KreuLetërsiShënime mbi libraJani Thomai: Keqpërdorime fjalësh (Kulturë gjuhe)

Jani Thomai: Keqpërdorime fjalësh (Kulturë gjuhe)

Në një artikull të botuar kohë më parë në këtë gazetë, kam propozuar që të hapet një rubrikë e posaçme për kulturë gjuhe, si dikur në disa gazeta, pavarësisht nga revistat shkencore të specializuara, si “Gjuha jonë” (AShSh, Tiranë) dhe “Gjuha shqipe” (IAP, Prishtinë), e domosdoshme për ta bërë çështjen e kulturës së gjuhës më masive, më të përditësuar e më ndikuese në gjendjen kur gjuha, e folur dhe e shkruar, në shumë raste, “masakrohet” aq sa ulet në shkallën e përdoruesve gjysmanalfabetë, sa forma e shprehjes, si e themi diçka, ndikon ndjeshëm në përmbajtjen e komunikimit gjuhësor, çfarë themi. Madje, si e themi diçka disa herë ka më shumë peshë, sepse ose e qartëson, e përforcon dhe e bën të lehtë rrokjen e asaj që themi, kur është si duhet, ose, në të kundërt, e errëson, e dobëson dhe vështirëson kapjen e saj.

Të metat nisin që nga drejtshkrimi tingullor (f.v. për të dalluar vënd për vend, qendror < qendër nga qëndroj (në shkrimin e shqiptimin me e a me ë…), deri te ndotja gjuhësore me huazime të panevojshme, me keqpërdorime fjalësh, ndërtime të gabuara frazash etj., duke na dhënë një shëmti të ligjërimit. Ja si shkruhet jo rrallë në rrjetet sociale e në disa emisione televizive: ≠ “- Un, shoko, mendoi që pun ka plotë ktu, sa me e dijt tan dyrrnjaja, veç kush don me punu ….” – fb. Dhe ja si i jep lajmet një folëse televizioni: ≠ “Për shkak të çmimeve ekstreme shqiptarët po limitohen aktualisht në ushqime bazike” – tv. Kujt po i flet kështu?!

Por këtë herë dua të sjell ca shembuj të moskuptimit a të keqkuptimit e për rrjedhojë të keqpërdorimit të disa fjalëve me ngjashmëri të madhe fonetike, “gatihomonime”. E kjo ndodh edhe në ligjërimin e ndonjë personaliteti politik a shtetëror, që mbahet për i kulturuar, por që sjell dëm edhe më të madh në gjuhë, sepse siç dihet, guri, sa më i rëndë e sa më lart të jetë, aq më të madh e bën dëmin kur bie poshtë.

Në tipin e fjalëve që përmenda, “gatihomonime”, ka ngatërresa të tilla që tregojnë padituri ose viktimizim nga një “snobizëm gjuhësor” dhe që e bëjnë ligjërimin jo vetëm të gabuar, por shpesh edhe qesharak.

Po sjellim si shembuj disa përdorime të gabuara fjalësh “gatihomonime” njëra për tjetrën:

at  “kalë, sh. atllarë” < trq. për atë “baba, sh. etër” < ie. (≠ “At  Gjergj Fishta”;”Çmimi letrar AT ZEF PLLUMI”…);

cesurë “lënie, lejim…”; si term në letërsi cezurë “pushim brenda një vargu poetik pas një rrokjeje të theksuar”, për censurë “kontroll i veprave, i letrave etj. nga një organ i posaçëm para se të shfaqen a të lexohen për t’i ndaluar ose për t’u hequr pjesët e padëshirueshme…” (Cesura e veprave letrare e artistike veçan ka qenë e fortë sa mund ta pësonte edhe autori…” – gaz.);

histori “përshkrim i një ngjarjeje që ka ndodhur…” për histeri “sëmundje nervore që shfaqet me të qeshura e shfrenime…” (Atë çast e kapi një histori, me të dridhura e të qeshura si i çmendur…” – gaz.);

hurdhë “pellg me ujë të ndenjur…” për hudhër “perime si qepa, por me zhardhok të ndarë në thelpinj djegës…” (≠ ”…vargje me hurdha varura poshtë ballkonit…” – gaz.; edhesi kahin.);

masazh “ndrysje e fërkim i butë i trupit për qetësim të dhembjeve, për forcim të muskujve etj. …” për mesazh“tekst a shënim në letër që dikush ia bën  dikujt për një njoftim…” (≠ ”… i kishte nisur tri masazhe radhazi e s’mori përgjigje…” – gaz.);

mostër “copë a pjesë e vogël e shkëputur nga diçka për ta paraqitur si duhet bërë më tej…” për monstër“përbindësh…” (≠ ”- E po kur më doli përpara ky mostër, veç ta dëndje në dru…” – tv.);

ndjej “i fal me dashamirësi dikujt një faj a gabim…” për ndiej“kap me shqisa ngacmimet e ndryshme…” (≠ ”… nuk të ndjej asnjëherë kur vjen aq vonë” – tv.);

përshkruaj “paraqit me gojë ose me shkrim pamjen e dikujt a të diçkaje…” për përshkoj “kaloj një rrugë brenda një kohe të caktuar…” (“…ka përshkruar një rrugë të gjatë më këmbë e s’u lodh…” – gaz.; ≠ “Flaka përshkroi 32 dhoma dhe la prapa hi e qymyr…” – tv.);

prefekt “kryetari i një prefekture…” për perfekt “i përkryer, i përsosur…” (“… e ka kryer prefekt detyrën që iu ngarkua…” – tv.);

u preftë (~ në paqe!) nga pritem “ndaj një copë nga diçka a e ndaj në copa me thikë ose me mjet tjetër të mprehtë…” për u prehtë (~ në paqe!) nga prehem “pushoj (për të vdekurit) (≠ ”U preftë në paqe! Të rroni e ta kujtoni! – lf.);

recension “vlerësim kritik me shkrim për një vepër artistike a shkencore….” për recesion“shkuarje prapa, tërheqje; heqje dorë, prapsje; rënie ekonomike, amulli…” (≠ ”… kuptohet recensioni ku kemi përfunduar prej kaq vjetësh dhe s‘po dalim dot…” – gaz.);

stimulim (< stimuloj “nxit…”) për simulim (< simuloj “shtirem, bëj diçka të rreme për të mashtruar dikë…”) (≠ “…mbrojtësi … u shtri përtokë dhe arbitri e dënoi me karton të verdhë për stimulim…” – gaz.);

tablet “kompjuter i vogël dore…” për tabulat “pjesë e një aparature qendrore ku regjistrohen bisedat telefonike të zhvilluara…” (≠ “…u bë edhe kontrolli i tableteve qendër e nuk u gjet ndonjë gjurmë regjistrimi bisede…” – tv.) etj.

Keqpërdorime ka edhe për shkak të sinonimisë ose të ngjashmërisë a të afrisë kuptimore të fjalëve, të “gatisinonimeve” – që dallohen nga nuanca të holla kuptimore a të mbishtresuara ose, sidomos, nga lidhje të ndryshme sintagmatike, si:

gjakderdhje “derdhje gjaku në luftë a përleshje” për gjakrrjedhje“hemorragji” (“…nga plaga e thellë pacienti pati mjaft gjakderdhje dhe u desh t’i jepej gjak…” – tv.);

vendos “e çoj dikë a diçka në një vend të caktuar…” për “vesh a e çoj diçka diku ku duhet të qëndrojë…” (“Mbi këmishë vendosi një triko të hollë, sa për bukuri…” – lf.; “…unazën e vendosnin te gishti i unazë, i katërti, prandaj quhet ashtu…” – tv; – Akoma s’ia keni vendosur emrin foshnjës…?” – lf.) etj.

Po shtojmë këtu edhe disa trajta të shtrembëruara për shkak të ndikimit nga “gatihomonimia”:

afrimitet për afrim ose për afinitet (një përzierje e këtyre dy fjalëve të fundit: (“…kanë afrimitet madh, si vëllezër…” – tv.);

garazhd (siç shkruhet në disa qepene garazhesh, nën ndikimin e grazhd: grazhd + garazh > garazhd) për garazh;

kompromentoj për komprometoj, nga it. compromettere “rrezikoj; prek…” (≠ ”Kjo e kompromenton çështjen…” – gaz.);

premtoj jap fjalën për diçka…”, që lidhet me it. promettere me të njëjtin kuptim, për një fjalë tjetër të mundshme *permetoj“lejoj, lë…”, që lidhet me it. permettere po ashtu me të njëjtin kuptim (≠ “Duhej të nxitonim, se nuk na premtonte koha për të arritur atëherë kur na prisnin shokët…” – gaz.);

prespektivë (duket nën ndikimin e fjalëve me parashtesën pre-: preferencë, prehistori, prepotent…) për perspektivë  (Një prespektivë e madhe i hapet shkollës sonë në të ardhmen…” – lf.); por edhe pa ndonjë gjedhe të tillë: rekurtim për rekrutim (≠ “Ne bëjmë regjistrimin e kërkesave, kurse rekurtimin e personave konkretë e bëjnë organet përkatëse…”) etj.

S’është fjala për “gabime shtypi”, dalin shpesh. Disa nga këto janë aq të çuditshme, sa duken si të pabesueshme, të shpifura. Keqpërdorues, mbroni gjuhën nga shtrembërimet, veten nga padituria dhe të tjerët nga mundimi për t’ju kuptuar çfarë doni të thoni

 [tv. – televizion; fb. – facebook; gaz. – gazetë; lf. – ligjërim i folur; krahin. – krahinore it. – italishte; trq. – turqishte; ie. – indoevropian; * – i supozuar; <  –  vjen nga…; ≠ – keqpërdorim]

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË