More
    KreuLetërsiBibliotekëIsmail Kadare: "E penguara" (fragment romani)

    Ismail Kadare: “E penguara” (fragment romani)

    Në vitin 1996 ndërsa po përgatisnim për botim librin me fragmente ditari dhe poezi të Drita Çomos, i kërkuam Kadaresë që të shkruante një parathënie.
    Shkrimtari jo vetëm që lexoi të gjithë librin por u interesua veçanërisht për historinë e jetës së saj të shkurtër duke biseduar me nënën e saj Liri Belishova (të cilën Kadare e kishte pasur personazh në romanin e tij “Dimri i vetmisë së madhe”)
    Kadare shkroi parathënien me titull “Dritë që vjen nga humnera”, që u bë edhe titulli i librit të Drita Çomos.
    Shumë vite më vonë Kadare shkroi një nga romanet më të rëndësishëm të pas viteve ’90, duke u bazuar në jetën e Drita Çomos. Romani u titullua “E penguara”, i përkthyer tashmë në shumë gjuhë, duke e bërë të njohur në botë fatin tragjik të Drita Çomos.

    Tre muaj më pas. Linda B.

    Nga gjithë zhurmat e sipërfaqes, pothuajse asnjëra nuk zbriste në thellësi të tokës, atje ku Linda B. vazhdonte të ndodhej ende në të njëjtin kënd të varrezës së qytetit të vogël provincial.

    Ndonëse shteti shqiptar po lëkundej, ligjet dhe sidomos rregullat që lidheshin me burgjet dhe internimet, ishin po ato. Njëri prej tyre ishte tejet i veçantë dhe të shumtë ishin ata që besonin se nuk gjendej askund, veç Shqipërisë. Ligji kishte të bënte me të internuarit dhe të burgosurit politikë, të cilët vdekja i zinte pa mbaruar dënimin. Trupat e tyre, pavarësisht se zbrazeshin nga shpirtrat, duhej të vazhdonin kryerjen e dënimit, gjer në mbarim të afatit, aty ku ndodheshin: në varre. Thënë ndryshe, vetëm pas plotësimit të kohës së dënimit, familjarët kishin të drejtë t’i nxirrnin nga varreza e caktuar prej shtetit, për t’i çuar atje ku donin.

    Ishte dashur njëfarë kohe që të merrej vesh se ligji, më saktë, thelbi i tij: veprimi i njëllojtë si mbi tokë ashtu edhe nën të, pikërisht ai që ishte dashur të shnjihej i pari, do të hiqej, me sa dukej, i fundit. E po ashtu të sqarohej se të vetmit që nuk i nënshtroheshin rregullores ishin, ashtu si më parë, të burgosurit e përjetshëm bashkë me të pushkatuarit, dy grupe të dënuarish për të cilët s’kishte më kohë, sidomos kohë që përbënte afat në kuptimin ligjor.

    Për sa i përkiste dallimit midis të burgosurve dhe të internuarve, ndonëse, në thelbin e çështjes, veprimit të njëjtë të ligjit mbi dhé e nën dhé, i nënshtroheshin të njëjtit detyrim, ishte një pikë ku ndaheshin. Ndërsa vendimi për të burgosurin ishte gjithmonë vetanak, si çdo gjë tjetër e orëligut, për të internuarin, si rrjedhojë e asaj që internimet nuk bëheshin veçse familjarisht, po ashtu, familjarisht vinte edhe lirimi.

    Ndërkaq, për shkak se familjet ishin përgjithësisht me shumë anëtarë, ishte e pamundur që ditën e lirimit, midis të të dënuarve të mos kishte disa të vdekur, gjatë viteve të internimit, sidomos vocrrakë dhe pleq. Kështu që, në shkresën e famshme, anëtarët e liruar shënoheshin veçmas në dy shtylla: të kësaj jete dhe të tjetrës.

    Te prindërit e Linda B., shkresa kishte mbërritur saktësisht, jo vetëm në ditën kur mbusheshin pesë vjet nga e mëparshmja, por afërsisht në të njëjtën orë, pak përpara mesditës.

    Ishte hera e parë që atë e pritën pothuajse me shpërfillje. Linda s’ishte më dhe ndjesia e parë e prindërve, kur e morën prej dorës së postierit, ishte se shkresa e kishte humbur tashmë kuptimin e saj. Një grimë kohe, tek vështronin emblemën e shtetit sipër zarfit, mendimi i parë që u erdhi mes zbrazëtisë ishte ç’e donin lirimin tani që vajza s’ishte më. Madje, fshehtazi, iu duk se do të dëshironin që përgjigjja, ashtu si më parë, të ishte mohuese. Le të mbeteshin aty, ashtu si më parë, në atë humbëtirë, ku dergjej tani vajza e tyre.

    E ndienin se po bënin mëkat, dhe iu lutën Zotit t’i falte. U lutën me përdëllim përsëri dhe mendimi se nuk ishte vetëm djali, që i shkaktonte ndjesinë e mëkatit, por diçka tjetër. Ç’tjetër? desh thirri e ëma me zë. Ç’mund të kishte tjetër veç Lindës?

    Donte të qetësohej, por nuk mundte. Turbull, nga thellësia i vinte përgjigjja e pyetjes së vet. Natyrisht që s’mund të kishte tjetër veç Lindës. Natyrisht që s’mund ta linin Lindën aty e vetë të iknin. Me sy të mjegullt vështronte shkresën që djali po ia tregonte ndërkaq, si për t’ia bërë të kuptueshme. Është emri i saj këtu, mama, bashkë me emrat tanë.

    Pas tronditjes, kuptimi i asaj që kishte ndodhur po dilte nga mjegulla. Jo vetëm që Lindën s’do ta linin kurrë vetëm, por edhe ikjen, nëse do ta bënin, më shumë se për veten do ta bënin pikërisht për të.

    Më shumë se ata në sipërfaqe të tokës, ishte ajo që kishte vuajtur nën të, e lidhur jo me një palë, por me dy palë pranga, ato të shtetit dhe ato të mortit. Nëse të mortit nuk ia hiqnin dot, t’i hiqnin së paku të parat, ato më të rëndat, shtetëroret.

    Gjithë atë javë të paharrueshme u morën me dokumentet. Ato të Lindës ishin më të ndërlikuarat. Nga leja për zhvarrim që jepej prej drejtorisë së komunales gjer te një vërtetim i fundit i Degës së Brendshme, pa përmendur shkresat mjekësore. Pas endjes zyrë më zyrë, qëllonte që këmbët i shpinin te varri. Iu dukej se vajza kishte padurim, ndaj e ëma i përsëriste të njëjtat fjalë: duro edhe pak, zemër. Do të niseshin së shpejti, të katërt, si dikur, nëpër filma, të dielave.

    Nga Tirana, kushërinjtë e largët i lajmëruan se e kishin gjetur, më në fund, një vend në varrezën perëndimore të kryeqytetit, atë në drejtim të detit.

    Ashtu u nisën vërtet një ditë fund maji, të katërt, në një furgon të vogël. Ata të tre ulur në ndenjëset anësore, kurse Linda në arkëmortin e ngushtë, në mes.

    Dita ishte e bukur. Frynte fllad. Karficën e flokëve, që nuk e kishte hequr qysh nga balloja e lamtumirës dhe që ia kishin gjetur midis baltës, ia kishin kapur me një gjilpërë mbi arkëmort, si të vetmin zbukurim.

    Tabelat e rrugëve tregonin herë pas here fillime ose mbarime katundesh a qendrash banimi, që furgoni i linte pas. Shqipëria ngjante çuditërisht e e gjerë.

    Kur u dukën tabelat e para me emra të pazakonshëm “Motel Europa”, “Kafe-bar Atlantik”, ata kthenin kryet sa djathtas, majtas, si për të kuptuar nëse kishin dalë ndërkaq nga zona e internimit.

    Nuk kishte asnjë shenjë askund. Më duket se asnjëherë s’ka pasur, kishte thënë e ëma me zë të humbur. I ati nuk fliste, ndërsa i biri vazhdonte të lexonte me zë tabelat: “Kafe Viena”, “Moteli i dy mbretëreshave”.

    Zhurma e motorit të furgonit ndryshoi papritur. Rruga kishte njëfarë ngjitjeje, por jo aq sa për atë gulçim e ato fjolla tymi të zi. Makina mezi çante përpara, ndërsa ata të dy, burrë e grua, vështronin prapë nga të dyja anët, këtë herë me fytyra të zbardhura nga tmerri.

    Nuk flisnin, veç më pas ia pohuan njëri-tjetrit se kishin pasur ndjesinë e njëjtë se aty, me sa dukej, mbaronte zona e internimit, ndaj toka e shurdhër, thellë së cilës lajmet mbërrinin me vonesë, nuk donte ta linte trupin e vajzës të dilte.

    Më tutje, furgoni e rimori prapë ecjen e tij të lehtë. Ishte po ajo freski maji dhe Shqipëria dukej tani e pafundme. Dy-tri herë u ndalën në kafenetë e vogla ndanë rruge, për të marrë diçka, bashkë me shoferin. Tek përpiqej të mos binte në sy, gruaja, herë pas here, kthente vështrimin nga furgoni, i lënë pak si mënjanë, përbri hyrjes.

    Pasdite vonë lanë prapa anëdetin e Durrësit, me vilat e shumta dhe hotelet e mëdha të turizmit, ku pistat e vallëzimit ende ishin të zbrazëta.

    Kishte kohë që kryeqyteti jepte shenjat e tij, ndërsa vetë dukej se largohej. Ata vështronin të nemitur shtyllat telefonike që iknin mbrapsht, fermat dhe helikopterët në aeroportet e vogla ushtarake. Po binte mbrëmja. I ati me të birin herë pas here ndiqnin me bisht të syrit mollëzat e gruas. Ajo e kishte mbajtur veten më mirë se ç’kishin menduar. Vetëm kur larg u dukën dritat e Tiranës, dënesa befasisht ia drodhi supet, pastaj krejt shtatin, gjersa u këput e ra kruspull mbi arkëmort, si ta kishin goditur. Midis dënesës ia përmendte emrin Lindës, e herë pas here, në vend të tij, mezi arrinte të thoshte fjalët: vajzë, vajza ime.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË