Kreu Letërsi Bibliotekë Ismail Kadare: Dosja e Orfeut

Ismail Kadare: Dosja e Orfeut

Orfeu ishte përgatitur në fshehtësi të plotë. Përveç një ndryshimi që i kishte bërë lirës, asgjë tjetër s’ishte marrë vesh. Ndryshimi kishte të bënte me numrin e telave: nga shtatë i kishte çuar në nëntë. Në krye ishte marrë si diçka e thjeshtë, më pas nisi të pëshpëritej se kishte gjasë të quhej më e madhja risi e shekujve të fundit.

Muzikanti ishte tepër i famshëm, kështu që nuk përjashtohej që lajmi për shpikjen e tij të fundit të zinte një vend në kronikën olimpiane. Orfeun e duam të gjithë, flitej se kishte thënë Zeusi. Megjithatë, s’mund t’i lejojmë gjëra që s’ia lejojmë askujt. Aq më tepër që nuk e ka bërë të qartë përse i duhen ata dy tela të tepërt. Unë vetë mbase jam i shijes së vjetër, por mendoj se të gjithëve na është mësuar veshi me lirën e moçme shtatëtelshe.

Nga e majta e tij, Prometeu, nga i cili nuk pritej veçse miratimi i çdo akti rebelues, rrinte shpërfillës. Ishte Apolloni, për çudi, zakonisht i matur, që i kishte dalë në mbrojtje artistit. Madje, me aq zell, saqë jo vetëm ishte për miratimin e risisë, por kishte shkuar më tej, duke kërkuar që numri i muzave të shtohej gjithashtu nga shtatë në nëntë, për t’iu përshtatur asaj.

Debati, që edhe pa këtë kishte qenë i ashpër, u acarua më fort. Trille artistësh, thoshin kundraorfeianët. Sot duan dy tela shtojcë, nesër kushedi ç’mufka do të kërkojnë. Së paku, të shpjegoheshin, ndërhynte hyu i luftës. Te ne, kur shqyrtohen modelet e reja të armëve, gjërat janë të qarta. E do heshtën dy pëllëmbë a dymbëdhjetë pëllëmbë më të gjatë, se kështu ia bën gropën më mirë kundërshtarit? Okej. Ndryshe, s’kemi kohë për sofizma.

Britmat pro e kundër, lërini artistët në punë të tyre, i lëmë, i lëmë, por pastaj na ndodh hataja, si mijëvjeçarin që shkoi, zotëruan një copë herë, gjersa Zeusi, i lëkundur siç qe atë ditë, e shtyu vendimin. Zeusi dinte, me sa dukej, diçka, që të tjerët ende nuk e dinin.

Vëmendja e të gjithëve u përqendrua në Olymp, në atë javën e paharrueshme, kur nuk flitej veç për hallin e Orfeut. S’ishte vetëm çështje e miratimit ose jo e shpikjes së tij. Ishte diçka tjetër, ajo që e dinte vetëm Zeusi: sëmundja e së fejuarës së re të muzikantit. Ajo zbehej çdo ditë, kishte dhembje gjithkund, sidomos në gjoks. Ajo që askush, duke përfshirë edhe Zeusin, nuk e dinte ishte se ç’lidhje mund të kishte sëmundja e vajzës me dy telat e shtuar të lirës.

U desh një kohë e gjatë, që e vërteta të pikonte, sidomos pas vdekjes së Euridikes. Orfeu nisi të kërkonte diçka të pamundur: kthimin e saj nga përtejvarri. Artin që gjer atëherë e kishte shpenzuar për famë dhe për dëfrim, tani po e përdorte veç për nxjerrjen e lejes së vështirë. Iu desh të mallëngjente me këngëtimin e tij ministrat e Ferrit, gjersa të dëgjohej prej Hadesit vetë. I verbri ishte prekur nga zëri i artistit, po aq sa nga sajdisja që iu bë. Të mësuar me Olympin luksoz, artistët rrallë kujtoheshin për skëterrën. Por Hadesi s’do të hakmerrej për shpërfilljen. Përkundrazi, do të bënte çmos ta ndihte. Madje, pa i kërkuar asgjë nga ato që pëshpëritnin gojët e liga, një himn kushtuar skëterrës, për shembull, a ndonjë koncert falas për të vdekurit. S’ishte nga ata Hadesi, dinte të tregohej xhentëlmen, ndonëse çështja nuk ishte e lehtë. Asnjë banor i ferrit nuk kishte dalë kurrë prej tij. Megjithatë, Hadesi kishte bindjen se pengesat, sado të rënda, ishin të kapërcyeshme, me përjashtim të Cerberit, qenit të portës. Jo, nuk shtrohej çështja që Orfeu i famshëm të këndonte apo jo përpara një qeni. Edhe po të bindej ta bënte, për hir të Euridikes, s’dihej a do të arrinte një përfundim. Qeni ishte i një race të panjohur, i pandjeshëm ndaj çdo ndërhyrjeje tokësore a hyjnore.

Ndoshta kishte një shpresë, kishte thënë Orfeu. Dhe i kishte folur për risinë që kishte dashur t’i sillte muzikës, me ata dy telat e famshëm. Hadesit diçka i kishte zënë veshi, por turbull.

Në kohën që Orfeu kishte parandier se fati po i përgatiste ditët e këqija, pa e shpallur se do të ngrihej kundër tij, si njeriu që kërkonte të pajisej me një vegël shpëtimi, po shtyhej drejt kërkimit të një muzike të paarritshme.

Enigma e dy telave, ajo që kishte torturuar atë verë kureshtarët e Olympit, ç’ishin vallë ata dy tela, përse, për çfarë hynin në punë, do të zgjidhej më në fund.

Hadesi tundte kryet krejtësisht mosbesues. Qeni Cerber, ai që Orfeu shpresonte të zbuste me këngën e tij, në jetë të jetëve nuk do të lejonte kurrë askënd të dilte nga porta. Nëse kishte ende një shpresëz, ajo s’lidhej kurrsesi me zbutjen, por me vënien në gjumë të shtazës.

Orfeu kishte bindjen se mund ta bënte. Paç fat, i kishte thënë Hadesi, përpara se t’i shpjegonte kushtin e fundit. Ishte një pakt i detyrueshëm midis Orfeut dhe atij vetë, Hadesit, thënë ndryshe Mortit. Një pakt, në dukje i thjeshtë, përmbushja e të cilit nuk varej veçse prej atij vetë, Orfeut.

Nëse varet prej meje, do ta përmbush, sado mizor të jetë.

Do ta shohim, tha Hadesi dhe me fjalë të pakta ia tha paktin…

Ashtu si për dy telat e shtuar, ishte folur gjatë për të. Kishte a s’kishte pakt të fshehtë? E nëse kishte, përse nuk tregohej?

Siç pritej, zhurma u fashit kur e vërteta doli në dritë. Kishte një pakt vërtet. Dhe si çdo pakt klasik ishte i thjeshtë. Pas vënies në gjumë të Cerberit, Orfeu do të plotësonte një kusht të vetëm: gjatë daljes nga ferri, nuk do ta kthente kryet për të parë të fejuarën, që i vinte pas. Ky ishte thelbi: sado mall të kishte, sado padurim, nuk do ta kthente kryet. E kthente, e humbte. Në jetë të jetëve.

Shumicës së olimpianëve, pakti iu qe dukur i lehtë. Një moskthim koke vetëm. Të ishte, së paku, që ta kishte nusen në shtrat e mos ta prekte dot, hajde de. Zhurma për lehtësirat që u bëheshin artistëve, në kohën që të tjerëve, për një gabim të vogël, iu thyheshin brinjët, u përtëri kudo. Gjer ditën kur erdhi lajmi se Orfeu e kishte humbur shansin. Kur e fejuara e kishte thirrur me mall, s’kishte duruar dot pa kthyer kryet. Disa ia qanin hallin: i gjori, malli i madh e kishte vënë poshtë, të tjerët e qortonin, si shumë i dobët paskësh qenë, punë artisti.

Një palë e tretë, nga ata që flisnin rrallë, kishin tjetër mendim. Ishin të bindur se pakti kishte qenë i rremë. Kurrfarë Euridikeje nuk i vinte pas, në çastin që Orfeu kapërcente pragun e skëterrës. Kthimi i kokës kishte qenë një si gjetje e djallit. Thelbi i tij përbëhej nga një mohim. Një mos i pafund.

Nga mosvështrimi prej Orfeut, e fejuara e tij merrte jetë. Kurse nga vështrimi merrte mort.Gjithçka ishte mbrapsht në këtë histori. Prej mospamjes, Orfeu bëhej një ringjallës. Prej të kundërtës, një vrasës.

Mund të ishin të dy në këtë botë, por me një kusht: që të mos shiheshin kurrë.

Shprehja e famshme, të jesh a të mos jesh, në këtë rast do të ishte: të mos jesh që të jesh.

Pra, sido që ta merrje, në të gjitha rastet nuk kishte veç një ngadhënjim të asgjësë dhe Orfeu s’mund të ishte veçse i humbur.

Kurrfarë Euridikeje nuk vinte pas Orfeut në çastin e kapërcimit të pragut të ferrit.

E në rast se Orfeu nuk binte në kurth? mund të pyeste një zë kundërshtues. Me fjalë të tjera, në rast se, duke i besuar paktit, nuk e kthente kryet, ç’ndodhte pastaj? Do të zbulohej më në fund se Euridike s’kishte pasur dhe se pakti paskësh qenë i rremë?

Kjo ishte e pamundur… Rruga do të ishte e gjatë. Në pakt, me sa dukej, nuk përcaktohej koha e moskthimit të kokës… Dihej, ndërkaq, se për një të mosqenë si Euridikja, pafundësia durohej lehtë, kurse për Orfeun s’ishte ashtu. Do të vinte një çast që do ta kthente kryet… Veç kësaj, s’duhej harruar se nata do të binte mijëra herë, në shumë shekuj rresht… Një zgjidhje tjetër mund të gjendej…

Ndonëse ndërtesa e teatrit nxinte, dramaturgut iu duk se brenda saj, diku në thellësi, regëtinte një ndriçim i zbehtë. Iu afrua portinerisë së jashtme, asaj përbri oborrit, prej nga hynin aktorët dhe, për habinë e tij, bashkë me xixëllimën e cigares, dalloi në gjysmëterr spikamën e njohur të portierit.

I tha mirëmbrëma përpara se ta pyeste se a ishte dikush brenda apo i kishin bërë sytë.

Portieri iu përgjigj se hidraulikët po merreshin me një riparim, por ai, po të donte, mund të hynte.

E falënderoi dhe eci drejt hyrjes. Zakonisht, ulej aty nga mesi i sallës, midis radhës nëntë dhe trembëdhjetë, me sytë nga skena. Në fillim ia kishin marrë për trill, pastaj mani, pastaj krizë të krijimit, ndonëse fjalën “krizë” nuk e shqiptonte kurrkush. Ai vetë përpiqej të mos gjente ndonjë shpjegim. Thjesht ndihej mirë. Perden ngjyrë vishnje e kishte lehtë ta përfytyronte si rroben e gjatë të një zonje disi të fyer, s’dihej kur dhe prej kujt.

Ndenjëset kishin të njëjtën ngjyrë dhe kadifeja e lozhave, gjithashtu, duke përfshirë edhe qeveritaren.

Dramat e pakta të tij, përpara se t’i shkruante, ashtu i kishte përfytyruar pak a shumë, në sallën e zbrazët, me sytë nga skena.

Nga të dyja anët e saj, të ndriçuara më pak se vetë skena, ishin dy shkallina të jashtme. Zakonisht, nuk binin në sy, por, kur fenerët e zbehtë anash ndizeshin, spektatorët e dinin se do të kishte personazhe që do të ngjiteshin që andej. Me përjashtime të rralla ishin personazhe negative të krejt realizmit të pafund socialist, nga Berlini në Shangaj. Ngjiteshin nga qilarët gjithë frikë, nga strehimet kundërajrore, baret e natës plot zvetënim ose nga vetë skëterra. Hidraulikë të dyshimtë, spiunë të NATO-s, komplotistë të zbuluar prej plenumit të tetë, të njëmbëdhjetit, madje të dytit, atij për të cilin shumë njerëz ishin të bindur se nuk ishte bërë kurrë, shfaqeshin pikëllueshëm. Nuk vononin pas tyre priftërinjtë katolikë, horrat me laviret e tyre, madje hija e mërzitur e mbretit Zog.

Në të vërtetë, më shumë se te skena, dramaturgu e kishte shpresën tek ato shkallina. Natyrisht, nëse fati nuk e kishte braktisur.

Ndriçimi i fenerëve po luhatej si nga një frymëmarrje e fshehtë. Mos u ndal e bekueme, tha me vete, pa e ditur pse, në shqipe të vjetër.

Hija e dikujt që po ngjiste shkallinën, u duk përpara se të shfaqej njeriu vetë. Dramaturgu e kuptoi se ishte pikërisht ai që kishte pritur. Në dorë mbante lirën e moçme, dy telat e shtuar të së cilës, si çdo shtesë metalike e mëvonshme, dalloheshin që larg.

Me frymëmarrje gati të ndalur, ai ndiqte atë që po ndodhte. Do t’i vinte vallë pas e fejuara, ashtu siç dihej nga të gjithë, apo Euridike s’do të kishte?

Humbjet e mëdha ne i krijojmë vetë, mendoi. Dhe, po në atë çast, disa hapa pas njeriut me lirë të riparuar, u duk vajza. Bëri një mënjanim për të mos shkelur trupin e Cerberit të fjetur, pastaj kokulur, si shumica e nuseve ballkanase, eci pas Orfeut.

Mos, thirri dramaturgu së brendshmi. Ishte një “mos” i njohur miliardash, prej të cilit njerëzimi nuk shkëputej dot: mos kthe kryet, në s’do që ta humbsh!

Orfé, foli vajza me zë të fikur.

Dramaturgu mbylli sytë për të mos e parë atë që do të ndodhte.

Pjesë e shkëputur nga “E penguara”, 2009.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Prof. Dr. Klara Kodra: Bota origjinale e një poeteshe bashkëkohore

Majlinda Rama është një lirike e ëmbël, fine dhe e thellë. Ajo ka lëvruar me sukses disa fusha, po ajo që e...

Granit Zela: Libri i fundit që më bëri të qaj? “Lamtumirë Gabo dhe Mercedes”, shkruar nga biri i Markezit

Libri që po lexoj ndërkohë: Po lexoj librin e Rexhep Shahut “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën”. Ky libër...

Bahri Beci dhe koncepti i tij mbi procesin e planifikimit gjuhësor të shqipes

Nga Prof. asc. Albana Deda (Ndoja)Departamenti i Gjuhësisë, Universiteti i Tiranës Njoftimi i për mbajtjen e një konference...

Shefkije Islamaj: Ligjërimi postmodern i Rexhep Qosjes

Shkrimtari Rexhep Qosja, me të drejtë, nga studiuesit e veprës së tij letrare-artistike konsiderohet përfaqësuesi më i rëndësishëm e më i veçantë...

KATEGORITË