More
    KreuIntervistaIsmail Kadare - Udhëtim për në tokën e legjendave dhe mjegullës

    Ismail Kadare – Udhëtim për në tokën e legjendave dhe mjegullës

    Bisedoi Joaquim Silva Rodrigues, ish-fotografi personal i nobelistit Hose Saramago

    Ismail Kadare është, padyshim, shkrimtari më i madh në gjuhën shqipe dhe një nga më të mëdhenjtë, më të njohurit dhe më të talentuarit shkrimtarë europianë të gjallë. Veprat e tij të shumta janë përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë, përfshirë edhe portugalishten.

    Intervista me Ismail Kadarenë u zhvillua gjatë Panairit të 25-të të Librit të Tiranës (nga 16 deri më 20 nëntor 2022) me ndihmën dhe bashkëpunimin e çmuar të Bujar Hudhrit, themelues dhe drejtor i “Onufri”, botuesi ekskluziv i veprave të Ismail Kadare.

    Në atë kohë, kisha përfunduar përkthimin në frëngjisht të librit të Saramago-s, “Udhëtimi në Portugali”, që Fondacioni José Saramago kishte dëshiruar t’ia dhuronte me një dedikim të veçantë Kadaresë. Talentit i shkrimtarit shqiptar gjithmonë është vlerësuar nga Pilar del Rio dhe vetë Saramago arriti të propozojë emrin e tij për Çmimin Nobel të Letërsisë. Mesazhi personal i Pilar del Rio i transmetuar me gojë për Kadare e emocionoi atë dhe të dyja këto gjeste ishin “thyerësi më i mirë i akullit” për një bisedë me një personazh të konsideruar enigmatik dhe disi të padepërtueshëm.

    Pasi u futëm në hapësirën e tij personale — që në të vërtetë, është disi misterioze dhe legjendare, si shkrimi i tij — kuptuam ndrojtjen e tij, seriozitetin dhe disa hezitime të dukshme. Është, në fund të fundit, një profil i ndërtuar gjatë gati shtatëdhjetë viteve të jetës letrare me shkrime nën forma të ndryshme — gazetari, poezi, ese, roman — por me një kërkesë të vazhdueshme: militant pa qenë propagandues, ndërhyrës pa u shteruar në luftën politike, shkatërrues dhe inteligjent në dekonstruksionimin e një regjimi të ashpër dhe diktatorial.

    I lindur në Gjirokastër, në jug të Shqipërisë, në 1936, Ismail Kadare është gjithashtu bashkëqytetar i Enver Hoxhës (1908-1985), udhëheqës dhe diktator shqiptar. Si për ironi, edhe vepra e tij bashkëjeton me atë që mund të mendohet si arsyeja e vetë pamundësisë së saj, regjimi diktatorial komunist shqiptar.

    Në fakt, Kadare qëndroi shumicën e jetës së tij, si dhe të karrierës së tij si shkrimtar, në syrin e stuhisë staliniste të diktatorit Enver Hoxha, duke u larguar vetëm në fund të asaj periudhe diktature, kur ndjeu se jeta e tij dhe e familjarëve të tij ishte në rrezik të madh. Gjatë asaj kohe, ai mishëroi dhe ilustroi rolin më të lartë të shkrimtarit, me të shkruarën si arma e vetme, duke ndërhyrë në historinë e vendit të tij, të popullit të tij dhe të njerëzimit, për t’u dëgjuar nën peshën e shtypjes. Ajo që në fillim ishte vetëm një mërmërime, u shndërrua në një zë të qartë dhe të dalluar – për të përfunduar në një thirrje për çlirim.

    Ismail Kadare beson se letërsia, në duart e shkrimtarit, është një armë shumë më e fuqishme sesa ajo që zotëron diktatori. Vepra e shkrimtarit është e përhershme, e përjetshme; arma e diktatorit vdes me të.

    Ismail Kadare është njeri me pak fjalë. Siç pranoi gjatë bisedës sonë, vepra e tij është bërë nga shumë fjalë dhe e ka lënë atë me pak të tilla. Si të ishte misioni i tij, detyra ndaj jetës dhe historisë së kohës së tij, të popullit të tij, të vendit të tij, u përmbush dhe ai u shkrua në histori. Në thelb, në historinë tonë.

    Gjatë bisedës u përmendën disa tema kryesore: legjendat e Ballkanit dhe Shqipërisë, mjegulla që rëndoi mbi popullin dhe mbi territorin shqiptar gjatë periudhës së diktaturës dhe talenti (ose “arti”, sipas Kadaresë) i shkrimtarit për të kapërcyer dramën ose dilemën e fillimit të një romani të ri.

    Ismail Kadare iu përgjigj gjithçkaje, pa u shmangur nga asnjë pyetje, edhe pse vetëm me fjali të shkurtra.

    Në fillim të një prej librave të tij “La légende des légendes” (Flammarion, 1995), Kadare shkruan: “Në fillim të viteve ’70, gjatë një pritjeje në Paris, ambasadori i Shqipërisë komuniste pati një takim të shkurtër me Miguel Asturias, në atë kohë ambasador i Guatemalës në Francë. Në fillim, biseda mund të dukej krejt formale, veçanërisht duke marrë parasysh që dy vendet e vogla nuk kishin dhe nuk mendonin të kishin ndonjë lloj marrëdhënieje, përfshirë marrëdhëniet diplomatike. Miguel Asturias, ambasador, por edhe shkrimtar i njohur dhe fitues i Çmimit Nobel të Letërsisë (1967) sigurisht që i dukeshin të mërzitshme ato lloj takimesh dhe prandaj pyeti ambasadorin shqiptar: “Ah, Shqipëria, kam dëgjuar për vendin tuaj. Kam kureshtjen të di nëse në vendin tuaj ka shumë mjegull. Dhe nuk jua bëj këtë pyetje rastësisht. Sepse, nëse ka mjegull, duhet të ketë edhe shumë legjenda”. Miguel Asturias vdiq pak kohë më vonë, duke mos i dhënë mundësinë Ismail Kadaresë, gjatë një prej udhëtimeve të tij në Francë, të thellonte dhe eksploronte kuptimin e këtij shkëmbimi të shkurtër fjalësh.

    Ismail Kadare konfirmon që Shqipëria dhe Ballkani gjithmonë kanë jetuar brenda kësaj mjegulle të legjendave. Dhe vazhdojnë të jetojnë. Sepse nga legjendat, gjithmonë del e vërteta dhe kjo është unike dhe e pavdekshme, beson shkrimtari. Megjithatë, kjo analizë nuk mund të ketë ose nuk duhet të ketë një efekt reduktues: vepra e shkrimtarit shkon shumë përtej kësaj. Ismail Kadare, përmes më shumë se 50 romaneve dhe eseve, tregon se si ka qenë dhe është e mundur të romanizohet pa hyrë domosdoshmërisht në realmin e trillimeve, duke i dhënë fakteve rëndësinë dhe kuptimin që vetëm faktet kanë në pasqyrimin e realitetit të Ballkanit dhe Shqipërisë.

    Në këtë pikë, lind një pyetje: pse shkrimtari nuk kërkoi azil, zgjedhje e bërë nga pjesa më e madhe e disidentëve, veçanërisht atyre që vinin nga vendet socialiste në shekullin XX? Ky aspekt mund të na çojë në tundimin për ta parë Ismail Kadarenë si “shkrimtar të regjimit”, bashkëpunues, komplotues, ndërkohë që ky profil i ka sjellë lehtësi. Por, Kadare e shpjegoi qartë zgjedhjen e tij, gjithashtu e mbështetur nga Helena Kadare, gruaja e tij, në një moment tjetër të bisedave tona gjatë Panairit të 25-të të Librit të Tiranës. Azili i shkrimtarit, për shkak të papajtueshmërisë me regjimin e Enver Hoxhës dhe për pamundësinë për të vazhduar detyrën e tij si shkrimtar “engagé”, do të ishte gjithmonë një zgjidhje e lehtë, megjithëse do të vendoste në një situatë jashtëzakonisht kritike dhe madje të rrezikshme anëtarët e familjes së tij që do të mbeteshin përgjithmonë të etiketuar si “armiq dhe tradhtarë të popullit shqiptar”. Sipas Helena Kadaresë, do të ishte t’i ofroje një martir diktatorit, gjë që kurrë nuk ishte as në objektivat e shkrimtarit dhe as të familjes.

    Kështu, duhej gjetur një “modus vivendi” që të lejonte të shkruaje për të dekonstruktuar regjimin, për të lënë për të ardhmen dëshmi se  çfarë do të thoshte të jetoje nën zgjedhën e diktatorit dhe të regjimit të tij. Ismail Kadare kishte burime të pashtershme – siç theksoi vazhdimisht gjatë bisedës sonë – për të përcjellë mendimet dhe energjinë e tij luftarake: legjendat ballkanike dhe historia e rajonit dhe vendit ku është ankoruar prania, shtrirja kohore dhe gjeografike e Perandorisë Osmane.

    Pikërisht në këto dy burime shkrimtari “kamuflon” vizionin e tij për gjërat. Nëse legjendat shërbejnë për të justifikuar veprimet dhe faktet që, në përgjithësi, përbëjnë strukturën e romaneve të tij (disa prej tyre me prekje të romaneve autentike policore), Perandoria Osmane shërbeu në mënyrë të përsosur për të përshkruar (si kopje karboni) regjimin e Enver Hoxhës si të ishte regjimi i Sulltanit osman. Kështu, korniza kohore e narrativës ndaloi së qeni e rëndësishme, pasi ajo që vërtet kishte rëndësi për Ismail Kadarenë ishte të denonconte regjimin stalinist të Enver Hoxhës nga brenda, në veprimin e tij real, të vërtetë, gati të përditshëm, e konkret.

    Ismail Kadare është ndërgjegjja e asaj që përfaqëson letërsa dhe të shkruarit për popujt. Në këtë rol ai u ngjit në shkallën më të lartë, duke shpërbërë pasionet dhe kundërshtimet, veçanërisht ato me rrënjë etnike, shoviniste që, sipas shkrimtarit, nuk korrespondojnë – ose nuk duhet të korrespondojnë, shton ai – me mentalitetin e burrave dhe grave të epokës sonë. Përballë konflikteve të kohës së tij, Kadare shpreson që popujt që hedhin hapin e parë drejt të tjerëve, në kërkim të paqes dhe zgjidhjes së konflikteve, do të përfundojnë duke u ngjitur në një shkallë më të lartë. Kështu ishte rasti i konfliktit të Kosovës; kështu është në mosmarrëveshjet mes njerëzve në përgjithësi.

    “Arti” i Kadaresë përdor metafora dhe figura të stilit letrar, merr nga historitë dhe legjendat e Ballkanit. Por, më e rëndësishmja, ai e bën këtë me mjeshtëri dhe talent që e dallon nga shkrimtarët e romaneve historike.

    Megjithatë, ishte e nevojshme të sigurohej ushtrimi letrar i gjatë prej më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh dhe të krijoheshin kushte për të publikuar një vepër që, pavarësisht artificave të ndryshme të dekonstruksionit, nuk shpëtonte nga kthetrat e censurës. E gjithë vepra e Ismail Kadare iu nënshtrua censurës në Shqipëri.

    Me kontakte jashtë vendit, ishte e nevojshme të arrinte në një “port të sigurt” ajo që po prodhohej. Origjinalet ishin në rrezik dhe t’i mbanin në shtëpi ishte, siç rrëfeu gruaja e tij, Helena Kadare, si të kishe një bombë me sahat. Ishte urgjent dërgimi i shkrimeve jashtë vendit. Kështu filloi veprimtaria e “kontrabandës”. Miqtë e Kadare (kryesisht francezë), që e vizitonin rregullisht, sillnin në Francë, në fund të bagazhit të tyre, origjinalet e daktilografuara nga Helena (Ismaili vetëm diktonte ose shkruante me dorë). U vendos, në një moment të caktuar, që origjinalet e kontrabanduara përmes kësaj rruge të depozitoheshin në një kasafortë që vetëm një nga miqtë (nga botuesi Fayard, Paris), i identifikuar në aktin noterial, mund të hapte në rast se ndodhte “diçka e papritur dhe jonormale” ndaj shkrimtarit. Kështu filloi të grumbullohej vepra letrare e Ismail Kadaresë jashtë Shqipërisë, pa përjashtuar formula të tjera gjithashtu të shpejta, por me më pak përdorim, si për shembull, t’i atribuonte disa prej shkrimeve të tij autorëve të tjerë të famshëm.

    Me përkthime në më shumë se dyzet vende, vepra e Ismail Kadaresë është e njohur, duke marrë disa çmime: Çmimi Botëror Cino del Duca (1992), Man Booker International Prize (2005), Çmimi Príncipe de Asturias (2009) dhe Çmimi Jerusalemi (2015). Ismail Kadare vazhdon të jetë një kandidat i vazhdueshëm për Çmimin Nobel të Letërsisë, i nominuar disa herë (i propozuar nga José Saramago, siç është përmendur). Ai është anëtar i asociuar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës, duke marrë në maj të 2016, nga Presidenti francez François Hollande, Komandën e Legjionit të Nderit.

    I pyetur për faktin se ende nuk ka marrë Çmimin Nobel të Letërsisë, Ismail Kadare thotë se nuk ndihet i zhgënjyer. Ai e di që fakti se media flet shumë për të bën që shumë lexues të mendojnë se ai tashmë e ka marrë Çmimin. Ai është i vetëdijshëm që është pjesë e “familjes së të propozuarve” dhe kjo është shumë e rëndësishme. Do të ishte e vogël nga ana e tij, mendon Ismail Kadare, të mbante inat për mosmarrjen e Çmimit Nobel. Sidoqoftë, shtoi Helena Kadare në bisedën tonë anësore gjatë Panairit të Librit, çdo vit, në ditën e vendimit të Komitetit Nobel, në orën 13:00 të saktë, kur Ismail është në vendin e tij të zakonshëm për kafen e mëngjesit, restorantin Juvenilja, në Tiranë (ku zhvilluam bisedën tonë), i gjithë shtypi shqiptar mblidhet pranë Kadaresë për të zbuluar nëse është ajo hera kur do të festojnë ngjarjen më të madhe të letërsisë shqiptare.

    Ismail Kadare nuk e konsideron veten shkrimtar të romaneve historike.

    Megjithëse Ismail Kadare lejon të udhëzohet dhe inspirohet nga mitet dhe faktet historike, pothuajse të gjithë romanet e tij marrin një dimension politik.

    Këtu duhet theksuar roli që luan në veprën e tij konceptet që ai mbledh nga tradita, veçanërisht gjakmarrja dhe besa – parimet e nderit dhe moralit të përfshira në kodin zakonor të Kanunit që rregullon periudhën e armëpushimit midis akteve të gjakmarrjes. Duke iu referuar këtyre koncepteve dhe legjendave me origjinë më të errët dhe më të largët, Ismail Kadare është investuar si udhëheqës i një etape të re të rilindjes shqiptare, ballkanike dhe europiane.

    Studiues i Eskilit – babai i tragjedisë greke – por edhe i Shekspirit, Kadare eksploron të gjitha aspektet themelore dhe esenciale të besës që i jep ligjit të gjakut dhe detyrës së gjakmarrjes një rregullore të hollësishme që ngjan me zhvillimin e tragjedisë së lashtë. Ky është studimi që Kadare zhvillon në mënyrë të apasionuar, por rigoroze, në esenë “Eschyle ou le grand perdant” (ed. Fayard, 1985).

    Romane nga vitet shtatëdhjetë deri në vitet nëntëdhjetë – si “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Kështjella”, “Prilli i Thyer”, “Pallati i Ëndrrave”, “Piramida”, “Aksidenti”, “Lulet e Ftohta të Marsit”, “Tri këngë zi për Kosovën”, “Ra ky mort e u pamë”, “Koncerti”, “Ura me Tri Harqe”, “Legjenda e Legjendave”, “Dimri i Madh” janë vetëm disa nga kryeveprat e veprës shumë më të gjerë dhe plot substancë, histori, dekonstruksion idesh të imponuara, dekonstruksion sistemesh dhe regjimesh. Janë, përmbledhur sipas vetë fjalëve të Ismail Kadare, “arti si arma më e fuqishme e shkrimtarit”.

    Përktheu Andreas Dushi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË