More
    KreuOpinionJan Blommaert: Një vështrim pas: Çfarë qe e rëndësishme në jetën time...

    Jan Blommaert: Një vështrim pas: Çfarë qe e rëndësishme në jetën time akademike?

    Dy prej maîtres à penser-ëve  të mi vdiqën në moshë relativisht të re. Mishel Faucault-ja ishte 57 vjeç, ndërsa Erving Goffman-i ishte 60 vjeç. Ka shumë gjasa që edhe unë të vdes relativisht i ri. Tani jam 58 vjeç dhe jam diagnostikuar me kancer të fazës së katërt në mesin e marsit të vitit 2020. Përderisa më mbetet shumë pak e ardhme për t’u planifikuar, për të spekuluar apo ëndërruar, njeriu priret që t’i përdorë këto çaste shënjuese si nxitje për të reflektuar për të shkuarën. Pyetja udhërrëfyese në këtë rast është tepër e qartë: Ç’qe e rëndësishme?

    Do t’i kufizoj reflektimet e mia vetëm për pjesët profesionale të jetës sime. Ky është, pa dyshim, një segmentim artificial dhe lexuesit duhet të kenë parasysh se pjesa profesionale e jetës sime ka qenë gjithnjë e ndërthurur me pjesët joprofesionale, shpesh në mënyra të jo thjeshta ose të keqbalancuara. Ndoshta ajo histori duhet rrëfyer tjetërkund. Tani për tani, do të përqendrohem te ajo pjesë e imja që quhej “akademike”.

    *****

    Lermëni të parashtroj shkurt çfarë vijon duke përmbledhur çfarë nuk ishte e rëndësishme.

    Çfarë nuk ishte i rëndësishëm ishte konkurrimi dhe vetitë e tij te sjellja dhe marrëdhëniet e konkurrencës, dëshira ose nxitja për të bërë më të mirën, për të fituar konkurse, për t’u parë si kampion, për të lëvizur në mënyrë taktike, për të farkëtuar aleanca strategjike e çmos tjetër. Nuk e kam pasur ndjesinë se doja të isha pjesë e një klike ose e një rrjeti të caktuar dhe nuk mendoj se kam bërë ndonjëherë përpjekje të mëdha për t’u afruar me njerëz, që konsideroheshin të rëndësishëm. Nëse kam qenë pjesëtar i rrjeteve të këtilla, ka ndodhur më tepër në mënyrë të rastësishme sesa në mënyrë të qëllimtë.

    Nuk e kam menduar kurrë veten si gjeni, i krahasueshëm individualisht me të tjerët dhe individualisht përgjegjës për prodhimin e gjërave fantastike, që të gjithë duhej t’i lexonin, t’i dinin, t’i citonin dhe t’ua caktonin studentëve si detyra. Krejt e kundërta: E kam parë veten si jopërjashtimor dhe si një njeri, të cilit gjithnjë do t’i duhej një ekip i mirë përqark, për të arritur diçka. Nisur nga fakti që jeta ime akademike, në rastin tim, nuk ishte diçka që e kisha dëshiruar e kërkuar pa ndalur, por një dhuratë që mora nga të tjerët, kam ndjerë detyrimin për të qenë i mirë, aq i mirë sa të mundesha dhe më i mirë nesër se sot. Kështu që kam punuar fort, veçanërisht duke i marrë të dhënat nga të tjerët – nga literatura sigurisht (një komunitet i të tjerëve shpesh i lënë në hije, kur flitet për arritje akademike), por gjithashtu nga kontaktet me miq, me të cilët mund të krijoheshin grupe pune. Diskutimi dhe stuhia e mendimeve ishin aktivitetet e mia të parapëlqyera; ishin, në kuptimin e vërtetë të fjalës, përmasat lojcake, zbavitëse dhe të kënaqësisë së jetës akademike. Gjëja kam bërë vetëm, zakonisht, ka qenë analiza e ngadaltë dhe e kujdesshme e të dhënave. Por ajo është e vetmja gjë, që ka qenë realisht individuale në mesin e një sërë aktiviteteve kolektive dhe përfshinin bashkëndarje, shkëmbim dhe bujari. E madje edhe analiza e të dhënave zakonisht i lihej gjykimit të të tjerëve përpara se të prezantohej publikisht. Ishin vërtetë shumë gjëra që bëja me të tjerët, për t’u konsideruar kërkuesi shkencor vetmitar, unik dhe i pavarur.

    Në kontekste të tilla të shkëmbimit kolektiv, të kushtëzuar nga bujaria në maksimum, të ndryshuarit e mendjes është i vetëkuptueshëm. Qëllimi i diskutimeve dhe i stuhive të mendimit, si “një shkëmbim idesh”, është që idetë të mund të shkëmbehen dhe ndryshohen dhe kjo është diçka që e bën personin të dalë nga një sesion i tillë, me gjëra më të mira në kokë se ç’pati pasur para sesionit. Të nxënit këtu është çelësi dhe nëse do të isha i gatshëm për t’i vënë një etiketë vetes, është etiketa e nxënësit të përjetshëm, të pangopur.

    Kjo është edhe arsyeja pse kam lexuar me shumicë gjatë gjithë jetës. E teksa një pjesë e atij leximi ishte “thjesht” lexim, një pjesë tjetër ishte studim. Pjesën më të madhe të karrierës sime, kam qenë i përfshirë në ndonjë formë studimi, mbledhjeje dhe përzgjedhjeje shkrimesh, prej të cilave doja të mblidhja qëmtime të thelluara, të vlefshme për projektet kërkimore, ku isha i angazhuar. Kam studiuar, për shembull (dhe lista nuk është shteruese), strukturalizmin, ekzistencializmin, fenomenologjinë, gjërat e mistershme si veprat e Rudy Botha-s për Chomsky-n dhe përpjekjet e Gramatikës Funksionale të Simon Dik-ut, Talmy Givon-it dhe M.AK. Halliday-it; por gjithashtu veprën e plotë (ose të paktën pjesën më të madhe nga ç’kam mundur të siguroj) të autorëve: Michel Foucault, Carlo Ginzburg, Bakhtin, Freud, Durkheim, Simmel, Parsons, Eric Hobsbawm, E.P. Thompson, Pierre Bourdieu, Charles Goodwin, Dell Hymes, Michael Silverstein, Erving Goffman, Aaron Cicourel, Harold Garfinkel, Anne Rawls, Fernand Braudel, J.K. Galbraith, Immanuel Wallerstein, Arjun Appadurai dhe disa të tjerëve. Kam studiuar Marksin dhe marksizmin në versionet e veta të larmishme, Zgjedhjen Racionale, Makiavelin, Darvinin veprën dhe ndikimin e G.H. Mead-it,  Dewey-n, Paolo Freire, Ngugi wa Thiong’o, Okot p’Bitek, Walter Rodney, Issa Shivji dhe pak nga teoria politike afrikane e viteve ‘50, ‘60 dhe ‘70. Për të kuptuar shumë prej saj, më është dashur të studioj veprat e Mao Ce Dunit dhe historinë e Revolucionit Kulturor në Kinë. E kështu, e kështu me radhë.

    Nëse kam pendesa tani, është për faktin se disa prej këtyre studimeve do të mbeten të pambaruara. Kam marrë shumë kënaqësi prej tyre.

    Kam pasur mospëlqim dhe mospëlqim të thekshëm për zhvillimin e kulturës industriale akademike, dëshmitar i së cilës jam bërë përgjatë karrierës sime, me matje thuajse totalitare të punës akademike individuale dhe të performancës, me konkurrencë konstante ndërindividuale, që i shpinte kolegët e rinj e të brishtë drejt niveleve ekstreme dhe të rrezikshme të stresit dhe të investimit në punë e jo në jetë dhe me menaxherë që theksonin, pa ndonjë barrë prove, se “artikulli me një autor të vetëm në revistë shkencore” (botuar, dukshëm, pas një tarife të lartë) është pika kulmore e performancës akademike dhe standardi i artë për të matur “cilësinë” e një kërkuesi shkencor. Shtuar kësaj, gjë për të cilën kam qenë gjithashtu dëshmitar, edhe zhvillimin e një kulture të mirëfilltë të famshmish në botën akademike, ku megakonferencat marrin formën e festivaleve të popit me titullarët rockstar-ë, të cilët sjellin hitet e tyre më të mëdha përpara një audience akademikësh të keqpaguar, që e harxhojnë buxhetin e tyre të pushimeve për të blerë një biletë në evente të këtilla. Punë e mirëfilltë intelektuale aty bëhet pak.  Dhe kryekëput si në festivalet e popit, gjurma e karbonit në koncerte të tilla akademike rroku është skandaloze.

    Sinqerisht, e gjitha kjo është në formën më të thjeshtë dhe elementare antiakademike dhe antiintelektuale. Është receta për shkencë të keqe, jo për risi dhe përmirësim. Kam marrë pjesë në të gjitha, sepse e gjitha u bë “moda e re”, teksa unë isha aktiv dhe qe kultura që përcaktoi karrierën time. Ajo kulturë që më përcaktoi mua si një prej këtyre rokstarëve për ca kohë e kësisoj më vuri në mënyrë të vazhdueshme në shoqërinë e një tarafi të vogël rokstarësh të ngjashëm. Kjo nuk është diçka që do të më mungojë, pasi ishte pandryshueshmërisht e çuditshme dhe tehuajsuese e shpesh tmerrësisht e mërzitshme. Dhe kjo kulturë e re largoi dhe delegjitimoi një kulturë pararendëse, atë të dialogut kolegjial, të bashkëpunimit, ngadalësisë, kohës për të menduar, reflektuar dhe dyshuar, të periudhave të padukshmërisë dhe të mungesës në skenat publike, ngase mund të ishe duke bërë një pjesë serioze kërkimi, për shembull. Dhe një kulturë ku dikush do të shkruante kurdo, ngaqë diçka e re duhej raportuar, jo ngaqë duhej të arrinte kuotën e produktit vjetor ose një tjetër artikull “super”, për të qenë i pranueshëm për promovim, mandat ose emërim.

    Një fusnotë: një tjetër pjesë e asaj kulture përcaktuese ishin riorganizimet e universitetit, menaxhimi dhe shkurtimet e buxhetit, me një rritje të garës për vende pune (për të cilat bota intelektuale paguan një çmim të tmerrshëm), programe akademike “me orientim nga klienti”, që duhej të kontrolloheshin nga ata tipat e marketingut, për meritat që kanë në një treg produktesh akademike, bjerrja e “stafit mbështetës”, që është jetik dhe shndërrimi thuajse tërësisht i produktit akademik në mall, shih argumentin për artikujt e revistave shkencore “me vetëm një autor” dhe shto këtu edhe maninë e metrikës dhe impaktit. Botimi akademik, si një industri, është bërë faqja e zezë dhe pengesë për shkencën e jo një lehtësues (le më aktor i domosdoshëm). Botimi është shndërruar në një formë terrori për kërkuesit e rinj, ndërsa në fakt duhet të jetë një instrument për liri, për të gjetur zërin dhe vendin e tyre në këtë fushë. Ezaurimi (burnout-i) është bërë tanimë një rrezik profesional endemik në akademi, ngjashëm me depresionin, marrëdhëniet e pamira njerëzore dhe stilin e pashëndetshëm të jetesës. Kështu, ky mjedis është tepër jotërheqës për krijimtarinë njerëzore, teksa në fakt duhet të jetë një mjedis i specializuar, i përshtatur pikërisht për ta nxitur krijimtarinë.

    Kështu që sa më lart ishin të parëndësishme. Gjërat e rëndësishme mund të përmblidhen me pak fjalë kyçe: të japësh, të edukosh, të frymëzosh. Një fjalë kyçe të katërt do ta shtoj më vonë.

    Siç e përmenda më herët, jeta ime akademike ishte një dhuratë që e mora prej të tjerëve. Ishte e papritur si dhuratë dhe isha i papërgatitur për të. Kur fillova detyrën e parë akademike në 1988, mora në konsideratë kryesisht njerëzit që i konsideroja shembuj të këqij dhe vendosa të mos i bëja gjërat siç i bënin ata. Në thelb, vendosa të bëhem akademiku, që unë vetë do të doja ta hasja, po të isha student. Nëse më duhej të mësoja, duhej të jepja mësim në ato klasa, që do t’i ndiqja me kënaqësi. E nëse më duhej të shkruaja, duhej të shkruaja tekste të cilat unë vetë do t’i lexoja me qejf. Është një disiplinë e thjeshtë, që e kam ndjekur gjatë karrierës sime: nuk ka të bëjë asnjëherë me mua, ka të bëjë kurdoherë me studentët dhe roli im është t’iu jap atyre mjete dhe burime të vlefshme e të dobishme për ta, jo për mua.

    Që herët e kuptova se roli im në jetët e të rinjve, që ishin studentët e mi, ishte roli i një edukatori, jo thjesht i një mësuesi a lektori. E kur e kuptova, e mora shumë seriozisht këtë gjë. Përgatisja me detaje çdo lëndë që jepja (dhe kanë qenë shumë të tilla) dhe gjithnjë bëja prova për çdo leksion. Asnjëherë nuk kam hyrë në një auditor leksioni pa një histori tërësisht të zhvilluar dhe pa skenar në mendjen time për sesi do të shpjegoja. Nëse të duhet të japësh mësim, bëje dhe mos e bëj në mënyrë të pakuptimtë. Bëje çdo minutë në klasë të vlefshme për studentët dhe kujdesu që ata të mësojnë diçka në secilën nga orët e tua. Diçka e tillë duket e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë, por nuk është. Në fakt është fort e zorshme.

    Nis nga refuzimi për të nënvlerësuar studentët e tu. Shumë nga ish-studentët e mi do ta mbajnë mend se unë zakonisht filloja lëndën duke shpallur që synoja të arrija vetëm 1 inç mbi kokat e tyre, në mënyrë të tillë që ata të zgjateshin pak për ta ndjekur ritmin dhe përmbajtjen e lëndës. Gjithnjë e bëja diçka të tillë: iu jepja studentëve pjesë për të lexuar, përmbajtje dhe detyra që shpesh nga kolegët e mi gjykoheshin se ishin tepër kërkuese ose “mbi nivelin e tyre”, për shembull studentëve të vitit të parë iu duhej të lexonin një libër nga Fukoja. Epo, fakt është që ata e lexonin dhe mësonin shumë prej tij. Ndaj se çfarë saktësisht është “niveli i tyre” është e pëlqyeshme të mbetet për t’u parë pas procesit të të mësuarit dhe jo para tij. Para tij, askush nuk është “gati” për llokma të caktuara dijeje; ata bëhen gati përmes punës së të mësuarit. Të mos e kuptosh këtë fakt elementar dhe të pretendosh se studentët “kanë” një nivel të caktuar, me të cilin ne mësimdhënësit duhet të përshtatemi, është gabim dramatik. Në karrierën time kam parë shumë shpesh se si ky gabim shpie te trajtimi si fëmijë i të rinjve jashtëzakonisht të talentuar dhe te arritjet, që në fakt janë vetëm një fraksion i asaj që mund të ishte arritur realisht. Ju lutem, asnjëherë mos i nënvlerësoni studentët tuaj.

    Në vend të kësaj, jepuni atyre më të mirën që mundeni. Kjo do të thotë: mos iu jepni studentëve informacion të vjetruar dhe të rëndomtë, por jepuni qëmtimet e mendimet më të reja e më të përparuara. Udhëhiqini ata në botën e kërkimit tuaj aktual, vërini ata përballë me çështjet dhe diskutimet më të përparuara të fushës, tregojuni atyre të dhëna të ndërlikuara dhe sfiduese dhe lejojini ata të hyjnë në kuzhinën tuaj, jo vetëm në shitore. Në pjesën dërrmuese të karrierës sime kam pasur ngarkesë shumë të madhe mësimore. Ia dilja që orët e mësimit të ishin interesante për studentët dhe për mua duke krijuar lidhje të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme mes hulumtimit që po bëja dhe mësimit që jepja. Merrja analiza gjysmë të përfunduara të të dhënave të reja në klasë dhe e mbaroja analizën aty me studentët e mi, duke i lënë që të shihnin si gaboja, si më duhej të kthehesha te fazat paraprake, si i kapërceja disa pika, që ishin veçanërisht të vështira e kështu me radhë. Gjëja e mirë ishte se: orët e shumta mësimore që kisha, nuk ma gllabëronin kohën për hulumtim; ato ishin kohë hulumtimi dhe studentët kishin të bënin me një studiues, që iu fliste për një problem të ri dhe konkret që kërkonte një zgjidhje.

    *****

    Mendoj se është pikërisht në këtë pikë, që “mësimdhënia” kthehet në “edukim”. Si mësimdhënës ne nuk transferojmë dije dhe nuk jemi, kësisoj, një lloj i sofistikuar e i çuditshëm buldozeri apo piruni mallrash me anë të cilit një sasi e caktuar të mirash shpihet nga një vend (mendja jonë) te një tjetër (mendjet e studentëve). Kjo është mënyra se si menaxherializmi akademik bashkëkohor parapëlqen të na shohë. Gjë që e kam refuzuar më lart.

    Jo. Na pëlqen ose jo, ne jemi shumë, shumë më tepër se aq për studentët tanë dhe ashtu duhet të jemi. Të gjithë ende i mbajmë mend shumë prej mësuesve tanë, nga kopshti e deri në universitet. Disa nga kujtimet që kemi për ta mund të zbehen gradualisht dhe disa nga mësuesit mund të mbijetojnë vetëm në kujtesën tonë si skica të mjegullta e sipërfaqësore, të lidhura me çaste të caktuara në jetë. Por disa nga këta mësues janë, në fakt, tepër të rëndësishëm në historitë që ndërtojmë me veten; dhe për mësues të tillë shpesh kemi kujtime jashtëzakonisht të pasura dhe të detajuara. Madje, disa nga këta mësues kanë shërbyer (dhe shërbejnë) si modele ose si njerëz, që kanë përcaktuar trajektoret tona dhe identitetin tonë në çaste vendimtare në jetë. E kur njerëzit flasin për të tillë mësues, vëmë re nga sa afër dhe sa në mënyrë kritike e kanë vëzhguar ata edhe aspektin më të vogël të sjelljes së mësuesve të tyre; fjalët e tyre dhe si, kur e pse janë thënë; gjestet e veçanta që bënin ose shprehitë e fytyrës; rrengjet e surprizat, që bënin e kështu me radhë.

    Kam qenë shumë i vetëdijshëm për faktin se, si mësues, do të kujtohesha nga studentët e mi. E dija në çdo çast të ndërveprimit me studentët se ky çast do të linte një gjurmë në zhvillimin e tyre dhe se shpesh do të merrte një nivel të caktuar rëndësie, që nuk mund ta kishte kurrë për mua. Në tërësi, kuptova se si mësues çdo çast në të cilin ndërveproja me studentët e mi do të ishte një çast edukimi, formësimi i një njeriu, duke përdorur materialet, që do t’iu ofroja gjatë atij çasti të caktuar ndërveprimi. E gjithë sjellja ime ndaj tyre do të ishte një material edukues potencial, në një kuptim. Dhe gjithë sjellja ime ndaj tyre, për pasojë, duhej organizuar në atë kuptim. Duhet t’i lejoj studentët që të më njohin, së paku, të njohin një version të vetes sime, që të mund të mbahet mend si dikush që ka kontribuar për mirë në zhvillimin e tyre si qenie njerëzore madhore. Respekti, mirësjellja, integriteti, korrektesa profesionale, empatia, mbështetja, besimi, përkushtimi: të gjitha këto fjalë përfaqësojnë formula sjelljeje që kërkojnë zbatim të vazhdueshëm për të qenë të vërteta.

    Disa herë në karrierën time, studentët më kanë treguar gjëra që mund të konsideroheshin si “sekrete”, për çështje personale delikate, që zakonisht iu thuhen anëtarëve të një rrethi të ngushtë intim. Dy herë, studente të reja më kanë ardhur në zyrë, në gjendje të rënduar psikologjike, duke më rrëfyer se ishin përdhunuar dhe unë isha njeriu i parë, të cilit po i kërkonin ndihmë. Teksa çaste të tilla qenë sigurisht çorientuese dhe më zunë papandehur, më mësuan se si mësues isha vërtet pjesë e jetës së studentëve në mënyra dhe shkallë, që as që i kisha kuptuar tërësisht. Dhe më mësuan përgjegjësinë e madhe, që vinte bashkë me një fakt të tillë: jemi shumë më tepër se “akademikë” për këta të rinj. Ne jemi qenie njerëzore plotësisht të formuara, sjellja e të cilëve mund të jetë e dobishme, e rëndësishme, madje vendimtare për të rinjtë. Duhet të sillemi pa e harruar diçka të tillë dhe të mos i ikim këtij roli të gjerë edukues që kemi.

    *****

    Fjala e tretë kyçe është ‘të frymëzosh’ dhe tani duhet ta bëj një hap pas. E përmenda më lart ngazëllimin që kam marrë gjithnjë nga studimi. Kënaqësia e vërtetë që mora prej tij ishte frymëzimi – studiuesit e tjerë dhe puna e tyre më frymëzoi për të menduar në kahe të veçanta, për të menduar gjëra që nuk i kisha menduar dot më parë, për të bërë gjëra në mënyra të caktuara, për të eksploruar teknika, metoda, linja dhe argumente e kështu me radhë. Lërmëni ta theksoj shumë këtë pjesë. Nuk mbaj mend t’i kem studiuar ndonjëherë gjërat për t’i ndjekur, në mënyrën se si një disiplinë ndjek diktatet e një mjeshtri ose sesi çiraku ndjek rregullat e tregtarit, ose të paktën mbaj mend se çdo përpjekje në atë drejtim ishte dështim dëshpërues. Asnjëherë nuk kam qenë në gjendje të përthith një ortodoksi dhe të jem, për shembull, i lumtur që të mbaj etiketën e, le të themi, analistit kritik të diskursit apo të analistit të bisedës.

    Kurdo që studioja, doja të frymëzohesha nga ç’po studioja dhe e kam përshkruar frymëzimin më lart: është forca që papritur hap fusha dhe drejtime mendimi, tregon embrionin e një ideje, ofron një formulim të caktuar të aftë për të zëvendësuar shumicën e formulimeve të tjera e kështu me radhë. Frymëzimi ka të bëjë me të menduarin, është forca që nxit të menduarin dhe që na çon drejt elementeve kyçe të jetës intelektuale: ideve. Dhe shkenca pa ide nuk është shkencë, por një lojë e drejtuar nga rregulla ku suksesi përkufizohet nga shkalla e pakrijueshmërisë që dikush shfaq në punën e tij. Kryekëput e kundërta, me fjalë të tjera, është çka shkenca duhet të jetë. Shkenca nuk mund të jetë asnjëherë e nënshtruar, as çështje e “të ndjekurit të një procedure” apo e një “kornize”. Ajo ka të bëjë me të ndërtuarin e procedurave dhe kornizave.

    Ka pasur shumë çaste në karrierën time kur studentët e masterit më prezantonin punën e tyre dhe e parashtronin duke thënë gjëra si: “kam përdorur Halliday-in si metodë”. Zakonisht përgjigjja ime ishte një pyetje: “si u bë Hallday-i metodë?”. Përgjigjja është, sigurisht, përmes të ndërtuarit të metodës së vet dhe përmes refuzimit për të ndjekur metodat e hartuara nga të tjerët. Njerëzit që “bëhen metodë”, thënë kështu, kanë shfrytëzuar lirinë themelore që duhet të përfshijë kërkimi shkencor dhe kanë refuzuar kufizimet, që shpesh ngatërrohen me “praktikën shkencore”. Liria themelore e kërkimit është liria për çmenduar atë që konsiderohet si e vërtetë, si e vetëdukshme ose e mirënjohur, dhe për ta ri-kërkuar, literalisht siç është fjala re-search “kërko përsëri”. Është liria e disidencës – diçka që shpesh fshehim, në diskurset tona të institucionalizuara, pas frazës “mendim kritik”. Për mua disidenca është detyrë në kërkim dhe një prej aspekteve më tërheqëse të tij. Besoj se është pikërisht ky aspekt, që ende i bind njerëzit të zgjedhin një karrierë në kërkim shkencor.

    Frymëzimi e merr rëndësinë e vet nga detyra për të çmenduar, (ri)kërkuar dhe vënë në pyetje, çka e shoh si themelin e kërkimit shkencor. Mund ta bëjmë më të lehtë (jam i bindur edhe më produktive) punën e të çmenduarit dhe të (ri)kërkimit, kur i lejojmë vetes të frymëzohemi nga tërësia e stërmadhe e veprave ekzistuese dhe pafundësia e ideve të dobishme, që ato përmbajnë, si dhe nga ndërveprimet me miq, kolegë, studentë, bashkëmoshatarë, të cilët duhen lejuar të na ndikojnë pikëpamjet, të na formësojnë pikëpamje të reja dhe të na ndihmojnë të ndryshojmë mendje për gjërat. Gjithashtu, në praktikat tona duhet mbase gjithashtu të përpiqemi, vetëdijshëm dhe qëllimshëm, që të frymëzojmë të tjerët. Me këtë dua të them se: nuk duhet t’iu japim të tjerëve doktrinat dhe ortodoksitë tona vetjake. Duhet t’iu japim idetë tona edhe nëse janë të patheparuara, të papërfunduara apo gjysmë të vërtetuara dhe të shpjegojmë se si ide të këtilla mund ta pasurojnë, jo ta zëvendësojnë, atë që tanimë ekziston.

    Jam rrekur që në mënyrë të vazhdueshme të frymëzoj të tjerët dhe t’iu përcjell atyre rëndësinë që i kam kushtuar frymëzimit, si habitus  në punë dhe në jetë. Në shkrimet e mia, shpesh kam kërkuar t’i çoj lexuesit në kufijtë e vetëdijes sime dhe t’iu mundësoj t’i hedhin një sy të asaj që mund të shtrihet më përtej, në fushën e hapur, për të cilën shkrimet e mia nuk ofrojnë hartë, por të cilën shkrimet e mia mund të shërbejnë për ta shquar si të çelur për eksplorim. Kjo i ka bërë disa pjesë të veprës sime “kontroversale” dhe/ose “provokuese”, cilësime këto që zakonisht synojnë të jenë negative, por që pashmangshëm gjithashtu artikulojnë sa të përshtatshme janë dhe sugjerojnë një shkallë risie. Përgjithësisht kam qenë i kënaqur, kur kam marrë atribute të tilla, që asnjëherë nuk më kanë irrituar. As nuk jam irrituar, kur dikush me të cilin kam biseduar, nuk më ka njohur mirë, nuk ka lexuar veprën time dhe as nuk është shtirur sikur e ka lexuar. Zakonisht, këto kanë qenë takimet që më kanë gazmuar më tepër.

    *****

    Këto tri gjëra, ishin pa dyshim pjesët më të rëndësishme të jetës sime profesionale: të krijoja një habitat të të dhënit, të ndaja dhe të isha bujar në marrëdhëniet me të tjerët; duke qenë i vetëdijshëm për detyrën që kisha për të edukuar  dhe për përgjegjësitë që vinin për pasojë, si dhe duke e marrë shumë seriozisht atë detyrë; dhe duke e bërë frymëzimin instrumentin qendror dhe qëllimin e praktikës akademike e intelektuale. Mund të them se jam përpjekur t’i ndjek dhe t’i zbatoj këto tri aspekte gjatë gjithë karrierës sime. Nuk mund të pretendoj se e kam bërë diçka të tillë pa të meta dhe në mënyrë të përkryer, nuk ka asnjë dyshim që kam bërë çdo gabim, që njeh njerëzimi dhe këtu nuk po flas si shenjtor. Por, tri elementet që trajtova këtu kanë qenë, them tani që mund të shoh mbrapa më prej së largu, gjithnjë të rëndësishme, gjithnjë parime udhërrëfyese dhe gjithnjë pika referimi për të vlerësuar veprimet dhe sjelljen time.

    *****

    Tani duhet të shtoj një fjalë kyçe të katërt: të jesh demokratik. I përket një rendi pak më të ndryshëm.

    Jam rritur dhe kam studiuar në sistemin e edukimit të shtetit të mirëqenies të Belgjikës dhe nisur nga statusi modest socio-ekonomik i familjes sime, me gjasë nuk do të kisha bërë dot kurrë shkollë të lartë, në sisteme të tjera me tarifë. Jam më së shumti produkt i një përpjekjeje kolektive të madhe dhe të strukturuar, të njerëzve –taksapaguesve- që nuk më njihnin, pavarësisht se kush isha unë. Jam produkt i një shoqërie demokratike.

    Kam qenë tepër i vetëdijshëm gjatë jetës sime si i rritur për faktin dhe qëndrimin tim politik si një akademik profesionist, në një vijë me shkencën që prodhoj, jam një burim për shoqërinë, dhe duhet t’i jap mbrapsht shoqërisë atë që shoqëria ka investuar te unë. “Shoqëria” në këtë kuptim, përfshin çdokënd dhe jo thjesht një segment të saj. Është me doemos një koncept përfshirës. Dhe shkenca në këtë këndvështrim duhet të jetë një burim i përbashkët dhe i vlefshëm, në dispozicion të të gjithëve, një aset për njerëzimin. Zbatimi i këtij parimi sa erdhi e u bë më i vështirë, për arsye të zhvillimeve, që kam përmendur tashmë më sipër: shndërrimi i shpejtë dhe i përhapur i produktit akademik në mall dhe zhvillimi i industrisë akademike gjatë karrierës sime. Institucionet akademike dhe puna akademike janë bërë e po bëhen jashtëzakonisht përjashtuese dhe komoditete elitare, ndaj ajo punë akademike që nuk është në proporcion me vlerën si mall të produktit akademik, në përgjithësi nuk përkrahet dhe zhvlerësohet. Do t’i kthehem kësaj pike në vijim, por duhet të vijoj si fillim me narrativën autohistorike.

    Duke qenë se kam punuar shumë në Afrikë dhe me afrikanë gjatë karrierës sime, nuk kam nevojë të ma tregojnë se dija, sigurisht në trajtë akademike, nuk ishte në dispozicion të të gjithëve dhe se një pjese të njerëzimit i është dhënë vetëm qasje te dorëshkrimet nga pjesët më të privilegjuara. Kjo mund të ilustrohet edhe konkretisht: shumë nga tekstet shkollore, që përdoreshin në Tanzani në fillim dhe në mes të viteve ’80, ishin libra të shkëputur nga silabuset në Mbretërinë e Bashkuar dhe të transportuara me anije si produkte plehrash, në fakt por nën epitetin ledhatues: asistenca për zhvillimin e edukimit për Tanzaninë. Dhe thuajse çdo student apo akademik që kam takuar në Universitetin e Dar es Salaam (që do të bëhej shtëpia ime e dytë, qysh në fazat e hershme të karrierës sime) do t’i përgjigjej “libra dhe revista shkencore”, pyetjes “çfarë është gjëja që ju mungon më tepër këtu në universitet”? Raftet e librave në departamente ishin me të vërtetë thuajse boshe (edhe në të ashtuquajturat salla leximi) dhe ato koleksione të vogla librash, që mbaheshin privatisht nga akademikët (zakonisht të mbledhura gjatë punës pasuniversitare jashtë vendit) çmoheshin, mbroheshin dhe rrallë iu viheshin në dispozicion të tjerëve. Në librarinë universitare në kampus, raftet ishin po ashtu bosh, burimet ishin mjerane dhe shumica e vëllimeve që ofroheshin ishin të vjetëruara. (Megjithatë cepi më i braktisur dhe më i pluhurosur u bë për mua një thesar i fshehtë, ku mund të gjeheshin vëllime të lira të veprave të Marksit, Leninit dhe Mao Cedunit, të dhuruara kohë më parë nga qeveritë e BRSS-së, RDGJ-ja dhe Kina). Biblioteka ime personale në shtëpi, bibliotekë pune e një studenti doktorate, ishte shumë herë më e madhe se vëllimet e departamenteve, që kisha parë në Dar es Salaam. Për aq sa “privilegji i të bardhëve” ka ndonjë kuptim, kisha një vetëdije tepër të mprehtë për të, që në fillim të karrierës sime.

    Pabarazia u bë tema qendrore në punën time dhe në praktikën akademike, që nga momenti i parë që e nisa. Dhe nuk e braktisa kurrë. Doja të kuptoja pse vetë të kuptuarit është objekt pabarazie. Konkretisht, doja të kuptoja përse historia e një afrikani aplikant për azil ishte sistematikisht e keqkuptuar dhe skualifikohej nga zyrtarët e azilit në Belgjikë dhe tjetërkund; përse historitë e disa dëshmitarëve të caktuar në Të vërtetën e Afrikës së Jugut dhe në Komisionin e Pajtimit shiheshin si “të paharrueshme”, ndërsa të tjera ishin harruar ose nuk ishin marrë kurrë seriozisht; përse kaq shumë histori nga periferitë nuk konsiderohen as të denja që të merret mundimi të dëgjohen, le më pastaj të ruhen apo shqyrtohen; përse disa grupe njerëzish nuk pranohen si interlokutorë, si zëra legjitimë, që kërkojnë respekt dhe vëmendje, e kështu me radhë. Ky shqetësim i përgjithshëm më çoi, gjatë gjithë karrierës sime, në margjina të shoqërisë ku banoja e jetoja dhe ma bëri të pashmangshme përballjen me racizmin, seksizmin dhe forma të tjera strukturore të pabarazisë.

    Gjithashtu, më shpuri drejt disa vendimeve praktike për se si duhej ta organizoja punën time. Do të nënvizoj tri vendime të tilla.

    Një. Përvojat e mia në universitetet afrikane më bëri tepër të vetëdijshëm për ekzistencën e një sërë botëve akademike, dhe jo të vetëm një “komuniteti akademik”, të evokuar ndonjëherë si trop.  Dhe vendosa t’i kanalizoj përpjekjet e mia në punën dhe në favor të  asaj që tani quhet “Global South”. Jam krenar për punën zyrtare që kam bërë me Universitetin Western Cape në vitet 2003-2008, ku koordinova një projekt shumë të madh bashkëpunimi akademik në emër të Këshillit Ndëruniversitar Flamand. Universiteti “Western Cape” ka qenë historikisht një universitet jo i bardhë dhe ende mbante vragat e aparteidit në 2003-shin: universiteti ishte krejtësisht pa burime dhe kishte mangësi në infrastrukturë si edhe përvojë në krijimin e një kulture bashkëkohore kërkimi shkencor. Përmes të punuarit ngushtësisht me lidershipin e universitetit vendas, skuadra më frymëzuese dhe energjike që kam takuar ndonjëherë, e që prej atëherë miq të përjetshëm, mendoj se qemë në gjendje ta kthenim kursin e anijes. Gjatë këtij procesi njoha një komunitet të madh njerëzish të mrekullueshëm, që më mësuan shumë për çfarë ishte përkushtimi i vërtetë: që nga kancelari, Desmond Tutu deri te Allisteri, njeriu që bëhej edhe ustai edhe shoferi im, kurdo që gjendesha në Cape Town.

    Jozyrtarisht, kam bërë çmos për të punuar me dhe për studiuesit dhe institucionet në “Global South”, duke ngritur ngadalë rrjete kontaktesh në disa vende dhe duke u përpjekur t’iu gjendesha në një sërë formash. Njerëzit që kam takuar përmes këtyre rrjeteve, zakonisht nuk kishin para të udhëtonin në konferencat, ku unë shkoja dhe as para për të blerë librat e mi. Ndaj kjo më shpie te vendimi im i dytë.

    Dy. Doja ta bëja punën time të arritshme përmes qasjes së hapur dhe të krijoja mekanizma me të vërtetë demokratikë të qarkullimit dhe shpërndarjes së saj. Mbani mend çfarë thashë më herët për shkencën si e mirë e përbashkët: e kam marrë me seriozitet diçka të tillë. Ndaj, që shumë herët, fillova disa seri revistash teknike, që mundësonin botimin e materialeve cilësore, duke anashkaluar tarifën e botuesve komercialë. Dhe sapo uebi u bë faktor i rëndësishëm në tregtinë tonë, e përdora atë si formë qarkullimi dhe shpërndarjeje. Çdo gjë që shkruaj botohet fillimisht në një blog (në këtë blog) dhe mandej zakonisht zhvendoset në formatin e revistave teknike në Tilburg Papers in Culture Studies, përpara se ta gjejnë rrugën te revistat e shkencore apo librat e shtrenjtë. Gjithashtu, jam bërë anëtar që herët i platformave të shpërndarjes akademike si Academia.edu dhe ResearchGate. Dhe jam shumë krenar të shoh se një pjesë e madhe e atyre që i lexojnë dhe shkarkojnë materialet e mia janë studiues nga “Global South”, ata të cilët nuk i përballojnë dot versionet komerciale të punës sime.

    Por vëzhgimi im për qasjen e hapur nuk është i kufizuar vetëm te çështja e lexuesit të “Global South”-it. Vetë studentët e mi, që kanë punuar me mua në një universitet të mirëfurnizuar me burime, në një vend të kamur, nuk e përballojnë dot që t’i blejnë librat e mi. Siç e thashë më herët, biznesi i botimeve akademike është bërë faqja e zezë dhe përjashton një numër në rritje të atyre, që absolutisht kanë nevojë të kenë qasje ndaj produkteve të tij. E kam parë si pjesë të detyrës sime që ta përmbys atë sistem, të shpërndaj dhe të përhap gjëra që zakonisht nuk janë të lira të shpërndahen ose përhapen dhe ta bëj këtë me materiale të kohëve të fundit. Pasi vënia në dispozicion gjerësisht e teksteve të vjetra është diçka e mirë dhe e dobishme, por nevoja reale e studiuesve në shumë pjesë të botës është që të kenë qasje te materialet e kohëve të fundit, të bëhen pjesë e debateve në zhvillim e sipër, ta vënë kërkimin e tyre shkencor në një vijë me atë, që diku tjetër është më përparimtari. E industria e botimit akademik bën përpjekje brilante, me të vërtetë të magjishme për ta ndaluar pikërisht diçka të tillë.

    Ne nuk duhet të jemi pjesë e asaj industrie, nuk duhet të jemi avokatët e saj dhe nuk duhet të ndihemi të detyruar t’iu shërbejmë interesave të asaj industrie. Ne jemi forca e saj punëtore dhe i japim punë falas e të papaguar. Ne firmosim kontrata me ta, të panegociueshme zakonisht, në të cilat të gjitha të drejtat e punës sonë dorëzohen, pronësohen dhe privatizohen, në këmbim të një numri doi dhe të një pdf-je. Shfrytëzohemi prej asaj industrie deri aty sa shumë prej njerëzve të tjerë të ftilluar iu duket diçka e tillë qesharake. Si akademikë, ne e kemi një ide për audiencat e punës tonë, që është shumë më e përpiktë se e cilitdo oficer marketingu në një firmë botimesh akademike. Dhe neve na duhet thjesht një uebsajt për të publikuar punën tonë, kur është gati për botim, duke e ofruar atë pa pagesë pa kufizime për ta ndarë me çdokënd të interesuar për të, dhe jo te të gjithë ata që kanë paguar një shumë parash për të.

    Tre. Gjatë karrierës sime nuk kam reshtur së drejtuari audiencave joakademike. Kam mbajtur jo më shumë jo më pak se me qindra leksione, uorkshope, trajnime dhe debate publike për profesionistë dhe aktivistë në një sërë fushash si: edukim, punë sociale, shëndetësi, ligj, politikëbërje, antiracizëm, feminizëm, mbështetje për refugjatët, organizata rinore, bashkime tregtare dhe parti politike. Si rregull, e kam bërë diçka të tillë pa pagesë (shih çfarë kam thënë më lart për të dhënin mbrapsht shoqërisë) dhe përgjigjja e paracaktuar ndaj ftesave ishte “po”. Gjithnjë aktivitete të tilla më janë dukur shpërblyese dhe audiencat me të cilat takohesha shpesh më përcillnin jashtëzakonisht shumë energji. Po ashtu vijova të shkruaja materiale në holandisht. Më shumë se një duzinë libra, në mos gabohem dhe pirgje artikujsh, të gjitha të shkruara për audienca të paspecializuara, shpesh mbështetur në hulumtimin që po kryeja dhe shpesh të përdorura në programe trajnimi profesional. Kjo ishte mënyra ime për t’u përpjekur të sillja shpejt shkencën e kohëve të fundit te një forum publik më i gjerë. Punonjësve socialë ose mësuesve në klasa shumëgjuhëshe nuk duhet t’iu jepet informacion, që ishte i vlefshëm një dekadë më parë; ata duhet të marrin njohuritë më të përparuara dhe interpretime të disponueshme, që t’i vënë në përdorim në praktikë.

    Kam përdorur një etiketë për gjërat që i kam përmendur në këtë seksion. E kam quajtur “aktivizëm dijeje”. Në një botë ku dija është më në fund më gjerësisht e disponueshme se çka qenë ndonjëherë më parë, dhe më ekskluzive dhe elitare se kurrë më parë, dija është një fushë beteje dhe ata që janë profesionalisht të përfshirë në të duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë fakt. Për mua: një qëndrim neutral ndaj dijes është i pamundur, pasi do ta bënte dijen sedative, të pafuqishme, vlerëpaktë në sytë e të ekspozuarve ndaj saj. Ndaj na duhet një qëndrim aktivist, një ku beteja për pushtet përmes dijes të jetë e angazhuar, ku dija të aktivizohet si një instrument kyç për çlirimin e njerëzve dhe si një mjet themelor i çdo përpjekjeje për të arritur një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë. Unë kam qenë profesionist i dijes, me të vërtetë. Por është më e thjeshtë të kuptoj çfarë kam bërë si profesionist, kur dikush kupton aktivizmin, që, së paku për mua, e ka bërë të vlefshëm të qenit profesionist.

    *****

    Do të ndalem këtu. Kam shqyrtuar katër gjëra që më janë dukur të rëndësishme, teksa hidhja vështrimin pas në karrierën time si akademik, që nisi në vitin 1988 dhe është në përfundim. Siç e thashë, kjo përmbledhje nuk duhet lexuar si principet e rëndësishme të autobiografisë së një shenjtori. Është e kuptueshme se nuk kam qenë i përkryer, kam bërë shumë gabime, kam qenë i padrejtë me njerëzit, kam bërë gabime gjykimi, ia kam lejuar vetes kënaqësinë nga kultura e yllit akademik dhe e arritjeve me tepri, që duhej t’i kisha identifikuar qysh në fillim, si sipërfaqësore dhe të parëndësishme; ndonjëherë kam qenë i lodhshëm në bashkëpunim, nervoz dhe i pakëndshëm dhe më shumë herë të tjera, e kështu me radhë. Jam një njeri i zakonshëm. Por vërtet e besoj, që mund të them, se e kam organizuar pjesën profesionale të jetës sime sipas katër pikave të diskutuara këtu dhe se përpjekja, modeste siç ishte, ma bëri atë pjesë të jetës sime të vyer. Kënaqësia që marr prej saj është e mjaftueshme për ta mbyllur atë pjesë të jetës pa brejtje ndërgjegjeje dhe pa ndjesinë e të mbeturit mbrapa apo i të qenit i mashtruar nga të tjerët. Jam i lumtur të ndaloj këtu.  

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË