More
    KreuOpinionIsmail Kadare: "Haxhi Murati", kryevepra e fundit e Tolstoit

    Ismail Kadare: “Haxhi Murati”, kryevepra e fundit e Tolstoit

    “Haxhi Murati” një nga perlat më të bukura të Leon Tolstojit, ka mbetur romani më i panjohur i tij. Për një kohë të gjatë paradoksi mbeti i pashpjeguar. U desh të shpërthente lufta e egër midis Rusisë dhe Çeçenisë që vëmendja botërore të binte më në fund, mbi perlën e mbuluar nga pluhuri.

    “Haxhi Murati” tregon pikërisht një luftë midis rusëve dhe çeçenëve. Një luftë të ndodhur 150 vjet më parë. Zanafillën e një krimi që ende vazhdon.

    Lev Tolstoji kishte marrë pjesë në luftën e Kaukazit. Gjysmë shekulli më pas, në pleqëri të thellë, në kohën kur çdo shkrimtar synon të shkruajë diçka testamentare, Tolstoji i madh shkroi romanin e fundit të tij, “Haxhi Muratin”.

    Ishte më shumë se një testament. Ishte testament e profeci bashkë. E ishte sidomos një thirrje që i bëhej ndërgjegjes së ardhme ruse.

    Vepra mbeti e pabotuar. E vetmja vepër e patriarkut të letrave që u censurua. Rusia cariste, ndonëse kishte hyrë në shekullin 20, i trembej romanit, që i kujtonte një krim të saj.

    Habia më e madhe është se, edhe kur vepra u botua më

    pas, Rusia sovjetike, ajo që nuk linte rast pa denoncuar perandorinë cariste, për “Haxhi Muratin” mbajti pothuajse të njëjtën heshtje. Kjo tregon se diçka nga perandoria e carëve, nga pjesa më e keqe e saj, vazhdonte të jetonte, e fshehur tashmë nën petkun e komunizmit. Shefi i kësaj Rusie të re, Stalini, njëlloj si cari i shpërnguli e i shtypi çeçenët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Pas përmbysjes së komunizmit, një Rusi e tretë tashmë, Rusia demokratike, ajo që, me të drejtë, dënonte krimet staliniane, për romanin e Tolstojit, tregoi të njëjtën ftohtësi. Shkaku i ftohtësisë u kuptua kur kjo  Rusi e fundit iu sul çeçenëve njëlloj si cari, njëlloj si Stalini.

    Një roman kaloi kështu, padashur, në tri epoka, për arsyen e thjeshtë e monumentale ishte sipëran mbi të trija.

    Tolstoji i madh, me kryeveprën e tij të fundit, vuri në provë të rëndë ndërgjegjen ruse. Për fat të keq, shumica e shkrimtarëve dhe intelektualëve rusë, madje edhe ata, që kishin bërë për flamur liberalizmin e dhe të drejtën e njeriut, si Aleksandër Solzhenicini, nuk i qëndruan dot kësaj prove. Provës nuk po i qëndrojnë dot as disa nga vendet demokratike, të cilët, për interesa të çastit kanë mbyllur sytë përpara tragjedisë së një populli që po shfaroset.

    Sfida e Tolstojit vjen e merr kështu përmasa planetare.

    Ndoshta nuk ka qenë e rastit që Shqipëria e vogël mbretërore, ishte një nga vendet e para që e përktheu dhe e botoi “Haxhi Muratin” në vitet ’30.

    Romani për dramën e shefit çeçen, Haxhi Muratit, për grindjen me rivalin e vet, për arratisjen, pendimin dhe vrasjen e tij, kjo vepër e ngjashme me një tragjedi antike, tingëllonte e afërt për lexuesin shqiptar. Në përkthimin prej origjinalit të Osman Bishqemit, janë shfrytëzuar mundësitë e shqipes për ta afruar edhe më shumë teksin tolstoian, me botën shqiptare. Kështu, emri i rivalit të Haxhi Muratit, haxhiu tjetër, ai që në rusisht është Shamili, Haxhi Shamili, në shqip kalon natyrshëm si Haxhi Qamili.

    E kështu me radhë.

    Para disa kohësh, një nga nipat e Lev Tolstojit iu drejtua presidentit të Rusisë së sotme, me thirrjen që emri i autorit të “Haxhi Muratit” të thirrej si ndërmjetës për pajtimin e Rusisë me Çeçeninë. Busti i Lev Tolstojit, shprehja e mirënjohjes së popullit çeçen, ende ngrihet sot midis gërmadhave të luftës në Çeçeni.

    Letra e nipit të shkrimtarit ka gjasë të mbetet pa përgjigje.

    Megjithatë, mendimi për t’iu drejtuar Tolstojit, ashtu si të vjetrit i drejtoheshin një tempulli, për të ndërhyrë atje ku as armët dhe as diplomacia nuk kryejnë punë, dëshmon se njerëzimi ende i beson artit. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË