More
    KreuLetërsiBibliotekëIvo Andrić, Sarajeva dhe ndikimet letrare

    Ivo Andrić, Sarajeva dhe ndikimet letrare

    Përgatiti: Xhahid Bushati

    Shkrimet e poetit, romancierit dhe shkrimtarit Ivo Andrić trajtojnë, kryesisht, jetën në Bosnjën e tij të lindjes (9 tetor 1892). Studioi historinë dhe letërsinë sllave të Jugut, në universitetet Zagreb dhe Graz. Në Graz mori dhe dokturaturën (1924). Punoi në shërbimin diplomatik të Mbretërisë së Jugosllavisë (1920 – 1923, 1924 – 1941). Në vitin 1939 u bë ambasador i Jugosllavisë në Gjermani (mandati diplomatik i përfundoi në prill 1941). Andrić u kthye në Beogradin e pushtuar nga gjermanët. Jetoi qetësisht në banesën e një miku gjatë Luftës së Dytë Botërore; në kushte të ngjashme si disa biografë në arrest shtëpie, ku dhe shkroi disa nga veprat e tij më të rëndësishme, si p.sh. “Ura mbi Drin”. Në vitin 1961, Komiteti Nobel i dha atij Çmimin Nobel në Letërsi, duke e përzgjedhur atë në vend të shkrimtarëve, si: J. R. R. Tolkien, Robert Frost, John Steinbeçk dhe E. M. Forster. Komiteti dha këtë përcaktim për Andrić “… për forcën epike me të cilin ai [… …] gjurmoi tema dhe përshkruante fatet njerëzore të nxjerra nga historia e vendit të tij”. Më pas veprat e Andrić-it gjetën audiencë ndërkombëtare dhe u përkthyen në shumë gjuhë. Në vitet e mëvonshme, mori disa çmime në vendin e tij të lindjes. Shëndeti u përkeqësua ndjeshëm në fund të vitit 1974. Vdiq, më 13 mars 1975.

    Lindi në fshatin Dolaç, afër Travnikut. Prindërit ishin kroatë. Ishte fëmijë i vetëm. Në moshën 32-vjeçare, i ati që quhej Antun vdiq nga tuberkulozi. Andrić mbeti jetim dhe ishte 2-vjeç. E ëma e ve dhe pa para, e çoi në Vishegrad. E la nën kujdesin e kunatës së saj Ana dhe kunatit Ivan Matkoviq. Çifti ishte mirë financiarisht, por pa fëmijë. Ranë dakort të kujdeseshin për foshnjën. E rritën si të tyren. Ndërkohë, nëna e Andrić-it u kthye në Sarajevë për të kërkuar punë. Andrić u rrit në një vend që kishte ndryshuar pak që nga periudha osmane. Kultura lindore dhe perëndimore u ndërthurën në Bosnjë në një masë shumë më të madhe se kudo tjetër në Gadishullin Ballkanik. Duke jetuar, atje, që në moshë të re, Andrić-i erdhi dhe e deshti Vishegradin, duke e quajtur atë “shtëpia ime e vërtetë”. Edhe pse ishte një qytet provincial, Vishegradi doli të ishte një burim i qëndrueshëm frymëzimi. Ishte një qytet multietnik dhe multikonfesionist. Andrić, qysh në moshë të re i respektoi zakonet e banorëve vendas. Këto zakone dhe veçoritë e jetës në Bosnjën Lindore , do të detajohen, më vonë, në veprat e tij.

    Në moshën 6-vjeçare, filloi shkollën fillore. Kujtonte se këto vite ishin ditët më të lumtura të jetës së tij. Në moshën 10-vjeçare mori një bursë 3-vjeçare nga një grup kulturor kroat i quajtur “Përparimi” për të studiuar në Sarajevë. Në vjeshtën e vitit 1902, u regjistrua në Gjimnazin e Madh të Sarajevës, shkolla e mesme më e vjetër në Bosnjë. Tani, në Sarajevë jetonte me nënën e tij, e çila punonte në një fabrikë qilimash. Në atë kohë, qyteti ishte i tejmbushur me nëpunës civilë nga të gjitha pjesët e Austro-Hungarisë. Ndaj, dhe shumë gjuhë dëgjoheshin në restorantet, kafenetë dhe rrugët e Sarajevës. Në aspektin kulturor, qyteti mburrej me një element të fortë gjermanik, dhe programi mësimor në institucionet arsimore ishte krijuar për ta pasqyruar këtë. (Një kuriozitet: Nga 83 mësues që kanë punuar në shkollën e Andrić-it gjatë një periudhe 20-vjeçare, vetëm tre ishin vendas të Bosnjës dhe Hercegovinës).

    Andrić përjetoi vështirësi në studimet e tij. Megjithatë, shkëlqeu në gjuhë, veçanërisht në latinisht, greqisht dhe gjermanisht. Edhe pse, fillimisht, tregoi interes për shkencat e natyrës; filloi të fokusohej në letërsi. Nga të gjithë mësuesit e tij në Sarajevë, Andrić-it i pëlqente më së shumti Alaupović-i dhe u bënë miq të përjetshëm.

    Andrić e ndjeu së brendshmi se prirja e tij ishte të bëhej shkrimtar. Filloi të shkruante që në shkollë të mesme, por mori pak inkurajim nga e ëma. Kujtonte shkrimtari se, kur i tregoi asaj një nga veprat e tij të para, ajo u përgjigj: “Ti vetë e ke shkruar këtë?! Po për çfarë e ke bërë atë?!” Andrić botoi dy poezi (viti 1911) në revistën “Zana boshnjake”. Më pas botoi të tjera poezi, ese, recensione dhe përkthime të ndryshme. Një nga format letrare të preferuara të Andrić-it ishte proza lirike reflektuese dhe shumë nga esetë dhe pjesët më të shkurtra të tij janë poemat në prozë. Historiani Wayne S. Vuçinich e përshkruan poezinë e Andrić-it, në këtë periudhë, si: “subjektive dhe kryesisht melankolike”. Dhe, Andrić e filloi karrierën letrare si poet (në vitin 1914). Në pranverën e vitit 1918 në Krapinë shkroi librin me poezi “Ex ponto”. Ishte libri i tij i parë. Në fund të tetorit (1919), autori u nis për në Beograd. U përfshi në rrethet letrare të qytetit. Shpejt fitoi dallimin e të qenit një nga shkrimtarët më të njohur të Beogradit. Ndonëse shtypi i Beogradit shkroi pozitivisht për të, Andrić-it nuk i pëlqente të ishte personazh publik dhe u distancua nga kalegët e tij shkrimtarë.  Në këtë kohë botoi tregimin e tij të parë “Udhëtimi i Alija Derzelez”. Kaloi shumë kohë duke shkruar. Përmbledhja e parë me tregime u botua në vitin 1924. Në prill (1928) u dërgua në Madrid, si zëvendëkonsull. Ndërsa ishte atje, shkroi esetë mbi Simón Bolívar dhe Francisko Goja. Filloi punën për romanin “Oborri i mallkuar”.

    Andrić-i ishte një lexues i zjarrtë në rininë e tij. Interesat letrare të të riut Andrić ndryshonin shumë, duke filluar nga klasikët grekë dhe latinë deri te veprat e personaliteteve letrare (të kaluara dhe bashkëkohore), si: Gëte, Hajne, Niçe, Kafka, Rilke, Mann; shkrimtarët francezë: Paskal, Flober, Hygo, Mopassan; shkrimtarët britanikë: Skot, Konrad. Andrić lexoi, gjithashtu, Servantesin, Leopardin, Ibsen-in, Uitman… etj. Ishte, veçanërisht, i dhënë pas letërsisë polake, ku më vonë deklaroi se ajo letërsi kishte ndikuar shumë tek ai. Kafka, duket, se ka pasur një ndikim të rëndësishëm në prozën e Andrić-it.

    Shkodër, më 16.02.2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË