Mund të pohojmë se romani “Legjenda e vetmisë” është vepër romanore e shkruar krejtësisht ndryshe, që tregon përkushtimin dhe guximin krijues të autorit. Nëse këtë autori e ka pasur qëllim, ia ka arritur.
Madje, edhe në qoftë së Ridvan Dibra ka bashkuar ndonjë elemente të tekstit postromantik, modernist dhe ndonjë element shumë të rrallë postmodern, ( lloj teksti që ka krijuar njëfarë klisheu në postmodernizëm), ai këtë nuk e ka bërë që të krijojë një eklektizëm drejtimesh a rrymash letrare, por përkundrazi, këtë e ka bërë me qëllim që të largohet sa më shumë nga tri drejtimet, dhe kështu të krijojë diçka të re në letërsinë shqipe. Tekefundit nga guximi i autorëve të ndryshëm, në kohë dhe hapësira të ndryshme, kanë lindur zhanret dhe drejtimet, rrymat letrare, por, natyrisht, edhe kryeveprat.
Dhe tani, gëzon fakti se romani që prezenton shkëlqyeshëm letërsinë shqipe, përkatësisht romanin shqiptar është përkthyer në gjuhën frenge.
Shkrimtari Ridvan Dibra, i njohur për lexuesin shqiptar me veprat: “Thjeshtë”, “Eklipsi shpirtit”, “Prostituta e virgjër”, “Nudo”, “Stina e ujkut”, “Franc Kafka i shkruan të birit”, “Në kërkim të fëmijërisë…”, e sidomos me “Triumfi i Gjergj Elez Alisë “ dhe “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”, me të cilat, (disa nga to) veçmas me “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë” solli jo sall triumfin personal, por triumfin e postmodernes në hapësirat e letërsisë shqiptare, duke e pasuruar edhe më tej; dhe, tani së fundi, paraqitet me romanin “Legjenda e vetmisë”, vepër për shumëçka interesante, materiali, brumi i së cilës shtrohet dhe strukturohet krejtësisht ndryshe. Dhe ky ndryshim, që vjen përmes prozës romanore moderniste me një tis të hollë ngjyrimesh postromantiste, është diçka e re jo sall në opusin autorial, por edhe më gjerë. Pse është risi ky roman? Çfarë e bën të re këtë vepër?
Së pari, te romani “Legjenda e vetmisë” kemi një strukturë tekstore të re, një sintaksë të re të fjalisë dhe një strukturim krejtësisht të ri të përmbajtjes që autori e përcjell deri te rcepienti me lehtësi e thjeshtësi, prej të cilës buron magjia e bukurisë artistike narrative. Në tridhjetë kapitujt e romanit kemi një unitet përmbajtësor dhe harmoni të përkryer tekstore, përmes të cilave ndërtohet diskursi letrar tekstor e strukturor si dhe poetika gjuhësore që shenjëzon dhe krijon hapësirën unike, të pandashme, të tërësisë narrative. Një tekst me petk të ri dhe me përmbajtje interesante, i zhveshur nga çdo lloj përshkrimi që nuk lejon shpërqendrimin e vëmendjen nga esenca. Pra, Dibra na sjell esencën, dhe lexuesin e fut në esencë përmes sekuencave të esencës, e jo përmes lagjeve periferike narrative. Tërë këtë e bën me fjali të shkurtër, dinamike e me saktësi të mpreht, me parimin e ekonomizimit që ta kujton poezinë. Çdo kapitull nis me tri fjali të shkurtra që janë nyje tekstore të kapitullit dhe përfundon poashtu me tri fjali që do të mund të merrej si epilog i kapitullit. Edhe ata të fillimit të kapitullit edhe këto të përfundimit kanë rolin e fjalëve çelës si tek poezia.
MODERNIZMI/POSTMODERNIZMI APO DIÇKA JASHTË TË DYJAVE
Si duket, Dibra duke qenë përherë gjurmues i avangardës risisë, e veçmas te “Legjenda e vetmisë” është stërngopur me prozën postmoderniste (përfaqësuesit më eminent të letërsisë shqipe: R. Qosja, (modernist, postmodernist), pastaj B. Blushi, B. shehu, A. Apolloni, B. Hoxha, Z. Rrahmani, K. Rrahmani etj.) por edhe me prozën moderniste (përfaqësuesit më eminent ( I. Kadare, A. Pashku, F. Arapi, D. Agolli, T. Dervishi, B. Musliu, M. Ramadani, Z. Rrahmani, M. Kraja, A. Tufa, G. Krasniqi, A. Leka, G. Aliu etj.,) prandaj dhe bën përpjekje të krijojë diçka të re, krejtësisht të re, që do të ishte jashtë shablonev e sterotipeve, të cilat, edhe pa dashje krijohen qoftë si frymë, qoftë si model, madje edhe te pjesa më e shëndetshme e letërsisë. Prandaj hasim sekuenca që tentojnë të sjellin risi brenda opusit autorial, ose tendencë për risi brenda letërsisë, gjë të cilën e kemi hasur si sekuencë edhe më herët të Dibra, por te proza romanore, “Legjenda e Vetmisë” tani më është qëllim parësor që të krijojë diçka te re.
Autori krijon një tekst autorial homogjen-artistik dhe një poetikë krejtësisht origjinale që ngërthehet brenda stilit personal, ku të folurit poetik ndërtohet me figura të lehtëzbërthyeshme por megjithatë të fuqishme e domethënëse dhe ku fjalia e shkurtër, e saktë e dinamike, ndonjëherë me varg të thyer qëllimshëm, ka një fuqi dhe bukuri sintaksore dhe mjetet artistike së bashku me mesazhin e pasazhin e sekuencat e ndryshme ndërveprojnë duke krijuar marrëdhënie në ndërtimin e tërësisë tekstore, të ngjarjes.
Romanin “Legjenda e vetmisë” nuk mund ta definojmë thjeshtë si krijim sall modern me elemente të atykëtueshme postmoderne, ngase shohim se autori nuk ka pasur për qëllim drejtimin, rrymën letrare, por qëllimi i tij final ka qenë të krijojë diçka jashtë dy rrymave, e kujtoj se ka arritur që të krijojë një tekst romanor që mund të quhet thjeshtësi e bukur dhe që frymon jashtë dy shabloneve të mëdha, dhe së këndejmi ka arritur t’i bashkojë së paku përafrojë lexuesit: atë model dhe lexuesin e painformuar mirë mbi letërsinë. T’i afrojë në atë mënyrë që të mos ketë polarizime e kundërshtime të mëdha për tekstin.
Mahnitëse është, madje për çfarëdoqoftë kategorie lexuesish fakti se si Ridvan Dibra përmes një thjeshtësie të paparë arrin deri te zemra e së bukurës trishtuese.
Diskursi mitik, realja dhe arealja, brenda prosedeut romanor na jepen përmes një gjuhe poetike që vë në spikamë relacione me gjuhën e përditshmërisë. Ai shkrin prozën narrative, prozën poetike, si këtu: (Hëna është e plotë dhe gjaku mbi gjoksin e atit duket si argjend i shkrirë. F.21) poezinë konkretiste dhe gjuhën e përditshmërisë, dhe kështu krijon një mesazh që në asnjë moment, në asnjë pjesë të tekstit të mos krijojë refuzim tek recepienti.
Fjalia në tekst është e shkurtër e thukët e saktë, ndonjëherë e rrudhur qëllimisht, figuracionale ose e pathënë, në kuptimin e papërfunduar, që pasqyrohet përmes pikave të heshtjes, e cila të gjithë hapësirën tekstore e shenjon si hapësirë të parëndomtë të ngulfatjes së një vetmie tragjike e të rëndë, ku nuk flitet shumë, pos asaj që është e domosdoshme. Në këtë tekst edhe ëndrrat, edhe kujtimet, edhe shpresat poashtu, si shënjues referencial të shqiptimit dhembjes, na jepen përmes një gjuhe të saktë, të prerë nga rrethana frike e dënesjesh.
Teksa e lexojmë romanin “Legjenda e vetmisë”, po e përsëris edhe njëherë, se shohim që autori ka pasur guxim të zbresë në thellësitë marramendëse të thjeshtësisë së bukur, dhe prej andej e ka nxjerrë të bukurën e madhërishme, artistiken, si kategori estetike, të pëlqyeshme dhe të pranueshme për të gjithë, pra të bukurën që mëton të universializohet.
Ridvan Dibra subjektin për romanin “Legjenda e vetmisë” e merr nga eposi i këngëve kreshnike, gjë të cilën na e lajmëron në hyrje të romanit, duke vendosur distihun: “Nana djalin ka qorrue,/me gjaks t’ burrit m’u martue”. Vargje që janë shenjuese të materies dhe prej të cilave të ngjethet misht. Krejt teksti romanor te “Legjenda e vetmisë” ka disa pika kyçe, apo nyje narrative, të cilat nyjëtohen në një pikë të vetme dhe ndërtojnë esencën romanore, përmes të cilës ne kuptojmë se deri ku mund të arrijë errësira njerëzore. Rrathët referencial që e përshkojnë dhe e ushqejnë esencën do të ishin: a) Vrasja me paramendim, b) fshehja e krimit, c) përsëritja e krimit, ç) dy skajet e vetmisë së Balës, vetmisë që merr përmasa mitike e tragjike… Dhe, në gjithë këtë vetmi, në qendrën e saj të ftohtë oqeanike ndodhet Bala tragjik.
KRIJIMI I PERSONAZHIT TË QËNDRUESHËM
Dibra krijon personazhin kompleks e të qëndrueshëm, tiparet e të cilit mund t’i gjejmë te tragjeditë antike ose tek klasiku e babai i tragjedisë: Shekspiri. Në tekstin romanor, autori gjen mënyrën dhe mjetet e ndërtimit të rrëfimit, të tilla që përmes sekuencave, të arrijë te esenca tematike e karakterologjike e heroit, të krijoj personazhin, heroin tragjik, të cilin njëkohësisht recepienti do ta adhurojë, mëshirojë (adhurim për shkak të mëshirës) dhe do ta urrejë, për shkak se ndonjëherë ta kujton kryepersonazhin e Steinbekut, tek romani “Njerëz dhe minj”, që është gati identik me personazhin e Dibrës, për nga botëkuptimi dhe papjekuria mendore. Bala, heroi tragjik i prozës moderne romanore “Legjenda e vetmisë”, nuk e lë lexuesin të qëndrojë indifferent, e ngacmon madje edhe kur s’bën asnjë veprim; dhe është ky një tragjizëm që tek ai është shfaqur që nga fëmijëria, madje që në ngjizje. Bala as e ka zgjedhur këtë tragjizëm, as ka ditur të dalë nga ky tunel i mbyllur I një fatpreri.
Tragjizmi i Balës, tek lexuesi do të zgjojë iritimin dhe mëshirën njëkohësisht. Heroi tragjik i “Legjendës së vetmisë”, i vetmisë së madhe e të pakompromis, është artist i lindur, naiv, i kredhur në një ankth të pafundmë, ku do të humbasë edhe perceptimin si artist, dhe me këtë humbje ai shkëput të gjitha lidhjet me realitetin, me racionalen, me botën që e rrethon. Nga bota e të gjallëve ai ka iritim të thellë, urrejtje, sepse vetë ai realitet i pashpirt e ka mbyllur në zindanet e vetmisë, prandaj heroi vazhdimisht dialogon me atin e vdekur dhe me botën e sendeve që e rrethojnë. Në këtë tekst, përveç tjerash, ngrihet edhe problematika e artistit, ku Bala del edhe si prototip i artistit tragjik të fatit të panënshkruar nga ai.
Meqë sall i ati e ka dashur sinqerisht Balën, dhe e ka kuptuar sinqerisht atë, ai i drejtohet atij me pyetje dhe merr përgjigje nga ai, ku me sa duket Bala pikë mistike e mitike, mbështetëse per ekzistencën e bën babanë; due, në atë vetmi hazarde, rrënohet muri mes reales dhe ireales, krijohet një realitet i ri, i ëndërrt që përsëritet në gjumë dhe zgjuar, ku kryeheroi më s’është artist por qenie që ngadalë shndërrohet në hije dhe lëviz padukshëm. Bala e ushqen këtë ndjenjë, meqë më lehtë e përballon ekzistencën si hije. Dialogët me atin e vdekur janë të shkurtër, të cilët si një çast vetëtime shndërisin në errësirën e thellë të vetmisë. Bala tragjik, i poshtëruar nga injoranca e botës që e rrethon, dhe i braktisur, ka humbur orientimin në pyllin e errët të fatit/fatalitetit, prandaj edhe i shtron pyetje të atit, dhe merr përgjigje nga ai, kështu bota e të vdekurit dhe e të gjallit komunikojnë. Kjo është gjetja, me të cilën Bala e shmang mundësinë e vetëvrasjes dhe çmendurisë. Por edhe më tragjike se vdekja na del vetë jeta, sepse: “Bala, tash, sheh veç terr./Përjashta./ Edhe brenda vetes. (F. 98)
Triniteti nënë-djalë-babë nuk është shpërbërë as me vdekjen e babait, as me martesën e nënës me gjaksin e burrit, por ai trinitet i shenjtë nuk ka ekzistuar, dhe nga mungesa e këtij triniteti Bala shndërrohet në personazhin më tragjik në letërsinë shqipe.
Një risi tjetër që do ta hasim është se autori në asnjë moment nuk është pjesë e ngjarjes si narrator e referues, dhe ngjarja ndërthuret pa ndërhyrjen emocionale të narratorit autor, të narratorit komentues, të narratorit personazh etj. Pra, autori faktikisht, fizikisht dhe emocionalisht është jashtë ngrehinës tekstore të romanit, prandaj tekstin e karakterizon një ftohtësi dhe indiferentizëm i çuditshëm. Autori vrojton nga largësia.
Edhe pse gjithçka, ndaj gjithçkaje sillet në një rreth të mbyllur indiference e ftohtësie të padurueshme, kurrkund brenda tekstit aq gërryes nuk shfaqen shenja të pesimizmit e nihilizmit, me të cilat është tejngopur letërsia bashkëkohore edhe moderne, edhe postmoderne, që ndonjëherë ndodh si rrëshqitje.
I gjithë rrëfimi i dramës, (tragjedisë) që ndodh në Egobokë, topikë tanimë e njohur nga “Triumfi…” dhe “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë” etj., kap një periudhë pak më shumë se 10 vjeçe. Drama, përveç ndërfutjeve të rralla të retrospekcionit, që kapin fare pak hapësirë tekstore, kryesisht me ndonjë fjali, gjithnjë është narracion perspektiv, po e përsëris, gjithnjë me sintaksë të zgjedhur dhe me fuqi narrative. Risi në këtë tekst romanor na shfaqet edhe ajo se autori as nuk na e tregon ngjarjen, as nuk jep komente mbi ngjarjet, ndodhitë, bëmat. Ky segment, pra kur autori është krejt jashtë tekstit, thurjes së rrjetit të teksturës narrative, haset kohëve të fundit në letërsinë bashkëkohore evropiane, por s’e kam hasur në letërsinë shqipe, përveçse tejet fragmentarisht.
PËRFUNDIM
Dhe, në fund, për romanin “Legjenda e vetmisë” nuk mund të themi se është kryevepër e Ridvan Dibrës, madje nuk guxojmë të themi pa një studim serioz të të gjithë opusit, por pa hezitim, mund të pohojmë se romani “Legjenda e vetmisë” është vepër romanore e shkruar krejtësisht ndryshe, që tregon përkushtimin dhe guximin krijues të autorit kërkimtar.
Nëse autori këtë e ka pasur qëllim, padyshim që këtë ia ka arritur. Madje, edhe në qoftë së Ridvan Dibra ka bashkuar ndonjë elemente të tekstit postromantik, modernist dhe ndonjë element shumë të rrallë postmodern, (lloj tekst që ka krijuar njëfarë klisheu në postmodernizëm, sidomos kur kemi të bëjmë me eklektizëm zhanresh) ai këtë nuk e ka bërë që të krijojë një eklektizëm drejtimesh a rrymash letrare, por përkundrazi, këtë e ka bërë me qëllim që të largohet sa më shumë nga tri drejtimet, dhe kështu të krijojë diçka të re në letërsinë shqipe. Tekefundit nga guximi i autorëve të ndryshëm, në kohë dhe hapësira të ndryshme, kanë lindur zhanret drejtimet, rrymat letrare, por, natyrisht, edhe kryeveprat.