Lizzie” e Beatles VI), në mënyrë që adhuruesit britanikë, t’i importonin pllakat e gramafonit nga Amerika! Por, shumicën e kohës, ajo çfarë adhuruesit amerikanë po merrnin, ishin versione të ngatërruara të asaj çfarë kishin synuar Beatles. Beatles nuk donin që këngët individuale të përziheshin me përmbledhjet e këngëve të krijuara me aq kujdes, e megjithatë, Capitol bëri pikërisht këtë gjë. Sidoqoftë duhet theksuar se, sado e padëshiruar mund t’u jetë dukur Beatles kjo praktikë, për adhuruesit amerikanë ishte një mrekulli, të dëgjonin të gjitha këngët e preferuara, në një pllakë që luante për një kohë të gjatë.

    Kjo praktikë vazhdoi deri tek Rreshteri Pepper në vitin 1967, kur Beatles më në fund, u siguruan që të dyja kompanitë diskografike, të publikonin të njëjtin version të albumit duke ruajtur kështu, vizionin e tyre. Një nga arsyet që albumi Rreshteri Pepper ka privilegjin të jetë LP (pllakë me të gjitha këngët e grupit), është se u përjetua njësoj në të gjithë botën. Publikimet e mëpasshme të Beatles, të konsideruara si shembuj tipikë të albumeve të shkëlqyera të muzikës pop, ndoqën po këtë mënyrë. Në rastin e albumit Abbey Road, edhe pse prej tij u publikuan këngë individuale, konsiderohet përgjithësisht si diçka e plotë e që mund të shijohet më mirë ashtu. Edhe pse ideja e këngëve të suksesshme nuk u zhduk, disa grupe të mëvonshme në vitet ’60 dhe ’70, të frymëzuar nga metoda e Beatles, u përqendruan aq shumë në prezantimin e albumeve, saqë as nuk e morën mundimin të publikonin këngë individuale.

    Pavarësisht faktit se disa të çmendur pas Beatles i konsideronin si thertore, shumë adhurues amerikanë ndiejnë ende një lidhje sentimentale me versionet e hershme amerikane të albumeve të Beatles. Tani, në 50 albumet më të mira në Billboard, renditet një set albumesh amerikanë të Beatles. Mbi 50 vjet pasi mbërritën në Amerikë, Beatles mund të përjetohen sërish, ashtu siç amerikanët i njohën për herë të parë – me të gjitha këngët të përfshira!

    Përktheu nga anglishtja David Hudhri


    Shënime dhe referencat

    Kjo ese u publikua së pari online në Biography.com, më 9 shkurt 2014. Botohet këtu me pëlqimin e autorit dhe të administratorëve të këtij website.

    [1] Beatles ishin një grup legjendar rroku që u formua në Liverpool, Angli, në vitin 1960 dhe gjatë dekadës së ardhshme, e bëri muzikën pop një formë arti krijuese, shumë komerciale. Beatles ishin një nga grupet më të njohur të të gjitha kohërave, duke krijuar këngë si ‘Yesterday,’ ‘Hey Jude,’ ‘Penny Lane,’ ‘With A Little Help From My Friends,’ ‘Norwegian Wood (This Bird Has Flown),’ ‘Day Tripper’ dhe ‘Come Together.’

    [2] Benny Goodman, ‘Mbreti i ritmit,’ ishte kompozitori që luante në klarinetë dhe përgjegjës për krijimin e shumë këngëve të suksesshme si udhëheqës bande, përpara Luftës së Dytë Botërore. Goodman e la shkollën kur ishte 14 vjeç për t’iu bashkuar Federatës Amerikane të Muzikantëve. Kulmin e popullaritetit ai e arriti në vitet ’30, kur muzika xhaz ishte më popullorja, duke krijuar shumë këngë që patën sukses dhe duke u bërë banda e parë xhaz që ka luajtuar në Sallën Carnegie.

    [3] Lindur në Hoboken, New Jersey, në 2 dhjetor 1915, Frank Sinatra e mori famën duke kënduar në ansamble të muzikës xhaz. Në vitet ’40 dhe ’50, ai kishte një koleksion të mahnitshëm këngësh të suksesshme dhe albumesh, si dhe u shfaq në shumë filma, duke fituar një çmim oskar si aktor mbështetës në filmin ‘Nga këtu në përjetësi’. Ai la pas një katalog masiv kompozimesh që përfshijnë këngë legjendare si ‘Love and Marriage,’ ‘Strangers in the Night,’ ‘My Way,’ dhe ‘New York, New York.’ Ai vdiq në 14 maj 1998, në Los Angeles, California.

    [4] Lindur në 8 janar 1935, në Tulepo, Mississippi, Elvis Presley erdhi nga një shtresë e varfër dhe u bë një nga emrat më të mëdhenj të rock’n’roll. Në mesin e viteve ’50, ai u shfaq në radio, televizion dhe në kinema. Në 16 gusht 1977, në moshën 42 vjeçare, ai vdiq nga infarkti në zemër, e cila lidhej me varësinë që kishte ndaj drogës. Që nga vdekja e tij, Presley ka mbetur një nga ikonat më të njohura të muzikës në botë.

    [5] Lindur në 5 dhjetor 1932, me emrin Richard Wayne Penniman, në Macon, Georgia, Little Richard i dha kuptim epokës së hershme të rock’n’roll-it të viteve ’50, me zërin e tij ndikues dhe të fuqishëm. Me të kënduarin nën zë, ulërimat dhe të bërtiturat, ai ktheu në suksese të mëdha këngë si ‘Tutti-Frutti’ dhe ‘Long Tall Sally’ dhe pati ndikim në banda të tilla si Beatles.

    [6] Jerry Lee Lewis u lind në 29 shtator 1935, në Ferriday, Louisiana. Ai filloi t’i binte pianos në moshën 9 vjeçare, duke kopjuar stilet e predikuesve dhe muzikantëve zezakë. Ai nënshkroi me kompaninë Sun Redords dhe u bë një yll i rrymës rockabilly. Në vitin 1958, Lewis u martua me kushërirën 13 vjeçare, duke u shkëputur për një kohë të gjatë nga skena, por ai vazhdoi të performonte dhe u rikthye. Në vitin 1986, ai u vendos në Rock and Roll Hall of Fame.

    [7] Lindur në 18 shtator 1940, në Philadelphia, Pennsylvania, Frankie Avalon konsiderohet si një nga idhujt e parë të fabrikuar të adoleshentëve. Kënga e tij ‘Venus,’ ishte kënga e tij e parë që kryesoi renditjet muzikore në vitin 1959 dhe po në atë vit, ai publikoi gjashtë këngë të tjera që u renditën te 40 më të mirat.

    [8] Lindur në 26 prill 1942, në South Philadelphia, Bobby Rydell e shfaqi talentin e tij për muzikë në moshë të vogël, duke luajtur në bateri në moshën 9 vjeçare. Në vitin 1959, ai doli në emisionin muzikor American Bandstand të Dick Clark dhe gjatë karrierës shiti mbi 25 milion disqe. Këngët e tij më të njohura janë ‘Kissin’ Time,’ ‘Wild One’ dhe ‘Volare.’

    [9] James Dean u lind në 8 shkurt 1931, në Marion, Indiana. Ai aktroi në filmin e bazuar në romanin e John Steinbeck, “East of Eden”, për të cilin u kandidua për çmim Oskar, pas vdekjes. Më pas, roli në filmin “Rebel Without a Cause”, ku aktroi si një adoleshent i torturuar emocionalisht, e ktheu në personifikimin e brezit të tij. Në fillimin e vjeshtës së vitit 1955, Dean vdiq nga një aksident automobilistik, duke u kthyer menjëherë në një ikonë filmi, trashëgimia e të cilit jetoi për dekada me radhë.

    [10] Edhe pse në analizat dhe në komentet për këtë ngjarje është përdorur shprehja “bigger than Jesus”, fjalët e përdorura nga Lennon në fakt kanë qenë “more popular than Jesus” (më popullor sesa Jezui) (Shih Jonathan Gould, Can’t Buy Me Love: The Beatles, Britain and America, New York: Three Rivers Press, 2007, f. 309). Lennon e bëri këtë koment në mars të vitit 1966 gjatë një interviste me Maureen Cleave për gazetën London Evening Standard, gjë që nuk shkaktoi asnjë reagim. Kur revista amerikane për adoleshentët, Datebook, citoi komentin që kishte bërë Lennon në gusht, pesë muaj më vonë, në jugun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shpërthyen protesta të mëdha. Disa stacione radiosh i ndaluan këngët e Beatles, disqet e tyre u dogjën publikisht, konferencat për shtyp u anuluan dhe u kërcënuan. Kjo nngjarje rastisi me koncertet që grupi do të bënte në gusht të vitit 1966 dhe Lennon me Brian Epstein, u përpoqën ta shuante këtë polemikë në një seri konferencash për shtyp. Disa evente patën trazira dhe kërcënime, përfshi edhe një protestë nga Ku Klux Klan. Ky konflikt ishte edhe si shkak i mungesës së interesit që Beatles kishin për të bërë koncerte live dhe turneu i Amerikës ishte i fundit prej tyre, pas së cilit, ata u bënë një bandë që performonte vetëm në studio.

    [11] Donovan doli në skenën muzikore në vitin 1965 me këngët folklorike ‘Catch the Wind’ dhe ‘Colors,’ dhe ndërsa këngët e tij morën cilësitë hipnotizuese të kohës, ai shpejt nisi të ndikonte këtë epokë. Me suksesin e këngëve si ‘Hurdy Gurdy Man,’ ‘Season of the Witch’ dhe ‘Mellow Yellow,’ Donovan forcoi reputacionin e tij si kompozitor i suksesshëm, i cili mundi ta kthente me entuziazëm kulturën pak të njohur të viteve ’60, në trend.  

    [12] Lindur në vitin 1958 në Gary, Louisiana, Michael Jackson u bë këngëtari kryesor i grupit të njohur të familjes së tij, të shtëpisë diskografike Motown, Jackson 5. Ai nisi një karrierë solo jashtëzakonisht të suksesshme, duke kryesuar renditjet me këngë nga albumet Off the Wall, Thriller dhe Bad. Në vitet e fundit të jetës, ‘Mbreti i pop-it’ u sulmua me akuza për ngacmime fëmijësh dhe vdiq në vitin 2009, përpara se të niste një turne rikthimi.

    [13] Muzikanti britanik, Peter Gabriel, krijoi grupin e rrymës prog rock, Genesis, në vitet ’60. Që kur u shkëput nga banda në vitin 1975, ai arriti sukses të jashtëzakonshëm si artist solo.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË