More
    KreuLetërsiIsmail Kadare: A i është dashur letërsia njerëzimit?

    Ismail Kadare: A i është dashur letërsia njerëzimit?

    A i është dashur letërsia botës? Ndoshta nuk do të kishim të drejtë ta bënim këtë pyetje që të kujtonim autorët e dobët të TV-it, kur përpiqen të gjallërojnë një bisedë shterpë, sikur pyetja të mos ishte bërë, ndërkaq, mijëra vjet më parë. Dihet që ka pasur dy lobe të kundërta: pro dhe kundër letërsisë.
    Letërsia, pra, ka lindur bashkë me një mohim, me një pengesë. Sado që në pamjen e parë të duket si e habitshme, po të mendohemi pak, do të vijmë në përfundimin se ky negacion i shkon letërsisë, madje fare natyrshëm. Negacioni dhe letërsia janë të së njëjtës racë. Shkurt, më shumë se nga engjëlli, letërsia duket si e prirë nga djalli.
    Le ta shikojmë në mënyrë fare të thjeshtë gjithçka. Letërsia, domethënë poemat e para orale, kanë, zakonisht, për subjekt kthimin nga një udhëtim i gjatë, rrëfimin për ato ç’kanë ndodhur atje larg, në kufi të shtetit, të shkretëtirës ose të vdekjes.
    Udhëtarët e parë që ktheheshin nga larg, ishin, praktikisht, edhe shkrimtarët e parë. Duke ecur drejt vendit të tyre, në vetminë e rrugës, truri i tyre i përpunonte ngjarjet në mënyrë që gjatë rrëfimit ato të ishin sa më interesante për dëgjuesit. Kështu, në udhë dilnin dialogët, përtëriheshin ngjarjet, dendësoheshin ngjyrat, theksohej diçka e diçka tjetër fshihej.
    Por, ndonëse udhëtarët sillnin ngjarjet, heronjtë e tyre ishin së shumti larg. Ata zakonisht mungonin, ishin përherë matanë, përtej kufirit të shtetit e, zakonisht, përtej jetës, domethënë të vdekur.
    Kështu, qysh në fillimet e letërsisë mungesa dhe vdekja zunë vendin e nderit. Por letërsia hyri në domenin e vdekjes jo për t’iu përulur asaj, por si e barabartë me të. Te poema madhështore për Gilgameshin, letërsia, duke e njohur pushtetin e vdekjes, merrte, megjithatë, të drejtën t’i bënte një qortim asaj. Gilgameshi mposhtet prej vdekjes, por, për hir të letërsisë, një pjesë e tij i ikën, i shpëton, megjithatë, vdekjes. Është një zgjidhje kompromisi, po të përdorim një formulë të kohës sonë. Të tilla kompromise të mëdha me të pamundurën mund të bënte vetëm një art i madh.
    Letërsia vazhdoi të ushqehet nga vdekja dhe nënproduktet e saj: nata, gjumi, ëndrrat, vrasja e ndërgjegjes.

    Letërsia qysh në fillimet e saj u lidh me aktin e flijimit. Troja ishte kërkesa e saj e parë në këtë altar. Më pas me qindra ishin ngjarjet, subjektet, personazhet dhe skenat, që përpara se të ushqenin letërsinë, u spërkatën nga gjaku dhe zija. Kur poeti shqiptar Fan Noli përktheu “Waterlonë” e Hygoit, shënoi në fund të saj se, pas gjithë asaj tragjedie, kishin së paku një ngushëllim: këtë poemë që nuk do të mund të lindte pa të.
    Letërsia u mësua kështu të kërkojë fli. Në një mënyrë ose në një tjetër ajo na kërkon ne. Në një mënyrë ose në një tjetër ne i paguajmë tributin.
    Vdekja, gjumi, vrasja e ndërgjegjes, të gjitha këto të kujtojnë natën. Nata, në mendimin skematik njerëzor, lidhet me negacionin. Por ne e përmendim këtë mendjelehtësisht, pa menduar se ç’tmerr do të ishte koha në botë, sikur të mos ndërpritej nga nata. Sikur gjithë kalendari të përbëhej nga një ditë e pafundme. Askush, pra, nuk është kujtuar gjer më sot të bëjë një studim hipotetik se çfarë roli ka luajtur nata në zbutjen e njerëzimit. Pa ndërhyrjen e saj, pa frenimin, pa ndërprerjen e saj, revani i së keqes, i nervozizmit, i tërbimit njerëzor do të arrinte ritme katastrofike.
    Në periudhën e saj të parë letërsia nuk ka njohur veç po ato rreziqe që kërcënonin jetën njerëzore: harrimin, shuarjen. Rapsodët këndonin, njerëzit i dëgjonin, pastaj dilnin rapsodë të rinj që këndonin këngë të reja, që vdisnin bashkë me to ose pak më vonë. Letërsia njihte kështu pak a shumë ato rreziqe natyrale si edhe jeta njerëzore. Më pas ajo njohu rrezikun e parë që vinte nga një sferë tjetër: nga shoqëria, shteti. Ishte teatri, me sa duket, që, për shkak të grumbullimit të njerëzve mu në mes të qytetit, provokoi së pari idenë e censurës.
    Censura zyrtare lindi, kështu, dy mijë e pesëqind vjet më parë dhe ishte kaq e fuqishme, saqë u shkaktoi mjaft telashe edhe kolosëve të tillë, siç qenë tragjikët e mëdhenj.
    Censura lidhet me shkrimin. Sa pa u shpikur shkrimi prej akkado-sumerëve, kontrolli i poezisë orale s’mund të ishte veçse i pasaktë dhe jokëmbëngulës. Shumë-shumë një rapsod jokonformist nuk do të ftohej të këndonte në gostinë e princit dhe puna merrte fund me kaq.
    Kur në horizont të kulturës botërore u shfaq shkrimi, ky ishte vërtet një tërmet i papërfytyrueshëm.
    Shkrimi ishte një makinë e dyfishtë. Nga një anë, ai i hapte një horizont të ri letërsisë, nga ana tjetër, e ngrinte atë, e vdiste, e mumifikonte.
    Përpara një faze të re të zhvillimit, letërsia, sipas kanunit të saj të ashpër, u kërkonte prapë shkrimtarëve një tribut të rëndë. Të jepnin një pjesë të spontanitetit të tyre, ta kalonin mendimin nëpër rrotëzat, rripat dhe në makinën e rëndë të sintaksës. Të mos mundnin dot ta qortonin atë lirisht, në çdo ditë të re të Zotit, sipas gjendjes së tyre shpirtërore. Shkrimi ishte kontroll i dyfishtë. Kontrolli i ndërgjegjes së tyre, i përgjegjësisë përpara kohës, por edhe kontroll zyrtar.
    Historia e shkrimit është, në radhë të parë, historia e rrezikimit të shkrimtarëve.
    Disa shprehje të sotme që lidhen me këtë, si “kjo vepër letrare mund të të djegë” ose “të të bjerë si fatkeqësi mbi kokë”, bëhen çuditërisht të qarta, po të mendojmë pllakat e argjilës mbi të cilat sumerët shkruanin mendimet e tyre. Kur pllakat e pjekura i nxirrte nga furra pa kujdes, shkrimtari mund të digjte duart. Ose, një vepër letrare, ta zëmë, një rrëfim i gjatë, mund të ishte vendosur në studion e shkrimtarit në formë muri dhe një ditë, për shkak të vendosjes jo të kujdesshme të pllakave, të pjekjes jo të mirë ose të një tërmeti, vepra mund të rrëzohej e të zinte nën vete shkrimtarin.
    Por, si gjithçka fillestare, edhe këto s’ishin veçse rreziqe të thjeshta, në krahasim me ato që do të vinin më pas. Dhe më pas do të vinin lemeritë që dihen tashmë.

    Ikja e Eskilit nga Athina do të hapte serinë e ikjeve të mëdha. Eskili dhe Homeri ishin shkrimtarët më të mëdhenj të njerëzimit gjer në shekullin e pestë. Kështu, së paku, njëri nga dy më të mëdhenjtë u detyrua të braktisë vendin. (Them së paku, sepse s’përjashtohet mundësia që Homeri, si rapsod shëtitës, të ketë lëvizur aq shumë, sa që për të fjala ikje të mos kishte ndonjë kuptim në jetën e tij.)
    Ikja ose dëbimi i shkrimtarëve u lidh kështu me letërsinë, hyri si të thuash në kodin gjenetik të saj tepër herët. Por ikja gjithashtu pësoi ndryshim gjatë shekujve. Ndërsa koha në botë qëllonte që zbutej, qëndrimi ndaj letërsisë egërsohej.
    Ikja e Ovidit nga Roma na duket ndoshta më e dhimbshme, ngaqë, ndryshe nga Eskili, ku rolin kryesor për vendimin e ikjes e luajti zemërimi i shkrimtarit, Ovidi u dëbua nga shteti. Me Ovidin nisi internimi i shkrimtarëve në kuptimin e sotëm të fjalës.
    Në rastin e Ovidit kemi të gjitha shenjat e totalitarizmit të ardhshëm: dënimin pa shkak të shpallur. Domethënë atë lloj shtypjeje të shtetit totalitar, kur ti nuk e ke as vetë të qartë përse të dënojnë. Ky terror i pashpjeguar, kjo goditje e verbër do të mbetet një nga makinat kryesore të terrorit gjer në shekullin e XX, kur komunizmi, pasi ta përkryejë makinën, njëlloj si te makina e Kafkës, do të shembet bashkë me të.
    Me ikjet e tyre, shkrimtarët e mëdhenj, që nga Eskili te Dante Aligieri, duket sikur kërkuan në njëfarë mënyre të rikthehen në atë zonë, në atë klimë, në atë kaos prej nga lindi letërsia. Me fjalë të tjera, ata deshën të provonin një tjetër gjendje të tyre, një gjysmëvdekje, për të mos thënë vetë vdekjen. Ishte, ndoshta, një urdhër i brendshëm i artit, i ritit të madh të tij që i sugjeroi Dantes që, para se të niste të përshkruante udhëtimin nëpër ferr, të largohej në njëfarë mënyre nga jeta.
    Megjithatë, duhet thënë se gjer te Dante Aligieri, shkrimtarët, qoftë dhe në fatkeqësi, trajtoheshin përgjithësisht si një racë senjorale. Ishin diktaturat e mëvonshme ato që e kuptuan se, për t’i goditur më mirë, duhej që shkrimtarëve t’ua ulje rangun. Kështu u bë zakon ajo që më parë ngjante e pazakonshme: burgimi i shkrimtarëve, rrasja e tyre në qelitë e përbashkëta, internimi, çnderimi, zhvendosja me trena nga një kamp në tjetrin, fyerjet, riedukimi me anë të punës etj., etj.
    Rendi komunist ishte ai që më shumë se çdo rend tjetër e mori seriozisht luftën kundër letërsisë. Komunizmi dhe letërsia e vërtetë s’mund të bashkëjetonin kurrë. Qëndrimi mohues ndaj letërsisë nuk është deformim i mëvonshëm. Ai është në gjenezën e komunizmit. Paragrafët e cekët të Marksit për letërsinë antike ose për Shekspirin s’janë veç një alibi për të mbuluar krimin e mëvonshëm. Në vizionin e tij të botës së ardhshme nuk ka vend për letërsinë. Artikulli platformë i Leninit “Letërsia e partisë dhe organizata e partisë” ishte aq barbar për nga pasojat e tij, saqë mund të kishte poshtë nënshkrimin e Xhingis Khanit. Por, nga artikulli i Leninit te pushkatimet e Stalinit, tek urrejtja patologjike e Maos për shkrimtarët, gjer te Pol Poti i Kamboxhias, që i masakronte njëlloj, si ata që shkruanin libra, dhe ata që i lexonin ato, kalon si një fill i kuq qëndrimi për letërsinë.
    Totalitarizmi kuptoi, gjithashtu, se shkatërrimi i letërsisë nuk mund të bëhej vetëm me terror. Ai e kuptoi se jo asgjësimi, por vetasgjësimi i letërsisë do të ishte zgjidhje e plotë e problemit.
    Komunizmi totalitar nisi kështu një nga aksionet më kriminale të tij: varrosjen e letërsisë prej vetë shkrimtarëve. Vetëcensurën, këtë sëmundje shekullore, me të cilën letërsia qe ndeshur edhe më parë dhe që në një mënyrë ose në një tjetër e kishte kapërcyer, komunizmi u përpoq ta kthente në murtajë.
    Dhe ai arriti, në njëfarë mënyre, ta bënte këtë. Mijëra shkrimtarë, kryesisht mediokër, e rrethonin nga të gjitha anët tempullin e letërsisë. Numri i tyre shtohej çdo ditë në atë masë që numri i shkrimtarëve të vërtetë, të atyre që përpiqeshin të mbanin gjallë zjarrin e shenjtë, sa vinte pakësohej.
    Asnjëherë letërsia e gjysmës së botës nuk ishte ndeshur me një rrezik të tillë. Shkrimtarët u ndanë kështu më dysh: në ata që e tradhtuan tempullin dhe në ata që i qëndruan besnikë. Pyetja hyjnore që mund t’u bëhej shkrimtarëve të Lindjes “ç’bëre ti Adam?” do të kishte në këtë rast dy përgjigje. E para, unë u degradova sipas ligjeve të komunizmit. E dyta, unë vazhdova të shkruaj normalisht, sikur komunizmi të mos ekzistonte.
    Është thënë edhe herë të tjera se, të mendoje normalisht në botën e çmendur komuniste, është, ndërkaq, një qëndresë e parë. Të flisje normalisht, kjo ishte pothuajse heroike.
    Komunizmi u shemb pa e njëmendësuar dot ëndrrën e tij të mbrapshtë. Ne e arritëm fundin e këtij mijëvjeçari pa të. Ka tre mijë vjet që letërsia jeton në botë. Mijëvjeçari i saj i parë ka qenë i pasur e plot dritë. I dyti, për fat të keq, ishte i varfër. U duk sikur njerëzimi donte të pushonte njëfarë kohe, gjersa erdhi mijëvjeçari i tretë, ky që po jetojmë, i cili prapë e ringjalli letërsinë. Le të shpresojmë që mijëvjeçari i ri, i katërti i saj, të mos përsëritë, për një simetri fatale, të dytin.

    Fjala e mbajtur në një forum botëror të letërsisë në Munih, më 22 mars 1992

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË